Ja si mund një “lajm” me një paragraf të shkelë mbi 5 pesë parime gazetareske

Lajmi të cilin e recensojmë është sinonim se si një “gazetar” përmes një “lajmi” i cili është vetëm një paragraf, megjithatë, arrin të bëje shkeljen e pesë rregullave të “Kodit Etik të Gazetarëve” prej gjithsej 17. Ky shkrim është i anshëm, sensacional, me gjuhë të urrejtjes, nuk ka “distancë politike”, nuk ka kulturë dhe etikë në të dhe nuk ka autor, shkruan Krithink.mk.

Foto nga lajmi që e recensojmë

Linku deri te artikulli origjinal: Letërnjoftimet, Monstra, Almiri… s’ka pabesi që e shkul Lëvizjen BESA nga Qeveria!

Duke filluar nga titulli i këtij lajmi, në aq pak fjalë sa i jepet mundësia të shkruaje në titull, autori (anonim) është munduar që në maksimum të prek në emocionet e lexuesve si dhe të jetë sa më sensacional, kështu duke përmendur raste gjyqësore me të cilat shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kanë lidhshmëri emocionale.

“Letërnjoftimet, Monstra, Almiri… s’ka pabesi që e shkul Lëvizjen BESA nga Qeveria!”, përmes këtij titulli, autori tenton që të ngjalle revolt te lexuesit kundrejt një partie politike të caktuar, kështu duke përmendur raste gjyqësore dhe në mënyrë indirekte duke fajësuar partinë në pushtet për ata.

Fenomeni “Thirrje në Emocione”doracakun për Arsim Jo Formal nga CriThink është definuar qartë si: Prirje për përdorim të fjalimit të bazuar në bindje në vend të fakteve, në mënyrë që të ngjallë emocione tek bashkëbiseduesi dhe të fitojë në diskutim.

Kodi Etik

Edhe pse ky shkrim është i shkurtër, me vetëm 1 paragraf, ky autor ka arritur që të bëje shkeljen e gjithsej 5 rregullave të Kodeksit Etik të Gazetarëve, rregulla këto, të pranuara nga të gjitha organizatat mediatike në vend.

Pika e 9 e këtij Kodi Etik shpjegon qartazi në mes të tjerash se, në momentin kur gazetari do të informoje për raste të proceseve gjyqësore, duhet të jetë i çliruar nga sensacionalizmi.

“Mënyra e informimit në raste të fatkeqësive, katastrofave natyrore, luftërave, tragjedive familjare, sëmundjeve, proceseve gjyqësore duhet të jenë të çliruara nga senzacionalizmi. Në proceset gjyqësore duhet të respektohet parimi i pafajsisë, të raportohet për të gjitha palët e përfshira në kontest dhe të mos sugjerohet vendimi” thuhet në pikën e 9 të Kodit Etik të Gazetarëve.

Përveç kësaj, në këtë lajm ka gjuhë të urrejtjes e cila ndikon drejtpërdrejt në nxitjen e urrejtjes kundrejt dy etnive më të mëdha në vend. Autori i “lajmit” shkruan kështu: “Ndërkohë Lëvizja BESA edhe përkundër zotimeve dhe “kërcënimeve” vazhdon të mbështesë politikat antishqiptare dhe madje edhe kundër vetes duke qëndruar në Qeverinë që diskriminon shqiptarët”.

Nuk është punë e gazetarit që të konkludojë se një parti politike e caktuar bën “politika antishqiptare” dhe “diskriminuese kundrejt shqiptarëve”, gazetari, ka për obligim të informojë në mënyrë të paanshme dhe i çliruar tërësisht nga sensacionalizmi për çdo ngjarje të rëndësishme politike, por jo të japë komente në zhanrin e lajmit.

“Gazetari me vetëdije nuk do të krijojë ose përpunojë informata, që cënojnë të drejtat dhe liritë e njeriut, nuk do të përdorë gjuhën e urrejtjes dhe nuk do të nxisë dhunë ose diskriminim mbi çfarëdo lloj baze qoftë (kombëtare, fetare, racore, gjinore, shoqërore, gjuhësore, politike, orientimi seksual…)” thuhet në pikën e 10 të Kodit Etik të Gazetarëve.

Nga koka dhe deri në fund të këtij shkrimi, autori i të njëjtës ka bë komente dhe në asnjë moment nuk ka informuar qytetarët për ndonjë ngjarje të caktuar.
Komentet  nuk janë të ndaluara për një gazetar, por ata jepen në zhanër tjetër gazetaresk – në Editorial apo Koment, ku mban emrin qartë se bëhet fjalë për koment.

“Gazetarët duhet të bëjnë dallim mes fakteve dhe mendimeve, mes lajmit dhe komentit.” Thuhet në pikën e 11 të Kodit Etik të Gazetarëve.

I gjithë shkrimi është përgatitur në atë formë që të jetë “sulm” kundrejt një partie të caktuar politike, kështu, autori në lajm “qorton” partinë politike “BESA” për atë se kjo e fundit nuk “e lëshon Qeverinë”. Autori i këtij shkrimi në asnjë moment nuk ka marrë deklaratë nga eksponent të Lëvizjes BESA apo Qeverisë së RMV-së për të parë arsyet e pyetjes të cilën e ngre i njëjti, kështu, lajmi nuk është i balancuar dhe është drejtuar tërësisht kundrejt një partie politike, në këtë rast Lëvizjes BESA.

“Raportimi për proceset politike, veçanërisht për zgjedhjet, duhet të jetë i paanshëm dhe i balancuar. Gazetari patjetër duhet të sigurojë distancë profesionale nga subjektet politike” thuhet në pikën e 12 e Kodit Etik të Gazetarëve.

“S’ka pabesi që e shkul Lëvizjen BESA nga Qeveria!”, “Tre goditje të njëpasnjëshme i ka dhënë LSDM dhe Zoran Zaev, partnerit të koalicionit, Lëvizjes BESA vetëm brenda dy javëve të fundit”, “Lëvizja BESA edhe përkundër zotimeve dhe “kërcënimeve” vazhdon të mbështesë politikat antishqiptare”, këto citime janë shembull konkret I një komunikimi të pashembullt i cili nuk i ka hije një gazetari të mirëfilltë.

“Gazetari patjetër ta kultivojë kulturën e të shprehurit dhe etikën. Komunikimi i pashembullt me opinionin nuk i ka hije profesionit të gazetarit” thuhet në pikën e 13 e Kodit Etik të Gazetarëve.

Për në fund, autori i këtij lajmi është “Gazetari-Gazeta”, që do të thotë, përmes emërtimit të tillë ky i fundit ka tentuar të fshehe identitetin e tij, gjë që është e papranueshme sipas të gjitha parimeve gazetareske, lexuesit gjithmonë duhet të jenë të informuar për autorin i cili ua servon një informatë.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari