Kundërspin: Spin është se Qeveria e LSDM-së e ka rritur administratën për 30 mijë punëtorë

Analizat e shifrave të disponueshme publikisht nga raportet vjetore për punonjësit e sektorit publik në periudhën 2016-2020 tregojnë se numri i tyre është rritur me rreth 2,400, dhe nëse i shtojmë rritjen prej rreth 1,700 numrit të punonjësve shtetërorë në administratën shtetërore, numri i përgjithshëm do të ishte pak më shumë se 4 mijë persona, dhe jo rreth 30 mijë siç pretendon Mickoski

 

Shkruan: Тeofil Bllazhevski

 

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, në një paraqitje në TV, tha se në pesë vitet e fundit numri i të punësuarve në administratën shtetërore është rritur për 30 mijë, deklaratë në të cilën vërehet spin:

Spin: Kjo qeveri që duhej t’i sillte jetë, fillimisht Zoran Zaevit e tani Dimitar Kovaçevskit, në këto katër vite 18,19,20, 21 ia doli të hapë në sektorin privat vetëm 24 mijë vende pune, ose 6000, ose tre herë më pak nga qeveria e mëparshme, dhe kujdes, pati dy kriza të rënda si ajo e borxhit dhe ajo financiare, të cilat për të gjitha parametrat ishin shumë më të forta se pandemia Covid. Vëmendje, kanë hapur rreth 30 mijë vende pune në sektorin publik, a nuk thanë se do ta ulin administratën.

[Burimi: VMRO-DPMNE/ueb-lajme – data: 11.03.2022]

 

Кundërspin: Kryetari i partisë më të madhe opozitare, Hristijan Mickoski, në një intervistë për televizionin Alfa, duke folur për disa tema, kritikoi qeveritë e LSDM-së se kanë krijuar 30.000 vende të tjera pune më shumë në sektorin publik, edhe pse premtuan se do ta zvogëlojnë numrin e administratës, që është shtrembërim i së vërtetës, gjegjësisht spin.

Është pak e vështirë të kuptohet spin-i, sepse vetë Mickoski përdori terminologji interesante – “krijimi i vendeve të punës në sektorin publik”. Megjithatë, ajo që është thënë është mjaft e qartë – krijimi i 30 mijë vendeve të punës në sektorin publik – do ta zvogëlonin administratën, që do të thotë se publikut i është dhënë informacion se numri i të punësuarve në sektorin publik është rritur kaq shumë nga viti 2018 deri në vitin 2021.

Për shkak se janë të dhëna publike, të publikuara në mënyrë transparente dhe për shkak se Ministria e Shoqërisë Informative dhe Administratës (MSHIA) e bën këtë çdo vit në muajin mars të vitit paraprak, në dispozicion janë raportet nga viti 2016 deri në vitin 2020, dhe ato më të vjetrat nuk mund të gjenden në faqe. Raporti i vitit 2021 pritet të publikohet në fund të këtij muaji.

Sipas përmbledhjes së raporteve të përmendura për pesë vitet kalendarik, 2016, 2017, 2018, 2019, 2020, mund të konstatohen këto fakte:

  • Numri i të punësuarve në sektorin publik nga viti 2016 deri në vitin 2020 është rritur me më pak se tre mijë, gjithsej.
  • Numri i institucioneve në sektorin publik është rritur nga 1291 në vitin 2016 në 1332 në vitin 2020 (rreth 1300 janë aktive).
  • Numri i të punësuarve në shoqëritë aksionare shtetërore është rritur nga 8.663 në vitin 2017 në 10.390 në vitin 2020 (kjo shifër publikohet për herë të parë që nga viti 2017). Duhet të kihet parasysh se numri i të punësuarve në SH.A. shtetërore është jashtë numrit të të punësuarve në sektorin publik, që do të thotë se numrit të përgjithshëm që varion nga 290 në 310 mijë persona për vitet e përmendura i shtohet edhe ky numër.

Nga analiza e shkurtër e shifrave nga raportet në pesë vitet e fundit, mund të konstatohet si më poshtë: numri i të punësuarve në sektorin publik është rritur, por në vend të shifrës 30 mijë, shifra zyrtare është nën 3 mijë ( rreth 2.4 mijë periudha 2016-2020). Edhe nëse shtojmë numrin e punonjësve në SHA shtetërore, numri i të cilave është rritur me rreth 1700 persona, shifra përfundimtare për vitin 2020 do të ishte rreth 4200, më shumë punonjës, krahasuar me totalin e punonjësve të vitit 2017!

Numri i institucioneve në të njëjtën kohë është rritur me 41 institucione (2016-2020), ku ndërmarrjet publike zënë 15 për të njëjtën periudhë. Ndërmarrjet publike formohen nga Qeveria dhe njësitë e vetëqeverisjes lokale.

Tregues grafik i AP sipas MSHIA

 

Numri i të punësuarve në administratën shtetërore është rreth 16 mijë

Numri i të punësuarve në atë që definohet saktë si administratë shtetërore është afërsisht i njëjtë dhe është rreth 16 mijë për të gjithë periudhën raportuese. Sipas një eksperti të administratës publike nga UKIM, të cilin e kemi konsultuar për këtë çështje dhe në përgjithësi, mund të thuhet se RMV-ja nuk ka sektor të madh publik në krahasim me vendet e tjera të Evropës dhe të dhënat bazohen në raportet e OECD-së. Në përqindje varion nga 16-17, maksimumi 19 për qind, në raport me numrin total të të punësuarve në vend.

Së dyti, duhet pasur parasysh se që nga viti 2017 për herë të parë është shpallur numri i të punësuarve në shoqëritë aksionare shtetërore, gjë që qeveritë e VMRO-DPMNE-së, për shembull, nuk e kanë bërë.

Sipas të njëjtit ekspert, RMV nga viti 2005-6 e deri më sot, numri i të punësuarve në atë që definohet saktë si administratë shtetërore (Qeveri, ministri, administrata, inspektorate, agjenci…) është rritur nga tre deri në katër mijë, pra rreth 16 mijë, ndërsa sipas tij shteti mund të menaxhojë edhe numër prej rreth 12 mijë punonjësish.

Mund të ketë rritje me disa mijëra punonjës me kontrata me periudhë të kufizuar, punonjës me kohë të pjesshme në sektorin publik. Por, përsëri, ai numër është matur që nga viti 2017, kështu që në atë vit MSHIA ka matur se në sektorin publik janë të angazhuar përkohësisht 1.624 persona, në vitin 2019 ky numër është rritur në 3.222 persona dhe në vitin 2020 ka rënë në 2.425. MSHIA personat e tillë i cilëson si “punëtorë të përkohshëm në sektorin publik” dhe thekson se sipas ligjeve për zyrtarët administrativë dhe të punësuarit në sektorin publik, ata nuk kanë statusin e personave të punësuar në sektorin publik.

 

Çfarë do të thotë vende pune “të krijuara”?

Në fund, për fjalën të krijuar, të cilën Mickoski nuk e sqaron se çfarë saktësisht do të thotë, sepse ndoshta sipas sistemimit të këtyre 1.300 institucioneve (ata janë të obliguara ligjërisht të kenë sistematizimin), mund të parashihen apo “krijohen” më shumë vende pune nga sa faktikisht janë plotësuar.

Në fund, gjatë leximit të shifrave, duhet pasur parasysh se raportet nuk përmbajnë të dhëna për deputetë, ministra, zëvendësministra, kryetarë komunash, kryetarë dhe anëtarë të komisioneve shtetërore, drejtorë, gjyqtarë, prokurorë publikë dhe persona të tjerë të zgjedhur apo të emëruar, në përputhje me Ligjin për nëpunësit publikë.

Duke pasur parasysh faktet e mësipërme, Mickoski shtrembëron të vërtetën kur thotë se numri i të punësuarve në administratë është rritur për 30 mijë persona në periudhën nga viti 2017 deri në vitin 2021, pavarësisht se të dhënat për vitin 2021 nuk janë të disponueshme për publikun. Ky konkluzion rrjedh nga analiza e variacionit të totalit të punonjësve të sektorit publik nga viti 2016 deri në vitin 2020, gjë që tregon se rritje të tilla në sektorin publik janë të pamundura. Prandaj, deklarata me të cilën Mickoski komunikon me publikun, mund të vlerësohet si spin.

 


Ky artikull është përgatitur në kuadër të projektit Kontrolli i fakteve për progresin e Maqedonisë së Veriut drejt BE -së, i zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis. Artikulli, i botuar fillimisht në Vërtetmatës, është mundësuar nga mbështetja e fondacionit jofitimprurës amerikan NED (National Endowment for Democracy). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Metamorphosis, NED ose bashkëpunëtorëve të tyre


 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.