Informacioni nuk guxon t’i ngjajë një kumtese të një partie politike
Afrohen zgjedhjet, ndizen motorët e propagandës dhe zakonisht objektiviteti gazetaresk zbehet. Tekstet që duhet të jenë gazetareske, më shumë i ngjajnë një kumtese partie se sa një informacioni. Në raste të tilla, autorët përdorin terme promovuese dhe pompozitetin që një lajmi ia jep sektori për marrëdhënie me opinionin. Partitë politike median e shohin më shumë si një mekanizëm për të bindur një grup të targetuar për të fituar sa më shumë vota dhe për të “reklamuar” punën e tyre, dhe në këtë mënyrë disa media online harrojnë dallimet mes marrëdhënieve me publikun dhe gazetarisë dhe vihen në shërbim të një partie të caktuar politike. I tillë është teksti që recensohet.
Linku deri te artikulli: Entuziazëm i paparë, bllokohet FB me billbordat e BDI-së
Data e publikimit: 15.12.2019
Data e recensionit: 17.12.2019
Recensuese: Ajnur Bafqari
Në tekstin që po recensojmë autori thur elozhe për partinë politike të cilës ia ka kushtuar të gjithë tekstin. E gjithë përmbajtja është “kokë e këmbë” lëvdatë dhe në asnjë mënyrë nuk mund të quhet artikull gazetaresk. Autori i tekstit në fjalë, porositë e tija i bën me qëllim që të ndikojë mbi opinionin publik, por tekstin e tij po e paraqet si artikull gazetaresk gjë që aspak nuk ngjan si i tillë.
“Se BDI është e madhe si parti politike nuk kërkon shumë analizë e thellë, mjafton ti numërosh fitoret që nga themelimi i saj dhe përfundon me një fjalë “BDI-ja e pamposhtur”. Një tregues interesant se BDI është fuqi ndodhi sonte pas publikimit të një video promovuese të kongresit të katërt të kësaj partie ku Facebook-u u bë blu me ngjyrat e kësaj partie.”- thuhet në tekst.
Kur lexuesi klikon për tu informuar, por lexon vetëm “reklamë”
Përmbajtja e tekstit krijon përshtypje se kemi të bëjmë me një “reklamë të paguar politike”, ndërkohë që ajo që na bën konfuz është fakti që i njëjti tekst është vendosur në kategorinë e lajmeve. Në këtë tekst, ajo që shihet me sy të lirë është anshmëria politike, gjegjësisht manipulimi me lajmin që qëllim kryesorë ka hedhjen e dritës pozitive mbi një subjekt të caktuar politik. Autori me këtë tekst, shkel parimet e kodit të gazetarëve ku thuhet:
KODI ETIK
“Raportimi për proceset politike, veçanërisht për zgjedhjet, duhet të jetë i paanshëm dhe i balancuar. Gazetari patjetër duhet të sigurojë distancë profesionale nga subjektet politike”
Numra, përqindje dhe parashikime “në ajër”
Autori flet për rritje të fuqisë politike të partisë në fjalë, në tekstin e tij fut numra, përqindje, parashikon fitore, por asnjërën nga këto nuk i bazon tekstualisht askund. Flet për qëndrime brenda partiake, se gjoja ata kërkojnë që kreu i deritanishëm të vazhdojë të mbetet në krye të partisë edhe në 4 vitet e ardhshme, por të gjitha këto i lë në ajër, asnjë burim të informacionit, as referenca, as asgjë.
Komentimi duhet patjetër të jetë i ndarë në mënyrë të qartë nga raportimi
Autori gjatë gjithë kohës promovon qëndrime politike, pa ndarë në asnjë moment faktet nga mendimi, gjatë gjithë kohës është subjektiv, nuk ka balancë, mban anë dhe të gjitha komentet i fut si pjesë integrale në tekst. Kujtojmë se, për komentimin ka një lloj tolerance, nëse gazetari mban distancë të caktuar emotive nga ngjarjet dhe nëse qëndrimet e tij i bazon në argumente, por komentimi duhet patjetër të jetë i ndarë në mënyrë të qartë nga raportimi dhe nuk duhet të ngarkojë lajmin me diskursin subjektiv të gazetarit ose medias.
Koncepti i manipulimit “Prova selektive” “Thirrja e emocioneve” dhe “Efekti i pritshmërisë së monitoruar”
Autori në tekstin e tij, ka përdorur manipulime të shumta, siç janë provat selektive, ku në mungesë të fakteve, është bazuar vetëm në një video promovuese të partisë, duke e paraqitur atë si fakt për mbështetje të pretendimit të tij. Autori në të njëjtën kohë injoron gjithçka tjetër, që është kundër këtij pretendimi. Autori poashtu në vend të fakteve, zgjedh të bazohet në bindje, me qëllim që të ngjallë emocione. Ndërsa nëpërmjet konceptit të “efektit të pritshmërisë së monitoruar”, autori i atribuon vlerë më të madhe rezultateve, pavarësisht se ato nuk i mbështet në asnjë studim, me qëllim që të konfirmojë pritjet nga ata që nuk e mbështesin.
Mos bini pre e manipulimeve!
Që lexuesit të mund të dallojnë nëse bëhet fjalë për produkt gazetaresk ose vetëm për një “reklamë të paguar politike” duhet ta kenë parasysh një gjë, se anshmëria dhe komentimi, në favor të një partie politike, parashikimi se e njëjta mund të jetë fituese ose hiperbolizimi në favor të saj, kanë për qëllim vetëm që të krijojnë përshtypje të thellë tek lexuesit dhe të bëjnë shpëlarje truri. Ndonjëherë titulli flet shumë, nëse shihni një titull si ky, të jeni të bindur se teksti nuk e ka për qëllim të ju informojë.
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari