Hulumtimi i publikuar në një faqe interneti që përhap dezinformata, paraqitet si një zbulim i madh shkencor
Të gjitha pretendimet e shkencëtarëve gjermanë të paraqitura në këtë artikull nuk paraqesin një zbulim zyrtar shkencor të njohur, as nuk janë botuar në ndonjë revistë shkencore me recenzim (peer-review). Pretendimi se testet PCR jepnin rezultate masive falso-pozitive është në kundërshtim me konsensusin shkencor, studimet klinike dhe praktikën në të gjitha sistemet shëndetësore.
Po analizojmë një postim në rrjetin social Facebook që thotë:
Shkencëtarë gjermanë:Vetëm një nga shtatë testet pozitive PCR ishte vërtet infektues.
Postimi ndan gjithashtu një artikull nga faqja e internetit “Bota e Lirë” , e njohur për përhapjen e dezinformatave, ku thuhet se hulumtuesit gjermanë Michael Günther dhe Robert Rockenfeller për herë të parë kanë treguar, bazuar në të dhëna zyrtare, se gjatë pandemisë Covid-19 vetëm një nga shtatë testet pozitive PCR në fakt tregonte infeksion me Covid-19. Në artikull thuhet gjithashtu se këta shkencëtarë i kanë paraqitur pretendimet e tyre në një intervistë për Multipolar (kjo ueb-faqe është e njohur në Gjermani si medium që shpesh publikon pretendime kontroverse ose shkencërisht të pambështetura).
Pretendimet e shkencëtarëve gjermanë të paraqitura në këtë artikull nuk janë zbulim zyrtar shkencor i njohur, as nuk janë botuar në revistë shkencore me recenzim. Pretendimi se testet PCR jepnin rezultate masive të rreme-pozitive është në kundërshtim me konsensusin shkencor, studimet klinike dhe praktikën në të gjitha sistemet shëndetësore.
Günther dhe Rockenfeller nuk janë “teoricienë të njohur të konspiracionit”, të paktën sipas biografisë së tyre akademike: Günther ka arsim mjekësor/psikiatrik, ndërsa Rockenfeller është matematicient me karrierë shkencore. Pretendimet që ata i kanë bërë (sipas Multipolar) për testet PCR vijnë si pjesë e një analize të bazuar në të dhëna zyrtare, por kjo nuk do të thotë se përfundimet e tyre pranohen nga komuniteti i gjerë shkencor.
Pretendimet e tyre gjenden vetëm në Multipolar si dokument analitik i vetëpublikuar dhe nuk janë publikim shkencor me peer-review.
Asnjë nga institucionet e mëposhtme nuk e ka mbështetur interpretimin e tyre se vetëm një nga shtatë testet pozitive PCR ishte vërtet infektues: Instituti gjerman Robert Koch (RKI), Shoqata Gjermane e Virologjisë, Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), OBSH, as revistat kryesore (Nature, Lancet, Science, JAMA…).
Konsensusi shkencor mbetet i njëjtë: testet PCR kanë specifikitet shumë të lartë dhe rezultatet falso-pozitive janë jashtëzakonisht të rralla.
Testi PCR, i cili u përdor kudo në botë gjatë pandemisë Covid-19, është test molekular i miratuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH). Testimi në fakt konsiston në marrjen e mostrës më thellë në fyt dhe hundë me shkop me majë pambuku, zgjat disa sekonda dhe është i sigurt, si çdo analizë e ngjashme tjetër që ne të gjithë e kemi bërë shumë herë deri tani. Pastaj kjo mostër dërgohet në laborator në kushte të veçanta për analizë.
Shkaku i një testi të pasaktë mund të jetë marrja e dobët ose e pamjaftueshme e mostrës, për shkak të pakujdesisë ose jo-profesionalizmit të teknikëve të laboratorit, ose për shkak të ndotjes së mostrës në faza të ndryshme të përgatitjes. Përveç kësaj, nëse njerëzit testohen në fillim të infeksionit, mund të ketë rezultate të rreme-negative.
Këto teste, të cilat kërkojnë shenjat e infeksionit aktiv, janë të sigurta dhe janë mënyra më e besueshme për të zbuluar nëse dikush është aktualisht i sëmurë.
Testi PCR është metoda e preferuar për testimin e Covid-19 kudo në botë. Zëdhënësi i Institutit anglez të Shëndetit Publik i tha Reuters-it se:
Testet diagnostike molekulare, si PCR, janë standardi i artë për identifikimin e personave me infeksion aktiv viral, si SARS-CoV-2 (shkaku i sëmundjes Covid-19), në traktin respirator. Këto teste janë të shpejta dhe japin rezultate në kohë reale.
Është e rëndësishme të theksohet se zbulimi i materialit viral me PCR nuk do të thotë se virusi është plotësisht i paprekur dhe infektues, pra i aftë të shkaktojë infeksion te të tjerët. Izolimi i virusit infektues nga personat pozitivë kërkon metoda të mëtejshme. Këto metoda mund të kryhen vetëm në laboratorë me kushte speciale dhe janë të gjata dhe komplekse.
Nga të gjitha sa më sipër mund të konkludojmë se postimi që po e analizojmë është i pavërtetë.
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari