Mediat në Kosovë gjatë periudhës së COVID-19

Shkruan: Dren Gërguri

Korrektësi në mediat tradicionale. Dezinformata dhe manipulime në rrjetet sociale dhe mediat online

Për dallim nga disa shtete të rajonit, Qeveria e Kosovës nuk ndërmori ndonjë iniciativë ligjore që do të mund të kushtëzonte lirinë e gazetarëve për të ushtruar profesionin e tyre apo që do të rezultonte në rritje të vetë-censurës. Gazetarët në Kosovë ballafaqohen me sfida të ngjashme sikur në shtetet e rajonit, megjithatë, krahasuar me shtetet fqinje, Kosova vijon të renditet më mirë se ta në Indeksin e Lirisë së Shtypit të ‘Reporterëve pa Kufij’.  Gjithashtu, Kosova është i vetmi vend në rajonin e Ballkanit Perëndimor që për të pestin vit me radhë ka shënuar përparim në raportin e organizatës ‘Freedom House’ për demokratizmin e vendeve.

Gjatë periudhës së pandemisë, media në Kosovë është treguar korrekte në raportim, me përjashtime të vogla. Mediat janë përpjekur ta mbajnë shoqërinë të informuar me informacione të verifikuara dhe të mbështetura në burime zyrtare. Media kosovare filloi t’i kushtojë vëmendje më të madhe COVID-19 vetëm kur u regjistruan rastet e para në Shqipëri. Nga muaji mars, media në Kosovë filloi të raportojë për virusin korona. Televizionet dhe shumica e mediave online trajtuan me profesionalizëm rastet e personave të prekur nga virusi, duke respektuar privatësinë e tyre dhe duke ruajtur identitetin e tyre.

Mediat mainstream raportuan me korrektësi në krizën e pandemisë

Rasti i parë në Kosovë u regjistrua më 13 mars dhe nga atëherë, të gjitha mediat kanë mbuluar çdo zhvillim lidhur me virusin korona. Krahas intervistave me ekspertë të fushës, mediat gjithashtu raportuan në vazhdimësi për konfirmimin e rasteve me virusin korona, masat që vendoseshin nga Qeveria, gjendjen e Klinikës së Infektologjisë në QKUK, sfidat me të cilat ballafaqoheshin mantel-bardhët, situatën nëpër Komuna me fokus në ato Komuna ku shfaqeshin rastet e të prekurve me COVID-19. Në këtë periudhë, shpesh u raportua edhe për situatën në shtete të tjera, nganjëherë edhe duke bërë krahasime mes Kosovës dhe atyre shteteve.

Kriza politike dhe ndikimi te raportimi i mediave për virusin korona

Nuk kaluan dy javë nga shfaqja e virusit korona në Kosovë dhe kriza politike u thellua kur në Kuvendin e Kosovës u votua mocioni i mosbesimit dhe u rrëzua Qeveria Kurti. Nga 25 marsi, Kosova mbeti me Qeveri në detyrë. Prej atëherë, shpesh, temat politike zënë vendin kryesor në mediat kosovare. Zhvillimet lidhur me situatën e re politike të krijuar në vend pas rrëzimit të Qeverisë shpesh ishin lajmet kryesore të ditës në televizione e media onlajn, që ndikoi që raportimi për koronavirusin në ditë të ndryshme, të mbetej nën hijen e zhvillimeve politike. Lajm i ditës ishte shpesh komunikimi për mandatarin e qeverisë i Presidentit Hashim Thaçi me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, liderin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), partisë fituese në zgjedhjet e tetorit 2019. Më pas, përfshirja e LDK-së në iniciativën për krijimin e qeverisë së re, bisedimet e LDK-së me partitë e tjera politike, qëndrimi refuzues i LVV-së ndaj formimit të qeverisë së re duke kërkuar zgjedhje të reja pasi të kalojë kriza e pandemisë, dekreti i Presidentit Thaçi për mandatin e ri për formimin e qeverisë së re, pezullimi i përkohshëm i zbatimit të dekretit nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës pasi Vetëvendosje kërkoi të vlerësohet kushtetutshmëria e vendimit të presidentit, të gjitha këto zhvillime ndikuan që media t’i jap shpesh më shumë hapësirë zhvillimeve politike se sa të rejave lidhur me koronavirusin.

Dezinformatat, virale në mediat sociale             

Dezinformata të shumta dhe të ndryshme janë shpërndarë që nga koha kur u fillua të raportohet për virusin korona, kryesisht në media sociale. Në Kosovë, pikërisht media sociale si Facebook-u, është ndër burimet kryesore të informacionit, por edhe të dezinformacionit. Qytetarët i janë ekspozuar një morie dezinformatash që mbi të gjitha kanë shkaktuar panik te qytetarët dhe, si pasojë e prirjes së qytetarëve për të shpërndarë çdo informacion që lexojnë, të pa verifikuar dhe shpesh të rremë, ato kanë depërtuar te një publik edhe më i gjerë. Dezinformata si: Fëmijët janë imunë ndaj virusit korona; Ekziston vaksina e virusit korona; Qeveria kineze ndërtoi një spital brenda natës, etj., janë shpërndarë nga qytetarët kosovarë, të cilët, të pavetëdijshëm për dëmin, janë bërë pjesë e manipulimit. Një analizë prezanton pesë dezinformatat kryesore të shpërndara në gjuhën shqipe me interaktivitet të lartë në Facebook. Në këtë periudhë, media mainstream nuk është se u angazhua shumë për ta luftuar dezinformimin. Zhvillimet politike ndikuan që hapësira për virusin korona në media mainstream të jetë e limituar, sepse në emisionet kryesore të televizioneve fokusi ishte në tema politike, derisa edhe në media online, nuk pati raportime as analiza të vazhdueshme për dezinformatat që shpërndaheshin në shoqëri.

Gazetat ndërprenë shtypjen, u shpërndanë falas online

Koha Ditore dhe Epoka e re ndërprenë shtypjen e gazetës kur filluan masat e para të qeverisë. Megjithatë, të dyja shfrytëzuan edicionet e tyre digjitale për të vazhduar publikimin e gazetës. Madje, të gjithë numrat gjatë periudhës së pandemisë po publikohen falas në koha.net dhe epokaere.com. Shumica e gazetarëve kanë punuar nga shtëpitë e tyre megjithatë kishte edhe shumë prej tyre që vazhduan ta ushtrojnë profesionin e tyre duke dalë në terren apo duke kryer punën në zyre.

Autori është Ligjërues në Departamentin e Gazetarisë/Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

>Vërtetmatësit, projekt për rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë të politikanëve dhe partive politike përpara qytetareve, i realizuar nga Fondacioni Metamorphosis Artikulli mundësohet me përkrahje të fondacionit jofitimprurës amerikan (NED - National Endowment for Democracy). .

Your email address will not be published.