Mbyllja e kolegjit turk, argumentet e qeverisë dhe këmbëngulja e Turqisë për asgjësimin e ndikimit të Fetullah Gylen
Qeveria mbylli kolegjin turk “Mehmet Akif”, sapo kishte nisur viti i ri shkollor duke vendosur para faktit të kryer 159 nxënës dhe prindërit e tyre, që po përballen me pasojat. Një verifikim i Faktojes ballafaqon justifikimet e qeverisë për mbylljen e institucionit arsimor për mungesë të licencës me zhvillimet aspak rastësore që nisën në janar të këtij viti, kur presidenti turk Erdogan dha ultimatum para Kuvendit të Shqipërisë për masa të menjëhershme kundër ndikimit të Fetullah Gylen. Ndërkohë raportimet e medias proqeveritare turke e përshkruajnë kolegjin “Mehmet Akif” si të lidhur me organizatën terroriste Feto, çka ngre pikëpyetje mbi arsyet e vendimmarrjes së Ministrisë së Arsimit.
————————————————————————————-
“Presim që Shqipëria të marrë masa të menjëhershme kundër Fetos në vend dhe të mos lerë që marrëdhëniet tona të errësohen për këtë arsye. Dhe shpresoj që kjo çështje në vizitat e ardhshme që do të zhvilloj në Shqipëri, të ketë marrë formë të prerë”, tha presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan në fjalën e mbajtur në Kuvendin e Shqipërisë më 17 janar të këtij viti, të njëjtën ditë kur përuroi edhe banesat e ndërtuara në Kurbin për të pastrehët e tërmetit të nëntorit 2019, një investim I financuar nga qeveria turke.
Kësaj deklarate të presidentit turk, kryeministri Edi Rama iu përgjigj më 20 janar, duke u shprehur: “Mes miqsh dhe vëllezërish nuk ka borxhe”.
Por kur kanë kaluar 8 muaj nga këto deklarata, Ministria e Arsimit dhe Sportit njoftoi më 22 shtator mbylljen e institucionit arsimor privat parauniversitar “Mehmet Akif Ersoy”.
Vendimi për të mbyllur kolegjin ngjalli debate të shumta në vendin tonë, ndërsa mediat proqeveritare turke shkruanin ndër të tjera: ‘Kolegji “Mehmet Akif Ersoy” në Tiranë njihej për afërsinë me organizatën terroriste FETO”.
Por, cilat janë arsyet zyrtare që çuan në mbylljen e këtij institucioni arsimor? Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Ministrisë së Arsimit dhe Sportit më 3 shtator, ku e pyetëm edhe për arsyet e kësaj vendimmarrjeje të befasishme, kur kishte nisur viti shkollor.
Kërkesa për informacion dërguar Ministrisë së Arsimit, 23 shtator 2022
Në përgjigjen zyrtare për Faktoje, MAS citon Vendimin e Këshillit të Ministrave, ku përmenden edhe detyrimet që ky institucion arsimor ka ndaj nxënësve.
“Këshilli i Ministrave mbështetur në nenin 100 të Kushtetuës së Republikës së Shqipërisë, nenet 42 e 70 të Ligjit nr. 69/2012 ‘Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë’, i ndryshuar, me vendimin nr. 614, datë 22.09.2022, “Për mbylljen e veprimtarisë së institucionit arsimor privat parauniversitar ‘Mehmet Akif Ersoy’, i cili zhvillon mësimin edhe në gjuhë të huaj’, Vendimi nr. 614, datë 22.09.2022 i Këshillit të Ministrave është botuar në Fletoren Zyrtare nr. 126, datë 23.09.2022”, njofton zyrtarisht Ministria e Arsimit dhe Sportit.
Gjithashtu MAS shton: “Institucioni arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar, nën juridiksionin e të cilit ndodhet shkolla, ka për detyrë:
- a) të ngrejë grup pune brenda 3 (tri) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi dhe të marrë masat për mbylljen e veprimtarisë së institucionit arsimor privat parauniversitar ‘Mehmet Akif Ersoy’;
- b) të marrë masat për transferimin e nxënësve në institucione të tjera të arsimit parauniversitar për të gjithë nxënësit e regjistruar në këtë institucion arsimor;
- c) të administrojë dokumentacionin lidhur me veprimtarinë mësimore të kryer nga ky institucion arsimor privat parauniversitar”.
Në VKM përcaktohet ndër të tjera se kolegji ka detyrim që të kthejë pagesat si dhe të mbulojë kostot financiare për transferimin e nxënësve në shkolla të tjera.
Screenshot nga VKM Nr. 614, datë 22.9.2022
Në lidhje me këtë vendim, Faktoje bisedoi edhe me drejtorin e Çështjeve Ligjore të ‘Fondacionit Gulistan’, zotin Mirsad Lika. Ai bëri të ditur se për vendimin janë njoftuar nëpërmjet medias.
“Nëpërmjet medias jemi njoftuar sot (22 shtator) për VKM-në me objekt mbylljen e aktivitetit të institucionit tonë duke mos mësuar zyrtarisht mbi shkaqet e vendimit, i cili godet në radhë të parë arsimin cilësor në Shqipëri.
Shkolla e Mesme jopublike ‘Mehmet Akif’ është pjesë e Fondacionit ‘Gulistan’ prej 26 vitesh në Shqipëri duke zbatuar në mënyrë të përpiktë kuadrin ligjor të vendit, ndërsa mbart mbi vete një histori të madhe suksesi teksa është radhitur në mënyrë të vazhdueshme në krye të listës së shkollave më të mira.
Deri më tani, në shkollën tonë janë arsimuar mijëra nxenës, të cilët sot përbëjnë elitën intelektuale të vendit, ndërsa duam të theksojmë se krahas tyre, vendimi i qeverisë prek në mënyrë të drejtpërdrejtë 159 nxenës nga e gjithë Shqipëria dhe familjet e tyre krahas mësuesve dhe stafit mbështetës të shkollës”, thotë zoti Lika.
Por, cilat ishin arsyet e vendimit? Drejtori juridik i Fondacionit sqaron: “Në fund të vitit mësimor 2021-2022 u ndjemë të detyruar të ndryshojmë godinën, pranë Rrugës së ‘Kavajës’ në Tiranë, te një tjetër, në zonën e Mëzezit / Kashar.
Për të kthyer këtë godinë në një ambient të denjë për standardet tona, vepruam sipas përcaktimeve ligjore duke njoftuar Ministrinë e Arsimit si edhe morëm leje për të kryer punime nga institucionet e qeverisjes vendore.
Gjatë kësaj periudhe, deri në fund të muajit gusht kemi patur inspektime dhe korrespondencë të rregullt me autoritetet përgjegjëse, nuk kemi hasur asnjë problem dhe nuk jemi informuar për diçka që nuk shkon në drejtim të vijimit të punës normalisht.
Në 14 shtator të këtij viti, pranë shkollës sonë paraqitet një grup pune i Ministrisë së Arsimit për të kryer inspektimet mbi ligjshmërinë e veprimtarisë. Çuditërisht, sot më datë 22 shtator, nëpërmjet postës jemi njoftuar nga Ministria e Arsimit se institucioni ynë nuk i plotëson kriteret për vijimin e aktivitetit. Fondacioni Gulistan do ndjekë të gjitha procedurat ligjore për të mundësuar vijimësinë normale të aktivitetit arsimor”.
Sipas shpjegimit të zotit Lika, referuar vendimit, shkolla ka kaluar në një godinë që nuk është marrë më përpara miratimi nga Ministria e Arsimit, ndërkohë që procedurat me Ministrinë kanë filluar me datë 10.06.2022.
“Ligjërisht Ministria kishte detyrimin që vendimin ta merrte përpara fillimit të vitit shkollor, domethënë përpara datës 12 shtator, në mënyrë që mos të cënohej procesi mësimor i nxënësve. Aktualisht nxënësit sipas kërkesës dhe mundësive të tyre janë transferuar në shkolla të tjera publike apo private”, bën të ditur drejtori i Çështjeve Ligjore të Fondacionit ‘Gulistan’.
Faktoje i kërkoi zotit Lika edhe mundësinë për të parë dhe fotografuar nga brenda kushtet në të cilat zhvillohej procesi mësimor në këtë kolegj, por drejtori i Çështjeve Ligjore të Fondacionit na vuri në dispozicion disa pamje nga faqja në Facebook e kolegjit “Mehmet Akif”.
Screenshot video e shpërndarë me pamje nga brenda mjediseve të godinës së re të kolegjit
Pedagogu dhe politologu Ilir Aliaj thekson se me mbylljen e kolegjit “Mehmet Akif,” qeveria ka shkelur Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut.
“Siç edhe dihet arsimi përbën një nga elementët bazë të të Drejtave të Njeriut dhe për të mbrojtur këto të drejta, që në vitin 1950 është miratuar Konventa Europiane e të Drejtave te Njeriut, ku Shqipëria është anëtare që nga 1995.
Kështu, menjëherë pas miratimit të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut është miratuar edhe Prokolli 1, që në nenin 2 të tij flet për të drejtën e pamohueshme të arsimit dhe sesi Konventa e mbron atë. Në këtë kuadër janë një sërë rastesh gjyqësore që Gjykata e të Drejtave të Njeriut, Strasburg, ka marrë në shqyrtim duke e konsideruar të drejtën për arsim ‘si liri mendimi, koshiencë, besim dhe liri për të marrë informacion të pavaruar’.
Sigurisht janë edhe shumë raste të tjera gjyqësore që flasin për mbylljen e institucioneve arsimore apo edhe për pengimin që i është bërë qytetarëve të ndryshëm për t’u arsimuar, por mendoj se qeveria shqiptare me mbylljen e ‘Mehmet Akif Ersoy’, ka shkelur Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, por edhe Kapitullin për të Drejtat e Njeriut të Traktatit të Themelimit të Bashkimit Europian, që është pjesë e Traktatit të Lisbonës. Edhe pse ne nuk jemi pjesë e BE-së, ne e kemi detyrim respektimin edhe të këtij Traktati që në momentin që kemi nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asoociimit me BE-në”, argumeton Aliaj.
Eksperti i Arsimit, Ndriçim Mehmeti thotë se mbyllja e kolegjit ka një ndikim negativ në arsimin parauniversitar.
“Një impakt negativ dhe për fat të keq të pakthyeshëm për cilësinë në arsimin parauniversitar, për fëmijët, të cilët nuk do të kenë mundësinë të ndjekin një program bashkëkohor dhe nuk dinë se ku të orientohen në shkollat tona që kanë nivel tejet të diskutueshëm, te kualiteti mësimdhënës, por edhe për infrastrukturën mjerane (jo vetem godina, por edhe pajisja me laboratorë të kohës). Po ashtu është dëmtuar rëndë apo më saktë është fshirë me nje copë letër historia e suksesshme gati 30-vjeçare e një institucioni elitar të arsimit parauniveristar dhe kjo kalohet si pa gjë të keqe nga qeveria, por edhe nga shoqëria. Me vendimin e marrë ne harrojme se kemi humbur dy gjëra kryesore: Mundësinë për të nxjerrë një grup nxënësish elitarë, pa harruar edhe kontributin e shkollave të tjera publike dhe private dhe e dyta me shumë mundësi do të paguajmë një faturë të majme, financiare, pas procesit gjyqësor që është hapur nga drejtuesit e shkollës ‘Mehmet Akif Ersoy”.
Mehmeti shprehet se vendimi per mbylljen e kolegjit ‘Mehmet Akif’ është një hakmarrje ndaj arsimit cilësor.
“Qeveria e ka të fundit hall arsimin dhe kjo duket edhe nga buxheti që akordon për këtë sektor jetik. Po ashtu ka një strategji të qartë të nisur prej vitesh prej qeverisë per de-arsimimin e shqiptarëve dhe në këtë kuadër kjo shkollë është bërë problem për cilësinë e lartë që ka, sikundër flasin edhe vetë shifrat. Vendi ynë ka marrë një sërë medaljesh ndërkombëtare falë përgatitjes, programit dhe cilësisë së mësimdhënies që ka ofruar kolegji ‘Mehmet Akif’, por edhe ‘Turgut Ozal’. Po ashtu 18 vende në mjekësi në këtë vit akademik janë zënë prej nxënësve të këtij kolegji. Në këtë pikëpamje mendoj se ishte një hakmarrje e drejtpërdrejtë ndaj arsimit cilësor, pasi arsye të qëndrueshme dhe bindëse deri më sot nuk kemi dëgjuar”, argumetnon eksperti i Arsimit.
Më 3 tetor, kryeministri Edi Rama deklaroi se kolegji “Mehmet Akif” ndërroi godinën pa marrë miratimin e MAS.
Ndërkohë, më 7 tetor, Gjykata rrëzoi padinë e kolegjit ‘Mehmet Akif’, duke lënë në fuqi vendimin e qeverisë për heqjen e licencës.
Qeveria turke dhe “organizata terroriste” e Fetos
Në lidhje me mbylljen e institucionit arsimor “Mehmet Akif”, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion ambasadës turke në Tiranë, ku ndër të tjera e pyetëm nëse institucioni i mbyllur ka lidhje me veprimtarinë e Fetullah Gulen.
Kërkesa për informacion dërguar ambasadës turke në Tiranë, 12 tetor 2022
Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk kemi marrë një përgjigje nga ambasada turke.
Në korrik të vitit 2016, një grup ushtarësh u përpoqën të rrëzonin qeverinë e presidentit Rexhep Taip Erdogan. Ata u akuzuan nga lideri turk se ishin pjesë e të ashtuquajturës Lëvizje Guleniste, një grup socio-fetar i udhëhequr nga Fethullah Gulen, i cili ka jetuar në mërgim në SHBA që nga viti 1999. Megjithatë, vetë Gulen ka mohuar çdo lidhje me këtë ngjarje dhe ka kërkuar vazhdimisht që një komision ndërkombëtar të hetojë përpjekjen e dështuar të grushtit të shtetit.
Vitet e fundit, Shqipëria ka deportuar disa shtetas drejt Turqisë, vendime këto që kanë ngjallur mjaft debat në vend.
Në janar të vitit 2020, Shqipëria deportoi drejt Turqisë mësuesin Harun Çelik. Asokohe, avokati i tij u shpreh për mediat se “klienti i tij ishte larguar nga Turqia si mbështetës i lëvizjes Gylen për shkak të kërcënimeve ndaj jetës së tij”.
Në shtator të këtij viti u deportua drejt Turqisë gazetari Ahmet Emre Olur, ndonëse kishte deklaruar se atje i rrezikohej jeta.
Më 11 tetor të këtij viti, kryeministri Edi Rama zhvilloi një vizitë në Turqi, ku u takua me presidentin Erdogan. Rama ndau në rrjetet sociale momente nga takimi me liderin turk, por nuk dha detaje nga biseda e zhvilluar mes tyre.
Në progres-raportin e BE, të bërë publik më 12 tetor, ndër të tjera theksohet: “Turqia vazhdon të ushtrojë presion mbi Shqipërinë për të çmontuar të ashtuquajturën lëvizja Gylen në vend”.
Screenshot nga progres-raporti
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari