Me “pëlqime” dhe “shpërndarje” nuk shërohet fëmija me kancer

Përmes një fotografie të dhimbshme të një fëmije që duket se është i sëmurë, autori i faqes “Komedia Shqiptare” manipulon opinionin. Metoda se me “like”, “komente” dhe “shpërndarje” do të shërohen fëmijët e sëmurë është manipulim i cili ndodhë ndër vite, me qëllimin e vetëm që këto faqe manipulative të mbledhin sa më shumë pëlqime të cilat më vonë ju përkthehen në mjete financiare dhe biznes, shkruan Krithink.mk në gjuhën shqipe.

Fotografia e postimit

Linku deri te artikulli origjinal: Komedia Shqiptare 

Shumica e njerëzve të cilët janë shfrytëzues të rrjeteve sociale, qoftë “Fejsbuk”, “Instagram” apo “Twitter”, të paktën një herë kanë hasur në fotografi tejet shqetësuese të fëmijëve me sëmundje të ndryshme, sëmundja e të cilëve është shfrytëzuar nga persona të pandërgjegjshëm për të grumbulluar sa më shumë pëlqime për faqet e tyre.

Në rastin konkret të postimit të cilin ne e recensojmë, autori i faqes “Komedia Shqiptare” ju thotë lexuesve që fëmija fotografinë e të cilit e ka postuar (pa të drejtë) vuan nga kanceri dhe se përmes pëlqimeve, komenteve dhe shpërndarjeve të atij postimi, do të ndihmohet financiarisht kurimi i fëmijës.

“Ky fëmijë Ka Kancer. Dhe Facebooku i Ofron: 1 Like = 1 Euro, 1 Koment = 3 Euro, 1 Share = 5 Euro. O i madhi Zot shëroje ketë Fëmije” shkruan në postimin të cilin e recensojmë. 

Ndërkaq, sa më shumë “pëlqime” dhe “shpërndarje” të ketë postimi i kësaj faqe konkrete, aq më shumë pëlqime do të ketë edhe vetë faqja e autorit manipulues të cilit më pas përmes një faqe me shumë pëlqime, do ti jepet mundësia të përfitoje financiarisht, shembull mund të shesë faqen, ose mund të merr para për reklamim nga dikush tjetër në këtë faqe pasi që ka shumë pëlqime dhe automatikisht qasje tek një audiencë e gjërë.

Në mungesë të ndërgjegjes dhe emocioneve të autorit, ai luan me emocionet e lexuesve

Për përfitime personale financiare, autori i këtij postimi ka përdorur metodën më të tmerrshme të manipulimit, ku viktimë është para se gjithash një fëmijë dhe më pas personat të cilët i kanë besuar dhe kanë rënë pre e këtij manipulimi.

Kjo metodë e manipulimit është shpjeguar në doracakun e Crithinkut si “Thirrje në emocione”, kështu, ky autor përmes fotografisë së dhimbshme dhe duke përmendur Zotin, është munduar që të prek emocionalisht sa më shumë njerëz.

Metoda e dytë e manipulimit, në mënyrë që postimi i këtij manipulatori të bëhet sa më i besueshëm, i njëjti është thirrur në autoritet, edhe atë lexuesve ju premton se këto para do të ju ofrohen nga vetë mediumi social të cilin ata e përdorin aktualisht, “Fejsbuk”.

“Fejsbuk për këtë fëmijë që ka kancer ofron: 1 like = 1 euro…” shkruan në postimin të cilin e recensojmë.

Kjo nuk është e vërtetë, madje “Fejsbuk” disa herë ka fshirë postime të tilla duke i cilësuar si “Lajme të rreme” apo “Fake News”.

“Fejsbuk” është rrjet social, jo organizatë humanitare

Ekzistojnë faqe të tjera ku njerëzit të cilët dëshirojnë të ndihmojnë mund të drejtohen, edhe atë është “FundMe” e cila mundëson mbledhjen e parave për një qëllim të caktuar dhe disa organizata të tjera të cilat për qëllim e kanë mbledhjen e fondeve për njerëzit e sëmurë. “Fejsbuk” nuk është i tillë.

Duke mos qenë kjo e fundit një ndër qëllimet e “Fejsbuk”, rrjedhimisht ky rrjet social nuk ka mekanizma të cilat do të ju mundësonin njerëzve që dëshirojnë të ndihmojnë që paratë e tyre ti donojnë, gjegjësisht “Fejsbuk” nuk ka xhirollogari dhe një praktikë e tillë përmes këtij rrjeti social është e pamundur.

Andaj, në momentin kur të hasni postime të tilla të cilat ju premtojnë se “pëlqimi” i juaj do të përkthehet në para dhe ata para do të shkojnë në xhepat e fëmijëve të sëmurë me kancer, raportoni ato në “Fejsbuk” si lajme të pavërteta dhe mos ju besoni, sepse gjasat janë më të mëdha që përfitimet financiare të shkojnë te admini i faqes se sa te fëmija apo personi i sëmurë.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.