Kundërspin: Invazioni rus në Ukrainë nuk është një „operacion special ushtarak “, siç spinon E majta
Partia politike „E majta” përdor terminologjinë e Kremlinit se invazioni rus në Ukrainë në fakt është një „operacion special ushtarak”. Duke qenë se operacionet speciale janë aktivitete ushtarake të kryera nga forca të caktuara, të organizuara, të përzgjedhura, të trajnuara dhe të pajisura që përdorin teknika dhe mënyra jokonvencionale të veprimit, në këtë deklaratë vihet re një spin. Operacionet speciale mund të përfshijnë zbulim, luftim jokonvencional dhe operacione kundër terrorizmit, dhe zakonisht kryhen nga grupe të vogla të personelit me trajnim special, që nuk është rasti me veprimet në Ukrainë
Shkruan: Меri Jordanovska
Partia politike e Majta më 16 mars të këtij viti doli me një deklaratë se deputetët Dimitar Apasiev dhe Borisllav Krmov kanë pasur një takim 90-minutësh me ambasadorin rus në vend, Sergei Bazdnikin. Në deklaratën e cila është publikuar në faqen zyrtare të partisë në Facebook, mund të vihen re spine në lidhje me invazionin rus në Ukrainë.
Spin: Në këtë takim të dytë zyrtar u diskutuan çështje aktuale të brendshme dhe ndërkombëtare, me një theks të veçantë për operacionin special ushtarak në Ukrainë dhe pasojat e tij për rendin ndërkombëtar. Theksi u vu në procesin e denacifikimit dhe eliminimit të kërcënimeve nga lëvizjet politike të ekstremit të djathtë dhe radikale neo-naziste, të cilat janë një rrezik për çdo demokraci moderne.
[Burimi: Partia politike E majta– Facebook; data: 16.03.2022]
Kundërspin: me termin „operacion special ushtarak“, partia spinon, duke e përdorur kështu termin të cilin e përdor edhe Kremilini për invazionin rus, në tentrativë për ta relativizuar dhe arsyetuar luftën. Me po atë term në një intervistë për televizionin rus RBC zëvendës ministri i punëve të jashtme, Sergei Rjabkov, reagimin për luftimet në Ukrainë e pëshkroi si një „sulm të paparë, politik, ekonomik dhe informativ ndaj Rusisë“. Ai tha se „operacioni special“ rus – term të cilin e përdorin zyrtarët rus – do përfundojë dhe se duhet të arrihet një „demilitarizim i Ukrainës dhe denacifikim i saj“.
Nga fillimi i këtij muaji, në shkollat në Rusi mbahen orë të veçanta të shkencave shoqërore ku ligjërohet në temën „lufta“, e gjatë të cilave mësimdhënësit duhet t’u shpjegojnë nxënësve nga klasa e 7 deri në klasën e 11 për pozitën e qeverisë, për historinë dhe për atë se çfarë nënkupton Kremlini me „operacion special“. Për këtë ndahen edhe doracakë në njërin nga të cilët, siç publikoi media e pavarur Ruse „МеdiaZona“, thuhet se „kombi ukraninas nuk ka ekzistuar deri në shekullin XX dhe në vitin 2014 ka pësuar një grushtshteti të përgjakshëm me të cilin u instalua regjimin manipulativ amerikan“. Në vazhdim është shkruar se „Republikat e vetëshpallura Popullore në Donjeck dhe Luhansk në Ukrainën lindore janë ngritur kundër regjimit, por ato janë rrethuar dhe i janë nënshtruar ‘gjenocidit’ për plot tetë vjet, të cilin Rusia tani po e parandalon përmes një „operacioni special paqësor”. Në këto materiale për nxënësit në mënyrë eksplicite thuhet se në këtë rast në Ukrainë nuk ka luftë.
Edhe presidenti rus Vlladimir Putin më 24 shkurt të vitit 2022, në fjalimin e tij pak para invazionit, miratoi një „operacion special ushtarak” kundër Ukrainës për të eliminuar, siç tha ai, një kërcënim serioz, duke thënë se qëllimi i tij ishte ta demilitarizonte fqinjin jugor të Rusisë.
Retorikë e ngjashme me atë rusen tani përdoret nga partia politike E Majta, e përcjellë përmes liderit dhe deputetit të saj, Dimitar Apasiev, me pretendimin se bëhet fjalë për një „operacion special ushtarak“.
Në rastin konkret, partia spinon kur e përdor këtë term, sepse bëhet fjalë për sulm dhe invazion të një shteti sovran dhe të pavarur. Përveç kësaj, përqindja e burimeve të përgjithshme të ushtrisë ruse që aktualisht janë angazhuar në Ukrainë tregon pikërisht të kundërtën, dmth. është angazhuar një numër i madh i njësive të këmbësorisë, aviacionit, autoblindave dhe artilerisë. Prandaj, nuk mund të bëhet fjalë për një „operacion special”, sepse në atë rast do të përdoreshin njësi speciale të vogla mobile.
Sipas NATO-s, operacionet speciale (Special opps) janë aktivitete ushtarake të kryera nga forca speciale, të organizuara, të përzgjedhura, të trajnuara dhe të pajisura që përdorin teknika dhe mënyra jokonvencionale veprimi. Operacionet speciale mund të përfshijnë zbulim, luftim jokonvencional dhe operacione kundër terrorizmit, dhe zakonisht zbatohen nga grupe të vogla të ushtarëve të trajnuar, sidomos në aspekt të shpejtësisë dhe koordinimit taktik.
Në invazionin ushtarak rus në Ukrainë po vdesin një numër i madh i civilëve. Nga Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut thonë se që nga fillimi i luftës kanë regjistruar gjithsej 902 civilë të vrarë dhe 1.459 të plagosur, edhepse besohet se ky numër është shumë më i madh se kaq. Ditën e shtunë nga zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës njoftuan se që nga fillimi i luftimeve janë vrarë 115 fëmijë dhe më shumë se 140 fëmijë janë plagosur. Brenda 24 orëve dhjetra civilë janë vrarë dhe plagosur në sulmet vetëm në rajonin lindor Donjeck, njoftoi policia ukrainase të shtunën (19 mars të vitit 2022). Në sulmet ndaj tetë qyteteve dhe fshatrave janë dëmtuar të paktën 37 ndërtesa banimi dhe objekte infrastrukturore. Në një kohë kur ka viktima civile dhe vetëm në Varshavë me mijëra refugjatë ukrainas presin në radhë për të marrë dokumentet lokale të identifikimit të cilat do t’u mundësojnë të vazhdojnë jetën e tyre, e gjithë kjo nuk mund të quhet „operacion special ushtarak”, por „sulm ushtarak” ose „invazion ushtarak”.
Profesoresha Mirjana Najçevska, për deklaratën e Partisë politike E majta tha se duhet të mendohet mirë për zbatimin e Nenit 407 të Kodit penal: „Miratimi ose justifikimi i gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit apo krimeve të luftës“.
Agresioni ushtarak i Federatës Ruse kundër Ukrainës i udhëhequr nga Putini tashmë nga shumica e vendeve të botës është identifikuar si një akt që shkel të drejtat e njeriut në shkallë të gjerë. Ky dënim është operacionalizuar në mbështetjen humanitare dhe ushtarake të Ukrainës, në një Rezolutë të Asamblesë së Përgjithsme të OKB-së, në pezulimin e anëtarësisë së Federatës Ruse në Këshillin e Evropës (në të cilën Maqedonia është anëtare), dhe tani edhe në përjashtimin nga anëtarësimi dhe në procedurën e filluar para Gjykatës Penale Ndërkombëtare (aktin themelor të së cilës – Statutin e Romës, Maqedonia tashmë e ka ratifikuar), thotë Najçevska.
Siç thuhet në deklaratën e partisë E majta, deputeti Apasiev është distancuar nga veprimet e fundit kontroverse të diplomacisë maqedonase dhe përkujtoi se këto „hapa të pacivilizuar antiruse” aspak nuk e reflektojnë vullnetin e shumicës së qytetarëve maqedonas, ndërkohë që kanë dënuar edhe „Sanksionet e panevojshme të Republikës së Maqedonisë, nën presionin e BE-së dhe NATO-s”.
Në një kohë kur bota po përballet me një agresion që mund të shkaktojë një luftë botërore, të cilin e dënojnë shtetet që janë pjesë e strukturave ndërkombëtare, anëtare e të cilave është Republika e Maqedonisë së Veriut dhe në bazë të dokumenteve ndërkombëtare që ka ratifikuar, çdo përdorim i një retorike të tillë mund të jetë i dëmshëm për shoqërinë, sidomos për arsyen se nuk korrespondon me realitetin.
Prandaj, pretendimi i partisë politike E majta se invazioni rus në Ukrainë është një „operacion special ushtarak” është një spin klasik i asaj që po ndodh në terren, ku ka shumë viktima civile dhe dëme infrakstrukturore, ndërkohë që sulmet po vazhdojnë tashmë një muaj.
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari