Mickoski kërkon të mos politizohet ndotja e ajrit, dhe vetë ai e politizon
Kryeministri Mickoski kërkoi që të mos politizohet çështja e ajrit të ndotur në disa qytete të vendit, duke përfshirë edhe atë më të madhin, Shkupin, duke shpjeguar se të gjitha elitat politike që kanë qeverisur me vendin deri më tani nuk kanë arritur ta zgjidhin këtë çështje. Është i njëjti Mickoski, tash kryeministër dhe lider i së njëjtës parti, i cili jo vetëm në të njëjtën mbrëmje (12.11.2024), por edhe çdo vit nga nëntori deri në mars, vazhdimisht dërgonte kritika të ashpra dhe politizonte të njëjtën çështje.
Kryeministri Hristijan Mickoski, në një fjalim kushtuar Shkupit, shprehu një qëndrim që mund të vlerësohet si jokonsekuencë:
Deklaratë: Jam i vetëdijshëm se ndotja e ajrit është një nga problemet më të mëdha që ne e ndjejmë çdo ditë. Shpesh më vjen turp kur shoh se si kryeqyteti ynë – qyteti i lirisë, është tani ndër qytetet më të ndotura në botë. Dhe jam veçanërisht i zhgënjyer që dekada e dekada nuk është bërë asgjë për ajër më të pastër. Dhe ju lutem mos e politizoni këtë temë, sepse është dështim kolektiv i të gjitha elitave politike që kanë menaxhuar shtetin dhe qytetin deri tani”.
[Burimi: VMRO-DPMNE – H. Mickoski/pjesë e fjalës; Data – 12.10.2024]
Arsyetim: Gjithçka do të ishte në rregull me kritikat e kryeministrit Mickoski për ajrin e ndotur në fjalimin e mbajtur me rastin e çlirimit të Shkupit, nëse partia në pushtet, kryetar i së cilës është ai, nuk do ta kishte politizuar çështjen, mbrëmjen pas fjalimit të 12 nëntorit, por edhe më 11.11. 2024, dhe akoma më shumë vite më parë, gjë që tregon për një qëndrim jokonsistent.
Mickoski ka të drejtë kur vlerëson se të gjitha elitat politike që drejtuan vendin dështuan, gjegjësisht nuk bënë sa duhet për ta zgjidhur këtë çështje. Strategjitë, kërkimet shkencore, planet e gjelbra, masat ad-hoc, pajisjet matëse etj., sigurisht që janë diçka, por në thelb është sikur të ishin asgjë, sepse situata ka mbetur e njëjtë. Por Mickoski, pikërisht për ato arsye, kërkoi që kjo çështje të mos politizohet. Menjëherë pas fjalimit, VMRO-DPMNE lëshoi një deklaratë ku thuhej pikërisht e kundërta.
LSDM nuk bëri asgjë për 7 vjet për sa i përket ndotjes. Nëse LSDM do të kishte të paktën një masë kundër ndotjes në 7 vitet e fundit, kjo situatë mund të mos kishte ndodhur.
Qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE është duke punuar në një strategji gjithëpërfshirëse që do të japë rezultate në afat të gjatë.
Një ditë më parë (11.11.2024) VMRO-DPMNE sërish kishte një njoftim për këtë temë ku ndër të tjera thuhet:
Qeveria e LSDM-së dhe BDI-së nuk bënë asgjë për ndotjen e ajrit.
Dhe vetë Zoran Zaev vazhdonte të bërtiste me zë të lartë ajër, ajër dhe premtonte ajër të pastër.
Në fund të vitit 2017, Jani Makraduli nga LSDM ka protestuar për ajër më të pastër si zëvendësministër në ministrinë përkatëse. Ose Jani protestoi kundër Janit.
BDI, e cila u vetëshpall si parti e gjelbër, nuk ka as agjendë të gjelbër.
Dhe çfarë ndodhi në kohën e LSDM-së dhe BDI-së? Stacionet matëse shpesh prisheshin dhe nuk funksiononin.
LSDM në 7 vitet e fundit ka shpenzuar miliona buxhete, por nuk ka investuar asgjë për të përmirësuar cilësinë e ajrit…
Këto dy njoftime nuk janë gjë tjetër veçse politizimi i çështjes, qoftë edhe përgjigje ndaj reagimeve të LSDM-së dhe BDI-së. Nëse nuk doni të politizoni diçka, do ta tregoni me një shembull personal.
Por kështu ishte vite më parë. Dhe kjo pikërisht në periudhën diku nga nëntori deri në mars, kur fillon sezoni i ngrohjes në qytete dhe qyteza.
Për shembull, vitin e kaluar, në 2023 VMRO-DPMNE si parti opozitare ka dërguar një deklaratë me titull “Shkupi dhe Maqedonia po mbyten në ajër të ndotur, për 7 vite Qeveria ka shpenzuar 20 miliardë euro, dhe asnjë euro për ajër më të pastër”.
Fjalia e parë thotë:
SDS ka 7 vite që është pushteti qendror. 7 vite pasi erdhën në pushtet me premtimin për ajër më të pastër. Për 7 vite si Shkupi dhe gjithë Maqedonia po mbyten në ajrin e ndotur.
Në vitin 2022, media regjistroi një tjetër njoftim, pjesërisht në të njëjtin stil dhe pjesërisht të ndryshëm:
Shkupi thith ajër të ndotur, pse qeveria 5 vite nuk ndau asnjë denarë për uljen e ndotjes. Për pesë vjet, Zaev dhe pengu i tij Kovaçevski nuk bënë asnjë projekt për uljen e ndotjes së ajrit, tha VMRO-DPMNE…
…Për dallim nga qeveria, Qyteti i Shkupit dhe komunat po bëjnë gjithçka që është në fuqinë e tyre për të ulur ndotjen, por pa punë të qeverisë nuk mund të ketë rezultate më të mëdha, prandaj zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe zgjedhjen e një qeverie të re që do të luftojë janë të nevojshme kundër ndotjes së ajrit.
Dallimi është i dukshëm. VMRO-DPMNE atëherë ishte në raporte më të mira me kryetaren e Shkupit Danela Arsovska, e prej andej qyteti dhe komunat nën kompetencën e tyre bënë gjithçka, dhe ajri kishte erë trëndafili, edhe pse i gjithë opinioni e di se nuk ishte ashttu.
Ngjashëm u soll VMRO-DPMNE në vitin 2019, për shembull, që shihet nga shembulli këtu, si dhe në vitin 2018 në nëntor, kur edhe kërkuan seancë parlamentare (shiko këtu) etj.
Është interesante se VMRO-DPMNE është plotësisht e vetëdijshme se kjo është një zgjidhje afatgjatë dhe e ngadaltë që kërkon një qasje sistematike, shumë para dhe se asnjë masë afatshkurtër nuk mund ta zgjidhë problemin. Kështu thuhet në të gjitha njoftimet e tyre që i kemi renditur këtu dhe në të gjitha dëgjesat publike në të cilat kanë marrë pjesë zyrtarë të VMRO-DPMNE-së. Kjo shihet edhe nga njoftimi i djeshëm, por edhe nga fjalimi i Mickoskit, i cili paralajmëroi zgjidhje sistemore, shtylla kryesore e së cilës do të jetë gazi i marrë përmes termocentraleve të reja të kogjenerimit.
Në fund të fundit, as ndërtimi i termocentraleve të paralajmëruara të kogjenerimit nuk është zgjidhje e problemit as për këtë, as për tjetrin, as për dimrin e tretë nga tani, sepse rreth tre vjet është koha më e shkurtër për të ndërtuar një impiant të tillë. Pikërisht një investim i tillë për një kohë të tillë (18+36 muaj) ishte paralajmëruar në fund të qeverisjes së LSDM-së dhe BDI-së me Mytileneos greke, por VMRO-DPMNE dhe një grup ekspertësh në fund të vitit 2023 dhe vetë fillimi i vitit 2024 ishin kundër, me arsyetimin se po i jepej shumë partnerit privat. Tani qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE është në kërkim të partnerëve të rinj, kështu që ndoshta do të ketë sukses më shumë. Por për të përsëritur, duhen vite.
Nga ajo që u tha më lart, është fare e qartë se lutja e Mickoskit për të mos politizuar temën dhe është partia e tij ajo që po e bën tani, si në vitet e kaluara, është jokonsekuencë.
Burime:
- (12.11.2024) VMRO-DPMNE – H. Mickoski – [Kontrolluar më 13.10.2024]
- (11.11.2024) VMRO-DPMNE – Njoftim – [Kontrolluar më 13.10.2024]
- (01.08.2022) Time.mk – grup lajmesh – [Kontrolluar më 13.10.2024]
Vlerësoi: Teofil Blazhevski
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari