Kovid-19 nuk është gënjeshtër por një sëmundje e rrezikshme

Фото: pixabay.com

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka konfirmuar se virusi është izoluar më 7 janar 2020 në Kinë. Që koronavirusi është specifik dhe i veçantë, që nuk është shpikur dhe se prek njerëzit, tregon fakti se të gjitha vendet e botës po zbatojnë masa antikovid për ta parandaluar përhapjen e tij. Sipas Institutit të shëndetit publik, numri i të diagnostikuarve që nga fillimi i pandemisë në vend ka arritur në 207.566 ndërkohë kanë vdekur 7.276 persona, shkruan Vërtetëmatësi.

Po recenzojmë një postim  në Facebook në të cilin pretendohet se „Kovidi është gënjeshtra më e rrezikshme dhe më e keqe në historinë e njerëzimit“. Ky pretendim nuk është i saktë, sepse ka dëshmi të shumta që e vërtetojnë ekzistencën e tij.

E para, koronavirusi u izolua në laborator, me çka dëshmohet ekzistenca e tij. Virusi u identifikua nga autoritetet kineze në 7 janar të vitit 2020, pas çka u izolua edhe materiali i tij gjenetik. Vetë Organizata Botërore e Shëndetësisë ka konfirmuar se virusi u izolua më 7 janar të vitit 2020 edhe në këtë kumtesë. Ky izolim i koronavirusit përmban udhëzime për prodhimin e proteinave virale që janë bazë për vaksinat Pfizer dhe Moderna.

Që koronavirusi është specifik dhe i veçantë, që nuk është shpikur dhe se prek njerëzit, tregon fakti se të gjitha vendet e botës po zbatojnë masa antikovid për ta parandaluar përhapjen e tij. Testet PCR për Kovid-19 janë të sakta dhe zbulojnë materialin gjenetik të virusit Sars Cov 2, por jo viruset që shkaktojnë ftohje ose grip, edhe pse simptomat mund të jenë  deri diku të ngjashme. Pra, koronavirusi është i veçantë dhe nëse zbulohet, atëherë asnjë virus tjetër nuk mund të “fajësohet” për simptomat.

Siç thuhet në uebfaqen e Qendrës së shëndetit publik Shkup, metoda sipas së cilës vërtetohet prania e virusit në mostrën e marrë nga pacienti zhvillohet në 2 hapa dhe është standard i artë në zbulim.

Hapi i parë është ekstraktimi automatik i ARN-së me ndihmën e një ekstraktuesi automatik të virusit duke ndjekur parimin e një metode moderne me grimca magnetike, që mundëson ekstraktimin e acidit nukleik viral të cilësisë së lartë.

Hapi i dytë është shumëzimi i ARN-së virale të izoluar dhe detektimi specifik i virusit në mostrën e marrë sipas pranisë së gjeneve të synuara specifike të Sars Cov 2 (gjenet N dhe E). Këto gjene janë gjene për proteinat strukturore që janë pjesë e strukturës së virusit dhe janë specifike vetëm për virusin Sars Cov 2 të familjes së viruseve SARS. Kjo metodë lejon që virusi të zbulohet me ndjeshmëri të lartë dhe e zbulon virusin tek një pacient kur ai është i pranishëm me një minimum prej 10 kopjesh të gjenit, shkruan në uebfaqen  e Qendrës së shëndetit publik – Shkup

Paragrafi i mësipërm, i shpjeguar me terminologji të thjeshtë, në fakt do të thotë se testi PCR zbulon koronavirusin sipas gjeneve specifike vetëm për Sars Cov 2 – N dhe E të cilat gjenden vetëm te koronavirusi.

Gjithnjë e më shumë në publik dalin familje të të ndjerëve të cilët dëshmojnë se të afërmit e tyre kanë vdekur si pasojë e Kovidit, dhe dëshmi të tilla nuk mund të përgënjeshtrohen. Sidomos sepse ekziston një histori mjekësore e shtrimit në spital të pacientëve dhe parametra që flasin për një pasqyrë klinike të Kovidit, jo karakteristike për sëmundje të tjera.

Profesionistët mjekësorë flasin për simptomat, pasqyrën klinike dhe mënyrën në të cilën manifestohet sëmundja. Ata në mënyrë më të drejtpërdrejtë në punën e përditshme përballen me pacientë të cilët i trajtojnë nga Kovidi dhe janë shumë të vetëdijshëm se sëmundja ekziston.

Sipas statistikave të fundit Institutit të shëndetit publik (09.11.2021), për 24 orë janë kryer 3.597 testime, janë zbuluar 656 raste të reja me Kovid-19. Për momentin numri i rasteve aktive është 8.368. brenda një dite kanë vdekur 21 persona, që të gjithë në spital. Numri i përgjithshëm i të vdekurve nga Kovid-19 është 7.276, ndërsa numri i rasteve të dignostikuara që nga fillimi i pandemisë është 207.566 persona.

Me një numër kaq të lartë të të infektuarve dhe të vdekurve, është e pamundur të manipulohet. Nëse në fillim të pandemisë mbështetësit e fushatës kundër vaksinimit dhe mbështetësit e moszbatimit të tij pretendonin se pandemia nuk ekzistonte (tashmë është e qartë që ekziston), kjo gjë u bë gjithnjë e më e vështirë, sepse Maqedonia e Veriut është një vend mjaft i vogël, kështu që të gjithë njohin dikë të cilit Kovidi i ka marrë ndonjë person të dashur ose ndonjë anëtar të familjes. Të gjithë kanë fqinjë, miq dhe të afërm dhe përvojat nga kjo sëmundje kanë filluar të ndahen hapur.

Nga vendet e tjera po dëgjojmë për përvojat e personave që e kanë kaluar Kovidin por që edhe pas gjysmë viti po vuajnë nga komplikimet e tij. Pacientë të tillë ka edhe në Shkup, persona që nuk çohen dot nga krevati pa mbetur pa frymë ose pa u rënë saturacioni.

Nga të gjitha faktet e mësipërme është evidente se Kovid-19 ekziston dhe nuk është gënjeshtër, edhe pse autori i postimit që po e recenzojmë disa herë përpiqet që ta banalizojë seriozitetin e situatës dhe ta mohojë realitetin. Herën e fundit që e bëri një gjë të tillë ishte kur shkroi shkroi se Kovidi dhe Baba Dimri janë të ngjashëm, sepse nuk ekzistojnë, por përmenden shpesh për ta krijuar perceptimin se ekzistojnë. Krahasimet e papërshtatshme të këtij lloji janë të pavërteta, dhe pandemia është e vërtetë dhe vazhdon ende, sidomos në kulminacionin e llojit më të rrezikshëm Delta,  që është 70 përqind më ngjitës se lloji origjinal i koronavirusit.

Ky artikull është përgatitur në kuadër të Projektit për përballim të shpejtë të dezinformatave rreth vaksinimit, të zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis. Ky artikull fillimisht është botuar në Vërtetmatës, ndërsa është mundësuar me mbështetjen e Fondit Ballkanik për Demokraci, projekt i Fondit Marshall Gjerman të SHBA-ve (BTD – The Balkan Trust for Democracy, a project of the German Marshall Fund of the United States). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Metamorfozis, FBD-së ose bashkëpunëtorëve të tyre.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari