Kriza me COVID-19, Bujar Osmani nuk kërkoi karantinë dy javëshe

Mediat duhet të jenë të përgjegjshme për atë që shkruajnë. Shtrembërimi dhe nxjerrja nga konteksti i deklaratave nuk është aspak profesionale. Në artikullin që recensojmë është bërë manipulim përmes titullit, i cili nuk përkon me saktësi me atë që ka thënë zëvendës kryeministri për çështje evropiane Bujar Osmani. 

Fotografi nga lajmi që recensohet

Linku origjinal i artikullit: VIDEO/ Bujar Osmani kërkon masa më të rrepta për karantinën: Kufizim i plotë i lëvizjes për 2 javë

Data e publikimit: 11.04.2020

Data e recensimit: 19.04.2020

Recensuese:  Naile Dauti

Autori i artikullit, ka zgjedhur vetëm pjesën ku Bujar Osmani i flet për mundësinë më të mirë për tejkalim të kësaj situate, por Osmani nuk e përfundon mendimin e tij aty. Ai flet edhe për pamundësinë e realizimit të idesë që hedh, për shkak të nevojave që kanë qytetarët. Pra artikullshkruesi, qëllimisht ka vendosur që të tregojë vetëm një anë të “medaljes”.

Bujar Osmani kërkon masa më të rrepta për karantinën: Kufizim i plotë i lëvizjes për 2 javë, thotë titulli i artikullit. Bujar Osmani nuk e ka kërkuar këtë masë, por vetëm tregonte se  kanë debatuar para dhe gjatë vënies së masave për atë se cila do të ishte mënyra më e mirë për kufizimin e përhapjes së epidemisë. Sipas Osmanit, gjatë debatit konsensusi i të gjithëve ka qenë se qasja më e mirë ndaj kësaj epidemie është karantina 14 ditore. Por ai vetë e potencon se diçka e tillë është shumë e vështirë dhe gati e pamundur. Pra nuk është se ai e kërkuar një masë të tillë ose se ka qenë vetëm ai i pajtimit për këtë masë, thjeshtë ka qenë pjesë e debatit, për të cilën shumica janë pajtuar se një formë e tillë do të kufizonte përhapjen e virusit.

Më poshtë është deklarata e Bujar Osmanit pa ndërhyrje dhe pa nxjerrje jashtë kontekstit:

“Ne para disa ditëve, në fakt , kemi filluar debatin ose bile edhe para se të merren këto masa që ishin më pak restriktive. Debatonim se cila do të ishte qasja më e mirë për ta ndal zgjerimin e epidemisë. Pa diskutim konsensusi i të gjithëve se qasja më e mirë do ishte nëse për dy javë ju e mbyllni qind për qind lëvizjen, domethënë secili izolohet nga secili, brenda 14 ditësh. Ajo është mënyra më e mirë për të  kufizuar përhapjen e sëmundjes. Mirëpo a është e mundur të mbyllet gjithçka për dy javë?. Eshtë shumë e vështirë, për shkak se njerëzit duhet të ushqehen, duhet të shërohen, ka funksione të tjera të jetës të cilat nuk mund t’i kufizojmë

Ndërkohë autori i artikullit ka përfshirë vetëm një pjesë të deklaratës, ndërsa jo edhe pjesën tjeter, pa së cilën, mesazhi që Osmani donte të përçonte nuk është i plotë dhe mund të marrë konotacion tjetër të gabuar.

“Qasja më e mirë do të ishte nëse për dy javë mbyllet 100 për qind lëvizja, secili të izolohet nga secili brenda 14 ditësh. Ajo është më e mirë për të përkufizuar përhajpen e sëmundjes”, është kjo pjesa e deklaratës e përfshirë në artikullin që recensojmë.

Kodi Etik i Gazetarëve, rekomandon që transmetimi i informatave duhet të bëhet në mënyrë të ndershme, objektive dhe të saktë, si dhe të parandalojnë shtrëmbërimin e lajmeve, parime këto që janë shkelur gjatë transmetimit të këtij lajmi.

“Roli i gazetarëve është të transmetojnë informata, ide dhe mendime dhe kanë të drejtë të komentojnë. Duke respektuar vlerat etike dhe standardet profesionale në transmetimin e informatave, gazetarët duhet të jenë të ndershëm, objektivë dhe të saktë“.

“E drejtë dhe detyrë e gazetarëve është të përpiqen të parandalojnë censurën dhe shtrembërimin e lajmeve”, thuhet ne Kodin Etik.

Prova selektive dhe Argument kundër njeriut, janë dy manipulime të bëra qëllimisht në tekst. E para bëhet në momentin kur autori nxjerr nga kontektsti një deklaratë dhe priret të dëshmojë pretendimin e tij dhe injoron ndërkohë pjesën tjetër të tekstit, e cila është shumë e rëndësishme për përçimin e saktë të mesazhit. Me këtë mënyrë automatikisht vihet në shprehje edhe manipulimi tjetër, i cili mund te konsiderohet si sulm ndaj një personi, respektivisht atij personi së cilit i janë manipuluar deklaratat.

Duke pasur para syshë manipulime të tilla, lexuesi duhet të kërkojë burimin e vërtetë të informacionit, në këtë rast, të gjejë emisionin ku është dhënë deklarata dhe ta kuptojë saktë se çfarë ka thënë autori i deklaratës, i cituar në këtë llojë mënyre nëpër artikuj. Eshtë e qartë se mediat manipuluese, dezinformuese dhe propaganduese, ekzistojne dhe si duket do të ekzistojnë edhe më tej, prandaj ne mundohemi që t’i edukojmë lexuesit, të jenë të mprehtë dhe kritik në marrjen e informacioneve.

Ky artikull është pjesë e raportimit special të Krithink-ut për dezinformatat në lidhje me epideminë e koronavirusit Kovid-19. Klikoni në linkun për lajmet më të fundit dhe për informacione të verifikuara në këtë fushë.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Projekti “Të menduarit kritik për qytetarët me aftësi mediatike – CriThink” zbatohet nga Metamorfozis dhe Eurothink. Projekti financohet nga Bashkimi Evropian. Kjo ueb-faqe crithink.mk është krijuar dhe mirëmbahet me mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian. Përmbajtjet e kësaj ueb-faqeje janë përgjegjësi vetëm e Fondacionit Metamorfozis dhe e Eurothink, dhe nuk i shprehin domosdoshërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

Your email address will not be published.