Ka rënë interesimi për vaksinim në rajonin e Ohrit dhe Strugës

Ковид болница Охрид. Фото: Вистиномер, 2021

Interesi për vaksinimin po bie. Pikat e imunizimit në Strugë, Ohër dhe Vevçan kanë sasi të mjaftueshme të vaksinave, por nuk ka interesim nga qytetarët. Ofrohet edhe dozë e tretë përforcuese, por duhet të kalojnë gjashtë muaj nga pranimi i dozës së dytë, kështu që tani për tani interesim kanë shfaqur vetëm punonjësit shëndetësorë, shkruan Vërtetëmatësi.

Në rajonin e Strugës interesi për vaksinim është i ulët. Pikat e vaksinimit kanë sasi të mjaftueshme të vaksinave, por tashmë dhjetëra ditë janë të zbrazta. Nga Shtëpia e shëndetit në Strugë thonë se edhe pse ofrojnë edhe një dozë të tretë të vaksinës, interesimi i qytetarëve është i dobët.

Nga fillimi i këtij muaji, interesimi për vaksinim ka rënë shumë, nuk e di pse. Këtë javë filluam me dozën e tretë të vaksinës, por ka shumë pak të interesuar. Ajo jepet gjashtë muaj pas dozës së dytë, kështu që mund të ketë interes nga muaji nëntor. Deri në mes të shtatorit ishte shumë mirë, por tani numri i të vaksinuarve ka rënë shumë, thotë Andon Llozhankoski, drejtor i Shtëpisë së shëndetit në Strugë.

Rrëmujë më të madhe në pikat e vaksinimit në Strugë kishte nga mesi i gushtit deri në mes të shtatorit. Sipas analizës së fundit të Ministrisë së shëndetësisë në Strugë, është imunizuar rreth 40% e popullatës, që ende nuk është mjaftueshëm për imunitet kolektiv.

Në rajonin që e mbulon Shtëpia e shëndetit „Dr. Svetozar Çoçoroski” në komunën e Vevçanit dhe fshatrat e Strugës, janë vaksinuar rreth 50% e qytetarëve mbi 18 vjet.

Janë vaksinuar rreth 50% të qytetarëve mbi 18 vjet, për momentin ne vaksinojmë vetëm me Pfizer dhe interesimi është i kënaqshëm. Vaksinimi kryhet në dy pika në Vevçan dhe Llabunisht, thotë Jovan Stojkoski, drejtor i Shtëpisë së shëndetit në Vevçan.

Edhe në Vevçan filloi vaksinimi me dozën e tretë përforcuese, por për momentin interesimi është i ulët.

Interesimi nuk është i madh, por duke pasur parasysh se duhen kaluar gjashtë muaj nga doza e dytë, që do të jetë nga gjysma e dytë e këtij muaji, ne mendojmë se do të ketë interesim, veçanërisht në mesin e qytetarëve mbi 60 vjeç, shton Stojkoski.

Në vendin tonë Ohri është rekorder në imunizimin kundër virusit korona. Deri në fillim të tetorit, 63.9% e qytetarëve e kanë pranuar dozën e parë të vaksinës. Për dallim nga fillimi i vaksinimit, kur çdo ditë vaksinoheshin rreth një mijë njerëz, tani numri ka rënë, por vaksinimi zhvillohet pa ndërprerje, pa termine, nga e hëna deri të shtunën.

Nga Shtëpia e shëndetit në Ohër thonë se ka interesim edhe për dozën e  tretë të vaksinës, dhe atë kryesisht nga punonjësit shëndetësorë dhe personat e moshuar të cilët u vaksinuan ndër të parët.

Kohët e fundit, ka interesim nga popullata e re nën 40 vjeç dhe më të rinjtë se 17 vjeç e më shumë se aq. Ne tashmë kemi filluar vaksinimin me dozën e tretë dhe ata që u vaksinuan të parët po vijnë për vaksinim me dozën e tretë. Janë punonjës shëndetësorë dhe njerëz të moshuar që kanë marrë vaksinën jashtë vendit. Për momentin kemi Pfizer, AstraZeneka dhe Sinofarm, thotë mjekja Sonja Marinoska nga Shtëpia e shëndetit në Ohër.

Mjekët u bëjnë thirrje qytetarëve të besojnë në shkencë dhe të imunizohen sa më shpejt, sepse të gjitha studimet shkencore konfirmojnë se vaksinat mbrojnë kundër formave të rënda të sëmundjes dhe vdekja.

Në sallën sportive në Ohër u vaksinuan rreth 60.000 njerëz, dhe nuk kishim një rast të vetëm me efekte të padëshiruara ose reaksion alergjik. Kjo është arsyeja pse bëjmë thirrje që të vaksinohen të gjithë. Të besojnë në shkencë, në mjekësi. Ne të gjithë duhet të vaksinohemi, fëmijët e mi janë vaksinuar, nipërit dhe mbesat e mia janë vaksinuar. Unë vetë jam vaksinuar ndër të parët, thotë Dr. Goran Balevski, drejtor i Spitalit të përgjithshëm në Ohër.

Në spitalin e Ohrit për momentin janë shtruar 19 persona nga të cilët 11 janë me oksigjenoterapi, ndërsa në spitalin në Strugë janë shtruar 10 persona nga të cilët 3 janë me oksigjenoterapi.

Ky artikull është përgatitur në kuadër të Projektit për përballim të shpejtë të dezinformatave rreth vaksinimit, të zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis. Ky artikull fillimisht është botuar në Vërtetmatës, ndërsa është mundësuar me mbështetjen e Fondit Ballkanik për Demokraci, projekt i Fondit Marshall Gjerman të SHBA-ve (BTD – The Balkan Trust for Democracy, a project of the German Marshall Fund of the United States). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Metamorfozis, FBD-së ose bashkëpunëtorëve të tyre.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.