Kur “informacionet jo-ekzistuese” shiten si “informacione jo-zyrtare”, zakonisht manipulohet me lexuesit

Duke shpërndarë lajme të rreme dhe panik deri te qytetarët e Maqedonisë së Veriut për një proces tejet të rëndësishëm i cili ka filluar në Maqedoninë e Veriut, që është regjistrimi i popullsisë, autori i “lajmit” që e recensojmë ka tentuar që të ulë besueshmërinë në këtë të regjistrimit të popullatës në RMV. Në këtë shkrim autori ka shpifur duke përdorur metodën klasike të manipulimit, që është ai i “burimeve anonime”, thirrjes në autoritet, thirrjes në traditë dhe shpifjes klasike për qëllime të panjohura, shkruan Krithink.

Linku deri te artikulli origjinal:Regjistrimi do të dështojë: Zaevi dhe Ali Ahmeti merren vesh që të anulohet regjistrimi – shkaku i rritjes së numrit të shqiptarëve

Data e publikimit: 14.03.2021

Data e recensimit: 16.03.2021

Që nga titulli, autori i “lajmit” i gënjen lexuesit

“Regjistrimi do të dështojë: Zaevi dhe Ali Ahmeti merren vesh që të anulohet regjistrimi – shkaku i rritjes së numrit të shqiptarëve” është titulli i shkrimit që e recensojmë.

E para, gazetari nuk është dikush që ka kompetenca të konkludoje në qoftë se një proces politik kaq i rëndësishëm për një shtet do të dështoje apo jo, në qoftë se ai për këtë nuk i ka informacionet e sigurta nga burime zyrtare.

Në rastin konkret bëhet fjalë për një ndër proceset më të rëndësishme të viteve të fundit në Maqedoninë e Veriut, që është regjistrimi i popullsisë. Andaj, si ndihmës në krijimin e institucioneve demokratike në vend, gazetarët në procese të tilla mundësisht duhet të kontribuojnë që të përfundojnë me sukses dhe jo të hedhin baltë me qëllime dashakeqe.

Kjo dukuri është e shpjeguar edhe në Kodin Etik të gazetarëve, i cili potencon se gazetarët në raste të rëndësishme duhet patjetër të jenë të çliruar nga sensacionalizmi në mënyrë që të ndihmohet rrjedha e procesit, dhe jo të pengohet ajo.

“Mënyra e informimit në raste të fatkeqësive, katastrofave natyrore, luftërave, tragjedive familjare, sëmundjeve, proceseve gjyqësore duhet të jenë të çliruara nga senzacionalizmi. Në proceset gjyqësore duhet të respektohet parimi i pafajsisë, të raportohet për të gjitha palët e përfshira në kontest dhe të mos sugjerohet vendimi” thuhet në nenin 8 të Kodit Etik.

“Informatat jozyrtare” apo informatat jo-ekzistuese?

Ky autor që në rreshtin e parë të “lajmit” e ka filluar me shpifje, i njëjti pohon se regjistrimi i popullsisë në diasporë po zhvillohet me probleme serioze dhe joprofesionalizëm, gjë që nuk është e vërtetë.

Ndërkaq, e vërteta është se edhe pse kanë kaluar 16 ditë, deri tani janë vetë-regjistruar 68.668 qytetarë të diasporës dhe procesi po rrjedh në rregull.

“Gazetari duhet të botojë informata të sakta dhe të provuara dhe nuk do të fshehë të dhëna esenciale dhe të falsifikojë dokumente” shkruan në nenin 1 të Kodit Etik.

Ndërkaq, për të mbuluar gënjeshtrat apo informacionet jo të sakta, gazetarët joprofesional shpesh herë fshihen pas “burimeve jozyrtare” apo “burimeve anonime”. Në rastin konkret, gazetari supozimin e tij personal e shet si “informacion” të cilin e ka fituar përmes burimeve të brendshme partiake.

“Derisa e njëjta procedurë pritet që të fillojë edhe në vend, informatat jozyrtare brenda partive qeveritare LSDM-BDI thonë se procesi i regjistrimit të popullsisë pritet që të anulohet dhe me këtë edhe të dështojë” thuhet në shkrimin që e recensojmë.

Në Kodin Etik të gazetarëve është shpjeguar në disa nene se si dhe kur mund dhe duhet të përdoren “burimet anonime”.

“Nëse informata nuk mund të konfirmohet, ose nëse bëhet fjalë për supozim, respektivisht spekulim, kjo gjë duhet të thuhet dhe të publikohet. Saktësia e informatës duhet të provohet sa më shumë të jetë e mundur” shkruan në Kodin Etik të gazetarëve.

“Gazetari do ta publikojë burimin e informatave, mirëpo, nëse burimi kërkon të mbetet anonim, gazetari do ta mbrojë” shkruan në Kodin Etik të gazetarëve.

Që do të thotë se burimet anonime apo jo nuk janë të ndaluara, megjithatë, në rastin konkret bëhet fjalë për supozim të vetë autorit sepse është e pamundur të jetë i informuar dikush, qoftë ai edhe kryetar i partisë në pushtet, për dështimin e një procesi ende pa filluar ai.

Gazetari dy herë ka tentuar të manipulojë duke u thirrur në autoritet, dy herë ka dështuar

Për ta bë më të besueshëm shkrimin i cili nuk është i saktë që nga koka e tij (titulli) dhe deri në shkronjën e fundit, ky autor ka përdorur në mënyrë të dështuar metodën e manipulimit “Thirrje në autoritet” edhe atë dy herë.

Herën e parë, “gazetari” barrën e informacioneve e ka vendosur mbi supet e analistëve, megjithatë, nuk tregon se cilët analistë (emër, mbiemër) dhe kur e kanë deklaruar një gjë të tillë, gjë që lë të kuptohet se “analistët” në të cilët thirret ai, është vetë autori i shkrimit.

“Analistët politikë thonë se nëse dështon i gjithë procesi në fjalë, kjo sipas tyre mund të jetë marrëveshja e fshehtë mes Zaevit dhe Ahmetit, me të vetmin qëllim që shqiptarët mos të dalin me numër shumë të madh në regjistrim” shkruan në lajmin që e recensojmë.

Autoriteti “viktimë” i dytë në të cilin ka tentuar të thirret autori i këtij shkrimi përsëri nuk ka emër e as mbiemër, kësaj radhe ky i fundit flet për “institucione relevante” në vend por nuk përmend emrat e tyre, që edhe lexuesit të shohin se sa (jo) relevant janë këta institucione.

“Sipas një analize të institucioneve relevante në vend, nëse regjistrimi bëhet me shifra reale, thuhet se numri i shqiptarëve në vend është afro 40% të popullsisë së përgjithshme” thuhet në lajmin që e recensojmë.

Ndërkaq, në dy rreshtat e fundit të lajmit, autori i këtij shkrimi ka përdorur shansin e tij të fundit për të manipuluar me lexuesit, edhe atë të “Thirrjes në traditë”, ky i fundit ka përmendur dështimin e procesit të regjistrimit të popullsisë në vitin 2011, për “të vërtetuar” se një gjë e tillë ka gjasa të ndodhë përsëri.

“Se a do të anulohet regjistrimi shkaku i numrit të shqiptarëve, ashtu siç ndodhi edhe më herët në vitin 2011, kjo gjë do të definohet ditëve në vijim, kur pritet të dalin me qëndrime zyrtare partnerët qeveritarë Zaev-Ahmeti” thuhet në lajmin që e recensojmë.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.