Imunizimi masiv në Veles po zhvillohet në mënyrë të përshpejtuar – si në pikën e vaksinimit ashtu edhe nëpër shtëpi

Në Pikën e vaksinimit në Veles, të vendosur në sallën sportive të Shkollës së mesme profesionale „Kole Nedelkovski” nga data 25 maj deri më 13 korrik, gjithsej janë vaksinuar 13.945 qytetarë. Prej tyre, 9.531 persona me një dhe 4.414 me dy doza të vaksinave „AstraZeneka”, „Sinofarm”, „Pfizer” dhe „Sinovak”. Asnjë prej qytetarëve të vaksinuar nuk ka raportuar për efekte të padëshiruara, shkruan Vërtetëmatësi.

Shkruan: Ubavka Janevska

Gjithsej 137 ose 1 përqind e numrit të përgjithshëm të qytetarëve të cilët tashmë janë vaksinuar në Veles deri më 12 korrik të këtij viti, vaksinën e pranuan në shtëpitë e tyre. Dy muaj e gjysmë para fillimit të imunizimit në terren në vendin tonë, punonjësit shëndetësorë të Shërbimit të imunizimit pranë Shtëpisë së shëndetit në Veles vaksinuan 72 persona me vaksinën „Sinofarm” dhe 65 me „AstraZeneka”. Këta qytetarë edhe dozën e dytë të vaksinës e pranuan në shtëpi. Të gjithë janë 60 vjeç e më shumë, të sëmurë kronik ose të paaftë për të lëvizur. Më 31 mars, kur filloi vaksinimi kundër „Kovid-19″ në Shtëpinë e shëndetit në Veles, ky institucion shëndetësor publik vuri në dispozicion të Shërbimit të imunizimit automjete mjekësore dhe shoferë.

U mobilizuan mjekët dhe infermieret. U ndanë në ekipe të përbërë nga një mjek dhe një infermiere, me çka u përfshinë gjashtë mjekë dhe pesë infermiere nga Shërbimi për mbrojtjen preventive të fëmijëve parashkollorë, dy mjekë dhe katër infermiere nga Shërbimi i imunizimit, gjashtë mjekë praktikantë dhe tetë infermiere nga Shërbimi i patronazhit . Komunën e ndanë në zona vaksinimi në kushte shtëpiake.

Dy muaj e gjysmë më vonë, më 12 korrik, kur Ministria e Shëndetësisë njoftoi zyrtarisht se po fillonte me vaksinimin në terren, ekipet e Shtëpisë së shëndetit në Veles vetëm u rigrupuan. Disa prej tyre vazhduan të vaksinojnë në shtëpitë në Veles, ndërsa pjesa tjetër shkuan në vendet e banuara dhe zonat rurale të Velesit dhe komunat Çashka, Gradsko dhe Llozovo.

Një ditë më vonë, më 13 korrik, me një listë në dorë, një ekip i përbërë nga një mjeke dhe një infermiere filluan imunizimin ditor në Veles. Në listë ishin 13 qytetarë për vaksinim në kushte shtëpiake. I pari ishte Abdija Tikveshanec, i cili dozën e parë të vaksinës „Sinovak” e pranoi në shtëpinë e tij, në rrugën „Todor Abrashev” në Veles. Shtatëdhjetë e katër vjeçari Gornovranovec, i cili jeton në Veles, vuan nga diabeti dhe si rezultat i sëmundjes ka të dëmtuar 80 përqind të shikimit, me çka bën pjesë në kategorinë e qytetarëve të rrezikuar nga Kovid-19. Pasi i analizua historia e sëmundjeve të tij dhe iu dhanë këshilla mjekësore për gjithçka që duhet të kishte kujdes pas pranimit të vaksinës, ai u vaksinua.

Miqtë më regjistruan në vakcinacija.mk e pastaj edhe pranë Shtëpisë së shëndetit për ta marrë vaksinën në shtëpi. Sa  mirë që më mbaruan punë miqtë e mi. As që e kam ditur se mund të vaksinohem në shtëpi. Prandaj edhe regjistrimin e bëra me vonesë.  Kisha dyshime se si do shkoja deri te pika e vaksinimit në Veles. Por, çdo gjë përfundoi mirë. E falënderoj mjeken dhe infermieren. Nuk ndjeva kurrëfarë dhimbje kur më shpuan.  Duhet të vaksinohemi, së pari për sigurinë personale, dhe pastaj të kontribuojmë edhe për shëndetin kolektiv në vend. Kjo është veçanërisht e rëndësishme tani kur çdo ditë në televizion po dëgjojmë informacione për shfaqjen e një virusi të ri, llojin Delta të virusit, si një kërcënim për njerëzimin, tha Tikveshanec.

Pas vizitës në shtëpinë e Tikveshanec, ekipi i imunizimit vazhdoi t’i kërkojë qytetarët e tjerë të interesuar në pallatet në qendër të qytetit dhe në Lagjen e re në Veles. Një pjesë e qytetarëve banonin edhe në kodrat të cilat e rrethojnë qytetin.

Mjekja Marina Todorovska është pjesë e Shërbimit të imunizimit pranë Shtëpisë së shëndetit në Veles.  Nga data 31 mars ajo për çdo ditë bën vaksinimin e qytetarëve. Si koordinatore e Pikës së vaksinimit në Veles, ajo tha se asnjë nga qytetarët e interesuar për vaksinim në kushte shtëpiake nuk mbeti i pavaksinuar.

Kur po vaksinonim vetëm në dy pikat e vaksinimit në Shtëpinë e shëndetit, të hënën i shënonim qytetarët të afërmit dhe miqtë e të cilëve vinin dhe na njoftojnë se personi nuk mund të vinte në terminin e caktuar për atë ditë. Sapo të kishim shënuar pesë qytetarë, një ekip dilte në terren dhe i vaksinonte ata. Bëhej fjalë kryesisht për qytetarë të moshës së mesme ose të moshuar, me sëmundje bashkëshoqëruese dhe të rrezikuar nga sëmundjet infektive. Në kohën kur epidemia e Kovid-19 ishte në kulminacionin e saj, për t’i përmbushur nevojat e të gjithë qytetarëve të interesuar për vaksinim në shtëpi, ekipet vishnin skafandra, mantela, kapele, maska ​​mbrojtëse dhe vizirë. Tani, nga 12 korriku, për imunizim në terren ekipet shkojnë në të gjitha vendbanimet në Veles, si dhe në komunat fqinje të Çashkës, Llozovës dhe Gradsko. Ne i vaksinojmë të gjithë ata që dëshirojnë, pa dallim nëse kanë shprehur apo jo interesim në vakcinacija.mk, shtoi Todorovska.

Sipas të dhënave të Shërbimit të imunizimit në Veles, numri më i madh i qytetarëve të vaksinuar janë të moshës mesatare dhe më të vjetër, për dallim nga më të rinjtë. Kjo ndodh për shkak të dëshirës së të rinjve për t’u vaksinuar me vaksinën „Pfizer”. Edhe përkundër 4.791 dozave të pranuara të këtij lloji të vaksinave në Veles, Termini im u dha mundësinë vetëm një përqindjeje të vogël të të rinjve nën 30 vjeç që të vaksinohen me të.

Në Pikën e vaksinimit në Veles, të vendosur në sallën sportive të Shkollës së mesme profesionale „Kole Nedelkovski” nga data 25 maj deri më 13 korrik, gjithsej janë vaksinuar 13.945 qytetarë. Prej tyre, 9.531 persona me një dhe 4.414 me dy doza të vaksinave „AstraZeneka”, „Sinofarm”, „Pfizer” dhe „Sinovak”. Asnjë prej qytetarëve të vaksinuar nuk ka raportuar për efekte të padëshiruara

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.