Lavrov pyet sesi anëtarësimi i Maqedonisë në NATO e ka forcuar sigurinë e Aleancës

Pas Bullgarisë dhe Rumanisë, ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov dje ka komentuar anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. Në vend të “Maqedonia e Veriut”, në përgjigjet e pyetjeve të programit “Koha javore” në televizionin shtetëror rus “Kanali i parë”, vendin ai e quajti “Maqedoni”, transmeton Portalb.mk.

I pyetur për zgjerimin e NATO-s me shtetet e reja anëtare dhe për atë se a ka mundësi të flitet për një kthesë globale me një konfrontim të ri, apo në fakt linja e Uashingtonit nuk ka ndryshuar shumë dhe miqësia nuk ishte parashikuar kurrë, ministri i Jashtëm rus Lavrov u përgjigj:

“Tema më e popullarizuar tani është nëse anëtarët e NATO-s (dhe vendet që duan t’i bashkohen atyre) kanë të drejtë të marrin vendime të duhura pa pyetur askënd tjetër në rajonin euroatlantik. Në revista të njohura shkencore amerikane janë botuar jë sërë artikujsh, ndër të tjera, edhe mbi këtë aspekt. Një nga autorët nënvizon nenin 10 të Traktatit të Uashingtonit për krijimin e Aleancës së Atlantikut të Veriut. Në të thuhet: Shtetet Anëtare të NATO-s mund të ftojnë (ose të mos ftojnë) çdo vend evropian që nuk është anëtar i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë dhe mund të kontribuojë në sigurinë e Aleancës. Ja për çfarë bëhet fjalë. E drejta e tyre nuk është vetëm “kë të dua, e ftoj” – ata duhet të shohin se sa kjo i shton siguri vetë aleancës. Pranuan vende me popujt e të cilëve kemi marrëdhënie të mira – Mali i Zi, Maqedonia. Autorët amerikanë pyesin: si e forcoi kjo sigurinë e NATO-s? Çfarë kontributi japin këto vende në sigurinë e bllokut, duke pasur parasysh burimet e tyre ushtarake dhe ushtarako-teknike?”

Kjo deklaratë e Sergei Lavrovit është publikuar në faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, ndërsa sot është ripublikuar në gjuhën maqedonase edhe në Facebookun e Ambasadës ruse në Shkup.

Ndryshe, ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani dje ka zhvilluar një takim me ambasadorin e Federatës Ruse në vend, Sergej Bazdnikin.

Siç informojnë nga MPJ-ja e Maqedonisë, në takim u bisedua për zhvillimet në Ukrainë dhe rreth saj. Ministri Osmani bëri thirrje për de-esklaimin e situatës dhe gjetjen e zgjidhjes përmes dialogut dhe mjeteve të komunikimit diplomatik, si dhe përsëriti qëndrimin se Maqedonia e Veriut respekton sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht.

Në të njëjtën kohë, ministri Osmani theksoi se “anëtarësimi ynë në NATO është një arritje e rëndësishme e politikës së jashtme të vendit, që është shprehje e vendimit tonë sovran të miratuar unanimisht në Kuvend në vitin 1993. Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në Aleancën e NATO-s është garanci për sigurinë tonë, si dhe kontribuon për sigurinë dhe mbrojtjen më të gjerë rajonale”.  Ministri Osmani shtoi se NATO-ja është aleancë për mbrojtjen kolektive të shteteve anëtare dhe nuk paraqet kërcënim për Federatën Ruse dhe asnjë vend tjetër në botë.

Ministri Osmani rikonfirmoi thirrjen drejtuar Federatës Ruse për dialog të hapur në kuadër të Këshillit NATO-Rusi dhe OSBE-së me qëllim të promovimit të sigurisë evropiane, e cila është në interes të përbashkët të të gjithëve.

Në takimin mes ministrit Osmani dhe ambasadorit Bazdnikin, u diskutua edhe për rolin e Maqedonisë së Veriut si pjesë e Treshes së OSBE-së dhe kryesimin e ardhshëm të OSBE-së në vitin 2023.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.