Kamerat që regjistrojnë shkeljet e trafikut kanë qenë objekt i vandalizmit, por jo te ne
Postimi dhe titulli i artikullit të shpërndarë në të nuk kanë asnjë lidhje me Maqedoninë e Veriut, por kjo qëllimisht nuk theksohet kudo, me qëllim që postimi të jetë sa më i dukshëm dhe të mbledhë më shumë reagime. Postimi që po analizojmë, i shpërndarë në këtë mënyrë, lehtë krijon ndërlidhje se kamerat janë shkatërruar masivisht te ne, gjë që shihet edhe nga komentet poshtë tij.
Po analizojmë një postim në rrjetin social Facebook që thotë:
Shkatërrim masiv i kamerave: Numër i madh kamerash u shkatërruan ose u gërvishtën – MË SHUMË NË LINK.
Postimi shoqërohet me një fotografi ku duken kamerat që regjistrojnë shkeljet e trafikut.
Së fundmi te ne është bërë e njohur përdorimi i sistemit ‘Safe City’ për regjistrimin automatik të shkeljeve të trafikut, i cili është në periudhë prove për të parë se si do të funksionojë.
Saktësisht, deri në Vitin e Ri, drejtuesit e automjeteve do të marrin vetëm paralajmërim, domethënë njoftim për shkeljen e kryer, pa vendosur gjoba, ndërsa nga shkurti i vitit të ardhshëm sistemi do të fillojë të zbatohet plotësisht. Kryerësit e shkeljeve, thonë nga MPB-ja, do të dokumentohen përmes sistemit ‘Safe City’, dhe pastaj do të sanksionohen sipas rregullave që përcaktojnë shpejtësinë maksimale të lejuar të lëvizjes së automjeteve.
Vendosja e sistemit ka shkaktuar shumë reagime në rrjetet sociale. Prandaj, postimi që po analizojmë, i shpërndarë në këtë mënyrë, lehtë krijon ndërlidhje se kamerat janë shkatërruar masivisht te ne, gjë që shihet edhe nga komentet poshtë tij.

Por, kur të hapni linkun që postimi ofron për më shumë informacione, do të shihni se ngjarja nuk ka asnjë lidhje me Maqedoninë e Veriut, as me ndonjë ngjarje aktuale.
Artikulli informon se këto lloj kamerash nuk janë asgjë e re dhe se ato janë vendosur prej kohësh në shtete të tjera, si dhe se në Europë janë objekt i aktesh vandalizmi si shkatërrim; ngjyrosje ose mbulim i lenteve; prerje kabllosh; sulme digjitale që e bllokojnë funksionimin e sistemeve.
Në Francë, gjatë protestave të ‘Jelekëve të Verdhë’, dhjetëra radarë dhe kamera u shkatërruan. Në Londër u prenë qëllimisht kabllo dhe u dogjën pajisje, ndërsa në Holandë një sulm hakerësh e bëri të paarritshme një pjesë të kamerave për shpejtësi. Në Ballkan situata është e ngjashme – në Greqi dhe Bullgari janë raportuar disa herë kamera të shkatërruara dhe të ngjyrosura. Të gjitha këto raste tregojnë se rezistenca ndaj sistemeve të automatizuara është një problem global, dhe ‘Safe City’ do të duhet të përballet jo vetëm me sfidat teknike, por edhe me sabotime të qëllimshme – fizike dhe digjitale – për të siguruar funksionim të qëndrueshëm dhe të sigurt, thuhet në artikull.
Pra, postimi dhe titulli i artikullit të shpërndarë në të nuk kanë asnjë lidhje me Maqedoninë e Veriut, por kjo qëllimisht nuk theksohet, me qëllim që postimi të jetë sa më i dukshëm dhe të mbledhë më shumë reagime.
Për këtë arsye, e vlerësojmë si një postim që i mungon konteksti.
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari