Kundërshtarë të një vaksine që (ende) nuk ekziston

 

 

Shkruan: Vesna Kollovska

 

Pas vdekjes së kryetarit të KH „Prespa“, Ilçe Kotevski, i cili ndërroi jetë nga COVID 19, këngëtarja e njohur maqedonase, Tanja Ksena Carovska, publikoi një reagim emocional në Facebook, në të cilin prezanton informacione të pasakta dhe teori konspirative.

Teksti i postimit:

Jam e zemëruar, e zemëruar, jo vetëm e pikëlluar. Jam lutur vazhdimisht që të bëhej mirë, që kur dëgjova se ishte shtruar në spital me “koronavirus”. Dje lexova që ishte bërë më mirë dhe u gëzova, sot, Ilçe Kotevski, shok i fëmijërisë dhe fqinj, ka ndërruar jetë nga virusi, e kanë vënë në respirator por nuk e ka përballuar. Pse vëndojnë në respirator një njeri të ri kur tashmë është e qartë që askush deri më tani nuk ka shpëtuar falë tij, që të gjithë kanë vdekur nga trombi? Pse kaq befas në Prespë “shpërtheu” korona kur deri një ose dy javë më parë nuk kishte as edhe një rast të regjistruar?

Epo, miq, si pse, duhet të futet frika në palcë  që njerëzit nga frika të duan të vaksinohen. Përndryshe do ju dështojë plani për vaksinat dhe askush nuk do dojë. Ata që e dërgojnë protokollin për trajtim, ata prosperojnë nga vdekja. Ata duan vdekje, ata kalojnë në ekstazë nga vdekja e njerëzve të pafajshëm, të pafuqishëm. Sa më të rinj, aq më mirë për ata. Sa më të rinj, aq më e madhe është frika tek populli, që tu ketë sukses agjenda. Si mund të dorëzohen tani kur kanë arritur kaq larg? Kaq shumë para u morën për raste të vdekjes të evidentuara si vdekje nga korona e që nuk kishin lidhje me koronën, duhet të punohet, duhet të “shkohet deri në fund”. Zoti do e pranojë Ilçen në parajsë, por ju, ku do ju shkojë shpirti, vrasës?

Carovska, e cila është e njohur për qëndrimet e saj kundër vaksinimit, shkaktarin e COVID 19 – koronavirusin, e vendos në thonjëza, që ngjall një dozë dyshimi për shkaqet e vdekjes ose për ekzistimin e virusit, që deri më tani ka marrë 492.000 jetë në mbarë botën.

Carovska pastaj pyet:

Pse vëndojnë në respirator një njeri të ri kur tashmë është e qartë që askush deri më tani nuk ka shpëtuar falë tij, që të gjithë kanë vdekur nga trombi?

Në Maqedoni tashmë ka disa persona, të sëmurë nga COVID 19, të janë hequr nga respiratori dhe janë shëruar.

Në vend përdoren protokolle për shërim që zbatohen nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), përfshirë këtu edhe vendosjen në respirator të rasteve më të rënda. Dr. Igor Balevski, shef i kardiologjisë intervente në spitalin në Maribor,  Slloveni dhe edukator, i cili u erdhi në ndihmë mjekëve në Maqedoni për plot dy javë, sqaron:

Në vendet ku sistemi shëndetësor është i zhvilluar, mjekimi intensiv është më i rëndësishmi dhe më i vështirë. Sepse, edhe krahas të gjithave,  edhe në institucionet më të mira, mbijetesa është e vështirë. Një pacient me insuficiencë respiratore qëndron në respirator dy deri në tre javë, tha dr. Balevski në emisionin   Тоp Tema në TV Telma (08.06.2020).

Ekspertë botërorë në deklaratat e tyre për „Gardian Australia“ konfirmojnë se aparatet respiratorë janë qenësorë për trajtimin e pacientëve me insuficiencë repiratore, dhe mungesa e tyre do rrezikojë jetën e pacientëve.

Shkaku i kësaj krize është se pa ventilatorët, pacientët do vdesin, thotë profesori David Story, zëvendës drejtor i Qendrës për kujdes kritik të integruar pranë Universitetit në Melburn dhe anesteziolog në Spitalin në Ostin.

Aparatet respiratore përdoren për rastet më të rënda me COVID 19 në mbarë botën, pra gjithkund. Ky është një fakt i njohur gjerësisht dhe në të gjitha vendet mund të gjenden përmbajtje mediatike në këtë temë.

Në vazhdim të postimit të saj Tanja Carovska pyet dhe njëherit edhe përgjigjet:

Pse kaq befas në Prespë “shpërtheu” korona kur deri një ose dy javë më parë nuk kishte as edhe një rast të regjistruar?

Deri më 10 qershor Prespa ishte qyteti i vetëm në Maqedoni pa rast të regjistruar me COVID 19. Pas tre muajsh qyteti u bë vatër e virusit pas një feste familjare.

Rastet e para në Prespë sërish burojnë nga një festë familjare. Shtabi i krizave mbajti një takim dhe bashkë me kompanitë u soll vendimi që punonjësit që punojnë në ato kompani, rreth 600 persona, të mos shkojnë në punë në 10 deri më 14 ditët e ardhshme, që të parandalohen kontaktet dhe përhapja e virusit, deklaroi ministri i shëndetësisë Venko Filipçe. (Konferenca për shtyp, 17 qershorREL)

Në postimin e saj Carovska thotë:  Epo, miq, si pse, duhet të futet frika në palcë  që njerëzit nga frika të duan të vaksinohen. Përndryshe do ju dështojë plani për vaksinat dhe askush nuk do dojë. Ata që e dërgojnë protokollin për trajtim, ata prosperojnë nga vdekja. Ata duan vdekje, ata kalojnë në ekstazë nga vdekja e njerëzve të pafajshëm, të pafuqishëm“.

Për momentin, sipas OBSH-së, vaksina është mjeti i vetëm në duart e njerëzimit kundër këtij virusi. Shtetet më të zhvilluara po punojnë intensivisht për zhvillimin e vaksinës kundër koronavirusit, ndërsa në prill të këtij viti shkencëtarët botërorë u bashkuan në një nismë të përbashkët, globale.

OBSH-ja publikoi një deklaratë në të cilën 130 shkencëtarë, fakultete dhe institute nga e gjithë bota dhe nga vende si Gjermania, Italia, Suedia, Australia, SHBA-ja, Britania e Madhe, Kina, Kanadaja etj. marrin përsipër angazhimin për të punuar për një vaksinë për përdorim të përgjithshëm, si „instrument për kontrollimin e pandemisë“.

Përderisa nevojitet kohë që të zhvillohet vaksina për përdorim të përgjithshëm, në fund ajo mund të bëhet mjeti kryesor për kontrollimin e kësaj pandemie globale (…) Ne do vazhdojmë me angazhimin për përforcimin e një bashkëpunimi global dhe këmbimi të të dhënave të paparë deri më sot, aktivitete këto që tashmë po praktikohen dhe që janë aktuale, thuhet në deklaratën nga shkencëtarët.

Statusi i Tanja Carovskës ngjalli interes në rrjetet sociale. Deri në publikimin e këtij recenzioni për të ka 275 reagime dhe rreth 130 komente, ndërsa është shpërndarë nga më shumë se 20 persona.

Ajo në profilin e saj në Facebook tenton që t’i përforcojë edhe më shumë pretendimet e shkruara dhe në një moment publikon edhe një  „dokument“ , burimi i të cilit është i paqartë dhe për të cilin ajo thotë se përmban „dëshmi“. Por, pasi të keni hapur „dokumentin“, menjëherë vihet re se bëhet fjalë për një përmbjedhje të shkrimeve mediatike nga burime të ndryshme mes të cilëve ka edhe medie të rëndësishme, por edhe nga ato tejet të dyshimta, si dhe shkrime burimi i të cilëve është i panjohur.

Shkrimi i parë, për shembull, pretendon se koronavirusi ka qenë i parashikuar në seriale të famshme televizive, filma, albume muzikore, këngë dhe koncerte të yjeve muzikorë, etj. Ka edhe shkrime të cilat trajtojnë simbolikën e numrave, e që përdoren si dëshmi. Kështu, për numrin 33, aq sa është numri i personave të vdekur, që ndodhet në ndonjë simbol, e i cili tregon numra të ndryshme për rrjedhën e epidemisë, thuhet se ka qenë „statusi më i lartë tek masonët e lirë“ e kështu me radhë.

Edhe kur citohen burime me peshë, kjo gjë bëhet në një mënyrë manipulative, pra citohen tekste nga muaji shkurt ose mars kur kishte edhe shumë gabime gjatë raportimit, sepse bëhej fjalë për një virus të ri dhe të panjohur për sjelljen dhe aspektet e të cilit askush nuk kishte informacione të sakta dhe të vërtetuara. Për shembull, theksohet informacioni i publikuar në shumë medie ku thuhet se personat që nuk kanë simptoma e përcjellin sëmundjen, por pak kohë më parë OBSH-ja bëri të ditur se nuk kanë dëshmi të dokumentuara në lidhje me këtë. Kjo gjë nuk ishte e ditur disa muaj më parë.

Si dëshmi për konspiracion përdoren deklarata dhe shkrime, poashtu të publikuara 3-4 muaj më parë, në të cilat thuhet që të mos përdoren maskat mbrojtëse, por nuk thuhet që shkaku për deklaratat e këtilla të ekspertëve të ndryshëm ishte fakti që në atë kohë në spitale kishte mungesë të këtyre pajisjeve dhe se ishte më e rëndësishme që maskat për mbrojtje dhe pajisjet e tjera mbrojtëse të mos u mungojnë atyre të cilët kanë më së shumti nevojë – punonjësve shëndetësor. Tani, kur prodhimtaria e maskave për mbrojtje dhe pajisjeve të tjera është rritur dukshëm dhe kur këto pajisje janë në sasi të mjaftueshme, ekspertët insistojnë që që të gjithë të mbajnë maska.

Pikërisht për të mos pasur keqpërdorime të këtilla, të gjitha argumentet dhe dëshmitë në këtë recenzion janë nga më të fundit, më aktualet. Por, ajo që është më e rëndësishme, është fakti që që të gjitha këto shkrime në këto dokumente nuk kanë bazë shkencore, nuk janë bazuar në metodologji shkencore dhe nuk i përmbajnë informacionet më të reja, gjë që mundëson që të manipulohet me to, e në këtë mënyrë edhe me publikun.

 

 

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

>Vërtetmatësit, projekt për rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë të politikanëve dhe partive politike përpara qytetareve, i realizuar nga Fondacioni Metamorphosis Artikulli mundësohet me përkrahje të fondacionit jofitimprurës amerikan (NED - National Endowment for Democracy). .

Your email address will not be published.