Mos bini pre e mashtrimit – aeroporti i Shkupit nuk ofron valixhe të humbura për 123 denarë!

Фото: Вистиномер

Aeroporti i Shkupit nuk zhvillon lojë shpërblyese për valixhet e humbura dhe i trajton bagazhet e humbura sipas një procedure të përcaktuar në mënyrë strikte që nuk përfshin shitjen e tyre.

 

Po shqyrtojmë një postim në rrjetin social Facebook, ku është publikuar një fotografi që tregon disa valixhe të grumbulluara, e shoqëruar me përshkrimin:

Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit po organizon një shitje të bagazheve të papranuara për vetëm 123 denarë. Në depo janë grumbulluar një numër i madh valixhesh të humbura ose të harruara. Sipas rregullave në fuqi, aeroporti ka të drejtë të asgjësojë bagazhin që nuk është tërhequr për më shumë se 6 muaj. Në vend të kësaj, po organizohet sërish një shitje humanitare, ku valixhet ofrohen me çmim vetëm 123 denarë për copë. Më shumë informacione mund të gjeni në faqen e internetit. Kthimi është i mundur brenda 14 ditëve!

Në kuadër të publikimit shpërndahet një link që çon te një pyetësor i rremë, i cili nuk ka asnjë lidhje me aeroportin e Shkupit (përkundër asaj që pretendohet rrejshëm në titullin e grupit nga i cili shpërndahet thirrja e rreme me përmbajtjen: “Njoftim nga aeroporti / SKP”). Pyetësori përmban tre pyetje: “A jeni nga Maqedonia e Veriut?”, “A keni hezituar ndonjëherë të blini në aeroport?” dhe “A keni humbur ndonjëherë valixhen?”

Pasi të jepen përgjigjet, sistemi i ridrejton përdoruesit te një njoftim i rremë, në të cilin pretendohet se “kanë fituar një valixhe që do t’u dorëzohet për 5 deri në 7 ditë”. Në realitet, asnjë valixhe nuk do të dorëzohet dhe përdoruesit nuk duhet të japin të dhënat e tyre personale apo bankare në formularin që ka për qëllim vetëm t’ua zbrazë llogaritë bankare! Aeroporti i Shkupit nuk organizon lojëra shpërblyese për bagazhe të humbura dhe për to vepron sipas një procedure të rreptë, e cila nuk përfshin shitjen e bagazhit. Gjatë vitit të kaluar janë krijuar disa herë lojëra të tilla të rreme, përmes të cilave qytetarët janë mashtruar që, duke dhënë të dhënat e tyre bankare dhe duke paguar 123 denarë për “dorëzim”, do të fitonin një produkt (në këtë rast, një valixhe të humbur). Por, formulari i publikuar në faqe është vetëm një mashtrim për të mbledhur të dhëna personale dhe për të mundësuar që dikush tjetër të tërheqë para nga llogaria e tyre bankare. Formulari i rremë për dorëzimin e të dhënave personale duket kështu:

 

Një tregues shtesë që bëhet fjalë për mashtrim është fakti që faqja nga e cila shpërndahet njoftimi i rremë nuk është faqja zyrtare e aeroportit që menaxhohet nga TAV. Te faqja zyrtare e aeroportit të TAV-it në Facebook mund të qaseni përmes këtij linku.

Në faqen zyrtare në Facebook të Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit është publikuar një paralajmërim se bëhet fjalë për mashtrim.

Të nderuar udhëtarë dhe ndjekës të faqes sonë në Facebook të Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit. Dëshirojmë t’ju informojmë, dhe njëkohësisht t’ju paralajmërojmë, se fatkeqësisht sërish janë shfaqur faqe dhe profile të rreme në Facebook, të cilat përmes linkeve që çojnë në faqe të ndryshme në internet shpërndajnë informacione të pavërteta për një kinse shitje të bagazheve të humbura në emër të Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit, respektivisht operatorit të aeroportit – TAV Maqedoni. Apelojmë te të gjithë ju që të jeni të kujdesshëm, sidomos kur prej jush kërkohet të fusni të dhëna personale apo të dhëna nga llogaritë tuaja bankare, të cilat mund të keqpërdoren. TAV Maqedoni, si një kompani serioze dhe përgjegjëse që kujdeset për klientët e saj, po ndërmerr të gjitha masat ligjore të disponueshme në lidhje me këto publikime të rreme. Të gjitha informacionet dhe lajmet zyrtare që kanë të bëjnë me Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit mund t’i gjeni në: Faqen zyrtare të internetit: https://skp.airports.com.mk/mk-MK/ Faqen zyrtare në Facebook: https://www.facebook.com/SkopjeAirport Instagram: https://www.instagram.com/skopjeairport/ Twitter (X): https://x.com/skopjeairport Të gjitha faqet e tjera në rrjetet sociale që mund t’i hasni janë përfaqësime të rreme dhe nuk kanë asnjë lidhje me Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit apo veprimtarinë tonë, theksojnë nga TAV Maqedoni.

Për shkak të të gjitha fakteve të lartpërmendura, publikimin që po e shqyrtojmë e vlerësojmë si të pavërtetë.

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.