Kundërspin: Ministri i Sportit, Ristovski, jep shifra të pabazuara për numrin e talenteve të rinj

Ministri i Sportit, Borko Ristovski, duke iu përgjigjur pyetjes për performancën katastrofale të sportistëve të rinj maqedonas në Festivalin Olimpik të Rinisë, ose siç njihet ndryshe, Olimpiada e Rinisë, dha arsyetime të paqarta për mungesën e medaljeve, duke thënë në mënyrë të përgjithshme sa talente të rinj ka shteti. Fillimisht përmendi numrin “500 fëmijë të talentuar”, e më pas e uli menjëherë këtë numër duke pyetur nëse “kemi edhe 250”. Në Maqedoninë e Veriut nuk ekziston një bazë e të dhënave qendrore për numrin e sportistëve të rinj me talent, as një sistem vlerësimi që të identifikojë talentet e reja në sport, prandaj ministri e përcakton numrin e tyre “afërsisht”.

 

Shkruan: Stojan Sinadinov

 

Edhe pse Maqedonia e Veriut si nikoqir i Festivalit Evropian Rinor Olimpik (FERO) së fundmi mori pjesë me numër rekord të sportistëve të rinj, 181 konkurrentë, nuk fitoi asnjë medalje. Ministri i Sportit në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Borko Ristosvski, duke iu përgjigjur pyetjes në një intervistë për Radio “Evropa e Lirë” se sa ky rezultat i dobët është pasojë e mungesës së strategjisë për sportistët e rinj, pasi shumica e të rinjve nuk kanë shumë mbështetje nga shteti, por investojnë vetë në zhvillimin e tyre dhe stërviten, pa sponsorë të mëdhenj si sportistët në garat klubore, dha përgjigjen e mëposhtme spin:

Spin: Kam kontakt personal me të gjithë sportistët individualë, me të gjithë ata të rinj talente, ne mbështesim dhe mbi 500 prej tyre marrin bursa. Nëse më pyesni mua, ne nuk kemi 500 fëmijë të talentuar në shtet. A kemi ndoshta 250? Prandaj po mendojmë që në të ardhmen numri të ulet, ndërsa ndihma në fonde të rritet. Domethënë, nëse kanë marrë, nuk e di, 8,000 denarë, tani 250 fëmijë të marrin 15,000 denarë çdo muaj dhe të ndiejnë vërtet atë ndihmë. Kështu që, besoni që asgjë nuk bëhet gjatë natës, por po ju siguroj gjithashtu se Ministria e Sportit, unë dhe ekipi im jemi të vendosur t’i vendosim gjërat ashtu si duhet.

[Burimi:Ristovski:Ne propozuam që ose të anuloheshin Lojërat Olimpike ose të reduktoheshin në 1,000 pjesëmarrës, por u refuzuam; Data– 03.08.2025] 

 

Kundërspin: Ministri i Sportit, Borko Ristovski, në një intervistë për Radio “Evropa e Lirë”, duke iu përgjigjur pyetjes për rezultatet katastrofale të sportistëve të rinj maqedonas në MOF, ose siç njihet ndryshe Lojërat Olimpike Rinore, manipulohej lidhur me arsyet pse nuk u fitua asnjë medalje, duke spekuluar pa bazë për numrin e talenteve të rinj që ka shteti.

(Përgjigja e Ristovskit në intervistën për Radio „Evropa e Lirë“ nga minuta 11:00 deri në 12:15 në video)

Ministri Ristovski fillimisht përmend shifrën prej „500 fëmijë të talentuar“, e menjëherë më pas e përgjysmon atë, duke pyetur „a kemi ndoshta edhe 250?“. Në Maqedoninë e Veriut nuk ekziston një databazë qendrore me të dhëna për numrin e sportistëve të rinj të talentuar, as një sistem meritash që do të identifikonte talentet e reja në sport, prandaj ministri Ristovski e përcakton numrin e tyre “me sy”.

Atëherë, sa sportistë të rinj me talent kemi realisht në vend?

Cila është gjendja e sportit në Maqedoni?

Në faqen zyrtare të Bashkimit Evropian (BE), në raportin e Komisionit Evropian (KE) për “Shëndetin dhe mirëqenien” në Maqedoninë e Veriut (përditësuar për herë të fundit më 07.03.2024), në pjesën “Sporti, fitnesi për të rinjtë dhe aktiviteti fizik”, është shënuar:

Në Maqedoninë e Veriut, nuk ekziston një strategji e veçantë që i dedikohet vetëm sportit dhe aktivitetit fizik të të rinjve. Në Strategjinë e re Kombëtare për të Rinj (2023–2027), nuk ka një fushë tematike specifike të përkushtuar ekskluzivisht sportit, por sporti përmendet në disa fusha tematike brenda strategjisë.

Raporti thekson se janë përgatitur dokumentet rregullatore të nevojshme për bashkëpunim në nivel lokal, me qëllim krijimin e një bashkëpunimi gjithëpërfshirës midis të gjitha institucioneve në vend që kontribuojnë në zhvillimin e sportit dhe promovimin e konceptit “Sport për të gjithë”. Kjo përfshin një grup të përcaktuar treguesish për përgatitjen e programeve për përfshirje dhe për identifikimin e nevojave përmes debateve publike, takimeve të këshillave komunalë dhe bashkëpunimit rajonal për ndërtimin e kapaciteteve.

Raporti i Komisionit Evropian i identifikon ministritë përkatëse të Shëndetësisë dhe të Arsimit dhe Shkencës si palët kryesore të interesuara brenda mandatit të tyre për rregullimin e sektorëve të shëndetësisë dhe arsimit, të cilat mbështesin bashkëpunimin dhe krijimin e partneriteteve ndërmjet shkollave. Subjekte të tjera të rëndësishme në fushën e sportit përfshijnë: Agjencinë për Rini dhe Sport (e cila është shfuqizuar pas zgjedhjeve parlamentare të vitit të kaluar dhe është zëvendësuar me Ministrinë e Sportit), Fakultetin e Edukimit Fizik, Sportit dhe Shëndetit, Institutin për Sport, federatat sportive, njësitë e vetëqeverisjes lokale, Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, Byroja për Zhvillimin e Arsimit, Instituti i Shëndetit Publik, shkollat fillore dhe të mesme, Federata për Sportin Shkollor dhe organizatat e shoqërisë civile.

Më 6 maj 2025, Ministria e Sportit njoftoi se ka filluar pagesa e pjesës së parë të subvencioneve nga Qeveria dhe Ministria për mbështetjen e sportit për vitin 2025, në vlerë prej 440 milionë denarësh (mbi 7 milionë euro). Këto mjete janë ndarë për federatat sportive, klubet sportive, sportistët aktivë në sportet individuale dhe subjekte të tjera juridike që kanë licencë për ushtrimin e veprimtarisë sportive (federata kombëtare me përmbajtje komplekse dhe sporte me interes të veçantë), në përputhje me kriteret e përcaktuara në Ligjin për Sport. Pjesa e dytë e subvencioneve shtetërore për këtë sezon pritet të paguhet në gusht 2025.

 

“Ku ‘fshihen’ talentët e rinj?”

Nga ana tjetër, në Maqedoninë e Veriut nuk ekziston një bazë të dhënash qendrore për numrin e sportistëve të rinj të talentuar, asnjë sistem meritë që dallohet për identifikimin e talenteve sportive. Kërkimet na japin të dhëna si vijon:

Ministria e Arsimit dhe Shkencës, më 25.07.2025, shpalli një konkurs për t’u dhënë 150 bursa për nxënës – sportist të talentuar nga shkollat e mesme publike dhe private në Republikën e Maqedonisë së Veriut për vitin shkollor 2025/2026. Në kushte të konkursit thuhet ndër të tjera se aplikantët duhet të kenë fituar një “çmim/diplomë/vërtetim për vendin e parë, të dytë ose të tretë në një garë ndërkombëtare të organizuar nga një federatë kombëtare ose në një garë shtetërore sportive të organizuar nga federatë kombëtare e cila ka certifikatë për veprimtari sportive nga Agjencia për Rini dhe Sport ose Ministria e Sportit”. Në fund të konkursit, njoftohet se “shuma e bursës do të jetë 3 500 denarë në muaj dhe do të paguhet për tremujorin prej nëntë (9) muajsh për vitin shkollor 2025/2026”.

Institucioni që është ndoshta më shpesh referuar për zbulimin dhe mbështetjen e talenteve të rinj sportive është Shkolla e Mesme Shtetërore “Akademia Sportive” – Shkup (në kuadër të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës), që çdo vit nis kërkimin për talente sportive në Maqedoninë e Veriut. Në Thirrjen Publike për testimin e aftësive sportive të nxënësve të interesuar për t’u regjistruar në Akademinë Sportive – Shkup, për ata që do të marrin pjesë në programe në futboll, hendboll, basketboll dhe tenis.

Qëllimi i Shkollës së Mesme Shtetërore “Akademia Sportive” – Shkup është që nxënësit, si talente sportive, të aftësohen për të arritur rezultate të larta sportive dhe të përgatiten që në moshë të hershme për t’u bërë pjesë e përfaqësueseve kombëtare në futboll, hendboll, basketboll dhe tenis. Nxënësit do t’i nënshtrohen një programi të veçantë, të krijuar posaçërisht për këtë qëllim, që përfshin arsim dhe stërvitje. Për punën me nxënësit do të angazhohen ekipe profesionale të përbëra nga një trajner, zëvendësi i tij dhe një fizioterapist. Kandidatët për regjistrim në vitin e parë të shkollës së mesme do të përzgjidhen nga një komision profesional, thuhet në shpalljen e publikuar para fillimit të vitit të kaluar shkollor 2024/2025.

Thirrja publike është shpallur edhe këtë vit, për vitin e ri shkollor 2025/2026, dhe ajo është ndarë gjithashtu nga Federata e Basketbollit të Maqedonisë së Veriut (FBMV).

Edhe komunat si njësi të vetëqeverisjes lokale japin bursa për sportistët e rinj të talentuar.

Komuna e Karposhit më 02.06.2025 shpalli konkurs për dhënien e bursave për sportistët e talentuar që janë banorë të Komunës dhe janë nxënës të klasës së tetë dhe të nëntë në vitin shkollor 2025/2026. Në kriteret për dhënien e bursës, kërkohet që “sportisti të ketë arritje në rezultatet individuale sportive, të konfirmuara nga federata kombëtare përkatëse sportive dhe të jenë në përputhje me kalendarin e garave të federatave kombëtare për periudhën nga 01.09.2024 deri në përfundimin e konkursit”. Shuma e bursave që do t’i ndajë Komuna e Karposhit është 3.000,00 dhe 3.500,00 denarë në muaj, për tetë muaj gjatë vitit shkollor.

Edhe Komuna Qendër, gjatë vitit shkollor 2024/2025, ndau bursa për nxënësit e talentuar nga klasa VI deri në klasën IX për të gjitha disiplinat sportive dhe nga klasa I deri në klasën IX për disiplinën e shahut, nga shkollat fillore komunale në territorin e Komunës. Bursa ishte në shumë prej 2.500, 3.000 dhe 3.500 denarë në muaj, për tetë muaj gjatë vitit shkollor.

 

Përvoja nga bota

Identifikimi i talenteve në sport është hapi i parë për arritjen e rezultateve të larta, dhe shumë vende të zhvilluara e zbatojnë me sukses këtë strategji.

Estonia, një shtet me rreth 1.3 milionë banorë, ka një kornizë institucionale për talentet e rinj në sport. Identifikimi i talenteve koordinohet nga federatat sportive, shkollat rajonale sportive dhe Komiteti Olimpik Estonez, së bashku me Ministrinë e Kulturës dhe Politikës Rinore. Programi kryesor është gjimnazi sportiv “Audentes” në Talin (me degë në Otepää): një shkollë sportive me konvikt, që përzgjedh rreth 230-250 sportistë të talentuar të moshës 15-19 vjeç, duke ofruar arsim falas, trajnim, akomodim, mbështetje mjekësore dhe mësim të integruar në atletikë, tenis, basketboll, ski, etj. Komiteti Olimpik Estonez gjithashtu zbaton iniciativën “Vëzhgoni gjeneratën e ardhshme”: në vitin 2018, identifikoi rreth 32 sportistë të rinj në 28 sporte, duke ofruar mbështetje dhe financim të drejtpërdrejtë.

Finlanda (me një popullsi prej 5.5 milionë banorësh) menaxhon një sistem të decentralizuar, por strategjik kombëtar për talentet. Federata Finlandeze e Futbollit (FFA) zbaton që nga viti 2020 një model për identifikimin e talenteve në formën e një piramide, duke theksuar skautimin lokal, bashkëpunimin mes klubeve dhe federatave dhe ndarjen e të dhënave, në përputhje me politikën kombëtare për sportin e të rinjve. Instituti sportiv “Kisakallio” është një qendër kombëtare e mbështetur nga shteti, që ofron trajnim, kampe dhe përgatitje në disa sporte, përfshirë gjimnastikën, basketbollin, vozitjen dhe hokejin mbi akull. Ai shërben për zhvillimin e talenteve të rinj dhe edukimin e trajnerëve në nivel kombëtar. Për sporte të veçanta, programe si Akademia e Basketbollit e Helsinkit (HBA-Märsky) ofrojnë një kombinim të arsimit dhe stërvitjes për basketbollistët premtues të moshës 13-19 vjeç, duke i ushqyer ekipet kombëtare të të rinjve.

Letonia dhe Lituania mbështeten më shumë te federatat, qendrat shkencore sportive, kampet dhe zhvillimi në nivel lokal, sesa në akademi kombëtare të unifikuara, edhe pse Lituania ka nisur kohët e fundit programe formale për talente atletike.

Të gjitha këto vende të marra si shembull mobilizojnë infrastrukturën publike, federatat dhe financimin për të strukturuar zhvillimin e të rinjve, megjithëse shkalla dhe formalizimi i këtyre përpjekjeve ndryshon.

Ministri Ristovski në intervistën për Radio Evropa e Lirë përmendi se “mungesa e rezultateve nuk mund të ndryshohet as për një, as për dy, e as për tre vjet. Ky është një proces që duhet të zgjasë të paktën dy cikle olimpike, që do të thotë katër deri në tetë vjet, për të arritur rezultat në Olimpiadë”. Me këtë qëndrim, në një masë të caktuar pajtohen edhe trajnerët më të mirë sportivë në vend.

Megjithatë, konstatimi nga raporti i Komisionit Evropian i vitit të kaluar se në Maqedoninë e Veriut “nuk ekziston një strategji e veçantë që i referohet vetëm sportit dhe aktivitetit fizik të të rinjve”, vazhdon të qëndrojë si një e vërtetë mbi gjendjen e pandryshuar të sportit për të rinjtë dhe numrin e papërcaktuar të talenteve sportive në vend.

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.