Kovachevski për BBC-në: Infrastruktura ruse përhap histeri në vend para fillimit të negociatave me BE-në

Kryeministri Dimitar Kovaçevski, në një intervistë për emisionin “Hardtalk” të BBC-së, thotë se vendet e treta, përfshirë Rusinë, kanë pasur gjithmonë interesin e tyre për të pasur një konflikt të ngrirë në Ballkan. Ai shton se nga perspektiva kohore, ka vende ku lidhjet dhe opinioni publik janë më të forta ndaj Rusisë në Ballkan dhe ka vende ku ky opinion dhe ky ndikim janë më pak të rëndësishëm.

Në intervistë, kryeministri thotë se në Maqedoninë e Veriut infrastruktura e këtij ndikimi, e cila u forcua me kalimin e kohës, u vendos në periudhën e pranimit tonë në NATO. E njëjta infrastrukturë u forcua gjatë fillimit të pandemisë Covid, kur BE-ja nuk ishte në gjendje të jepte vaksina kundër Covid-19.

Kovaçevski thotë se bëhet fjalë për infrastrukturën mediatike, politike dhe analitike në vend, ku disa parti opozitare ndikohen, madje shkojnë në takime në Rusi dhe kanë një program politik që është në përputhje me partnerët e tyre politikë rusë.

Kemi edhe media që janë ndikuar nga palë të treta, ndër të cilat ndoshta ka ndikim rus, thotë Kovaçevski.

Duke sqaruar se bëhet fjalë për krijimin e histerisë, Kovaçevski shton se kjo infrastrukturë ishte e fortë edhe në fillim të negociatave tona me BE-në, “kur të gjithë qytetarët mundën të shihnin protestat në rrugët e Shkupit, kur u përdorën kokteje molotovi, sulmi në ndërtesën e Ministrisë për Punë të Jashtme dhe incidente të ngjashme”.

Kryeministri Kovaçevski tha se të gjitha partitë politike kanë përgjegjësi të marrin vendime që do të sjellin një të ardhme më të mirë për gjeneratat e ardhshme.

Ne kemi dy koncepte në këtë vend. Një koncept, të cilin unë e udhëheq, është që maqedonasit dhe të gjithë qytetarët e tjerë të Maqedonisë së Veriut, me kokën lart, me dinjitet, të ulen në tryezën e madhe në Bruksel dhe të shprehin qëndrimin e tyre për të gjitha çështjet, të negociojnë dhe të bëhemi anëtarë të BE-së. Koncepti tjetër është me dinjitet të rremë, të ulesh në tryezën e vogël këtu, në Maqedoninë e Veriut, i vetëm, i izoluar, në konflikt me fqinjët, pa bisedime me BE-në. Këtë ulje në një tavolinë të vogël, me dinjitet të rremë, e kemi parë me vite, thotë Kovaçevski.

Ai thotë se në fund ky proces do të jetë i vështirë, negociatat do të jenë të vështira dhe për këtë janë të vetëdijshëm të gjithë qytetarët, por çmimi është anëtarësimi në BE.

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut duan të jenë pjesë e BE-së, duan të jetojnë në BE, por në vendin e tyre këtu, e jo të largohen nga vendi dhe të punojnë në vendet anëtare të BE-së, theksoi kryeministri Kovaçevski.

Kovaçevski shtoi se është më e lehtë të jesh politikan që flet për të kaluarën, sepse siç tha ai “kur flet për të kaluarën nuk premton asgjë, vetëm luan me emocionet e njerëzve dhe është e vështirë të jesh politikan që flet për të ardhmen, sepse atëherë jep një premtim”.

Kryeministri Kovaçevski iu referua edhe marrëveshjes me FRONTEX-in në gjuhën maqedonase, të cilën së fundmi e nënshkroi ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.

Në këto negociata kishim disa synime dhe i arritëm. E para: gjuha e pastër maqedonase në BE. E dyta: identiteti i pastër maqedonas, i maqedonasve dhe fillimi i negociatave me BE-në, që ndodhi më 19 korrik. Për më tepër, çështjet historike duhet të jenë jashtë kornizës së negociatave. E përmendët punën e komisionit historik, tha kryeministri Kovaçevski.


Ky artikull është përgatitur në kuadër të projektit Promovimi i qasjes në lajme të besueshme për të luftuar dezinformatat, i zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis. Artikulli, i botuar fillimisht në Vërtetmatës, është mundësuar nga mbështetja e fondacionit jofitimprurës amerikan NED (National Endowment for Democracy). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Metamorphosis, NED ose bashkëpunëtorëve të tyre


 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari