Korrupsioni në vendin tonë vazhdon të jetë një e keqe mjaft e përhapur

Komisioni Kundër Korrupsionit kohëve të fundit ka lëshuar një numër të madh të rekomandimeve për përmirësimin e procedurës publike për punësime në sektorin publik, për eliminimin e nepotizmit, klientelizmit dhe kronizmit, duke përfshirë këtu edhe emërimin e udhëheqësve  dhe anëtarëve të bordeve mbikëqyrëse dhe drejtuese. Megjithatë, korrupsioni është i përhapur në shumë fusha dhe mbetet një çështje shqetësuese, ndërsa këtë e konstaton edhe Komisioni Evropian në Raportin e fundit të progresit për Republikën e Maqedonisë së Veriut në rrugën drejt Bashkimit Evropian

 

Shkruan: Мirosllava Burns

 

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit në vitin 2021 ka përpiluar 1.562 lëndë mbi të gjitha bazat, prej të cilave 839 me vetiniciativë dhe 723 me kallëzime. Pjesa më e madhe e tyre i referohen pushtetit ekzekutiv, përkatësisht bartësve të pozitave në pushtetin ekzekutiv, pastaj vjen gjyqësori, gjegjësisht bartësit e pozitave në drejtësi, bëjnë të ditur ata për „Vërtetmatësin”.

Sipas asaj që më së shumti i referohen këto raste, përparësi ka evidentimi dhe monitorimi i gjendjes me pasurinë me 857 lëndë, parandalimi i korrupsionit me 599 lëndë dhe parandalimi i konfliktit të interesit me 106 lëndë. Në vitin 2021 janë dhënë 85 mendime për ekzistimin ose mosekzistimin e konfliktit të interesit.

Nga vlerësimi i rrezikut nga korrupsioni, gjatë përgatitjes së Strategjisë Kombëtare, doli se më i lartë është rreziku nga ndikimi politik, i cili pastaj shfaqet në forma të ndryshme dhe reflektohet në shumë fusha. Gjegjësisht, si pasojë e ndikimit politik, kemi një gjendje dukshëm të pavolitshme në fushën e punësimeve, para së gjithash si rezultat i formave të njohura të veprimit, si nepotizmi, kronizmi, klientelizmi, si dhe keqpërdorimi i kompetencave diskrecionale për punësimin e anëtarëve të partisë. Natyrisht, ndikimi negativ politik theksohet veçanërisht gjatë pazareve partiake për përcaktimin e një strukture të lartë drejtuese në institucione, negocimin për fitimin e tenderëve të shtrenjtë, planifikimin urbanistik, disponimin dhe shitjen e pronave shtetërore, lidhjen e marrëveshjeve për koncesione, dhënien e licencave, dhënien e fondeve për federatat sportive, klubet dhe sportistët etj., thotë për Vërtetmatësin” kryetarja e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Biljana Ivanovska.

 

Tone pozitive për Komisionin Shtetëror në Raportin e fundit të KE-së

Në Raportin e fundit për progresin (faq.27) e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Komisioni Evropian konstaton se:

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, i emëruar në shkurt të vitit 2019 ka përforcuar kapacitetet e tij për të verifikuar deklaratat për interesat dhe deklaratat për pasurinë dhe për fillimin e procedurave së kundërvajtjes.

Në raport gjithashtu thuhet se Komisioni Shtetëror më në fund ka kaluar në ambiente të reja të përshtatshme dhe tani burimet e tij duhet të plotësohen më tej me sigurimin e kuadrove profesionale.

Përbërja aktuale e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit menjëherë pas zgjedhjeve u përball me tri sfida kryesore: mungesa e mjediseve për punë, mungesa e burimeve njerëzore dhe kushtet teknike joadekuate.

Pas zhvendosjes së KSHPK-së në objekte të reja vitin e kaluar, Komisioni arriti të sigurojë edhe një dhomë për serverët. Potenciali njerëzor u përforcua me 13 punonjës të rinj dhe filloi procesi i përgatitjes së zgjidhjes softuerike për dorëzimin elektronik të pyetësorëve, si dhe lidhja elektronike me 17 institucione.

Sfidat kryesore mbeten ekipimi me kuadro profesionale, edukimi i vazhdueshëm i punonjësve dhe kompletimi i softuerit. Gjatë këtij viti presim që të përfundojë përgatitja e softuerit dhe deri në fund të vitit të vihet në përdorim, ndërsa me planin për punësim parashihet vazhdimi i punësimit të profesionistëve të rinj në periudhën që vjen. Megjithatë, sfida më e madhe me të cilën përballet Komisioni dhe e cila pengon realizimin e funksionit themelor parandalues ​​është përqindja e ulët e realizimit të rekomandimeve, të cilat si rezultat i veprimit të KSHPK-së sipas raportimeve individuale dhe rasteve të hapura me iniciativë të saj, janë përcjellë tek institucionet përkatëse shtetërore, me qëllim që të ndërmerren veprimet e nevojshme për përmirësimin e funksionimit të sistemit, sqaron Ivanovska.

 

Cilat janë synimet kryesore të Komisionit Kundër Korrupsionit?

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit zbaton dhe inicion zbatimin e ligjeve, inkurajon përforcimin normativ dhe institucional, rrit ndërgjegjësimin për format dhe llojet e korrupsionit, përpilon politika dhe masa kundër korrupsionit, promovon një sistem integriteti, vendos bashkëpunim ndërinstitucional dhe ndërkombëtar dhe zhvillon kulturë juridike për të ndërtuar një sistem efikas për parandalimin e korrupsionit dhe konflikteve të interesit.

Në raportin e fundit të Komisionit Evropian për progresin e vendit (faq.6), thuhet se KSHPK do të vazhdojë të trajtojë rastet e nepotizmit, afërsisë dhe ndikimit politik në procesin e punësimit në sektorin publik dhe në procesin e emërimit të anëtarëve të bordeve mbikëqyrëse dhe udhëheqëse. Sipas rekomandimeve të KE-së, gjetjet dhe rekomandimet e tij duhet të ndiqen sistematikisht nga institucionet përkatëse. Raporti vlerëson se vendi ka një nivel të caktuar gatishmërie, gjegjësisht se është mesatarisht i përgatitur sa i përket parandalimit dhe luftimit të korrupsionit.

Është arritur njëfarë progresi pasi vendi ka vazhduar të konsolidojë angazhimin e tij për hetim, përndjekje penale dhe gjykim të disa rasteve të korrupsionit, përfshirë edhe atyre në nivel të lartë, dhe ka përforcuar kornizën e tij institucionale, në veçanti Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) dhe Prokurorinë për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin (PKOK). Në prill të vitit 2021, Parlamenti miratoi Strategjinë Kombëtare për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit 2021-2025 dhe Planin përkatës të veprimit, duke konsoliduar kështu angazhimin e vendit për parandalimin e korrupsionit dhe sanksionimin e sjelljeve korruptive. Lëndët e filluara nga ish-Prokuroria Publike Speciale (PSP) vazhduan të avancojnë, me çka u vërtetua përgjegjësia për përgjimet e paligjshme. Për një numër të caktuar të lëndëve ka pasur aktgjykime të shkallës së parë dhe janë hapur lëndë të reja në bazë të materialeve hetimore nga ish- Prokuroria Speciale Publike. Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit ka qenë proaktiv në parandalimin e korrupsionit dhe ka hapur disa lëndë, ku janë përfshirë edhe zyrtarë të lartë. Komisionit Shtetëror iu ndanë mjedise të reja. Megjithatë, përpjekjet për përmirësimin e funksionimit të tij duhet të vazhdojnë, sidomos me ndarjen e fondeve shtesë për punësimin e kuadrove profesionale, thuhet në Raport (faq.6).

Sa zgjat një procedurë nga hapja deri në mbylljen e një lënde dhe çfarë mekanizmash ka Komisioni Kundër Korrupsionit?

Kohëzgjatja e procedurës për lëndët nën juridiksionin e KSHPK-së nuk mund të përcaktohet saktë për shkak të kompleksitetit të lëndëve që janë objekt shqyrtimi. Lëndët më komplekse kërkojnë më shumë kohë për të mbledhur dhe analizuar të dhënat e kërkuara. Për konstatimin e plotë të gjendjes faktike, Komisioni Shtetëror mund të kërkojë të dhëna dhe informacione nga institucionet kompetente, personat juridikë dhe fizikë. Gjithashtu, gjatë proceduimit të lëndëve në përputhje me kompetencat ligjore, Komisioni mund të kontrollojë edhe dokumentacionin e institucioneve publike apo personave të tjerë juridikë, të thërrasë persona, të marrë deklarata nga personi të cilit i referohet rasti, të thërrasë ekspertë për të dhënë mendime e ekspertizë etj.

Komisioni Shtetëror merr vendim për ndërprerjen e proceduimit së mëtutjeshëm në rastet kur pas verifikimit të gjendjes faktike nuk ka konstatuar shkelje të ligjit. Nëse gjatë procedurës, gjegjësisht pas konstatimit të gjendjes faktike të një lënde konkrete, konstatohet shkelje e ligjit, Komisioni Shtetëror me aktvendim urdhëron ndërmarrjen e veprimeve ose shqipton një masë që është në kompetencë të tij. Lidhur me këtë, në pajtim me nenin 17 të Ligjit për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesave, KSHPK-ja është kompetente të iniciojë procedurë para organeve kompetente për të filluar procedurën për përcaktimin e përgjegjësisë së zyrtarëve dhe për të iniciuar procedurë për ndjekje penale për lëndët në fjalë.

Komisioni Kundër Korrupsionit, edhe në kuadër të kompetencave të tij ligjore për rastet që trajton, mund të kërkojë veprime kompetente të organeve dhe institucioneve të tjera shtetërore si Drejtoria e Policisë Financiare, Drejtoria e Inteligjencës Financiare, shërbimet e inspektimit etj.

Neni 77 i Ligjit për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit rregullon kompetencën e Komisionit Shtetëror në rastet kur konstaton konflikt interesi. Gjegjësisht, nëse Komisioni Shtetëror konstaton ekzistimin e konfliktit të interesave, ka për detyrë ta njoftojë personin zyrtar dhe të kërkojë prej tij në afat prej 15 ditësh nga dorëzimi i vendimit ta mënjanojë konfliktin e interesave. Nëse personi zyrtar vepron sipas kërkesës, Komisioni Shtetëror e ndërpret procedurën dhe për këtë i njofton personin zyrtar dhe parashtruesin e fletëparaqitjes.

Nëse personi zyrtar nuk vepron sipas kërkesës dhe për këtë nuk e njofton Komisionin Shtetëror në afatin e përcaktuar, Komisioni Shtetëror pa prolongim për këtë e njofton organin kompetent me kërkesë që të ngrihet procedurë disiplinore, nëse personi zyrtar nuk është person i zgjedhur ose emëruar ose  me iniciativë për shkarkim / ndërprerje të kryerjes së autorizimeve publike ose detyrave, nëse personi zyrtar është person i zgjedhur ose emëruar , me ç’rast shqipton masë vërejtje publike në pajtim me nenin 79 të këtij ligji, nëse personi zyrtar është i zgjedhur në zgjedhje të drejtpërdrejta.

Neni 114 i Ligjit për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesave parasheh që për kundërvajtjet e përcaktuara me Ligjin për kundërvajtje, procedurën për kundërvajtje e udhëheq dhe sanksione kundërvajtëse shqipton Komisioni për kundërvajtje në Komisionin Shtetëror dhe se anëtarë të Komisionit për kundërvajtje janë persona të autorizuar zyrtarë në Sekretariat, me shkallë përkatëse dhe lloj të përgatitjes profesionale dhe përvojë të nevojshme të punës të përcaktuara me ligj, prej të cilëve së paku një nga anëtarët është jurist i diplomuar me provim të dhënë të jurisprudencës. Nga ana e Komisionit shtetëror është formuar një Komision për kundërvajtje i përbërë nga punonjës administrativë të punësuar në Sekretariatin e Komisionit shtetëror.

Ndër rastet e fundit për të cilat KSHPK ka iniciuar rast me iniciativë është rasti i ish-prezantueses televizive Besmira Ejupi, e cila kishte të ardhura nga disa organe shtetërore. KSHPK-ja është njoftuar se janë kryer 39 transaksione nga shfrytëzuesit buxhetorë nga Zyra e Avokatit të Shtetit, Komuna e Sarajit, Komuna e Petrovecit, Komuna e Çairit dhe Komuna e Bërvenicës dhe tani është duke kontrolluar bazat mbi të cilat institucionet e lartpërmendura i kanë paguar para. Veprimi sipas lëndës është në fazën e mbledhjes së informacionit dhe dokumentacionit me qëllim konstatimin e gjendjes faktike në rastin konkret.

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit ka vazhduar me proceduimin e lëndëve për emërimet e pamerituara në vitin 2020. Komisioni Kundër Korrupsionit kohëve të fundit ka lëshuar një numër të madh të rekomandimeve për përmirësimin e procedurës publike për punësime në sektorin publik, për eliminimin e nepotizmit, klientelizmit dhe kronizmit, duke përfshirë këtu edhe emërimin e menaxherëve dhe anëtarëve të bordeve mbikëqyrëse dhe drejtuese. Megjithatë, korrupsioni është i përhapur në shumë fusha dhe mbetet një çështje shqetësuese, ndërsa këtë e konstaton edhe Komisioni Evropian në Raportin e fundit të Progresit për Republikën e Maqedonisë së Veriut në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Ky artikull është përgatitur në kuadër të projektit Kontrolli i fakteve për progresin e Maqedonisë së Veriut drejt BE -së, i zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis. Artikulli, i botuar fillimisht në Vërtetmatës, është mundësuar nga mbështetja e fondacionit jofitimprurës amerikan NED (National Endowment for Democracy). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Metamorphosis, NED ose bashkëpunëtorëve të tyre

 

 

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.