NATO nuk është në luftë me Rusinë, por po ndihmon Ukrainën të mbrohet

Postimi dhe video materiali që po shpërndahet shtrembëron teza. NATO nuk është në luftë me Rusinë, por më 24 shkurt të vitit të kaluar, Rusia kreu një pushtim ushtarak të Ukrainës në të cilin vdiqën një numër i madh civilësh dhe ushtarësh. NATO dënon agresionin ushtarak brutal dhe të paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës, sulmi më i madh ushtarak në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore dhe subjekt i dënimit të gjerë ndërkombëtar.

 

 

Po shqyrtojmë një postim të publikuar në rrjetin social Facebook në të cilin shpërndahet video material me titull:

NATO do të luftojë deri në pikën e fundit të gjakut ukrainas.

Video materiali demonstron miratimin e ndihmës ushtarake në formën e pajisjeve dhe armëve nga NATO, përmes një komandanti që miraton dërgimin e ndihmës ushtarake në Ukrainë. Sipas skenarit dhe asaj që tregohet në video materialin, sa herë miratohet ndihma ushtarake për Ukrainën, do të thotë pjesëmarrje në vrasjen e ukrainasve. Videoja përfundon me mesazhin:

NATO – lufton deri në pikën e fundit të gjakut ukrainas.

Materiali i tillë propagandistik shtrembëron teza. NATO nuk është në luftë me Rusinë, por Rusia kreu një pushtim ushtarak të Ukrainës, ku u vranë një numër i madh civilësh dhe ushtarësh në territorin ukrainas.

Më 24 shkurt 2022, Rusia nisi sulme me raketa në vende në të gjithë Ukrainën, duke përfshirë kryeqytetin, Kiev. Forcat tokësore ruse hynë në territorin ukrainas, pas së cilës presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u përgjigj duke vendosur ligjin ushtarak, duke ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Rusinë dhe mobilizimin e përgjithshëm. Pushtimi është sulmi më i madh ushtarak në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore dhe ka qenë objekt i dënimit të gjerë ndërkombëtar, si dhe sanksioneve kundër Rusisë.

Ukraina nuk sulmoi Rusinë, por Rusia sulmoi Ukrainën. Rrjedhimisht, Ukraina ka të drejtë të mbrohet. NATO dënon agresionin ushtarak brutal dhe të paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës, e cila është një shtet i pavarur dhe demokratik dhe një partner i ngushtë i NATO-s. NATO dhe aleatët vazhdojnë të mbështesin Ukrainën në të drejtën e saj të padiskutueshme për vetëmbrojtje.

NATO ndihmon në koordinimin e kërkesave të Ukrainës për ndihmë dhe mbështet aleatët në dhënien e ndihmës humanitare. Neni 5 si garanci sigurie mundëson mbrojtjen kolektive dhe lejon Aleancën të dërgojë armë në Ukrainë pa rrezikuar sigurinë e saj. Për më tepër, struktura e vendosur mirë e Aleancës për standardet e përbashkëta dhe sistemet e ndërveprueshme i lejon Aleancës të dorëzojë pajisje me besimin se dërgesat në Ukrainë mund të plotësohen me pajisje të përputhshme nga aleatët e tjerë. Anëtarët të NATO-s dërgojnë armë, municione dhe shumë lloje të pajisjeve të lehta dhe të rënda ushtarake, duke përfshirë sistemet antitank dhe të mbrojtjes ajrore, drone dhe tanke. Deri më sot, aleatët e NATO-s i kanë ofruar Ukrainës pajisje me vlerë miliarda euro. Aleatët po trajnojnë gjithashtu trupat ukrainase për të përdorur këto pajisje. Kjo ndihmon Ukrainën të ruajë të drejtën e saj për vetëmbrojtje, e cila është e garantuar në Kartën e OKB-së, shkruan në faqen e NATO-s.

Përveç kësaj, aleatët po i japin Ukrainës ndihma monetare, si dhe ndihma humanitare për civilët dhe personat e zhvendosur ukrainas.

Aleatët po punojnë me palët përkatëse të interesit ndërkombëtarisht për t’i mbajtur përgjegjës ata që kanë kryer krime lufte. Aleatët punuan për të mbështetur përpjekjet ndërkombëtare për të mundësuar eksportet e grurit të Ukrainës dhe për të lehtësuar krizën globale të ushqimit.

Në një samit në Madrid në qershor 2022, liderët ranë dakord të rrisin një paketë mbështetjeje për Ukrainën që përfshin mbështetje në pajisje mjekësore, armë, veshje dimërore, pajisje kundër minave dhe sisteme të lëvizshme anti-drone. Aleatët ranë dakord gjithashtu për të ndihmuar Ukrainën që të kalojë nga pajisjet sovjetike në pajisjet moderne të NATO-s për të forcuar më tej pozicionet e mbrojtjes së Ukrainës dhe sigurimin e institucioneve. Në terma afatgjatë, aleanca e NATO-s është e përkushtuar të ndihmojë Ukrainën në rindërtimin dhe reformën e pasluftës, thuhet në uebsajtin e NATO-s.

Veç kësaj, veprimet e NATO-s janë mbrojtëse, të dizajnuara jo për të provokuar konflikt, por për ta parandaluar atë.

Aleanca ka përgjegjësinë të sigurojë që lufta të mos përshkallëzohet jashtë Ukrainës, gjë që do të ishte edhe më katastrofike dhe e rrezikshme.

Në këtë video të shkurtër, NATO demaskon gënjeshtrat që përdor makina propagandistike ruse për të justifikuar agresionin e saj ndaj Ukrainës dhe për të fajësuar NATO-n për luftën që filloi vetëm Rusia. Në sekondën e 48-të të videos thuhet se NATO nuk është në luftë me Rusinë. Në këtë video të NATO-s të titulluar “Gënjeshtrat e Kremlinit”, thuhet:

Do të mbështesim Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme.

Dojçe Vele vuri në dukje në një analizë se mbështetja e Ukrainës nga partnerët perëndimorë përmes ndihmës financiare dhe furnizimit me armë përdoret nga Putin për pretendimin e tij të preferuar se “Ukraina kontrollohet nga jashtë” dhe se është “përforcuar nga forcat e armatosura të vendeve të NATO-s dhe pompohet me armët më moderne”.

Vlen gjithashtu të përmendet se nga mesi i vitit 2022, pasi Rusia ishte tashmë e përfshirë thellë në pushtimin e saj ushtarak të Ukrainës, Sergey Kiriyenko deklaroi se “NATO po lufton kundër Rusisë deri në ukrainasin e fundit”, një rrëfim që përshkon postimin që po shqyrtojmë.

Bëhet fjalë për shtrembërim të së vërtetës, pra përdoret taktika për të akuzuar NATO-n për luftë kundër Rusisë, kur Rusia është ajo që bën luftë kundër Ukrainës në përpjekje për të pushtuar një pjesë sa më të madhe të territorit të saj sovran, duke shkelur të drejtën ndërkombëtare dhe si pasojë e agresionit ushtarak ka edhe një numër të madh viktimash.

Për të gjitha faktet e mësipërme, ne e vlerësojmë postimin që po shqyrtojmë si të pavërtetë.

 


Ky artikull është përgatitur në kuadër të projektit Promovimi i qasjes në lajme të besueshme për të luftuar dezinformatat, i zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis. Artikulli, i botuar fillimisht në Vërtetmatës, është mundësuar nga mbështetja e fondacionit jofitimprurës amerikan NED (National Endowment for Democracy). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Metamorphosis, NED ose bashkëpunëtorëve të tyre


 

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari