“Mbajtja e maskave”, kontradikta mes qëndrimeve të zyrtarëve dhe institucioneve ndërkombëtare të shëndetit

Pandemia “Covid-19”, përveç lajmeve të rremë po përjetohet edhe mes deklaratash kontradiktore të dhëna nga zyrtarë apo institucionet ndërkombëtare të shëndetit. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama vijon t’i qëndrojë besnik qëndrimit se maskat nuk duhen përdorur masivisht, e nga ana tjetër Silva Bino nga ISHP deklaron të kundërtën. Por edhe institucionet ndërkombëtare përplasen në qëndrime për sa i përket përdorimit të maskave. OBSH vijon të sugjerojë mos përdorimin masiv të maskave, e nga ana tjetër CDC e SHBA-ve këshillon të kundërtën, shkruan Portalb.mk.

Më 18 mars, kryeministri Edi Rama përmes një statusi në rrjetin social “Facebook”, përsëriti thirren për mospërdorimin masiv të maskave.

E kemi përsëritur vazhdimisht që për ata qe nuk janë të sëmurë, nuk janë duke trajtuar një të sëmurë apo nuk punojnë në një mjedis me shumë njerëz, maskat janë jo vetëm të padobishme, po edhe të dëmshme sepse ulin vigjilencën tonë në zbatimin e rregullave bazë”!

Kryeministri Rama, duke cituar virologun italian, Fabrizio Pregliasco shtoi se maska të përdoren kot nga ata që nuk janë të sëmurë dhe se e rëndësishme është higjiena e duarve në veçanti dhe e përgjithshme në tërësi.

Maska nuk është e nevojshme nëse nuk jeni pozitiv. Po përdoret kot! Për shembull, po përdoret në supermarket sepse ekziston frika nga afërsia e tjetrit, por është e kotë. Mjafton të mbani distancën prej të paktën një metër… Le të lajmë duart dhe të mbajmë distancat”-shtoi Rama.

Por, Dr. Silva Bino nga Instituti i Shëndetit Publik, gjatë përditësimit të situatës si pasojë e “Covd-19” më 7 prill, kërkoi mbajtjen e maskave edhe në daljet jashtë ambienteve të shtëpisë.

Është shumë e rëndësishme të zbatohen masat, të mbahet maskë kur shkojmë në supermarket, në mjedise të grumbulluara dhe të ruhet distancë midis njëri-tjetrit”- theksoi Bino.

Por, mbajtja apo jo e maskave në përditshmëri, has në kontradikta edhe mes dy institucionet më të rëndësishme të shëndetit, siç janë Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Qendra Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve të SHBA-ve.

Duhet të përdorni maska vetëm kur jeni të infektuar nga “Covid-19” (sidomos kur keni kollë), ose gjendeni pranë dikujt i cili mund të jetë i prekur nga “Covid-19”. Maskat kirurgjikale mbrojtëse, mund të përdoren vetëm një herë. OBSH rekomandon përdorimin racional të maskave me qëllim parandalimin e përdorimit të panevojshëm të tyre”– thuhet në seksionin e pyetje-përgjigjeve të OBSH-së.

Nga ana tjetër, Qendra Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve të SHBA-ve rekomandon përdorimin e maskave edhe në daljet e përditshme e sidomos në vende me përqëndrim të lartë njerëzish.

CDC rekomandon përdorimin e maskave në publik, atu ku masat e distancimit social janë më të vështira për t’u zbatuar (pika shitjeje apo farmaci).  CDC gjithashtu këshillon përdorimin e maskave me qëllim ngadalësimin e përhapjes së virusit si dhe për tu lejuar njerëzve që nuk janë në dijeni se janë të infektuar, të mos infektojnë edhe të tjerët”- thuhet në seksionin e këshillave të Qendrës së Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve të SHBA-ve.

Autor: Marjo Brakaj

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

>Vërtetmatësit, projekt për rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë të politikanëve dhe partive politike përpara qytetareve, i realizuar nga Fondacioni Metamorphosis Artikulli mundësohet me përkrahje të fondacionit jofitimprurës amerikan (NED - National Endowment for Democracy). .

Your email address will not be published.