Më shumë se 2000 shkencëtarë rus me një letër të hapur protestuan kundër pushtimit të Ukrainës
Aksioni ushtarak, sipas komunitetit intelektual rus, çon në izolimin ndërkombëtar të Rusisë, diçka që do të dëmtojë drejtpërdrejt vendin, sepse “kërkimet shkencore janë të paimagjinueshme pa bashkëpunim të plotë me kolegët e vendeve të tjera, dhe izolimi i Rusisë nga bota do të thotë më tej degradimi kulturor dhe teknologjik i vendit në mungesë të perspektivave pozitive “
Më shumë se 2000 akademikë rus, anëtarë të Akademisë së Shkencave Ruse, shkencëtarë, gazetarë dhe intelektualë protestuan në një letër të hapur kundër aksionit ushtarak të nisur nga Rusia kundër Ukrainës. Sipas nënshkruesve, përgjegjësia për fillimin e një lufte të re në Evropë bie tërësisht mbi Rusinë, e cila nuk ka asnjë justifikim racional për këtë luftë.
Përpjekjet për të përdorur situatën në Donbas si një justifikim për një operacion ushtarak nuk ngjallin asnjë besim. Është e qartë se Ukraina nuk përbën kërcënim për sigurinë e vendit tonë. Lufta kundër saj është e padrejtë dhe sinqerisht e pakuptimtë. Ukraina ishte dhe mbetet një vend afër nesh. Shumë prej nesh kanë të afërm, miq dhe kolegë shkencëtarë që jetojnë në Ukrainë. Baballarët, gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë luftuan së bashku kundër nazizmit. Hapja e një lufte mbi ambiciet gjeopolitike të udhëheqësis së Federatës Ruse, e nxitur nga fantazitë e dyshimta, është një tradhti cinike ndaj kujtesës së tyre, thuhet në letër.
Aksioni ushtarak, sipas komunitetit intelektual rus, çon në izolimin ndërkombëtar të Rusisë, diçka që do të dëmtojë drejtpërdrejt vendin, sepse “kërkimet shkencore janë të paimagjinueshme pa bashkëpunim të plotë me kolegët e vendeve të tjera, dhe izolimi i Rusisë nga bota do të thotë më tej degradimi kulturor dhe teknologjik i vendit dhe mungesë të perspektivave pozitive”.
Por gjëja më e vështirë për këtë komunitet shkencor, siç thuhet, është se Rusia, “e cila dha një kontribut vendimtar në fitoren ndaj nazizmit, tani është bërë nxitëse e një lufte të re në kontinentin evropian”.
Ne kërkojmë përfundimin e menjëhershëm të të gjitha operacioneve ushtarake kundër Ukrainës. Ne kërkojmë respekt për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës. Kërkojmë paqe për vendet tona, përfundon letra e hapur.
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari