Kundërspin: Nëse Arsovska sillet “si fëmijë katër vjeçar”, faji, megjithatë është te VMRO-DPMNE
Problemet që tani janë në sipërfaqe mes kryetares Danela Arsovska dhe VMRO-DPMNE-së janë dukshëm më të thella dhe për vetë partinë prej kohësh janë të njohura. Ato është dashur të njihen dhe të tejkalohen edhe para zgjedhjeve lokale, kur ia kanë ofruar, ndërsa Arsovska ka pranuar (ose anasjelltas), që partia të mos propozojë kandidatin e saj në zgjedhjet lokale, por ta mbështesë atë. Së paku, mosmarrëveshjet duhej të zgjidheshin kur të fillonin të menaxhonin së bashku Qytetin e Shkupit
Shkruan: Теоfill Bllazhevski
Trajko Sllaveski, kryetar i Këshillit të Qytetit të Shkupit dhe zyrtar i lartë i VMRO-DPMNE-së, në një intervistë për problemet ndërmjet kryetares Danela Arsovska dhe VMRO-DPMNE-së, ka deklaruar disa pohime në të cilat mund të vërehet spin:
Spin: …Pra, ishte e qartë, i duhet pushim. Më duket se zonja Arsovska ndonjëherë sillet si fëmijë katërvjeçar që ka një çekiç në dorë dhe gjithçka që është rreth tij, çdo send e sheh si gozhdë dhe vetëm godet, godet, godet. Kjo goditje duhet të ndalet. Unë i kam ndjerë ato goditje përmes kolegëve të mi në Këshillin e Qytetit të Shkupit qysh në janar, shkurt, jo tani, por kjo është një histori krejtësisht tjetër dhe mendoj se kam arritur ta menaxhoj atë, që gjërat të shkojnë më mirë në mënyrë që të funksionojmë të gjithë. Dhe gjithë ky emërim dhe shkarkim i papritur i bashkëpunëtorëve të saj më të afërt, pra drejtorëve të ndërmarrjeve publike që duhet të mbështesin imazhin e një Shkupi më të bukur dhe më modern, nuk i ngjan veprimeve të një menaxheri me përvojë, siç kemi dashur dhe besuar se është zonja Arsovska?
[ Burimi: ТV Sitel – Т.Sllaveski/intervistë (prej min 10.40) – Data: 13.09.2022]
Kundërspin: E gjithë deklarata e kryetarit të Këshillit të Qytetit të Shkupit, Trajko Sllaveski, të cilën po e analizojmë dhe e cila është thënë në një bisedë për lajmet në TV Sitel, është spin, d.m.th. shtrembërim i së vërtetës.
Duke folur për gjendjen aktuale që ka ndodhur me dorëheqjet/shkarkimet e drejtorëve të NP “Ujësjellësi” dhe NP “Deponia Drislla”, Sllaveski mundohet t’i prezantojë para opinionit në atë mënyrë që Arsovskas “i ngutet”, se “i duhet pushim” dhe se nuk i ngjajnë veprimeve të një menaxheri me përvojë, “siç ne (VMRO-DPMNE) kemi dashur dhe kemi besuar se është zonja Arsovska”.
Por gjatë intervistës, para se t’i shqiptojë këto fjalë, ai tha se në muajt e parë e ka njoftuar Komitetin Ekzekutiv të partisë se me Arsovskën nuk ka pasur asnjë komunikim, përveç zyrtar (rreth min 3.30), dhe më pas ka sqaruar opinionin se problemet me Arsovskën i ka ndjerë që në janar, shkurt, pra vetëm dy-tre muaj pas zgjedhjes së saj.
Ato goditje i kam ndjerë përmes kolegëve të mi në Këshillin e Qytetit të Shkupit në janar, shkurt, jo tani, por kjo është një histori krejt tjetër dhe mendoj se kam arritur ta menaxhoj, që gjërat të shkojnë më mirë që të mundemi të gjithë të funksionojmë – thotë Sllaveski.
Një pretendim i tillë, së bashku me pretendimin në bisedë se ai është takuar me të vetëm tre herë në zyrën e saj për çështje me interes për punën e Këshillit, tregojnë se nuk mund të bëhet fjalë fare për veprimet e “ngutshme” të Arsovskës, por se “personazhi i saj” për të cilin Sllaveski nuk dëshiron të flasë, ishte i njohur edhe për Sllaveskin edhe për partinë që nga fillimi i funksionimit të qeverisë së re në Shkup.
E gjithë kjo, si dhe deklarata e deritanishme e Arsovskës se ka kohë që nuk ka kontakte me Hristijan Mickoskin, dhe në anën tjetër duke paraqitur qëndrimin e partisë se Arsovska nuk ka treguar rezultate, por po lufton për pushtet personal, ndërsa VMRO-ja ka luftuar për parime, tregon se problemi në mes të VMRO-DPMNE-së dhe kryetares Arsovska ka kohë që ka qenë i pranishëm. Meqenëse nuk është e mundur të nxirret një përfundim për diçka të ndryshme nga të gjitha deklaratat publike, atëherë dy gjëra mund të konstatohen si fakte.
Së pari, menaxhmenti i VMRO-DPMNE-së pa një analizë më të thellë paraprake, e cila do të përfshinte vlerësimin e “karakterit të Arsovskës” ose të Arsovskës si person i përshtatshëm për kryetar komune, e mbështeti atë plotësisht si kandidate “të pavarur” në zgjedhjet lokale të vitit 2022, duke marrë pjesë maksimalisht edhe në përgatitjen e programit dhe prezantimeve të saj për publikun (“pjesa e luanit” siç pretendon Sllaveski në intervistën pas min 8.35). Çfarë është e papërgjegjshme nga partia më e madhe opozitare e cila e imponon veten si alternativë e përgjegjshme ndaj subjektit tashmë në pushtet dhe përgjegjës që fitoi shumicën në qytetin e Shkupit. Jo vetëm që është e papërgjegjshme, por të jep përshtypjen e një mashtrimi të madh parazgjedhor për të fituar besimin e publikut.
Së dyti, nëse problemet janë parë qysh nga janari, shkurti i këtij viti, siç pretendon Sllaveski sipas përvojës së tij personale me Arsovskën, atëherë lidershipi më i lartë i partisë, përfshirë edhe vetë Sllaveski, janë fajtorë për mashtrimin e opinionit për përmbushjen e premtimeve nga programi i Arsovskas dhe VMRO-DPMNE-së për qytetin e Shkupit, si dhe për funksionimin e të gjitha shërbimeve përgjegjëse në Qytet. Pse nëse ke problem me administratën e qytetit dhe me kryetarin personalisht, për cilën dhe me çfarë cilësie të realizimit të projekteve në interes të qytetit mund të flasim?
Këshilli mund të ketë mbajtur efektivisht 16 seanca deri më tani, siç thotë Sllaveski, por nëse drejtorët e djeshëm të ndërmarrjeve publike e kanë kryer me sukses apo gjysmë sukses punën e tyre, a ka ndonjë indikacion për keqpërdorime në një prokurim të madh publik me para evropiane për ndërtimin e projektit kapital për stacion filtrues për trajtimin e ujërave të zeza në dalje të Vardarit nga Shkupi prej 130 milionë euro, si janë shpenzuar paratë publike në ndërmarrjet e tjera publike…, këtë opinioni nuk mund ta vlerësojë i vetëm në këtë ortek informacionesh dhe dezinformatash që po plasohen nga te dyja anët. Përgjegjës për këtë janë këshilltarët, të cilët janë linja e parë e mbikëqyrjes së administratës së qytetit, por edhe organet që kanë juridiksion për funksionimin ligjor, që nga shërbimet e inspektimit, deri te prokuroria, nëpërmjet aktivizimit të mundshëm të hetimeve për të gjitha këto çështje.
Prandaj, duke marrë parasysh kundërthënien e pohimit të Sllaveskit se gjoja nuk është në dijeni të gjendjes në administratë (min 1.50 në intervistë), pohimi i tij në nivelin e përshtypjes se Arsovska sillet si fëmijë katërvjeçar, se i duhet pushim, se është menaxhuese e papërgjegjshme, në kundërshtim me atë që kanë menduar dhe dëshiruar VMRO-DPMNE, etj, janë spin apo shtrembërim i së vërtetës.
Problemet, të cilat tani janë në sipërfaqe, padyshim janë shumë më të thella dhe janë të njohura për vetë partinë prej kohësh. Ato duhet të ishin vërejtur dhe tejkaluar edhe para zgjedhjeve lokale, kur ia ofruan dhe Arsovska pranoi (ose anasjelltas), që partia të mos e nxjerrë kandidatin e saj në zgjedhjet vendore, por ta mbështesë atë. Së paku, mosmarrëveshjet duhej të zgjidheshin kur të fillonin të menaxhonin së bashku Qytetin e Shkupit. Sllaveski, pa dyshim, me pranimin e tij nuk ka faj për këtë, sepse ai tani po distancohet duke pretenduar se edhe atëherë ishte kundër një ideje të tillë dhe ia kishte thënë personalisht kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari