Kundërspin: Problemi nuk është në Marrëveshjen me Bullgarinë, por në ndryshimin e sjelljes së Sofjes që nga viti 2019
Nëse me ose pa referendum Maqedonia e V. tërhiqet nga Marrëveshja e Miqësisë dhe Bashkëpunimit me Bullgarinë, procesi i negociatave me BE-në, i cili ka filluar vetëm formalisht, do të bllokohet derisa të arrihet marrëveshje e re, e cila, atëherë, është logjike të supozohet se do të çojë gjithashtu në nevojën për kornizë të modifikuar negociuese me BE-në. Nuk duhet shumë ekspertizë për të arritur në përfundimin se kjo mund të nënkuptojë bllokimin e rrugës së vendit drejt BE-së për një periudhë më të gjatë, ndoshta dekada.
Shkruan: Теоfill Bllazhevski
Në fjalimin kryetari të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickosk ku i sqaron opinionit pse kërkohet referendumi për Marrëveshjen me Bullgarinë të vitit 2017, mund të vërehet spin:
Spin: Marrëveshja e miqësisë dhe e bashkëpunimit me Bullgarinë është burimi, themeli mbi të cilin shteti bullgar ndërton politikën e tij të ngurtë dhe negative ndaj Maqedonisë sonë. Në fund të fundit, jo rastësisht protokolli i miratuar së fundmi, si dhe neni 5 i kornizës së negociatave i referohen kësaj marrëveshjeje. Kur goditet padrejtësia, më së miri është të godasësh rrënjët e saj, nga e cila këto 5 vite kemi parë të rritet një pemë e helmuar, e cila jep fryte të helmuara. Dhe për të gjithë ata që pyesin pse nuk kontestohet korniza e negociatave, pse propozimi francez nuk quhet me kusht, pa fjalë në vend të marrëveshjes, përgjigja është se është mirë të godasësh rrënjët e pemës së helmuar dhe jo frutat helmues, që do të thahen nëse rrënja ikën”
[Burimi: Кanal 5 – Мickoski/fjalim, data: 08.09.2022]
Kundërspin: Në këtë pretendim të njeriut të parë të VMRO-DPMNE-së dallohen dy spine. Kryesori është se Marrëveshja ishte rrënja e problemit, dhe i dyti, i cili bazohet në të parin, është se një marrëveshje kaq e keqe është e përfshirë në Kornizën negociuese me BE-në dhe për këtë arsye është më mirë të “goditet thelbi i padrejtësia”, “rrënja”, pra të deklarohet populli për prishjen e Marrëveshjes me referendum.
Këtë spin të Mickoskit e përcjell edhe nënkryetari i partisë Aleksandar Nikoloski, i cili në një intervistë për agjencinë hungareze të lajmeve të regjistruar në Londër, thotë se kërkesat bullgare që janë burimi i bllokadave nga Sofja zyrtare e rrugës së BE-së të Maqedonisë së V. datojnë nga vitin 2017, që nga momenti i nënshkrimit të dokumentit:
Këto kërkesa bullgare datojnë që nga viti 2017, kur kryeministrat e atëhershëm maqedonas dhe bullgar nënshkruan marrëveshjen e miqësisë dhe marrëdhënieve të mira. Fatkeqësisht, ajo marrëveshje nuk solli miqësi, marrëdhënie të mira apo bashkëpunim, por veto të përhershme për ta penguar Maqedoninë të hyjë në BE. Prandaj mendojmë se duhet t’u jepet mundësia njerëzve të shprehin mendimin e tyre për marrëveshjen. Ne besojmë se kjo është katastrofike dhe burim i të gjitha problemeve të Maqedonisë.
Kronologjia e ngjarjeve nga viti 2017 e deri më sot tregon se realiteti është disi ndryshe. Konkretisht, Marrëveshja për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim ndërmjet dy vendeve, kur u nënshkrua në vitin 2017, kishte për qëllim zgjidhjen e njërës nga dy çështjet e hapura të Republikës së Maqedonisë së atëhershme me fqinjët e saj. Në këtë rast, me Bullgarinë, me të cilën deri atëherë bashkëpunimi zhvillohej në një nivel relativisht të ulët dhe vetëm në bazë të një dokumenti të vjetër, në nivel më të ulët se një marrëveshje ndërkombëtare, e cila u arrit në vitin 1999 nga kryeministrat e atëhershëm të të dy vendeve, Ljubço Georgievski dhe Ivan Kostov. Vetë Marrëveshja e 2017-ës nuk supozon dominimin e Bullgarisë madje as me nenin 8 për komisionin historik, sepse ai është mbi “bazë të barazisë“.
Në të njëjtën kohë, është fare e qartë se nuk bëhet fjalë për marrëveshje ideale, sipas ekspertëve, ajo vlerësohej paksa asimetrike për palën maqedonase dhe në favor të Bullgarisë, por fakti është se në atë kohë nuk kishte kërkesa radikale për identitetin, gjuhën dhe kombin maqedonas dhe pas nënshkrimit gjërat filluan të ecin përpara. Takimet dypalëshe u bënë më të shpeshta, synimet e bashkëpunimit të shprehura përmes takimeve, vizitave dhe festimeve të përbashkëta u përshpejtuan.
Gjërat kanë ndryshuar në mënyrë drastike pas Deklaratës së miratuar në vitin 2019 nga Parlamenti i Republikës së Bullgarisë, bazuar në qëndrimin Kornizë të qeverisë së atëhershme bullgare për ofrimin e mbështetjes për fillimin e negociatave të BE-së me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Që atëherë, përmes Memorandumit Shpjegues të qeverisë bullgare nga viti 2020 për qëndrimet e atij vendi në raport me perspektivat e Maqedonisë për në BE, marrëdhëniet mes dy vendeve në vend që të përmirësoheshin ranë poshtë. Dhe këtë e ka thënë mirë disa herë një nga aktorët e Marrëveshjes nga viti 2017, ministri i atëhershëm i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, dhe këtu do të përmendim një reagim të tij në vitin 2021 dhe një tani në vitin 2022, ku ai thotë qartë se Marrëveshja ka kuptim dhe është bazë e mirë, por pa mohuar identitetin maqedonas. Presidenti Stevo Pendarovski dha përafërsisht të njëjtin vlerësim pas vetos së parë në vitin 2020, ndërsa Instituti për Politika Evropiane disa muaj më parë bëri një analizë të thelbit të problemit, e cila përshkruan në detaje se ku qëndron problemi, nëpërmjet analizës së marrëveshjes së zbatuar deri atëherë në mes të dy vendeve.
Sipas saj, mund të vlerësohet se vetë Marrëveshja nuk është origjina e problemit, “rrënja” që do të thoshte Mickoski, por sjellja e ndryshme e Sofjes pas vitit 2019, që kur është radikalizuar interpretimi i përmbushjes së Marrëveshjes, sidomos përmes punës së komisionit të përzier historik . Por parashtrohen edhe kërkesa të tjera, njëra prej të cilave nuk ekzistonte fare deri para një viti – përfshirja e bullgarëve në vend në Kushtetutë. Megjithatë, pas vitit 2019, bllokadat pasuan në vitin 2020 dhe 2021, deri në fund të qershorit 2022, kur bazuar në të ashtuquajturin Propozimi francez i Kornizës Negociative me BE-në, të cilin vendi e pranoi në një proces të turbullt debatesh politike brenda dhe jashtë Kuvendit dhe kundërshtime të egra të një pjese të konsiderueshme të publikut, pas së cilës pasoi fillimi formal i negociatave me BE-në.
Çfarë do të thotë largimi nga Marrëveshja?
Gjatë kërkesës që referendumi të jetë vetëm për Marrëveshjen me Bullgarinë, as Mickoski dhe as përfaqësuesit e tjerë të lartë të VMRO-DPMNE-së nuk thonë se çfarë do të thotë një referendum i mundshëm i suksesshëm. Antonio Milloshoski i shmanget shpjegimit të detajuar, duke thënë vetëm se kjo do të ishte sinjal për Sofjen se ne duam një marrëveshje të re në baza të barabarta dhe beson se BE-ja nuk do ta përjashtonte Maqedoninë e V. tërësisht nga perspektiva e BE-së. Por as ai dhe askush tjetër nuk guxon të thotë se çfarë do të thotë kjo në kuadër vjetor.
Duke supozuar se me ose pa referendum vendi do të largohej nga Marrëveshja, kjo do të thotë se negociatat mes BE-së dhe Maqedonisë së Veriut nuk mund të vazhdojnë derisa të nënshkruhet marrëveshje e re, sepse ajo tashmë është e inkorporuar në Kornizën Negociuese. Pra, së pari, do të jetë e nevojshme negociata të gjata dhe me shumë gjasa shumëvjeçare me Bullgarinë për një marrëveshje të re. Duke marrë parasysh “pozitën e fituar” të Sofjes në Kornizën Negociuese, është e vështirë të supozohet se kjo mund të ndodhë shpejt, veçanërisht nëse partia radikale e djathtë “Prerodba” hyn në Qeveri, e cila ka 12 për qind të lartë nga besimi publik.
Vetëm pas kësaj marrëveshjeje të re do të pasonte një proces i harmonizimit të ri të anëtarëve të BE-së për kornizë të modifikuar negociuese, shembull që nuk është njohur deri më tani në procesin e zgjerimit të BE-së, siç dëshmohet nga përvoja e këshilltarit shtetëror Dragan Tilev:
Theksoj se Korniza Negociuese është dokument i njëanshëm i BE-së, në përcaktimin e të cilit ne nuk marrim pjesë, por është e natyrshme që në fund të konsultohemi si një nga palët që duhet të negociojmë tekstin e Marrëveshjes së Anëtarësimit si epilogu i procesit të anëtarësimit. Pasi teksti i Kornizës Negociuese të jetë harmonizuar dhe miratuar nga të 27 shtetet anëtare, sipas procedurave të tyre të brendshme të miratimit, ai është përfundimtar dhe nuk mund të ndryshohet, përveç nëse të 27 shtetet anëtare bien dakord njëzëri për një ndryshim të tillë. Deri më tani, sipas njohurive të mia për procesin, një gjë e tillë nuk ka ndodhur, megjithëse nuk po them që as nuk është e mundur (intervistë me Tilev nga 05.07.2022 për NovaTV)
Prandaj, përgjigja në pyetjen se çfarë do të ndodhë me vendin në rrugën drejt BE-së pas largimit të mundshëm nga Marrëveshja me Bullgarinë, me ose pa referendum, është “lart lart, poshtë thellë” dhe pikërisht për këtë askush nga opozita nuk guxon të japë vlerësim dhe të sqarojë publikun. Nga ana tjetër, qëndrimi në pozicionet aktuale, duke supozuar se ka ndryshime kushtetuese dhe pakica bullgare hyn në Kushtetutë, garanton vazhdimin e negociatave me hapjen automatike të kapitullit të parë “Vlerat Themelore”, i cili mbyllet dhe i fundit, por gjithashtu, edhe pa garanci se në procesin e negociatave nuk do të ketë bllokada të reja nga Sofja, apo nga askush tjetër. Megjithatë, vendi do të jetë në një proces negociator aktiv.
Megjithatë, edhe duke supozuar se ka presione për protokollet e ardhshme mes dy qeverive që janë të përfshira në Kornizën Negociuese, siç në këtë të fundit ka “mina të fshehura”, vetë Marrëveshja nuk është baza apo rrënja e problemeve, por sjellja e Sofjes, tani dhe në të ardhmen. Por edhe qëndrimi i përgjithshëm i vendeve të tjera anëtare të BE-së ndaj procesit të zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë edhe mënyrën e vendosjes për këto çështje në vetë BE-në, gjegjësisht nëse mekanizmi i vetos do të ekzistojë.
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari