Lajm nuk mund të jetë statusi nga rrjetet sociale

Sot shumë shpesh hasim zyrtarë shtetëror, të cilët, qëndrimet e veta i bëjnë publike përmes profileve të tyre zyrtare në rrjetet sociale dhe këto qëndrime apo postime të këtyre zyrtarëve mund të shfrytëzohen nga gazetari për të krijuar lajm. Por megjithatë, mendimet e gjithsecilit në rrjetet sociale nuk mund të përbëjnë lajm dhe interes publik. Lajmi që po recensojmë shkel parimet e profesionalizmit gazetaresk, duke u nisur nga fakti se është pretenduar të krijohet lajm apo të propagandohet me një status Facebooku.

Fotografi nga lajmi që recensohet

Linku original i artikullit: Gazetari Saqipi atakon Ministrin Bekteshi: Mos bën marketing me bizneset private në Studeniçan që asnjëherë nuk i keni ndihmuar

Data e publikimit: 03.02.2020

Data e recensionit:02.02.2019

Recensuese:  Naile Dauti

Teksti që po recensojmë është një status-publikim Facebooku, përzier me parafrazim dhe koment të autorit të shkrimit që e ka bërë këtë artikull. Mënyra e tillë e artikullit, nuk ka interes për publikun dhe mungesa e profesionalizmit në të, lë të kuptosh që nuk ka për qëllim as informimin e publikut.

“Gazetari Suat Saqipi përmes një statusi në rrjetin social Facebook ka kritikuar ashpër Ministrin e Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, transmeton Zhurnal. Sipas gazetarit Saqipi, ministri Bekteshi gjatë po bën marketing parazgjedhorë me bizneset private në Komunën e Studeniçanit. Ai madje pyet publikisht Ministrin Bekteshi që të tregon cilin biznes privat në këtë zonë e ka ndihmuar?”- thuhet në tekstin që po recensojmë.

Nuk është etike të propagandosh në emër të informimit
Shkrimi është joprofesional. Fillimisht, në statusin, i cili është marrë nuk ka diçka skandaloze, që të tërhequr vëmendjen e gazetarit për ta bërë lajm, sepse në rrethana të tilla edhe do të mund të arsyetohej, nëse paraprakisht vërtetohen akuzat e statusit i cili është marrë si shkas për hulumtim. Por në këtë shkrim ka vetëm akuza të cilat nëse nuk dëshmohen me argumente, nuk kanë bazë. Autori që ka marrë këtë status për të krijuar gjoja lajm, vetë nuk ka marrë informacione nga bizneset private, për të vërtetuar nëse ata kanë pasur ndonjëherë mbështetjen e ministrit ose jo dhe nëse vizitat e tilla janë vetëm fushatë e hershme parazgjedhore.

Denigrimi i personaliteteve nuk ka vend në gazetari
Një lajm si ky që po recensojmë, gazetari profesionist do të mund ta trajtonte në aspektin e praktikës së zyrtarëve, të cilët para zgjedhjeve i rreken punës, vizitave në biznese dhe takimeve me qytetar. Por sërish kjo mund të bëhet vetëm duke iu referuar, fakteve dhe argumenteve: deklaratave të ekspertëve të fushës dhe të ngjashme apo duke marrë mendimin e pronarëve të bizneseve të rajonit që është përmendur në tekst. Në asnjë mënyrë duke denigruar dikë dhe duke kursyer dikë tjetër.
Statusi origjinal iu është referuar dy ministrave, Bujar Osmanit dhe Kreshnik Bekteshit. Madje emri ministër është përdorur në numrin shumës “ministrat bëjnë marketing parazgjedhor”por autori e ka zëvendësuar këtë me numrin njëjës të emrit ministër, duke anashkaluar njërin prej tyre  dhe duke lënë vetëm akuzat ndaj tjetrit. Kjo flet shumë për qëllimin e këtij “lajmi”.

Koncepti i manipulimit “Arsyetim rrethanor”
Autori i tekstit duke qenë se nuk ka tentuar të faktojë atë që ka shkruar, ka pasur prirje për të dëshmuar vërtetësinë e një pretendimi nën supozimin së është e vërtetë. Përdorimi i konkluzionit të synuar si supozim fillestar.

Injoroni joprofesionalizmin
Tituj manipulues, mungesa e argumenteve dhe burimeve të informacionit dhe më e rëndësishmja mungesa e hulumtimit në tërësi brenda një teksti janë tregues që një shkrim i tillë nuk duhet lexuar fare. Sado që mendimet tuaja të jenë të qarta, kur një lajm është i krijuar mbi baza të paragjykimeve, akuzave dhe manipulimeve, herët apo vonë mund të turbullojë arsyen tuaj të shëndoshë, ndaj dhe duhet injoruar.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

>Vërtetmatësit, projekt për rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë të politikanëve dhe partive politike përpara qytetareve, i realizuar nga Fondacioni Metamorphosis Artikulli mundësohet me përkrahje të fondacionit jofitimprurës amerikan (NED - National Endowment for Democracy). .

Your email address will not be published.