Kur në fotografi mungon edhe “V” e valixhes, s’mund të flasim për fakte
Kur mediat do të flasin për vlera parash e të përmendin valixhe, është e udhës të tregohen burime të tyre ose së paku në fotografi apo incizime të shihen valixhe dhe të holla. Mirëpo, në artikullin që do ta recensojmë, mungojnë që të dyja.
Linku deri te artikulli: “(FOTO) Izet Mexhiti kthehet nga Emiratet me dy valixhe me dollarë“
Data e publikimit: 01.02.2020
Data e recensionit: 06.02.2020
Recensuese: Fatbardha Curri
Titull që manipulon publikun
Përmendja e valixhes dhe dollarëve në titull, sigurisht se ishte grepi i madh që e ka përdorur media në fjalë për të tërhequr lexueshmëri, gjë e cila ndodhi edhe me ne.
“(FOTO) Izet Mexhiti kthehet nga Emiratet me dy valixhe me dollarë”, thuhet në titullin e artikullit që e recensojmë.
Por, edhe pse titulli flet shumë dhe thotë se ka edhe fotografi, në artikull nuk arrihet të verifikohet as “V” e valixhes së titullit, e lëre më dollarët të cilat flitet në titull. Për shembull, në fotografitë që bashkëngjitet në artikull, shihet se si pjesëtari i BDI-së, Izet Mexhiti i cili apostrofohet në titull dhe artikull, qëndron i ulur me disa persona, ndërkaq, askund përreth nuk vërehen valixhe dhe dollarë.
Artikull që flet shumë, e s’thotë gjë
Kjo nuk verifikohet as në artikull, i cili flet shumëçka, por pa informacione të verifikuara.
“Nënkryetari i BDI-së, Izet Mexhiti, këto ditë është duke qëndruar në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku po zhvillon takime të ndryshme me donatorë arabë në prag të zgjedhjeve parlamentare të 12 prillit. Informatat jozyrtare thonë se Mexhiti i BDI-së, së bashku me Abdulkader Memedin, natyrisht me urdhër të Ali Ahmetit, kanë udhëtuar në Emiratet e Bashkuara për të gjetur fonde nga sheikët arabë. Jozyrtarisht thuhet se Izet Mexhiti i BDI-së, nga takimet me sheikët, ka mbledhur edhe dy valixhe me dollarë për fushatën zgjedhore të BDI-së”, thuhet në artikullin që e recensojmë.
Nga këtu përfundojmë se media nëpërmjet titullit bombastik dhe sensacional ka manipuluar publikun, për çfarë edhe ka dezinformuar. Nëpërmjet këtij artikulli është bërë shkelje e Kodit Etik të Gazetarëve, ngaqë janë publikuar informacione të paverifikuara. Por krahas informacioneve, sipas Doracakut të “Krithinkut” është dashur të verifikohen edhe fotografitë.
Nga aty, mund të përfundohet gjithashtu se media ka zbatuar edhe konceptin e manipulimit “Thirrje në mundësi” e cila është prirje për të besuar se mundësia që diçka mund të ndodh, është dëshmi se e njëjta do të ndodhë. Për shembull, fakti se Mexhiti është takuar me sheikët, nuk do të thotë se ai ka shkuar për të grumbulluar mjete për fushatë.
Bëhuni llupë e mediave
Të jesh informuar nuk do të thotë se duhet të merrni si të vërtetë çdo informacion. Në këtë trend, kur informacionet transmetohen shumë shpejt për shkak të shtimit të numrit të mediave onlajn të cilat nuk janë rregulluar me ligj, mund të ju bëj edhe juve aktorë në rritjen e dezinformatave. Andaj, për të parandaluar këtë, edhe ju mund të jeni një llupë ku do të filtroheshin informacionet. Dhe duke verifikuar burimet e transmetuara në artikuj të caktuar, vendosni se a duhet apo jo të transmetoni të njëjtat te të tjerët.
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari