Kovid-19 “Delta” në RMV: mbetet vetëm një detyrë – vaksinim masiv

Foto nga Portalb.mk/Arbnora Memeti

Çka është varianti “Delta” i virusit korona dhe si reagon ai?

Fjala “Delta” rrjedh nga greqishtja që do të thotë “ndryshim”. Tashmë është e qartë se me rritjen e numrave të rasteve pozitive në shumë shtete me këtë variant të virusit korona, pritet që ky variant të jetë dominant, marrë parasysh transmetueshmërinë e tij të lartë në krahasim me variantet tjera.

Varianti “Delta” i virusit korona është për 60% më transmetues se sa varianti britanik i cili u cilësua fillimisht si shumë i lehtësisht transmetues, gjegjësisht varianti “Alpha”. Sipas kësaj, varianti “Delta” përhapet dy herë më shpejtë se koronavirusi origjinal.

Varanti “Delta” i cili fillimisht u detektua në Indi në tetor të vitit 2020, sipas të dhënave nga Organizata Botërore e Shëndetësisë është prezent në më shumë se 100 shtete dhe pritet që ky virus të krijojë problem në real në shtetet ku procesi i imunizimit është  i ulët.

Më të rrezikuar nga ky variant i virusit korona sipas një studimit të hulumtuesve britanik janë të rinjtë, të pavaksinuarit dhe ata pjesërisht të vaksinuar, ndërkaq të moshuarit janë ende më të rrezikuar nga vdekja si pasojë e infektimit.

Nuk është e qartë në qoftë se ky variant është më i rrezikshëm se tjerat

Përderisa disa autoritete shëndetësore kanë deklaruar se ata besojnë që varianti “Delta” është më i rrezikshëm se të tjerat, nuk ka dëshmi që e vërteton këtë.

Është e qartë se mutacioni “Delta” është më transmetues se variantet e tjera të virusit korona, por askush nuk mund të thotë deri tani së është më virulent apo patogjen – apo që shkakton sëmundshmëri më të lartë.

Sipas CNN, ky variant nuk përmban dy mutacionet shqetësuese të njohura si E484K dhe N501Y – të cilat janë gjetur në B.1.1.7 apo variantin Alpha britanik, variant ky që u shpërnda në shumë shtete në fund të vitit 2020 dhe në fillim të vitit 2021, gjithashtu edhe në B.1351 varantin Beta të gjetur në Afrik, si dhe në P.1 apo Gamma variantin.

Në lidhje me simptomat e variantit “Delta”, ende nuk dihet në qoftë se janë të ndryshme nga ata të variantit origjinal. Megjithatë, profesori Tim Spector në një intervistë për BBC kishte theksuar se nga muaji maj kanë pranuar nga njerëzit simptoma të ndryshme nga ata të zakonshmet.

“Nga fillimi i muajit maj, kemi parë simptomat kryesore që ju shfaqen njerëzve dhe ata nuk janë të njëjta me simptomat e mëparshme” tha profesori Tim Spector.

Dridhjet, humbja e apetitit, kokëdhimbja dhe dhimbja e muskujve ishin disa nga simptomat që i përmendi profesori gjatë intervistës, përveç simptomave klasike të virusit korona.

Janë studiuar 92,029 brise të personave të infektuar me variantin “Delta”, çfarë u gjet?

Nga mesi i shkurtit deri në mesin e qershorit janë analizuar gjithsej 92,929 brise të personave të infektuar me variantin indian të virusit korona, gjegjësisht variantin “Delta”.

Pjesa më e madhe e personave që ishin objekt i hulumtimit (82,500) kanë qenë persona nën moshën 50 vjeçe dhe në pjesë më të madhe (52,822) ky variant është gjetur te personat e pavaksinuar.

Në mesin e personave të pavaksinuar dhe të infektuar me variantin “Delta”, shumica prej tyre ishin nën moshën 50 vjeçe (52,846 raste) dhe vetëm 976 raste ishin mbi 50 vjeç.

Megjithatë, të dhënat thonë se ka pasur 117 vdekje të njerëzve në Angli si pasojë e variantit delta të virusit korona ndërsa pjesa më e madhe e tyre kanë qenë të moshës mbi 50 vjeçe.

Ka pasur 8 fatalitete të personave ndër 50 vjeç ndërsa 6 prej tyre nuk kanë qenë të vaksinuar kurse dy të tjerët kishin marrë vetëm dozën e parë të njërës prej vaksinave kundër Kovid-19.

“Delta” dhe vaksinat

Vaksinat, megjithatë, qëndrojnë mirë ndaj variantit delta. Edhe pse efektiviteti i vaksinave për të luftuar infeksionin është në rënie, ato ende parandalojnë forma serioze të sëmundjes në shumicën e njerëzve që kanë marrë vaksinën. “Pfizer” tregon 96% parandalim të formave të rënda të sëmundjes, “AstraZeneka” rreth 92%, “Johnson & Johnson” 85-90%.

Një studim i bazuar në të dhëna reale (pra hulumtim i realizuar me njerëz) nga Mbretëria e Bashkuar, është gjetur se dy doza të vaksinës “Pfizer” ishin shumë efektive në parandalimin e Kovid-19, gjegjësisht të variantit delta të virusit. Sipas kësaj, mbrojtja nga ky variant i virusit është vetëm pak për qind më e ulët se sa mbrojtja që krijohen nga variantet më pak të transmetueshme të virusit.

Megjithatë, ata të cilët kishin pranuar vetëm një dozë të vaksinës Pfizer apo AstraZeneca, efektiviteti kundër variantit Delta sipas studimit ishte vetëm 33%, sipas hulumtuesve të Mbretërisë së Bashkuar. Rikujtojmë se efektiviteti i dozës së parë në parandalimin e varianteve të tjera të virusit korona ka qenë 51%.

Këta rezultate kanë dalë si pasojë e testeve laboratorike të antitrupave pas marrjes së dy dozave të vaksinës Pfizer. Ata antitrupa kanë mundur të neutralizojnë variantin Delta, edhe pse me një efikasitet më të ulët për 9.6 për qind. Kjo sipas LA Times është një ulje modeste e efektivitetit të vaksinës kundrejt këtij varianti, marrë parasysh se vaksina krijon një ushtri me antitrupa “neutralizuese”.

Çfarë në lidhje me vaksinat që nuk janë të aprovuara nga Agjencia Evropiane e Barnave?

Kina nuk ka dhënë informacione të bazuara në hulumtime kredibile në lidhje me efektivitetin e vaksinës “Sinopharm” kundrejt variantit “Delta”. Megjithatë, ekspertët kinezë vazhdimisht kanë sugjeruar njerëzve që sa më shpejtë të vaksinohen dhe deri tani në Kinë janë vaksinuar më shumë 1 bilion njerëz.

Mungesa e dhënies së të dhënave në lidhje me vaksinën kineze në raport me variantin “Delta” nga ana e palës kineze është cilësuar si gjest jo i mirë nga ekspertët e jashtëm, sipas Reuters.

Megjithatë, hulumtuesit gjetën se vaksinat kineze janë efektive në uljen e rrezikshmërisë të pacientëve simptomatik me variantin “Delta”, kështu tha Zhong Nanshan, epidemiolog kinez për Reporters.

Sputnik V

Për dallim nga autoritetet kineze që nuk japin informacione, autoritetet ruse kanë kumtuar se vaksina “Sputnik V” është 90% efektive nga varianti “Delta” i virusit korona.

Kjo vaksinë, që tashmë është shpërndarë në disa shtete të vendit (përfshirë këtu edhe Maqedoninë e Veriut), është 92% efektive kundër variantit origjinal të virusit korona.

Rikujtojmë se një pjesë e madhe e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut kanë marrë njërën prej vaksinave të lartpërmendura dhe të njëjtit sipas të dhënave të fundit, gëzojnë mbrojtje nga varianti “Delta” i virusit korona.

Kimisti Egzon Ademi për Portalb.mk theksoi se RMV-ja ka vetëm një detyrë – vaksinim masiv

Edhe pse sipas kimistit Ademi autoritetet shëndetësore duhet të bëjnë më shumë sekuencime për të parë se sa ky variant është prezent në vendin tonë, ai beson se në qoftë se vaksinimi i popullsisë realizohet me ritëm të lartë gjatë verës, nuk do të përballemi me një valë të re të virusit.

“Pavarësisht sa i rrezikshëm është një variant qe ne fillim ka fitnes te lartë, varet nga situata ne terren ku ai qarkullon, prandaj nëse Maqedonia e Veriut vijon me ritëm vaksinimin e plotë me 2-doza edhe ndikimi i një varianti mund te jete minimal dhe nëse arrihet qe te vaksinohet shumica e popullsisë gjatë verës nuk besoj se do ketë vale nga ato te mëparshmet në vjeshtë nga ky variant. Sigurisht duhet bere edhe më shume sekuencime per te pare se sa qarkullon ky variant ne komunitet për te qenë gjithmonë më të përgatitur.” tha Egzon Ademi, kimist.

Ai shtoi se se varianti Delta përhapet me shume dhe infekton me shpejtë, megjithatë është përhapur kryesisht te të pavaksinuarit me rreth 15-here me shume nga raporter fillestare dhe sipas tij, kjo ndodhë për shkak të mutacioneve shqetësuese në spike proteinën e virusit që janë paraqitur te disa variante të mëparshme.

“Delta” ka arritur edhe në Maqedoninë e Veriut, çfarë tash?

Varianti indian është konfirmuar në Maqedoni. Ishte e pritshme që ky mutacion të arrije në vend, ndërsa me siguri që e njëjta do të jetë dominante në vendin tonë, kështu thotë ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe. Andaj, ajo që është e rëndësishmë është që qytetarët të vaksinohen në mënyrë masive.

Komisioni për Mbrojtje nga Sëmundjet Infektive deri në fund të javës do të vendosë në qoftë se janë të nevojshme restrikcione të reja dhe në qoftë se Maqedonia e Veriut do të fillojë të kërkojë test PCR negativ, konfirmim për marrjen e vaksinës apo se personi ka kaluar sëmundjen, për të gjithë ata që hyjnë në shtet.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, ju ka bërë thirrje të gjithë personave publik që të përmbahen në deklaratat e tyre publike në lidhje me pandeminë dhe të publikojnë vetëm informacione të verifikuara, ai gjithashtu foli për rëndësinë e vaksinës në mposhtjen e pandemisë.

“Në një kohë kur ne jemi duke luftuar për të vaksinuar një përqindje sa më të lartë të qytetarëve që është e mundur, është jashtëzakonisht e rëndësishme të ndajmë vetëm të dhëna të verifikuara dhe të shëndosha shkencërisht në lidhje me vaksinimin.  U bëj thirrje mediave, individëve që kanë qasje në media vetë, si dhe të gjithë qytetarëve që ndajnë pikëpamjet e tyre në rrjetet sociale, të jenë maksimalisht të përgjegjshëm.  Ne me të vërtetë nuk duhet të lejojmë që të dëmtojmë procesin e vaksinimit me informacion të paverifikuar, formulime të pasakta ose analiza të pabazuara shkencërisht.  Unë ju informoj edhe një herë se të gjitha vaksinat që kemi janë të sigurta, por mbi të gjitha efektive dhe mbrojnë nga zhvillimi i simptomave të rënda të sëmundjes ose vdekjes nga të gjitha llojet.  Vaksinimi është mënyra e vetme për të mposhtur pandeminë” deklaroi Filipçe.

Ndryshe, pas anketimit të pacientëve të infektuar me variantin “Delta” të virusit korona në Maqedoninë e Veriut, është vërtetuar se asnjëri prej tyre nuk kishte pranuar asnjë dozë të ndonjërës prej vaksinave kundër Kovid-19.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari