Gratë në Ukrainë shkojnë vullnetarisht në shërbim ushtarak
Postimi dezinformon se NATO po e shtyn Ukrainën të luftojë deri në ukrainasin e fundit. Ky është një pretendim nënvlerësues për mijëra ushtarë në Ukrainë dhe veprimet patriotike dhe mbrojtëse që ata po ndërmarrin kundër agresionit rus. Nuk është gjithashtu e vërtetë që nuk kishte burra, kështu që Zelensky “dërgon gra të vriten në front”. Gratë janë vullnetare për shërbim dhe numri i tyre është rritur që nga pushtimi ushtarak rus në Ukrainë.
Po shqyrtojmë një postim të publikuar në rrjetin social Facebook, ku thuhet:
Ne e dimë se NATO po e shtyn Kievin të “luftojë deri në ukrainasin e fundit”. A po u mbarojnë burrat tani? Perla e fundit e Zelenskiy: dërgimi i vajzave të reja në llogore në vijat e para të frontit – për t’u qëlluar dhe ndoshta vrarë, apo ndoshta është thjesht për të rritur moralin?
Më pas shpërndahet një video pamje e grave në autobus, të veshura me uniforma ushtarake me flamurin ukrainas, duke kënduar një këngë. Postimi ndau gjithashtu dezinformatën se NATO po e shtyn Kievin të luftojë deri në ukrainasin e fundit.
Në fakt, kjo nuk është hera e parë që thuhet. Një gjë e tillë, për shembull, disa muaj më parë (10.08.2020) tha Sergey Kiriyenko, një zyrtar i lartë politik në Rusi. Kjo retorikë është përhapur zyrtarisht nga politikanët në Rusi, duke përfshirë edhe vetë Vladimir Putinin në përpjekje për të gjetur justifikim për agresioni ushtarak rus.
NATO nuk është palë në konflikt dhe nuk e ka shtyrë Ukrainën të luftojë
Ukraina u pushtua nga Rusia më 24 shkurt 2022. Pushtimi brutal i Rusisë shkaktoi krizën më të madhe të refugjatëve në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore, 8 milionë ukrainas ishin persona të zhvendosur brenda vendit në maj 2022 dhe deri atëherë 8 milionë ishin larguar nga vendi.
Pushtimit ushtarak i parapriu vendosja e trupave ushtarak rus në kufirin Rusi-Ukrainë dhe në kufirin Rusi-Bjellorusi (duke filluar në fillim të vitit 2021), si dhe një kërkesë nga Rusia për të ndaluar ligjërisht Ukrainën që të anëtarësohet në NATO. Në ditët para pushtimit, Rusia njohu Republikën e vetëshpallur Popullore të Donetskut dhe Republikën Popullore të Luhanskut, e cila u pasua nga një pushtim nga forcat e armatosura ruse në Donbas në Ukrainën Lindore. Të nesërmen, Këshilli i Federatës Ruse votoi për autorizimin e Presidentit të Shtetit për të përdorur forcën ushtarake jashtë kufijve të Federatës Ruse.
Rusia filloi luftën, Ukraina mbron veten
NATO është një aleancë mbrojtëse që synon mbrojtjen e anëtarëve të saj. NATO, sipas politikave zyrtare, nuk kërkon konfrontim dhe nuk është kërcënim për Federatën Ruse. NATO nuk bëri një pushtim ushtarak në Gjeorgji, as në Ukrainë. Rusia e bëri atë. NATO i është drejtuar vazhdimisht dhe publikisht Rusisë gjatë 30 viteve të fundit.
Ne kemi punuar së bashku për të luftuar terrorizmin dhe drogën, edhe gjatë periudhës së zgjerimeve të NATO-s. Por në vitin 2014, në përgjigje të veprimeve agresive të Rusisë kundër Ukrainës, NATO pezulloi bashkëpunimin praktik me Rusinë. Ne nuk kërkojmë konfrontim, por nuk mund të injorojmë faktin se Rusia po shkel rregullat ndërkombëtare, duke minuar stabilitetin dhe sigurinë tonë, thuhet në faqen zyrtare të NATO-s.
Në përgjigje të përdorimit të forcës ushtarake nga Rusia kundër Ukrainës, NATO dërgoi katër grupe shumëkombëshe në shtetet baltike dhe Poloni në vitin 2016. Para aneksimit të paligjshëm të Krimesë nga Rusia, nuk kishte trupa të NATO-s në pjesën lindore të Aleancës..
Në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, NATO ka përmirësuar ndjeshëm qëndrimin e saj mbrojtës duke përfshirë 4 grupe të reja në pjesën lindore të Aleancës. Në samitin e NATO-s në Madrid, aleatët ranë dakord se Rusia është kërcënimi më domethënës dhe i drejtpërdrejtë për sigurinë e tyre dhe për paqen dhe stabilitetin në zonën euro-atlantike. Gjithashtu, aleatët ranë dakord për të forcuar pozicionin e NATO-s. Por aleatët vazhdojnë të tregohen të hapur për të patur kanale të hapura komunikimi me Moskën për të parandaluar përshkallëzimin.
Zgjerimi i NATO-s nuk është një kërcënim për Rusinë
NATO është një aleancë mbrojtëse që synon mbrojtjen e vendeve anëtare. Çdo vend që i bashkohet NATO-s i përmbahet parimeve dhe politikave të saj. Këtu përfshihet angazhimi se NATO nuk kërkon konfrontim dhe nuk përbën kërcënim për Rusinë, gjë që u konfirmua edhe në samitin e Brukselit.
Zgjerimi i NATO-s nuk është i drejtuar kundër Rusisë
Çdo komb sovran ka të drejtë të zgjedhë rregullimet e veta të sigurisë. Ky është një parim themelor i sigurisë evropiane, të cilit Rusia i është bashkuar dhe duhet ta respektojë. Në fakt, pas Luftës së Ftohtë, Rusia nxitoi të ndërtojë një infrastrukturë gjithëpërfshirëse të sigurisë evropiane, duke përfshirë Kartën e Parisit, themelimin e OSBE-së, krijimin e Këshillit të Partneritetit Euro-Atlantik, shkruan në faqen e NATO-s.
NATO nuk i premtoi kurrë Rusisë se nuk do të zgjerohej pas Luftës së Ftohtë. Dera e NATO-s ka qenë e hapur për anëtarët e rinj që nga krijimi i saj në 1949 dhe kjo nuk ka ndryshuar kurrë. Çdo vend evropian që është në gjendje të thellojë më tej parimet e Aleancës dhe të kontribuojë për sigurinë, mund të aplikojë për anëtarësim.
Ukraina dhe Gjeorgjia kanë të drejtë të zgjedhin se cilët do të jenë aleatët e tyre dhe Rusia nuk ka të drejtë të diktojë këtë zgjedhje. Ne hedhim poshtë të gjitha idetë për qarqet e ndikimit në Evropë, ato janë pjesë e historisë dhe duhet të mbeten atje, thotë NATO.
Infrastruktura e NATO-s jashtë territoreve të aleatëve është e kufizuar në territoret ku aleatët kanë operacionet e tyre. Kështu, NATO ka objekte në Kosovë për misionin paqeruajtës të KFOR-it. NATO ka zyra civile në shtetet partnere si Gjeorgjia, Moldavia, Ukraina dhe ato nuk mund të konsiderohen baza ushtarake.
NATO nuk është në luftë me Rusinë në Ukrainë
Ne NUK jemi në luftë me Rusinë dhe nuk duam konfrontim. Ajo që NATO po bën është të mbështesë Ukrainën në të drejtën e saj për vetëmbrojtje, siç thuhet në Kartën e OKB-së. Në muajt e kaluar, ne kemi marrë masa rreptësisht mbrojtëse për të forcuar praninë e trupave të NATO-s në pjesën lindore të Aleancës. Kjo siguron që në Moskë nuk do të ketë vend për keqkuptime rreth vullnetit tonë për të mbrojtur aleatët tanë. Detyra jonë kryesore është të mbajmë aleatët tanë të sigurt. Ne kemi përgjegjësinë të sigurojmë që konflikti të mos përshkallëzohet dhe të mos përhapet jashtë Ukrainës, sepse kjo do të ishte edhe më e rrezikshme,shkruan faqja e NATO-s, ku ata hedhin poshtë mitet dhe ofrojnë fakte.
Sa për gratë në ushtrinë ukrainase, ato i bashkohen vullnetarisht shërbimit për të mbrojtur vendin e tyre kundër agresionit rus. Ushtria ukrainase ka një numër të madh grash në radhët e saj dhe ato vetë vendosin të shkojnë në shërbim.
Në shtator 2022, Al Jazeera raportoi se 50 mijë gra shërbejnë në forcat e armatosura të Ukrainës në role të ndryshme.
Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, numri i grave që iu bashkuan vullnetarisht ushtrisë ukrainase është rritur. Janë rreth 50,000 gra që shërbejnë, 10,000 prej të cilave janë në front ose në pozicione që mund t’i dërgojnë ato në front. Para pushtimit, në ushtri kishte 32 mijë gra. Shërbimi ushtarak për gratë në Ukrainë është vullnetar, shkruan Aljazeera.
Gratë që janë profesioniste në mjekësi duhet të regjistrohen, gjë që hap mundësinë që ato të dërgohen në shërbim nga lista. Pra, vetë regjistrimi nuk do të thotë se ata do të dërgohen në front. Për të gjithë të tjerët, shkuarja në ushtri është vullnetare.
Për shkak të të gjitha fakteve të mësipërme, ne e vlerësojmë postimin që po shqyrtojmë si të pavërtetë. Nuk është e vërtetë që NATO po e shtyn Ukrainën të luftojë deri në ukrainasin e fundit. Ky është një tregim nënvlerësues për mijëra ushtarë në Ukrainë dhe veprimet patriotike dhe mbrojtëse që ata po ndërmarrin kundër agresionit rus. Nuk është gjithashtu e vërtetë që nuk kishte burra, kështu që Zelensky “dërgon gra të vriten në front”. Gratë shkojnë vullnetarisht në shërbim dhe numri i tyre është rritur që nga pushtimi ushtarak rus në Ukrainë.
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari