Informacioni gjithnjë duhet të verifikohet nga gazetari
Rrjetet sociale janë hapësira që disa e zgjedhin për të bërë publik mendimet e tyre. Varësisht rëndësisë së figurës ose personit në jetën publike, postimet në disa raste mund të shfrytëzohen edhe si bazë për lajm. Kjo nuk vlen për të gjitha rastet. Definitivisht, jo për rastin e tekstit që recensojmë.
Linku deri te artikulli origjinal: Zyrtari i BDI-së nga Dibra “selam” Agim Nuhiut?!
Data e publikimit: 13.01.2020
Data e recensionit: 22.01.2020
Recensues: Fatlume Dervishi
Mesazhi kryesor që përcjellë autori i lajmit lexohet në fjalinë ku shkruan “Deri sa udhëheqësia e BDI-së po merret me partitë tjera, si duket kësaj partie i ka hy flaka mes veti”. Kjo fjali shton kuriozitetin e lexuesve për të vazhduar më tej dhe për të mësuar se për çfarë “flake” bëhet fjalë. Po kaq kurioz të bën edhe titulli. Cili është “selami” që i çohet zëvendësministrit Agim Nuhiu dhe pse është përdorur kjo fjalë nga zhargoni i përditshëm?
“Burime të Gazetës Lajm thonë se zyrtari i BDI-së, Ramadan Imeri, i njohur si “i fuqishmi i partisë në Dibër”, i ka derguar porosi ngacmuese zëvendësministrit të punëve të brendshme Agim Nuhiut. “Agim Nuhiu, Dibra ka burra dhe ka pas edhe pa ty, ka pas dhe do ket!?!?”, ka shkruar sipas burimeve tona, Imeri në Facebook. – shkruan në tekstin që recensojmë.
Nuk ka sqarime.
“Për momentin nuk ka sqarime as nga BDI, as nga Ramadan Imeri, e as nga Nuhiu lidhur me prapavijën e kësaj porosie dhe domethënien konkrete tësaj.” Edhe gazetari ka kaq shumë gjëra të paqarta rreth këtij informacioni sa as ai vetë nuk i ka fshehur hamendjet. Nëse është kaq e paqartë përmbajtja e lajmit (e postimit në fejsbuk), është e paqartë edhe rëndësia që ka. Pse duhet lexuesve t’u interesojë një status i tillë në fejsbuk nga Ramadan imeri, pse kjo përbën lajm dhe pse duhet të ketë sqarime nga zëvendësministri i Brendshëm.
Nëse kjo nga gazetari është konceptuar si përplasje brendapartiake dhe nëse nuk ka sqarime nga Imeri dhe Nuhiu, gazetari duhet të paktën të kishte kërkuar sqarime nga BDI-ja. Ai nuk thotë se BDI-ja, pas tentimeve që ka bërë, nuk ka pranuar të sqarojë ose të komentojë. Ai thjeshtë thotë se “nuk ka sqarime as nga BDI”.
Teknikat e manipulimit
Në këtë lajm, lexuesit i ofrohen vetëm prova selektive. Autori ka pasur “prirje për të treguar fakte që flasin për mbështetje të një pretendimi dhe në të njëjtën kohë injorim të fakteve që janë kundër të njëjtës”. Ai pretendon për përplasje brenda një partie dhe ka zgjedhur vetëm një status në fejsbuk për ta mbështetur pretendimin e tij. Kjo teknikë sqarohet në Doracakun e Crithink-ut.
Për lexuesit
Është bërë lajm prej diçkaje që në realitet nuk përbën lajm. Një titull “me spec” dhe një lajm i këtillë janë siguri për më klikime por sa më senzacional titulli, aq më larg të vërtetës objektive dhe interesit publik është lajmi. Jo çdo figurë është relevante që të ndiqet nga gazetarët në rrjetet sociale dhe opinioni i gjithkujt nuk mund të zërë hapësirë mediatike. Lajm do të ishte nëse gazetari do të kishte arritur të hulumtojë, të shfrytëzojë burimet e tij dhe të zbulojë se bëhet fjalë për ndonjë përplasje brendapartiake, përplasje idesh, koncepesh ose politikash, brenda partisë së njëjtë. Është detyrë e gazetarit ta verifikojë lajmin dhe jo të presë që dëshmitë, burimet dhe reagimet t’i vinë të gatshme.
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari