Kundërspin: Pa marrëveshjen me Greqinë (dhe me Bullgarinë), nuk mundej as në NATO, nuk mundet as në BE

Mickoski shtrembëron të vërtetën kur flet për rrethanat në të cilat vendi u bë anëtar i NATO-s dhe rrugën për anëtarësimin në BE. Në një intervistë për “Fokus”, Mickoski tha se do të ishim bërë anëtare të NATO-s pa ndryshuar emrin, nëse do të ishte interes gjeostrategjik – deklaratë e cila nuk është gjë tjetër veç spin.

 

Shkruan: Teofil Bllazhevski

 

Kryetar i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski, në intervistë paraqet qëndrim mbi politikën e jashtme dhe të brendshme, në të cilën mund të zbulohet spin-i:

Spin: Unë do të doja dhe besoj që BE do të mbajë fjalën e saj dhe atë që ishte premtuar në të kaluarën. Por kjo nuk është çështja. Më kujtohet takimi i liderëve që patëm tre vjet më parë në maj në Klubin e Deputetëve, kur u përmend për herë të parë mundësia e ndryshimeve kushtetuese për Maqedoninë e Ilindenit. E pyeta Zaevin shumë qartë: A jeni i vetëdijshëm që me këtë po thyeni të gjitha pozicionet negociuese me dekada të Maqedonisë? Ai më thotë, “por, ne do të bëhemi anëtar i NATO-s dhe BE-së.” Jo vetëm që nuk u bëmë anëtar, por as nuk filluam negociatat. Dhe anëtar i NATO-s, nëse do të ishte interes gjeostrategjik, ne do të ishim bërë pa ndryshuar emrin”.

[Burimi: VMRO-DPMNE – Mickovski: Para tre viteve.., data: 21.05.2021]

 

 

 

Kundërspin: Udhëheqësi i VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, dëshiron të sigurojë publikun se në të kaluarën e afërt, ka qenë e mundur të mos merret vendim shtetëror për të ndryshuar emrin e Republikës së Maqedonisë në Republika e Maqedonisë së Veriut, si kusht për integrimet Euro-Atlantike, por qëllimi të përmbushet, gjë që është rrotullim i së vërtetës, gjegjësisht spin.

Në këtë spin, ka dy pjesë: njëra është rruga drejt anëtarësimit në BE dhe tjetra drejt anëtarësimit në NATO. Për ta bërë më të qartë spin-in, duhet të merren parasysh faktet e mëposhtme:

– Nga viti 1993 e deri më sot, nuk ka asnjë parti të madhe politike në Maqedoni që në zotimet e saj programore të mos shkruaj se e sheh vendin si anëtare të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, dmth një vend qeverisës demokratik që ndan vlera evropiane dhe përgjithësisht pro-perëndimore dhe sheh vendin e tij në dy komunitetet e përmendura. Angazhime të tilla programore në dokumente të shkruara, si dhe në mënyrë deklarative, në 90% të rasteve ishin të ekspozuara edhe nga VMRO-DPMNE që nga themelimi i kësaj partie deri më sot.

– Që nga anëtarësimi i Republikës së Maqedonisë në Kombet e Bashkuara në vitin 1993, përmes kontakteve të para me BEE-në e atëhershme (BE-në e sotme) dhe me NATO-n, në dokumentet zyrtare, interesi i këtyre dy organizatave gjithmonë është theksuar se ato duan që vendi të jetë anëtar i tyre.

– Nga vitet 1996, 2001, 2004 dhe 2005, kur u nënshkruan Marrëveshja e Bashkëpunimit me KE, dhe pastaj Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit me BE, përmes aplikimit të paraqitur dhe të aprovuar për anëtarësim në BE me statusin e kandidatit – BE ka përfunduar në mënyrë të përsëritur se vendi plotëson kushtet për fillimin e negociatave, por fillimi i atyre negociatave u bllokua kryesisht nga vetëm dy vende. Njëra është Greqia dhe tjetra është Bullgaria, kundërshtimi i së cilës nuk është vetëm për herë të parë në vitin e fundit, por Sofja e ka bërë këtë edhe në 2012-n.

– Nga Vendimi i Kuvendit së Republikës së Maqedonisë në dhjetor të vitit 1993 për anëtarësim në NATO, deri në vitin 2020, kur zyrtarisht u bëmë vendi i 30-të anëtar i Aleancës, asnjëherë nuk është ndarë përcaktimi strategjik i Maqedonisë dhe veneve anëtare të Aleancës, që të jemi pjesë e kësaj aleance ushtarake.

– Nga ngjarjet në samitin e NATO-s në 2008 në Bukuresht, kur Shtetet e Bashkuara njoftuan në ditën e parë që Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia do të bëheshin anëtare të reja të NATO-s dhe të nesërmen Greqia bllokoi procesin për Maqedoninë, sepse nuk votoi për atë vendim (vendosi veto), u bë shumë e qartë për të gjithë në botë që pa zgjidhur mosmarrëveshjen midis Athinës dhe Shkupit – në të cilën çështje kryesore ishte emri Maqedonia dhe mbiemrat maqedonase, maqedonas, etj – anëtarësimi i vendit në NATO dhe BE do të mbetet i bllokuar në rrugë rrugë pa dalje.

 

Marrëveshjet me Greqinë dhe Bullgarinë janë kushtet kryesore

Duke pasur parasysh faktet e shkurtra, të renditura më sipër, në qëndrimin e Mickoskit në të cilin vërehet spin, e vërteta shtrembërohet në dy drejtime.

Së pari, fillimi i negociatave me BE është problematik, edhe pse Mickoski e di shumë mirë se bllokada aktuale u krijua kryesisht për shkak të kërkesave për proces të reformuar të negociatave, dmth një metodologji e re nga Franca, dhe më pas nga Bullgaria, e cila nga viti 2019 kërkon kushte të veçanta për Maqedoninë jashtë atyre ekzistuese, duke pretenduar se Shkupi nuk përmbush Marrëveshjen e Fqinjësisë së Mirë të vitit 2017.

Kur flet për NATO-n, Mickoski së pari problematizon interesin gjeostrategjik, ndoshta të vendeve të mëdha në hemisferën perëndimore, sepse ai thotë, “nëse do të kishte interes gjeostrategjik do të ishim bërë anëtarë të NATO-s pa ndryshuar emrin“. Nga faktet e shkurtra të këtij procesi të paraqitura më lart, është mjaft e qartë se as në Perëndim, as në vend, interesat gjeostrategjike të anëtarësimit në NATO nuk janë vënë në dyshim kurrë. Prandaj, është e qartë se pa marrëveshjen me Greqinë, e cila ndryshoi emrin kushtetues të Republikës së Maqedonisë dhe pa Marrëveshjen e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit me Bullgarinë nga viti 2017, vendi nuk do të ishte bërë anëtar i NATO-s, të paktën për sa kohë që në NATO (dhe BE), vendimet merren me konsensus nga secili shtet anëtar.

Prandaj, pretendime ose pikëpamje të tilla të Mickoskit mund të shënohen qartë si një shtrembërim i së vërtetës, gjegjësisht SPIN.

 

 

 

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.