Kontradiktë në Serbi: A tentoi Vuçiç të fundosë mediat e United Group?
Mediat hulumtuese publikuan një regjistrim audio të një bisede telefonike midis Stan Miller, drejtor i përgjithshëm i United Group, dhe Vladimir Luçiç, drejtor i Telekom Serbia dhe bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit Aleksandar Vuçiç. Nga ky bisedë mes Luçiç dhe Miller dolën disa akuza se presidenti i Serbisë supozohet se kishte kërkuar ndryshimin e një prej figurave kyçe në kompaninë United Media – Aleksandra Subotiç, nën të cilën funksionojnë mediat N1, Nova S, Danas dhe Radar
Shkruan: Miroslava Simonovska
Një kontest i madh mediatik dhe një “cunami” reagimesh përfshiu Serbinë fqinje pasi mediat hulumtuese KRIK dhe OCCRP publikuan një bisedë telefonike, për të cilën pretendojnë se është provë për një komplot për dobësimin e mediave kritike serbe të grupit United Group, përfshirë televizionin e njohur N1. Në bisedën telefonike përmendet se ndryshimin e drejtoreshës së United Group supozohet se e kërkoi personalisht presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Vuçiç e mohoi se kishte kërkuar një gjë të tillë, por reagimet nuk kanë të ndalur.
Mediat hulumtuese publikuan regjistrimin audio të bisedës telefonike midis Stan Miller, drejtor i përgjithshëm i United Group, dhe Vladimir Luçiç, drejtor i Telekom Serbia dhe bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit Aleksandar Vuçiç. Nga kjo bisedë dolën disa akuza se presidenti i Serbisë supozohet se kishte kërkuar ndryshimin e një prej figurave kyçe në kompaninë United Media – Aleksandra Subotiç, nën të cilën funksionojnë mediat N1, Nova Sad, Danas dhe Radar. Në bisedën telefonike, e cila shkaktoi reagime të fuqishme në Serbi dhe që përkon me demonstratat anti-qeveritare që vazhdojnë për muaj me radhë në Beograd dhe qytetet e tjera, Miller i shpjegon Luçiçit se përpara se të ndodhte ndryshimi i Subotiç, duhet së pari të dobësohej kompania që vetë ai drejton.
“Duhet ta bëj atë kompani shumë të vogël në Serbi,” dëgjohet në bisedën që publikuan gazetarët.
United Media është një degë e United Group, një konglomerat telekomunikacioni dhe mediatik holandez, i cili operon me disa media në Serbi, përfshirë televizionin N1. Gjatë muajve të fundit, kur shumica e mediave serbe raportonin mbi protestat antiqeveritare duke pasqyruar narrativin proqeveritar për një përpjekje të supozuar për destabilizim të shtetit, televizioni N1 dhe mediat e United Group u distancuan nga kjo narrativ. Ata transmetuan drejtpërdrejt nga protestat, hetuan korrupsionin dhe u shfaqën si një platformë e rëndësishme për përcjelljen e zërave opozitarë. Pas publikimit të bisedës telefonike, politika e tyre redaktuese përballet me kërcënime.
Politika redaktuese nën kërcënim
Presidentja e Federatës Evropiane të Gazetarëve, Maja Sever, menjëherë pas publikimit të bisedës telefonike, e cila u bë temë kryesore në mediat serbe – dhe për këtë skandal raportohej edhe në mediat e rajonit – deklaroi se situata lidhur me United Media është shqetësuese jo vetëm për njerëzit në Serbi, por se për të duhet të shqetësohen edhe shumë të tjerë në Bashkimin Evropian.
“Po ndodh ajo që u frikësuam. Aleksandar Vuçiç po realizon atë që kishte planifikuar, të nënshktrojë edhe mediat e fundit që arrijnë të raportojnë lirshëm. Në momentin kur presidenti i Serbisë do ta realizojë atë që ka menduar, në Serbi do të mbretërojë një errësirë thuajse e plotë,” reagoi Sever.
Me reagimin e tyre iu bashkua edhe Shoqata e Gazetarëve e Sllovenisë, duke theksuar se ndjekin me kujdes dhe shqetësim zhvillimet mediatike në Serbi, të cilat mund të kenë pasoja serioze edhe për N1 slloven dhe për publikun.
Fikja e një prej mediave të fundit të pavarura në Serbi mund të ketë pasoja katastrofike për lirinë mediatike, demokracinë dhe stabilitetin e rajonit. N1 në Serbi është një nga mediat e rralla që për vite me radhë i ka rezistuar presionit të autoriteteve ndaj gazetarisë së pavarur. Ai informon publikun në mënyrë të besueshme dhe dinjitoze për zhvillimet në Serbi, përfshirë protestat antiqeveritare, ndërsa shumica e mediave në Serbi janë nën kontroll të drejtpërdrejtë të autoriteteve serbe. Me fikjen e N1 në Serbi do të heshtë zëri i gazetarisë së pavarur, autoriteti do të nënshtronte praktikisht gjithë hapësirën mediatike, gjë që, duke pasur parasysh zhvillimet aktuale në Serbi, ku protestat vazhdojnë për më shumë se 8 muaj, është një çështje edhe më e ndjeshme, theksojnë nga Shoqata e Gazetarëve e Sllovenisë.
Drejtori i javores Vreme, Stevan Ristiç, është një nga dhjetëra profesionistët e mediave që kanë shprehur qëndrimin dhe reagimin e tyre pas publikimit të regjistrimit dhe transkriptit.
Për mediat në pronësi të United Media, publiku është me të vërtetë shpëtimi i vetëm në këtë moment, dhe ai zë duhet të dëgjohet deri në Bruksel dhe Londër. “Besoj se në fondin investues BS Partners patjetër ka njerëz që e shohin këtë si një katastrofë reputacioni, sepse janë të përfshirë në biznese të ndryshme dhe kjo nuk u nevojitet askujt,” deklaroi drejtori i javores.
Thashethemet se qeveria e Serbisë po përpiqet të neutralizojë N1 dhe pesë media të tjera të United Media në Serbi kanë qarkulluar për një kohë mes gazetarëve, opozitës dhe publikut më të gjerë. Megjithatë, provat e reja të publikuara nga OCCRP japin indikacionin më të qartë deri tani se aleatët e Vuçiçit po planifikonin të neutralizonin televizionin.
OCCRP shkruan në tekst se nuk kanë parë prova që Aleksandar Vuçiç i ka urdhëruar Luçiçit ose dikujt tjetër të imponojë ndryshime në N1. Megjithatë, komentet që dha Vuçiç në një intervistë për televizionin proqeveritar Pink TV sugjerojnë se ai ishte i vetëdijshëm se po përgatitej një riorganizim. Vuçiç deklaroi për Pink se disa anëtarë të stafit të N1 do të shkarkoheshin në nëntor.
E pyetur për koment mbi hetimin e gazetarëve, Subotiç, e cila drejtoi United Media për gati 15 vjet, deklaroi se është “e papranueshme që një menaxher i emëruar nga fondi investues BS Partners të diskutojë për shkarkimin me drejtorin e një kompanie konkurrente, veçanërisht jo me Telekom Serbia”. Subotiç theksoi se nuk do të lejojë që presionet politike ose ekonomike të ndikojnë në politikën redaktuese të mediave nën drejtimin e saj.

Vuçiç mohon se është përzier në pavarësinë e mediave
Aleksandar Vuçiç e mohoi se ka tentuar të vendosë kontroll mbi politikën redaktuese të mediave dhe shtoi se “nuk është i detyruar të përgjigjet për çdo gjë të marrë kur dikush e përmend,” si dhe se nuk di asgjë për drejtoreshën e United Media, Aleksandra Subotiç. Megjithatë, ai konfirmoi se është takuar me biznesmenin e BS Partners, Nikos Statopulus, i cili përmendet në bisedën telefonike.
“U takova publikisht në Davos me Nikos, i cili ishte njëfarë shefi në BS Partners, sepse kjo është detyrë ime lidhur me investimet në Serbi. Dhe nuk kam fshehur asgjë. Për t’ju shmangur pyetjeve të kota për një grua që e kam parë një herë në kabinetin tim, mendoj për zonjën Subotiç, për të nuk di asgjë,” deklaroi Vuçiç.
Për komentet se ai dëshiron të shuajë mediat në United Media, Vuçiç theksoi se do t’i kishte mbyllur ato shumë kohë më parë nëse do të kishte dashur ta bënte këtë, duke shtuar se “ata vetë po përplasen brenda”.
Njëri nga dy bashkëbiseduesit në bisedën telefonike të publikuar, drejtori i Telekom Serbia, Vladimir Luçiç, më vonë deklaroi se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kurrë nuk kishte kërkuar shkarkimin e Aleksandra Subotiç.
Në bisedën me Miller nuk bëhej fjalë për mediat që i përkasin United Group, dhe asnjë nga ne nuk do të guxonte të ndikonte në politikën redaktuese të atyre mediave, tha Luçiç.
Ai njoftoi nisjen e një procedimi penal kundër mediave që publikuan audio regjistrimin, sepse më parë nuk ia kishin dërguar për verifikim nëse ishte autentik.
Për shkak se kjo nuk ndodhi, do të nisë një procedim penal kundër mediave që publikuan regjistrimin për shkak të dëmtimit të reputacionit, dhe gjithashtu do të kërkohet nga gjykata të verifikojë autenticitetin e regjistrimit, njoftoi drejtori i Telekom Serbia, Vladimir Luçiç.
Nga United Group deklaruan se biseda e publikuar nga gazetarët ishte e paplotë, se bëhej fjalë për komunikime rutinore biznesi, dhe se drejtoresha Subotiç do të qëndrojë në pozicionin e saj.
Publiku mbetet vigjilent dhe i interesuar për këto trazira dhe pasojat e mundshme që ato mund të kenë mbi mjedisin mediatik në Serbi. Udhëheqja në vend po përballet me kritika gjithnjë e më të forta nga mediat e huaja për qeverisje autoritare dhe për heshtjen e zërave kritikë në kulmin e protestave shumëmuajshe kundër qeverisë.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari