Komuna e Qendrës nuk e di se kush e hoqi tabelën me qytetin ukrainas të Sevastopolit nga këndi “rus” i lojërave
Komuna Qendër nuk e hoqi tabelën me emrin e qytetit ukrainas të Sevastopolit nga këndi i lojërave me tematikë ruse pas Sallës Universale. Nga Komuna nuk kanë asnjë përgjigje në pyetjen se kush dhe pse e hoqi tabelën me emrin e qytetit ukrainas që ndodhej mes emrave të qyteteve ruse, shkruan Meta.mk
“Deri më tani nuk kemi marrë informacion se kush e ka hequr tabelën nga këndi i lojërave”, kanë thënë për Meta.mk nga Komuna Qendër.
Lidhur me atë se kush e ka financuar ndërtimin e këndit të lojërave për fëmijë me tematikë ruse, nga komuna thonë se shumica e mjeteve (mbi 40 mijë euro ose më shumë se 90 për qind e shumës së përgjithshme) kanë ardhur nga autoritetet komunale, gjegjësisht nga buxheti i qytetarëve të kësaj komune. Ambasada ruse në Shkup ka dhënë vetëm 150.000 denarë ose rreth 2.500 euro.
“Komuna Qendër e ka financuar rikonstruksionin e këndit të lojërave me 2.481.928 denarë, ndërsa Ambasada e Federatës Ruse ka marrë pjesë me 150.000 denarë shtesë”, thonë nga Komuna Qendër për Meta.mk.
Autoritetet lokale shtojnë se Vendimi për rikonstrumin e këndit të lojërave e kishin në Programin vjetor të punës për vitin 2021 të Sektorit për rregullimin e tokës ndërtimore në Komunën Qendër. I njëjti program është dorëzuar në Këshill dhe është miratuar nga përbërja e kaluar e Këshillit të Komunës Qendër.
Nga Komuna Qendër theksojnë se sa i përket statusit juridik të qytetit të Sevastopolit, i përkrahin plotësisht vendimet e Qeverisë së RMV-së dhe Ministrisë kompetente të Punëve të Jashtme.
Ministri i Jashtëm i Maqedonisë Bujar Osmani më 31 janar të këtij viti në takim me ambasadorin rus në Shkup Sergej Baznikin përsëriti se Maqedonia e Veriut respekton sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht, ndërsa mbështetja politike për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës disa ditë më vonë arriti edhe nga kryeministri Dimitar Kovaçevski, i cili më 3 shkurt të këtij viti u takua me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.
Këndi i lojërave për fëmijë me tematikë ruse shkaktoi një skandal diplomatik në vend, pasi në kuadër të tij ishte futur një tabelë me emrin e qytetit ukrainas të Sevastopolit. Bëhet fjalë për qytetin më të madh në gadishullin e Krimesë në Detin e Zi, i cili u aneksua nga Federata Ruse dhe është në kundërshtim për shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe integritetit territorial të Ukrainës.
Ish-kryetari i komunës Sasha Bogdanoviç njoftoi në tetor se Ambasada ruse në Shkup kishte konfirmuar se këndi i lojërave me tematikë ruse financohej bashkërisht nga Komuna e Qendrës dhe Ambasada Ruse në Shkup.
Meta.mk para Vitit të Ri ka kontaktuar me Ambasadën e Ukrainës në Shkup, nga ku kanë konfirmuar se për tabelën me emrin e qytetit të Sevastopolit në këndin e lojërave ruse reaguan edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) dhe Qyteti i Shkupit.
“Ambasadorja e Ukrainës në vend, zonja Natalia Zadorozhnyuk, mbajti edhe një sërë takimesh përkatëse në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ku shprehu qëndrimin për pjesëmarrjen e papranueshme të zyrtarëve nga Maqedonia e Veriut, veçanërisht të kryesisë së Komunës Qendër, në përpjekjen e palës ruse për legalizimin e statusit të territoreve të pushtuara përkohësisht të Republikës autonome të Krimesë dhe Sevastopolit si subjekt i veçantë i Federatës Ruse”, informuan nga ambasada e Ukrainës.
Nga atje thanë se Ministria e Punëve të Jashtme rikonfirmoi qëndrimin e saj të fortë për mbështetjen e Maqedonisë së Veriut për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës, por edhe nga MPJ siguruan se kjo çështje do të zgjidhet.
Meta.mk deri më sot nuk ka marrë përgjigje nga Qyteti i Shkupit dhe Ministria e Punëve të Jashtme për pyetjet e bëra në lidhje me këndin rus të lojërave.
Në periudhën e fundit pothuajse çdo ditë ka pasur reagime publike nga ambasadat e Ukrainës dhe Rusisë në Shkup, në të cilat transmetohen deklaratat e zyrtarëve shtetërorë të të dy vendeve për një sulm të ri të mundshëm rus ndaj Ukrainës.
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari