Marrëdhëniet dhe interesat Ruso-Maqedonase

Lidhjet midis Ohrit dhe Rusisë si qendra të vjetra sllave janë të vazhdueshme ndër shekuj, mirëpo nga ana e Kishës Ortodokse Ruse nuk ka ndonjë mbeshtetje të dukshme për Kishën Ortodokse Maqedonase. Kisha Ortodokse Ruse i mbron interesat e Kishës Serbe dhe nuk e njeh Kishën Ortodokse Maqedonase, thonë priftërinjtë.

 

Shkruan: Sonja Rilkovska

 

Lidhjet midis Kishës Ortodokse Maqedonase – Kryepeshkopatës së Ohrit me Rusinë dhe Shtetin Rus janë shumë të hershme, prej kohës së vëllezërve të Selanikut, Kirilit dhe Metodit, kur ato kanë qenë në një mision kishtaro-kulturor tek Hazarët në Kaukaz, gjë që është plotësisht e kuptueshme, sepse Mbretëria e Hazarëve ka qenë e kufizuar me Rusinë e Kievit, ku ka jetuar kryesisht popullatë sllave.

Fragment i pagëzimit të Princit Vlladimir – Foto Wikipedia

 

RUSËT E KANË PRANUAR KRISHTERIZMIN NË OHËR? 

Sipas D-r Petar Popovskit në  shkrimet e vjetra ruse të historianit të njohur rus Prisellkov, qëndron se „princesha ruse Ollga dhe nipi i saj, princi Vlladimir, janë pagëzuar në Ohër, e para në vitin 955, ndërsa i dyti në vitin 987”.

Në një artikull të publikuar na gusht të vitit 2009, me titull: „Rusët e kanë pranuar fenë Ortodokse prej Maqedonisë“,  Popovski shkruan:

Krishterimi i Rusisë së Kievit përputhet kronologjikisht me ekzistimin e Mbretërisë së Samoilit, ndërsa Kisha e Samoilit, Kryepeshkopata e Ohrit, e cila në kohën e tij ka qenë e ngritur në nivel të patriarkisë (viti 999), ka qenë kisha më e fortë krishtere, me dioqezën më të lartë, që ka pasur lidhje me shumë popuj sllavë.

Përndryshe, në vitin 2009 në Ohër kishte një iniciativë për ngritjen e një përmendoreje për nder të Princeshës Ruse Ollga për të cilën besohet se në shekullin XX është pagëzuar në kishën „Shën Sofia”, ku është pagëzuar edhe nipi i saj, Princi Vlladimir. Mirëpo, kjo gjë deri tani nuk ka ndodhur.

Historiani, arkeologu dhe hulumtuesi i njohur, tashmë i ndjerë, Goce Ageliçin Zhura nga Ohri, në vitin 2017 e botoi librin „Roli i Patriarkisë së Samoilit – të Ohrit në krishterimin e Rusisë së Kievit“, në të cilin duke u mbështetur në dokumente të jashtzakonshme që ekzistojnë nëpër arkivat ruse, e që janë të shkruara nga ana e shkencëtarëve dhe hulumtuesve të njohur botërorë, pretendon se Perandori Vlladimir është pagëzuar në Ohër.

Nga dioqeza e Dibrës-Kërçovës, nga ana tjetër për „Vërtetëmatësin” thonë se nuk ka dëshmi të forta shkencore për këtë vepër dhe pikërisht për këtë shkak nuk është vendosur edhe përmendore. Nga atje shtojnë se KOM-i me Kishën Ortodokse Ruse kanë marrëdhënie korrekte, mirëpo ato kryesisht bazohen në shkëmbim studentësh dhe vizitash, por në praktikë mbështetje nga Kisha Ruse nuk ka.

Rusia asnjëherë nuk ka pasur interes të veçantë për Maqedoninë. Kisha Ruse ende nuk e ka njohur Kishën Maqedonase. Rusët llogaritet se janë pagëzuar në Kostandinopojë dhe zyrtarisht llogaritet se krishterizmin e kanë pranuar atje. Perandori i Bizantit Vasili II ka kërkuar ndihmë nga Rusia për luftë kundër uzurpuesve. Princi Vladimir i dërguar 6.000 luftëtarë. Si shpërblim për këtë Vasili i II ia ka premtuar motrën e tij Ana për bashkëshorte, por me kusht që ta pranojë fenë krishtere. Ai e ka pranuar kërkesën. Është formuar Kisha Ruse në krye me mitropolitin rus i cili ka qenë nën patriarkun rus. Vetë princi është pagëzuar në vitin 988 dhe ka dhënë urdhër që e gjithë popullata e shtetit të pagëzohet. Pagëzimi i Rusisë së Kievit i ka ndihmuar princit që ta forcojë unitetin në shtet, thotë profesor d-r Sasho Cvetkoski për Vërtetmatësin”.

Në dhjetor të vitit 2019, më rastin e festës së 8 Dhjetorit, ditës së Sh. Klimentit të Ohrit, portali „Fakulteti.mk” publikoi një pjesë të tregimeve të akademikut Gjorgji Pop Atanasov, që i referohen jetës dhe veprës së Shën Klimentit. Në tregime akademiku Pop Atanasov ka shkruar se në kohën e Shën Klimentit, shkrimi, leximi dhe shërbimi kishtar sllav kanë filluar prej Ohri dhe janë përhapur për nga Bosnja, Kroacia, Bullgaria, e deri edhe në Rusi në kohën e Mbretit Samoil, kur janë pagëzuar Rusët (vitin 988).

Prej Ohri janë dërguar peshkopë, priftërinjë, dhjakë dhe është formuar Kisha Ortodokse Ruse, kreu i parë i të cilës ka qenë një peshkop nga patriarkia e Ohrit në atë kohë. Madje u kanë dërguar edhe ndërtimtarë, sepse në Rusi nuk kanë ditur si ndërtohen kishat, kështu kishën e parë të Kievit e kanë ndërtuar mjeshtër ndërtimtarë nga Maqedonia. Kanë dërguar shkrimtarë që t’i mesojnë se si shkruhen libra. Është dashur që të shkruhen, të grumbullohen, të bëhet lidhje dhe kodifikim. Të gjithë këtë e kanë bërë shkrimtarët tanë. Madje një ruse thotë se dorëshkrimet e para i kanë shkruar shkrimtarë maqedonas. Rusët e kanë parë se si bëhet dhe kanë mësuar prej tyre. Një rus madje thotë se Kryepeshkopata e Ohrid është shtylla e Rusisë ortodokse –– tregon akademik Pop- Atanasov, teolog, hulumtues i letërsisë së vjetër sllave dhe të dorëshkrimeve të vjetra.

 

 

SLLAVISTI RUS GRIGOROVIÇ KA PËRCJELLË NË RUSI DORËSHKRIME ME VLERË NGA KISHAT E OHRIT DHE MAQEDONISË

Akademiku Gjorgji Pop – Atanasov ka shkruar edhe librin   „ Trashëgimia letrare e Maqedonisë në pjesën e Moskës – Përmbledhje e mbishkrimeve të Viktor Grigoroviç“.

Në këtë libër ai tregon për koleksionistin e njohur rus Viktor Gligoroviç, i cili nga kishat maqedonase ka marrë një numër të madh dhe jashtzakonisht të vlefshëm të dorëshkrimeve të vjetra sllave.

Sllavisti Rus Viktor Grigoroviç, Foto: Wikipedia

Gjatë udhëtimit të tij nëpër Ballkan, 1844-1845, Grigoroviç ka arritur të grumbullojë disa qindra dorëshkrime sllave dhe bizantine dhe pjesë librash me dorëshkrime, që i ka marrë me vete në Rusi.

Përmbledhja e dorëshkrimeve të Grigoroviçit përmban dorëshkrime të vjetra sllave, në të cilën ka një numër të madh librash me dorëshkrime dhe fragmente të veçanta nga dorëshkrime sllave me origjinë maqedonase. Në të ka kode jashtzakonisht të rëndësishme me dorëshkrim, siç janë Ungjilli gllagolik i Marinit, transkripti më i vjetër i ruajtur i përkthimit nga Kirili dhe Metodi, Apostoli i Ohrit. Gligoroviç nëpër kishat maqedonase ka shëtitur me një bundë tradicionale ruse me shumë xhepa në të cilat i ka fshehur dorëshkrimet dhe librat e vjedhur.

Në Ohër, preokupimi kryesor i Gligoroviçit ka qenë biblioteka në kishën Shën Mëria– Perivlepta”. Gjatë qëndrimit të tij në Ohër guida e tij ka qenë banori jashtëzakonisht inteligjent i Ohrit Gjorgji Bodlev, i cili ka njohur mirë vjeturinat në Ohër dhe rrethinë. Gjatë vizitës së Kishës Ortodokse në Ohër ai i ka çelur një dollap përplot me libra të vjetra me dorëshkrime bizantine dhe sllave, në të cilat Grigoroviç ka regjistruar 69 dorëshkrime greke dhe 23 sllave. Në një nga dorëshkrimet greke ai ka zbuluar një rishkrim të Biografisë së zgjeruar të Teofilaktit nga Shën Klimenti i Ohrit, i ka këputur fletët me Biografinë e Teofilaktit dhe i ka dërguar në Rusi. Ky fragment (45 fletë) tani gjendet në pjesën Moskovike të përmbledhjes së Grigoroviçit (M.818) dhe përkrah biografisë së Sh. Klimentit gjithashtu përmban edhe një tekst apokrif për fjetjen e Shën Mërisë dhe për jetën e Nikolla Çudibërësit, shkruan akademik Gjorgji Pop Atanasov në librin e tij.

Pjesa më e madhe e këtyre dorëshkrimeve të paçmueshme sot gjendet në pjesën Moskovike të përmbledhjes së Grigoroviçit, me përjashtim të fletëve gllagolike të Ohrit që ndodhën në pjesën Odesiane të përmbledhjes së tij dhe dorëshkrimin „Sllovesa Vkratce”, që ruhet në bibliotekën e Akademisë Ruse të Shkencave në Shën Peterburg.

 

KISHA E MAQEDONISË NUK KA PASUR MBËSHTETJE NGA KISHA RUSE PËR ÇLIRIM NGA SUNDIMI OSMAN

Gjatë pushtimit turk, e veçanërisht në periudhën kah fundi i shekullit XVI, varfëria e rëndë dhe e skajshme, e cila ka rënë mbi dyert e Kryepeshkopatës së Ohrit ka kontribuar në rinovimin e lidhjeve me Rusinë. Atëherë shumë nga Kryepeshkopët dhe Mitropolitët e Ohrit kanë shkuar nëpër vendet evropiane dhe kanë kërkuar ndihmë dhe e kanë njoftuar botën me gjendjen në Ballkan. Një nga Kryepeshkopët e parë, i cili ka qenë në vizitë në Rusi është Kryepeshkopi Gavril, i cili në vitin 1572 e ka vizituar Carin rus Teodor. Kështu në periudhën nga viti 1585 e deri në vitin 1650, për vetëm 65 vite nga Ohri në Rusi kanë shkuar dhjetë kryepeshkopë, ndërsa në shekullin XVIII kanë shkuar vetëm tri kryepeshkopë.

Në gjysmën e dytë të shekullit XVII, në Maqedoni forcohet ndikimi rus. Kryepeshkopët e Ohrit dhe populli kanë thurur shpresa tek Rusia Ortodokse, e cila ka filluar të ngrihet si një fuqi e madhe në plan ndërkombëtar. Carët Rusë me dhuratat e mëdha për kishat dhe manastiret e gadishullit Ballkanik insistonin që t’u japin guxim popujve ortodoksë dhe duke i lidhur për Rusisë t’i ngrejnë në luftë kundër Turqisë.

Ndihma e pritur nga ana e Ushtrisë Ruse ka munguar, Rusia nuk ka treguar interes. Direkt pas disfatës së rëndë në luftën e Krimesë nuk ka qenë në gjendje që të luftojë në Ballkan. Ndërsa me marrëveshjen e Parisit të vitit 1856 ka qenë e obliguar që ta respektojë integritetin territorial të Shtetit Osman.

Para fundit të luftës është bërë përsëri një kthesë radikale e pozicionit rus në lidhje me Maqedoninë dhe çështjen maqedonase. Rusia hoqi dorë nga zgjidhja që ishte krijimi i një shtetësie autonome maqedonase dhe është përcaktuar për shtet të madh bullgar.

 

 

SHKENCËTARËT RUSË KANË QENË TË INTERESUAR PËR KISHAT E SAMOILIT

Interesi i shkencëtarëve rusë bie vihet re edhe në shekullin XIX.

Pavell Miljukov, arkeolog rus; Foto: Wikipedia

Studiuesi i parë i artit mesjetar në rajonin e Ohrit dhe të Prespës është arkeologu dhe historiani rus Pavell Nikollaeviç Miljukov. Studimet e tij më së shumti kanë të bëjnë me zbulimet në katedralen e Samoilit Shën Akili e cila i magjepste shkencëtarët e asaj gjenerate, thotë akademiku Cvetan Grozdanov në librin „Kurbinovo“.

Në Maqedoni Miljukovi vjen dy herë – herën e parë në vitin 1898 pas të cilës në vitin 1899 në një shkrim në Gazetën e Evropës” e publikon artikullin – Nga udhëtimi në Maqedoni”.

Herën e dytë në verën e vitit 1900 z. Miljukov është përsëri në Maqedoni, por nuk len asnjë gjurmë të shkruar. Këtë herë është anëtar i ekspeditës së Kondakovit i cili edhe vetë pranon disa nga qëndrimet e Miljukovit, posaçërisht që Miljukovi në Rusi tashmë konsiderohet  si një njeri që e njeh mirë çeshtjen. Në fakt, ai e luan rolin negativ  për popullin maqedonas, duke transmetuar qëndrime të vetat nëpër Rusi, por tani si anëtar komisioni, gje që i jep rëndësi edhe më të madhe pasqyrës së rrejshme për Maqedoninë. Nëse Grigoroviç e zbuloi i pari Maqedoninë si tokë bullgare, Miljukov do të jetë konfirmuesi i parë i kësaj teze. Ai e boton edhe botimin rus të Hartës Etnografike të Maqedonisë të N. K’nçov-it (900), në të cilën paraqitet së në Maqedoni jetojnë bullgarë.

 

DORËSHKRIMET E LIBRAVE TË SAMIOLIT DËRGOHEN NË RUSI SI DHURATË NGA OHRI  

Në fillim të viteve të 80-ta të shekullit të kaluar, prof. Vlladimir Moshin, bizantolog, sllavist dhe specialist i njohur nëpër botë për arkeografi, me prejardhje nga Rusia, vjen në një nga zbulimet më të rëndësishme të arkeografisë maqedonase dhe botërore. Arrin që në mënyrë të argumentuar të dëshmojë se fletët Novgore (Kuprijane) paraqesin mbetje të kodeksit të dorëshkrimeve maqedonase të dërguar nga Mbreti Samoil në Rusi në kohën e pagëzimit të tyre, dhe se ky dorëshkrim ka shërbyer si shabllon për shkrimin e dorëshkrimit më të vjetër rus – Ungjillit të Ostromirit të viteve 1056-1057.

Sipas akademik prof. D-r Gjorgji Pop- Atanasov, nëse bëhet një analizë е gjërë e tekstit, veçorive paleografike, ortografisë, gjuhës, mbishkrimeve, notacionit ekfonetik etj, si në fletën e Novgorodit, ashtu edhe në Ungjillin e Ostromirit, akademiku Moshin ka ardhur në konkludim se protografi i Ungjillit të Ostromirit është kodeksi maqedonas, mbetje të së cilit janë fletët e Novgorodit, gjegjësisht Kuprijanit. Kështu, duke pasur parasysh edhe disa rrethana historike, si dhe rolin e shtetit të Samoilit gjatë pagëzimit të Rusëve, formimit të kishës ruse dhe përhapjes së mësimit sllav në Rusinë e Kievit, prof. Moshin vjen me argumente se fletët e Novgorodit në fakt janë mbetje e kodit ungjillor maqedonas nga thesari i Mbretit Samoil, i cili gjatë pagëzimit të Rusëve është dërguar si dhuratë nga Ohri në Rusi, së bashku me dorëshkrime të tjera, të nevojshme për kryerjen normale të riteve ortodokse sllave ndaj zotit. Të gjitha këto zbulime shkencore, prof. Moshin i ka vendosur në një referat për fletët e Novgorodit si mbetje e ungjillit perandorak të dërguara prej Ohri për në Rusi në vitin 991. Sipas tij, Mbreti Samoil këtë ungjill mbretëror për pagëzimin e Rusëve e ka dërguar pesë vite pas marrjes së pushtetit, kur është bërë sundues i vetëm i krijesës së vjetër feudale shtetërore më të madhe në Ballkan.

Sipas prof. Vlladimir Moshin, dhurata e përbërë prej librave mbretërore me dorëshkrim nga Ohri në Kiev i ka sjellë peshkopi i parë i Novgorodit, Jakimi. Në Kiev në atë kohë ka ekzistuar vetëm një komuna dhe një kishë e vogël krishtere „Shën Ilija”, ku është zhvilluar një farë mësimi sllav nën ndikimin e misionarëve bullgarë dhe maqedonas.

Fletët e Novgorodit, që sot ruhen në Bibliotekën kombëtare në San Petersburg, më parë i përkisnin arkeologut J.K. Kuprijanov, e prandaj janë edhe të njohura si fletët e Kuprijanovit. Këto fletë janë shkruar me një shkrim të mahnitshëm e të madh qirilik, në dy kolona tek secila nga 20 rrjeshta. Dy inicialet e ruajtura „V” dhe „R” kanë gjurmë të ngjyrës së kaltër, jeshile dhe të bardhë dhe mbetje të arit. Këto teza i konfirmon edhe historiani nga Ohri Goce Angeliçin Zhura.

Në arkivin shtetëror të Maqedonisë ruhet ky studim voluminoz i akademikut Moshin i përbërë prej 100 faqeve të shkruara me makinë prej të cilave deri tani janë publikuar vetëm disa pjesë të vogla ta parëndësishme.

 

KISHA RUSE NUK E PRANON KISHËN ORTODOKSE MAQEDONASE

Në maj të vitit 1962 nën shoqërinë e patriarkut German, së bashku me disa Peshkopë të KOS-it, në vizitë në KOM ka ardhur Patriarku i Moskës Aleksij, i shoqëruar nga mitropoliti Nikodim, peshkopi Pimen dhe më shumë figura të larta të Kishës Ortodoske Ruse. Në  festën e Shën Kirilit dhe Metodit në kishën Shën Mëria – Kamensko në Ohër u mbajt një liturgji hierarkike, në të cilën ka shërbyer partiarku i Moskës Aleksij, në bashkëshërbim me patriarkun serb German dhe Kryepeshkopin e Ohrit dhe Mitropolitin e Maqedonisë Dositej. Ky ka qenë bashkëshërbimi i parë i kreut të KOM-it me krerë të kishave të tjera autoqefale.

Sinodi i shenjtë i KOM-it më 17 korrik të vitit 1967 e thirr mbledhjen e tretë populloro-kishtare, dhe në seancën solemne të kishës së Ohrit në Shën Klimentin e Ohrit e shpall Kishën Ortodokse Maqedonase si autoqefale.

Më 12 nëntor të vitit 2009, Kisha Ortodokse Maqedonase në emrin e saj e ka shtuar edhe fjalën „Kryepeshkopata e Ohrit”, si trashëgimtare direkte e kryepeshkopatës së vjetër të Ohrit. Përveç shtojcës, KOM-KO ka kryer edhe ndryshim të stemës dhe të flamurit, gjegjësisht në vend të shfaqjes së kishës Shën Mëria – Pervlepta, është vendosur kisha Sh. Sofia në Ohër, si seli e Kryepeshkopëve të Kryepeshkopatës së Ohrit.

Patriarku rus ka ardhur në Ohër në shërbim kishtar, mirëpo nuk ka dhënë asnjë mbështetje.

Në rast të autoqefalisë së Kishës Ortodoske Maqedonase, mbështetësit dhe autoqefalisë dhe autoritetet komuniste në Jugosllavinë e pasluftës kishin shpresa të mëdha se Patriarkia e Moskës do t’a mbështesë autoqefalitetin e Kishës Maqedonase dhe çështja do të zgjidhet. Mirëpo, Moska asnjëherë nuk e ka pranuar autoqefalinë maqedonase, shkruan Ines. A. Murzaku, profesor amerikan i historisë kishtare.

Kisha ortodokse ruse, gjegjësisht personalisht Patriarku i Moskës dhe i gjithë Rusisë, Kirill e ka dekoruar Patriarkun Serb Irinej, me gradën më të lartë që e ndan KOR-i për merita për forcimin e unitetit të kishës ortodokse.

Patriarku Irinej dekorimin e pranoi më 23 maj të vitit 2018 në Moskë në një ceremoni solemne. Patriarku rus Kirill në fjalimin e tij ka theksuar se Irinej ka merita të mëdha për unitetin e ortodoksizmit në Ballkan, ku midis të tjerave si krahinë kanonike të KOS-it e ka numëruar edhe Maqedoninë.

KOM-i u shpall autoqefale në vitin 1967, por deri sot e kësaj dite ka mbetur e panjohur nga kishat simotra.

 

MARRËDHËNIET MES MAQEDONISË DHE RUSISË DERI NË MES TË SHEKULLIT XX KRYESISHT JANË JOZYRTARE

Marrëdhëniet midis Maqedonisë dhe shtetit rus në periudhën prej shekullit XIX, e deri në mesin e shekullit XX kryesisht janë në nivel jozyrtar. Këto janë kontakte që krijohen nëpërmjet kulturës, shkencës, kishës, politikës, por kryesisht nëpërmjet lidhjeve individuale, thotë për „Vërtetmatësin” historiani Nikolla Mitroviq – drejtori i Arkivit Shtetëror në Ohër.

 

D-r Nikolla Mitroviq – historian drejtor i Arkivit shtetëror – Ohër; Foto: Vërtetmatësi

Në periudhën midis dy luftërave botërore është e pranishme ajo lidhja e individualitetit ndaj Rusisë, si për shembull: Dimitrija Çupovski dhe shoqëria maqedonase shkencore dhe letrare, pastaj Dimitar Vllahov dhe Kominterna me organizatat revolucionare politike, madje edhe Koço Racini me manifestimet ideologjike-politike në vend dhe implikacionet me emigrantët në Rusi/BRSS, Nikolla J. Vapcarov e tj. Si pikë lidhëse në marrëdhëniet e ndërsjella është e rendësishme Lufta qytetare” në Rusi kur ishte ekzodi i miliona Rusëve të cilët në atë kthesë politike u gjenden të shkapërderdhur nëpër botë. Një pjesë e tyre gjetën strehë në Maqedoni, ku u pritën më ngrohtësi dhe mikpritje, thotë Mitroviq.

Ta përmendim edhe atë se në Dokumentet ruse për Maqedoninë dhe çështjen maqedonase vitet 1859-1918”, përfshihet një periudhë shumë e rëndësishme deri në përfundimin e Luftës së Parë Botërore.

Tema e Maqedonisë, e me të edhe qyteti i Ohrit është një çështje shumë më rëndësi dhe komplekse, por edhe çështje me interes të rëndësishëm për shkencën e historisë maqedonase dhe ruse.

Vetë libri ka për qëllim që nëpërmje publikimit të librave t’i tregojë qëndrimet e politikës zyrtare ruse kundrejt Maqedonisë dhe çështjes maqedonase në gjysmën e dytë të shekullit të XIX dhe fillimin e shekullit XX. Në libër janë përfshirë dhe shfaqur dokumente nga Arkivi qëndror historik i Moskës, në të cilin ka dokumente që janë të rëndësishme për veprimtaritë edukative kishtare maqedonase. Posaçërisht janë të rëndësishme librat, gjegjësisht përmbledhja e „Dokumenteve të çështjes Maqedonase në dokumentet e Kominternës” nga Vllado Poposki dhe Lenina Zhilla, në të cilat shfaqen një numër i jashtëzakonshëm i dokumenteve edhe atë në pjesën e parë 1923-1925, ku më së shumti përmenden veprimtarët revolucionar maqedonas, ndërsa lidhur me qytetin e Ohrit është pikërisht lëvizja dhe veprimtaria revolucionare në Ohër dhe rrethinë dhe veprimtarët Petar Çaulev, Kirill Përliçev etj, thotë Mitroviq për „Vërtetmatësin”.

Lidhjet midis Ohrit dhe Rusisë si qendra të vjetra sllave janë të vazhdueshme ndër shekuj, mirëpo nga ana e Kishës ortodokse ruse nuk ka asnjë mbështetje të dukshme për Kishën ortodokse maqedonase.

Sot po ndodh një rënie e marrëdhënieve kishtare, mirëpo përsëri në fushën e edukimit janë arritur marrëveshje për shkëmbim studentësh, teologësh dhe pothuajse çdo vit mbahen takime diplomatike ndërmjet delegacioneve si nga krerët e politikës ashtu edhe nga ato kishtarë nga të dy vendet.

 

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.