Heshtje e zëshme nga partitë pas shfuqizimit të dispozitave në Kodin Zgjedhor
Edhe pse interpretohet si fitore e shoqatave dhe iniciativave të pavarura përballë partive të mëdha politike, shfuqizimi i dy neneve kontestuese nga Kodi Zgjedhor nga ana e Gjykatës Kushtetuese ka lënë një boshllëk ligjor, për të cilin nuk është e qartë nëse do të plotësohet. Këtë e tregojnë mekanizmat e zbatimit që i ka Gjykata Kushtetuese, të cilët kufizohen në monitorim dhe vërejtje, heshtja e partive gjatë dy ditëve të fundit dhe bashkimi e uniteti i tyre kur vitin e kaluar vendosën ta shkelin Kushtetutën, duke miratuar ndryshimet tashmë të shfuqizuara të Kodit
Shkruan: Teofil Bllazhevski
Prej dy ditësh, partitë politike “në mënyrë të zëshme” po heshtin për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e dy neneve nga Kodi Zgjedhor, të cilat ua vështirësonin kandidimin kandidatëve të pavarur apo shoqatave të qytetarëve për zgjedhjet lokale që po afrohen. Deri tani, kjo heshtje flet mjaft qartë për qëndrimin e tyre ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila në arsyetimin e saj theksoi se bëhet fjalë për kufizim të demokracisë dhe të drejtës kushtetuese për pluralizëm politik, si dhe për cenim të së drejtës së garantuar për të votuar dhe për t’u zgjedhur.
Megjithatë, me këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese u krijua edhe një zbrazëti juridike në Kodin Zgjedhor, për të cilën nuk është aspak e sigurt nëse do të plotësohet deri në shpalljen e zgjedhjeve lokale. Pse ndodhi kjo dhe çfarë mund të bëjë vetë Gjykata Kushtetuese për të siguruar zbatimin e vendimit?
Të bashkuar kundër të pavarurve
Vetëm një rikujtim i shkurtër për problemin mjafton për të treguar se partitë dhe grupet e mëdha politike janë të njëzëshme kur bëhet fjalë për pastrimin e terrenit për garë politike dhe sigurimin e ekskluzivitetit vetëm për veten e tyre. Dy nenet e shfuqizuara u shtynë përpara në Kuvend në mars të vitit 2024, së bashku me disa ndryshime të tjera në Kodin Zgjedhor. Pikërisht ashtu – u shtynë, sepse nëse lexohet dokumenti dhe vlerësimi për gjendjen, si dhe qëllimet e ndryshimeve, këto dy nene nuk përmenden askund në procedurën hyrëse.
Përveç kësaj, propozimi u paraqit nga një grup deputetësh – propozuesit janë Martin Kostovski, Nikola Micevski dhe Arber Ademi (nga LSDM, VMRO-DPMNE dhe BDI) – pra, së bashku, dhe këtë e dëshmon edhe rezultati i votimit. Kanë qenë të pranishëm 87 deputetë, dhe kanë votuar për 85 prej tyre nga përbërja e atëhershme e Kuvendit, gjë që mund të shihet saktësisht nga shënimi për detajet e votimit.
Thelbi i dy ndryshimeve ishte rritja e kufizimeve për kandidim, sepse në vend të 1.000 nënshkrimeve kërkohej 1 përqind e trupit votues (shih nenin 17 dhe 18).
Çfarë mund të bëjë Gjykata Kushtetuese?
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, në konferencën për shtyp ku e shpalli vendimin, ishte i qartë se vendimi është shfuqizues, dhe jo anulues, që do të thotë se fshihen vetëm këto dy nene nga Kodi Zgjedhor, se ai është detyrues dhe se ligjvënësi duhet urgjentisht ta plotësojë zbrazëtinë juridike që krijohet në lidhje me kandidaturat nga grupet e zgjedhore.
Meqë bëhet fjalë për një vendim shfuqizues, dhe jo anulues, është e njohur gjerësisht se ne nuk jemi ligjvënës, që do të thotë se me këtë vendim nuk rikthehet në fuqi rregulli i mëparshëm juridik. Ne nuk jemi ligjvënës, ne mund të heqim normat kontestuese. Kjo do të thotë se ligjvënësi duhet sa më shpejt të ndërmarrë veprim për të plotësuar këtë zbrazëti juridike që ka lindur nga vendimi ynë, përndryshe, mosveprimi eventual do të nënkuptonte shkelje të mëtejshme dhe kufizim shtesë të lirive dhe të drejtave të qytetarëve, si dhe një shkelje e rëndë e pluralizmit politik – të gjitha këto janë vlera themelore të rendit tonë kushtetues… Në këtë moment nuk ekziston një rregull juridik që përcakton kushtet në të cilat qytetarët e pavarur mund të marrin pjesë. Kuvendi është i detyruar të veprojë menjëherë për të rregulluar këtë situatë dhe, gjatë këtij procesi, menjëherë të marrë parasysh të gjitha qëndrimet tona – deklaroi Kostadinovski.

Kur bëhet fjalë për mekanizmat që i qëndrojnë në dispozicion Gjykatës Kushtetuese për të “detyruar” përgjegjësit, përkatësisht partitë në Kuvend, që ta plotësojnë zbrazëtinë juridike, ato janë të rregulluara në Aktin e Gjykatës Kushtetuese, i cili është në fuqi që nga viti i kaluar dhe që, në fakt, e zëvendësonte Rregulloren e mëparshme që funksiononte që nga viti 1992.
Në kapitullin që flet për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese thuhet:
Neni 85
(1) Detyrimi për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese fillon nga dita e publikimit të tyre në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut”.
(2) Vendimet e Gjykatës Kushtetuese ekzekutohen pa asnjë vonesë.
Neni 86
Gjykata Kushtetuese monitoron sipas detyrës zyrtare ekzekutimin e vendimeve të saj dhe mund të kërkojë të dhëna dhe informacione në lidhje me masat e marra për ekzekutimin e vendimit.
Por, në pjesën e titulluar Sigurimi i zbatimit dhe në Konstatimin e moszbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, janë të përfshira vetëm këto dy nene:
Neni 90
Gjykata Kushtetuese, sipas nevojës, do të kërkojë nga organet publike që të sigurojnë zbatimin e vendimit.
Neni 91
Në bazë të të dhënave dhe njoftimeve të mëparshme, Gjykata Kushtetuese mund të marrë një vendim të veçantë me të cilin konstaton se vendimi i saj nuk është zbatuar dhe do ta njoftojë Prokurorinë kompetente, si dhe organin që ka emëruar ose zgjedhur udhëheqësin e organit apo trupit që nuk e ka zbatuar vendimin e Gjykatës.
Nga kjo bëhet e qartë se Gjykata Kushtetuese mund vetëm të kërkojë nga organet publike që të sigurojnë zbatimin.
“Vullnetin politik mund ta sigurojë vetëm frika?”
Edhe pse në një shtet me një ndërgjegje të zhvilluar lart për demokracinë, konstatimet e Gjykatës Kushtetuese për “shkelje të rënda të lirive dhe të drejtave të njeriut dhe shkelje të rënda të pluralizmit politik” do të kishin shkaktuar së pari keqardhje, e më pas interes për veprim të shpejtë nga partitë kryesore politike në Kuvend, për momentin konstatimi po përballet me heshtje të zëshme. Të pyetur dje (21.05.) nga një nga mediat, partia në pushtet tha se do ta analizojë arsyetimin me shkrim të Gjykatës Kushtetuese (i cili do të jetë gati vetëm javën tjetër), ndërsa ajo në opozitë nuk na ka dhënë përgjigje fare.
Në faqet e tyre zyrtare nuk ka asnjë deklaratë, komunikatë apo reagim. Ajo që eventualisht mund t’i motivojë për një përgjigje të shpejtë është mundësia që për “Veçer” e theksoi avokati dhe ish-kryetar i Komisionit Shtetëror Zgjedhor, Aleksandar Novakovski:
Nëse nuk bien dakord për kushtet dhe kriteret e reja, atëherë nuk do të ekzistojë detyrimi për mbledhjen e nënshkrimeve dhe as sa nënshkrime duhet të mblidhen konkretisht. Kjo do të thotë se çdo qytetar do të mund të kandidojë për kryetar komune, nëse dëshiron, edhe me paraqitje personale.
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari