I merret licenca satelitore “Russia Today” në Gjermani, Kremlini hakmerret me mbylljen e shërbimit rus të “Deutche Welle”-s
Autoritetet ruse ndaluan transmetimin e programeve të korporatës mediatike gjermane Deutsche Welle në vend, mbyllën zyrën e saj dhe hoqën akreditimet e gazetarëve për të punuar në Rusi. Vendimi pasoi vetëm dy ditë pasi Gjermania hoqi licencën e transmetimit satelitor të kanalit televiziv shtetëror rus Russia Today (RT) në territorin gjerman. Menjëherë më pas, YouTube e bllokoi kanalin gjerman RT në platformën e tij disa orë pas fillimit të transmetimeve në dhjetor.
Autoritetet ruse ndaluan transmetimin e programeve të korporatës mediatike gjermane Deutsche Welle në vend, mbyllën zyrën e saj dhe hoqën akreditimet e gazetarëve për të punuar në Rusi. Vendimi pasoi vetëm dy ditë pasi Gjermania hoqi licencën e transmetimit satelitor të kanalit televiziv shtetëror rus Russia Today (RT) në territorin gjerman. Menjëherë më pas, YouTube e bllokoi kanalin gjerman RT në platformën e tij disa orë pas fillimit të transmetimeve në dhjetor.
Ministria e punëve të jashtme e Rusisë njoftoi se po hakmerret me masa ndaj mediave gjermane të akredituara në Rusi, si dhe në platformat e internetit, të cilat në mënyrë arbitrare dhe të paarsyeshme fshinë kanalet e RT. Zëdhënësja e Ministrisë së punëve të jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, të enjten deklaroi se Rusia do të shpallë një sërë masash kundër mediave gjermane lidhur me ndalimin e RT DE.
Agjencia shtetërore e lajmeve RIA Novosti ka publikuar planin e veprimit të Qeverisë ruse kundër kompanisë mediatike gjermane Deutsche Welle. Krahas mbylljes së zyrës së Deutsche Welle-s në Moskë dhe revokimit të akreditimeve të të gjithë punonjësve të byrosë ruse të radio dhe TV kompanisë, është paralajmëruar edhe pezullimi i transmetimeve satelitore dhe transmetimeve të tjera të Deutsche Welle-s. Më pas, pason procedura për shënimin e medias si agjent i huaj dhe ndalimi i hyrjes në Rusi për përfaqësuesit e strukturave shtetërore dhe publike gjermane të përfshirë në heqjen e licencës së RT DE. Lista e emrave nuk do të bëhet publike.
Drejtori i përgjithshëm i DW, Peter Limburg, tha se vendimi i qeverisë ruse vetëm do e përforcojë vendosmërinë e DW për të raportuar mbi ngjarjet në Rusi.
Ky është një tjetër sinjal se qeveria ruse nuk është e interesuar për lirinë e shtypit dhe lirinë e mendimit. Edhe sikur të duhet të largohemi nga vendi, ne do t’i intensifikojmë raportimet për vendin. Ne nuk do e injorojmë atë që po ndodh në Rusi, por do e raportojmë. Dhe do ta bëjmë këtë gjithnjë e më shumë, tha drejtori i përgjithshëm, Limburg, i cili reagimin e Rusisë e vlerësoi si “totalisht të ekzagjeruar”.
Deutsche Welle, e cila transmeton në 30 gjuhë, përfshirë edhe në rusisht, ka njoftuar se do të ndërmarrë masa ligjore.
Pas ndalesës, Shoqata Gjermane e Gazetarëve (DJV) i bëri thirrje presidentit rus Vlladimir Putin që ta tërheqë menjëherë atë dhe t’ua kthejë akreditimet e gazetarëve.
Nuk ka asnjë justifikim për këtë masë drastike të censurimit, tha presidenti i DJV, Frank Uberal, duke e quajtur këtë veprim një “hakmarrje të lirë” për vendimin e rregullatorit gjerman të medias.
Nga ana tjetër, Vlladimir Sollovjov, president i Unionit të Shoqatave të Gazetarëve të Rusisë, për RIA Novosti thа se Deutsche Welle ndonjëherë ka shkelur ligjet ruse, por për shumë vite me radhë ka punuar lirshëm në Rusi.
Së pari, Unioni i Shoqatave të Gazetarëve gjithmonë është kundër çdo kufizimi në media, si kundër kufizimeve ndaj mediave tona jashtë vendit, ashtu edhe ndaj punës së mediave të huaja në vendin tonë. Ne jemi për lirinë e shtypit. (Deutsche Welle – red.arg.) ndonjëherë shkelte ligjin rus, u bënte thirrje njerëzve për mitingje dhe publikonte tekste dhe karikatura krejtësisht të turpshme drejtuar udhëheqësve të shtetit rus. Me sa duket erdhi koha për t’i dhënë fund kësaj,” tha Sollovjov për RIA Novosti.
Më 1 shkurt, Komisioni Gjerman i Regjistrimit dhe Mbikëqyrjes së Rregullatorëve të Medias e ndaloi zyrtarisht transmetimin e kanalit televiziv RT DE në Gjermani, duke thënë se nuk e kishte lejen e nevojshme. Ndërkohë RT njoftoi se RT DE Productions do të apelojë vendimin e rregullatorit gjerman në gjykatë.
“Russia Today” nga data 16 dhjetor 2021 transmetonte program në Gjermani përmes një licence të marrë në Serbi. Leja u dha nga Autoriteti Rregullator i Mediave Elektronike të Serbisë, i cili, duke u thirrur në ligjin evropian, i mundësoi televizionit rus të transmetonte në Gjermani.
Organi rregullator gjerman vlerësoi se licenca serbe është e pamjaftueshme, sepse kompania që prodhon programin e RT DE është e vendosur në Berlin dhe objektivi i saj është audienca gjermane.
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari