Mjeku suedez në mënyrë të rreme pretendon se vaksina Pfizer përmban mikroorganizma të gjallë

Фот

Në videon e shpërndarë në postim, mjeku suedez Dr. Enby, të cilit iu mor licenca mjekësore në vitin 2007, në kompjuterin e tij tregon një foto për të cilat pretendon se janë pamje mikroskopike të vaksinës Pfizer dhe grimcat që lëvizin në ekran sipas tij janë mikroorganizma të gjallë. Përbërja e vaksinës Pfizer është publike dhe mund të shihet se vaksina nuk përmban organizma të gjallë, por vetëm përbërës kimikë që e stimulojnë trupin e njeriut për të prodhuar antitrupa kundër Kovid-19. Dr. Amesh Adalja, një bashkëpunëtor i lartë për shëndetin dhe sigurinë në Qendrën Johns Hopkins, thotë se vaksinat nuk mund të përmbajnë agjensë parazitarë të gjallë, shkruan Vërtetëmatësi.

Një postim në Facebook shpërndan dezinformata për përbërjen e vaksinës kundër Kovid-19 të prodhuesit “Pfizer”. Në postim është shpërndarë një video nga një intervistë me mjekun suedez Dr. Eric Enby i cili pretendon se në vaksinë ka organizma të gjallë dhe pretendimet e tij bazohen në një analizë të supozuar mikroskopike të lëngut nga vaksina. Verifikimi i bërë nga ne ka treguar se pretendimet e tilla janë të rreme.

Mjeku suedez Dr. Erik Enby, në intervistën mbresëlënëse (video), e prezanton analizën mikroskopike të vaxx Pfizer.

Në videon 17-minutëshe, të postuar në Facebook, është paraqitur një mjek suedez që pretendon se vaksina Pfizer përmban grimca që mund të mbijnë dhe të shkaktojnë sëmundje tek personat që janë vaksinuar.

Bëhet fjalë për mjekun Eric Enby, të cilit i është marrë licenca mjekësore në vitin 2007, pas vdekjes së dy pacientëve me kancer të cilët ai i mjekonte me fungicide, barishte dhe vitamina, tregojnë raportimet e mediave suedeze.

Në videon e shpërndarë në postim, Dr. Enby në kompjuterin e tij tregon foto për të cilat pretendon se janë pamje mikroskopike të vaksinës Pfizer kundër Kovid-19. Grimcat që lëvizin në ekran, thotë Enby,janë mikroorganizma të gjallë.

Besoj se ka të bëjë me zhvillimin e sëmundjes. Mendoj se (grimcat) mund të mbijnë në trup dhe nëse ndodh kjo, do të ketë zhvillim të mëtejshëm të rritjes dhe shumë lloje të  nënprodukteve të pakontrolluara,” thotë Enby.

Ai gjithashtu pretendon se një person i vaksinuar mund të parandalojë mbirjen e grimcave të gjalla duke marrë vitamina dhe suplemente.

Çfarë përmban vaksina e Pfizer?

Përbërja e vaksinave kundër Covid-19, të cilat aplikohen në Maqedoni, është në dispozicion të publikut dhe mund të shihet në faqen e internetit kovid19vakcinacija.mk. Përbërja e vaksinës Pfizer është gjithashtu në dispozicion edhe në ueb-faqen e tyre zyrtare. Vaksina e tyre përmban mARN, lipide, polietilen glikol, fosfokolinë, kolesterol, klorur kaliumi, fosfat monobazik të kaliumit, klorur natriumi, dibazit fosfat natriumi dihidrat dhe saharozë. Askund nuk thuhet se vaksina përmban mikroorganizma ose grimca të gjalla.

Vaksina mARN është një transportues i kodit gjenetik të ARN-së. Kjo do të thotë se mARN e përdor vetëm kodin gjenetik të virusit. Vaksina mARN injektohet në trup dhe përbërësit hyjnë në qelizat “dhe u përcjellin atyre mesazh” për të filluar prodhimin e antigjeneve. Këto antigjene njihen nga sistemi imunologjik dhe kështu i përgatisin qelizat për ta luftuar koronavirusin SARS-KoV-2.

Nuk ka dëshmi për kontaminim të vaksinës

Walker May, profesor në Katedrën e epidemiologjisë në Universitetin e Floridës, në një deklaratë për Polifact ka thënë se nuk kishte gjetur prova të recenzuara për kontaminimin e vaksinës Pfizer.

Ndotja me spore ose materiale të tjera mikrobiale teorikisht mund të ndodhë gjatë prodhimit të çdo gjëje biologjike, përfshirë edhe vaksinat. Mirëpo, kontrolli i cilësisë është i gjerë dhe monitorimi është i vazhdueshëm. Kështu, gjasat që një seri e kontaminuar të përfundojë në treg janë shumë të ulëta, ka thënë May për Polifact.

Nga Kompania Pfizer për Reuters kanë deklaruar se vaksina e tyre kundër Kovid-19 nuk përmban kurrëfarë grimcash virale e as edhe përbërës të gjallë. Bëhet fjalë për një vaksinë mARN sintetike përbërja e së cilës është publike.

Nuk është e mundur që vaksinat të përmbajnë agjensë parazitarë të gjallë. Ky është një pretendim i pabazuar dhe i injoron hapat për sterilitet që zbatohen gjatë prodhimit, ka deklaruar për Reuters Dr. Amesh AdaljaDr. Amesh Adalja, një bashkëpunëtor i lartë për shëndetin dhe sigurinë në Qendrën Johns Hopkins.

Nga e gjithë kjo mund të konkludojmë se vaksina Pfizer nuk përmban organizma të gjallë, por vetëm përbërës kimikë që stimulojnë trupin e njeriut për të prodhuar antitrupa kundër Kovid-19. Prandaj, postimin që po e recenzojmë e vlerësojmë si të pasaktë.

 

Ky artikull është përgatitur në kuadër të Projektit për përballim të shpejtë të dezinformatave rreth vaksinimit, të zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis. Ky artikull fillimisht është botuar në Vërtetmatës, ndërsa është mundësuar me mbështetjen e Fondit Ballkanik për Demokraci, projekt i Fondit Marshall Gjerman të SHBA-ve (BTD – The Balkan Trust for Democracy, a project of the German Marshall Fund of the United States). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Metamorfozis, FBD-së ose bashkëpunëtorëve të tyre.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.