Gjorgje Ivanov – pesë vite hapërim prapa në integrimet euroatlantike

gjorge-ivanov

Shkruna: Vlladimir Petreski

Edhe pse me një pasqyrë të paqartë për atë se çka e pret, në vitin 2009 Gjorgje Ivanov kishte së paku entuziazëm për zgjidhjen e problemit të emrit dhe për të arritur te caku i rrugëtimit drejt integrimeve euroatlantike. Sot ai entuziazëm nuk ekziston, nuk ka ide të reja, nuk ka propozime të reja, ka vetëm pozita të forta dhe të pandryshueshme, të cilat vështirë se mund të ndryshohen edhe për shkak të qëndrimeve të ashpra të partisë në pushtet, e cila edhe e propozoi, por edhe për shkak të gjithë procesit të antikuizimit, i cili la shije të hidhur në marrëdhëniet maqedono-greke. Edhe programi aktual parazgjedhor edhe paraqitjet e reja të Ivanovit paraqesin beteje të re në llogore në negociatat për emrin, për të cilën pala maqedonase nuk kanë armë që mund ta përdorin, e për municion të mos flasim.

“Me padurim presim të bashkëpunojmë me kryetarin e sapozgjedhur Gjorge Ivanov, që t’i ndihmojmë Maqedonisë të arrijë integrim të plotë euro-atlantik, sa më shpejt që është e mundur”, deklaroi zëdhënësi i Stejt Departmentit, Endi Lejni për Zërin e Amerikës në gjuhën maqedonase.

7 prill 2009

Retorika e kryetarit Gjorgje Ivanov në fushatën parazgjedhore, sot është krejtësisht ndryshe nga ajo e para 5 viteve. Dallimet janë dramatike dhe ato janë rezultat i qorsokakut në të cilin u fut Republika e Maqedonisë në aspekt të integrimeve euroatlantike dhe i stagnimit dhe i shkuarjes prapa në këtë drejtim.

Nëse para 5 vitesh, pas debaklit të Samitit të NATO-së në Bukuresht, fliste me entuziazëm për ardhmërinë maqedonase në BE dhe në NATO, sot, shumë më shpesh dhe fillimisht flet për tema siç janë: uniteti shtetëror, (“shteti para së gjithash”), e madje edhe për tema nga ekonomia, siç janë investimet e huaja dhe vendet e punës, për të cilat, thjesht, ka kompetenca minore.

Kur bëhet fjalë për emrin, në këtë fushatë parazgjedhore, Ivanovi i përsërit fjalët e njëjta, fjalë të cilat tashmë vite me radhë i dëgjojmë edhe nga kryeministri Nikolla Gruevski. Ato janë pjesë e programit të tij parazgjedhor për zgjedhjet aktuale presidenciale:

“Nuk pranoj ndryshim të Kushtetutës me qëllim që të ndryshohet emri kushtetues. Nuk pranoj ose propozime që do ta rrezikonin identitetin nacional maqedonas, veçorinë e popullit maqedonas, gjuhën maqedonase dhe modelin maqedonas të bashkëjetesës. Si kryetar, nuk do të lejoj zgjidhje të kontestit që do të imponohet nga Greqia, pa u deklaruar paraprakisht për këtë qytetarët e Maqedonisë në referendum, e gjatë kësaj shumica e qytetarëve që do të dalin në referendim të pajtohen me zgjidhjen.”

Citimi i mësipërm haset çdokund: në fjalimet e tij nëpër tubime, në llogaridhënie, e poashtu u tha edhe në fjalimet e tij të rregullta vjetore para deputetëve. Këto fjalë e ka paraqesin edhe “shtyllën e dytë” në programin parazgjedhor të Ivanovit menjëherë pas kërkesës për unitet shtetëror dhe para çdo gjëje tjetër. Nga ana tjetër, ajo që gjatë zgjedhjeve të kaluara ishte temë kryesore për Ivanovin, integrimet euro-atlantike, tani janë shtylla e largët e tetë, ndërsa, “forcimi i Sistemit për siguri nacionale”, për të cilëne kryetari ka kompetenca të konsiderueshme si komandant suprem i forcave të armatosura, kalon edhe më keq dhe gjendet në vendin e 12-të, bile edhe pas “bashkëpunimit rajonal me vendet e Evropës Juglindore” dhe “përkrahjes së projekteve kyçe infrastrukturore rajonale”.

Në tekstin e parë, fjalimi i parë nga programi i ri aktual parazgjedhor, me titull ”Porosi për qytetarët”, çështja e emrit dhe integrimet euro-atlantike as që përmenden. Mirëpo, nga ana tjetër përmenden “vendet e reja të punës” dhe programi për rizgjedhjen e kryetarit Ivanov, duket sikur është bërë në masë të madhe të jetë përkrahje për përpjekjet e VMRO-DPMNE-së në zgjedhjet parlamentare, në vend që të jetë e kundërta – partia që e përkrah për kryetar shteti t’ia japë gjithë përkrahjen e mundshme kandidatit të saj presidencial. Nga ana tjetër, kjo nuk duhet të na befasojë. Edhe atë veçanërisht nëse shihet se si janë organizuar tubimet e partisë në pushtet, ku kryeministri Gruevski flet i pari dhe shumë më gjatë se sa Ivanovi, ndërsa ai pret t’i vijë radha.

 

Koha e shpresave sado të vogla qofshin: viti 2009

“Tani është koha për përforcimin e mëtutjeshëm të procesit eurointegrues të Maqedonisë.”

Nga programi parazgjedhor i Gjorgje Ivanovit në vitin 2009.

Mirëpo, nuk ishte gjithmonë kështu. Në vitin 2009, përveç gafeve (me të cilat nuk do të merremi këtu) të shkatuara nga mospërvoja e qartë e atëhershme politike dhe përpjekjet e pasuksesshme për humor mendjehollësi, te Ivanovi kishte së paku një shkëndijë, një energji dhe vullnet të qartë për futjen e vendit në BE dhe në NATO, ndërsa si parakusht për këtë zgjidhja e çështjes së emrit. Premtimi i përsëritur shumë herë i Ivanovit në zgjedhjet e vitit 2009 ishte se do të organizojë edhe takim me kryetarin grek. Kjo nuk ndodhi asnjëherë. Sot, është pikëpyetje, për shembull se sa do të ishte i mundur një takim i tillë në Shkup – asnjë politikan grek nuk do të vijë në aeroportin e quajtur “Aleksandri i Madh”, të udhëtojë nëpër autostradë që quhet “Filipi i Dytë i Maqedonisë”. Do të duhet të aterojë në Prishtinë dhe prej atje të vijë me automobil – siç bëri ministri grek për punë të jashtme, Evangellos Venizellos, gjatë vizitës në shkurt, në cilësi të ministrit për punë të jashtme të kryesuesit të Këshillit të ministrave të BE-së.

Në zgjedhjet e mëparshme presidenciale Ivanovi në fjalimet e tij në fillim fliste për eurointegrimet. Ja se çka thuhej në programin e atëhershëm për proceset integruese në kapitullin ”Маqedonia: Një pjesë e familjes evropiane të shteteve dhe të kombeve”:

“Tani është koha për përforcimin e mëtutjeshëm të procesit euro-integrues të Maqedonisë…”

“Vendi i Republikës së Maqedonisë është në Bashkimin Evropian. Maqedonia e sheh pozitën e saj të ardhshme në Evropë të hapur. Angazhim yni i përhershëm mbeten integrimet evropiane. Pozita gjeografike, historia dhe kultura e bëjnë Republikën e Maqedonisë pjesë përbërëse të civilizimit evropian. Vendi ynë është pjesë e hapësirës evropiane të cilit i takojmë në aspekt kulturor, civilizues dhe politik. Bashkimi Evropian është qëllimi ynë. Maqedonia është pjesë e Evropës dhe i kultivon vlerat e demokracisë, të drejtat e njeriut dhe sundimi i të drejtës. Maqedonia është e përgatitur ta ndërmarrë pjesën e saj të obligimit për ardhmërinë e Evropës sipas vlerave të komunitetit evropian…”

“Jemi të përcaktuar fuqishëm të marrim pjesë në projektin e madh të ndërtimit të Evropës së plotë dhe të lirë…”

“Idetë e Manifestit të Krushevës e kanë bazën e njëjtë vizionare sikurse edhe qëndrimet e krijuesve të Evropës moderne. Në rrugën prej Ilindenit deri në Evropë, në vizionet dhe në veprat e rilindasve dhe veprimtarëve maqedonas, Maqedonia u paramendua si shtëpi për të gjithë – vend pjesë e të cilit janë të gjithë ata që ëndërrojnë për botën si fushë për garë kulturore ndërmjet popujve. Identiteti evropian del nga identiteti i secilit komb evropian, të ndërlidhura me vlerat e përbashkëta kulturore. Identiteti maqedonas është parakusht për identitetin tonë evropian. Prandaj, emri nuk është çështje dytësore. Ai është themeli dhe shtylla e përkatësisë sonë evropiane.”

Nuk ka asnjë fjalë për Aleksandrin e Madh, Filin e të ngjashme. Edhe për Ivanovin, në vitin 2009 kryesore ishin idetë e veprimtarëve të Ilindenit, me ç’rast dëshira e tyre për Maqedoni të pavarur ai në mënyrë të drejtpërdrejtë e lidh me dëshirën e shumicës dërrmuese të qytetarëve të Maqedonisë në vitin 2009 për anëtarësi në BE dhe në NATO.

ivanov-utrinskiEntuziazmi i tij sa i përket zgjidhjes së problemit të emrit dhe integrimeve euro-atlantike ishte i dukshëm edhe në fjalimet e tij të atëhershme nëpër tubime, por edhe menjëherë pas deklaratës së tij të parë pas fitores më 8 prill 2009, siç njoftoi Utrinski vesnik:

Në deklaratën e parë që e dha Ivanovi pas shpalljes së fitores në “Holiday inn”, dukshëm i entuziazmuar tha se votat me të cilat i është dhënë besimi paraqesin obligim që ta ndërmarrë “përgjegjësinë për Maqedoni evropiane, pa viza të Shengenit dhe anëtare të NATO-s”. Ditën e ardhshme ai e përsëriti qëndrimin se pas marrjes zyrtare të funksionit të kryetarit të shtetit do të inicojë takim në nivel të kryetarëve të shteteve ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë.

“Fushata dhe zgjedhja ishin pjesa më e lehtë, tani na presin të gjitha sfidat për jetë me dinjitet, integrimin tonë në BE dhe në NATO dhe përfundimin e çështjes së emrit. Do të insistoj që të gjitha institucionet e shtetit të fokusohen në këtë çështje, të japim kontribut të plotë për zgjidhjen e këtij kontesti dhe vijmë deri te ajo që në programin zgjedhor dhe gjatë fushatës e emëruam si kompromis të arsyeshëm, kompromis që nuk do të jetë në dëm të identitetit maqedonas”, tha Ivanovi.

Siç është zakon, ai pranoi edhe urime nga sekretari i atëhershëm i përgjithshëm i NATO-s, Jap de HopShefer, Stejt Departmenti i SHBA-ve dhe përfaqësuesi i atëhershëm i lartë i BE-së për politikë të jashtme, Havier Solana, me ç’rast të gjithë i dëshiruan sukses dhe sa më shpejtë t’i futet punës për zgjidhjen e problemit me emrin. Por, që atëherë menjëherë u paraqitën dyshimet e para.

Tregimi për motorët dhe frenat

“Kryetari duhet të jetë motori i integrimeve euroatlantike të Maqedonisë”,

Gjorgji Ivanov, viti 2009

Ivanovi asnjëherë nuk foli për planin eventual si të arrihet deri te qëllimi i dëshiruar dhe nuk lëvizi i nga formula e dyfishtë, e cila që atëherë u refuzua nga pala greke. Pastaj, erdhi “kompromisi i arsyeshëm” i pafat dhe asnjëherë i pasqaruar, me tautologjinë shoqëruese me emër të njëjtë: “Kompromisi i arsyeshëm është kompromis i arsyeshëm”.

Por, megjithatë, nëse asgjë tjetër, nga fjalimet e Ivanovit, shihej interesim për t’u ballafaquar me këtë çështje. Ja se çka tha më 23 shkurt 2009:

“Në periudhën e ardhshme energjia jonë do të orientohet, para së gjithash, drejt marrjes së datës për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE, për shkak se ky është prioriteti më i lartë i vendit këtë vit”, potencon kandidati presidencial, duke shtuar se vlerat evropiane do të jenë motiv për politikën e tij të jashtme.

“Kryetari duhet të jetë motori i integrimeve euro-atlantike të Maqedonisë”, potencoi Ivanovi, sipas të cilit me rëndësi është të ketë bashkëpunim ndërmjet institucioneve. Maqedonia, sipas tij, nuk do të heqë dorë nga ndërtimi i marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore, ndërsa një pjesë e programit të tij do të jetë politika e hapur ndaj të gjithë fqinjëve dhe gjetja e zgjidhjeve të përbashkëta për të gjitha problemet.

Megjithatë, dinte të jetë edhe kontradiktor, kështu që në artikullin e njëjtë do të thotë:

Në lidhje me problemin e emrit, Ivanovi thotë se edhe “askush nuk ka të drejtë të kërkojë ndryshim të emrit të një vendi, për shkak se në historinë e diplomacisë, në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare në të drejtën ndërtkombëtare nuk ekziston ndonjë akt, dokument, institucion, procedurë që mund t’u imponojë ta ndryshoni emrin, domethënë të gjitha argumentet janë në anën tonë”.

Por, edhe nga përgjigjet, sikurse në këtë fjalim inaugurues si kryetar i posazgjedhur, në Kuvend më 12 maj 2009, shihej qëllimi i sinqertë për t’u ballafaqura me sfidën:

“Të nderuar, para nesh gjendet edhe një sfidë e madhe. Sfidë që në mënyrë më të fuqishme dhe më të qartë e vërtetoi urtësinë tonë historike, aspiratat tona kombëtare dhe vendin tonë në botë. Kjo sfidë quhet Maqedoni evropiane.”

“…Agjenda ime politike është e qartë dhe e padyshimtë: Maqedonia anëtare e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian, e fuqishme, e respektuar dhe barabartë, ndërsa qytetarët e saj krenarë, të pasur dhe të lumtur. Për këtë qëllim, Maqedonia vazhdon të hapërojë pa ndërprerje, të hapërojë në rrugën e integrimeve euroatlantike, duke udhëhequr politikë të përgjegjshme të jashtme dhe të brendshme, duke i zbatuar në mënyrë të përkushtuar standardet më të larta.”

Ndërsa në fjalimin e tij të parë para deputetëve më 23 dhjetor të vitit 2009, ai foli për raportin e parë të plotë pozitiv dhe rekomandimin e Komisionit Evropian për fillimin e negociatave, të cilat, siç dihet, asnjëherë nuk filluan:

“Gjatë vitit 2009, Maqedonia shënoi sukses të jashtëzakonshëm në planin e eurointegrimeve. Maqedonia arriti për herë të parë të marrë raport të plotë pozitiv nga Komisioni Evropian dhe rekomandim për fillimin e negociatave. Procesi disavjeçar i cili e bashkoi shoqërinë maqedonase, mori përfundim pozitiv dhe konkret në një fazë të rëndësishme.”

Siç e dijmë tani shumë mirë, nuk bëhet fjalë për asnjë lloj “përfundimi pozitiv dhe konkret”. Deri më sot, raportet pozitive të Komisionit Evropian dhe rekomandimet e rregullta vjetore për fillimin e negociatave shfrytëzohen dhe “shiten” si suksese, edhe pse nuk pamë asnjë hajr prej tyre.

Nga ana tjetër, ja se çka tha Ivanovi në fjalimin e tij të fundit para deputetëve, më 23 dhjetor 2013:

“Në vitin 2009, në momentin kur e mora detyrën e kryetarit, në planin e jashtëm-politik, Republika e Maqedonisë, akoma këndellej nga padrejtësia e Bukureshtit. Optimizmi me të cilin e pritnim anëtarësimin tonë të merituar në NATO u shndërrua në dëshpërim të madh.

Por, për pesë vite të paplota gjërat ndryshuan, për shkak se ne nuk u gjunjëzuam dhe nuk pranuam ultimatume joparimore.

Kishim fitore të madhe juridike dhe morale me vendimin e Gjykatës ndërkombëtare të Hagës.

I gjithë mandati im është i shoqëruar me raporte pozitive nga Komisioni Evropian për përparimin e Maqedonisë. Pesë vjet me radhë marrim rekomandime për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.”

Porblemi qëndron në atë se as pesë, as dhjetë raporte pozitive nuk na afrojnë në BE, ashtu siç nuk bëri as vendimi i gjykatës në Hagë, i cili, si duket akoma është një pikë e rëndësishme e pushtetit aktual në strategjinë për negociata për emrin. Aq më tepër, ata kanë ndërmend që vendimin e gjykatës në Hagë ta vendosin para Këshillit për siguri të Kombeve të Bashkuara, edhe pse është e paqartë se çka do të sillte kjo, përveç edhe një “fitoreje morale”, e cila, poashtu nuk na afron deri te qëllimi:

“Janë krijuar kushtet që të kërkohet nga sekretari gjeneral i Kombeve të Bashkuara, në përputhje me kompetencta e tij, të dorëzojë raport deri te Këshilli për siguri i Kombeve të Bashkuara për gjendjen në të cilën gjenden bisedimet që i udhëheq mediatori Nimic. Janë krijuar kushtet që të kërkohet nga Këshilli për siguri të efektuohet vendimi i Gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë.”

Hapi i këtillë edhe më tepër do t’i përforcojë “pozitat në llogore” të të dyja palëve, ashtu siç tha vetë Ivanovi në vitin 2009, duke e analizuar gjendjen pas Bukureshtit, me ç’rast ka gjasa që animoziteti të rritet edhe më tepër. Atëherë parashtrohet pyetja se a do të na presë edhe një projekt Shkupi 2014 ose ndoshta diçka edhe më e shtrenjtë, me përmendore edhe më groteske dhe akoma më tepër objekte me emrat Aleksandër dhe Filip anembanë vendit.

Akoma qëndron ashensori i bllokuar

“Prioritet më të lartë gjatë mandatit e kam pasur ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe sigurisë së vendit.”

Gjorgji Ivanov, 23 dhjetor 2013

Ardhja e Ivanovit në pushtet si kryetar në vitin 2009 u bë pas Bukureshtit, i cili paraqiti goditje të rëndë për shpresat e Maqedonisë për tejkalimin e problemit me emrin dhe Ivanovi, së paku sipërfaqësisht, ishte i vetëdijshëm për këtë:

“Tani jemi në një ashensor të bllokuar, jemit ë bllokuar dhe kemi një lloj statusi të vendit të bllokuar, këtu tani ka një rrezik të madh, për shkak se vetë e dini se ku bllokoheni në ashensor, në një moment të caktuar fillon ksenofobia, fillon frika dhe zënka e ndërsjellë.”

Me këtë vlerësim ai kishte të drejtë. Problemi qëndron në atë se vendi akoma i bllokuar në ashensorin e njëjtë, dhe edhe pas 5 vitesh të mandatit të tij si kryetar shteti, vendi nuk është as një hap më afër ndonjë zgjidhjeje. Shenjat e para se “fillon frika dhe zënka e ndërsjellë “ tashmë i pamë me trazirat në Bit Pazar dhe para qeverisë më 2 mars të vitit të kaluar, ndërsa në planin politik edhe më parë – më 24 dhjetor 2012, kur opozita u largua me dhunë nga Parlamenti.

Problemi qëndron në atë se Ivanovi rinte i qetë në ashensorin e bllokuar me emrin Maqedoni, shihte se çka ndodh dhe jo vetëm që nuk tha asnjë fjalë, por plotësisht u rreshtua në anën e pushtetit i cili e propozoi, i pranoi dhe i mbrojti pozitat e saj. Kur filloi procesi i antikuizimit me vendosjen e përmendoreve në vitin 2010, emërtimi i një sërë objektesh me emrat Aleksandër dhe Filip dhe ndërtimi i objekteve në stilin barok, Ivanovi nuk ishte askund. Edhe pse e dinte, ose së paku duheshte ta dijë se me një projekt të tillë thjesht shemben gjasat për çfarëdo lloj kompromisi, pa marrë parasysh se a është i arsyeshëm ose i paarsyeshëm. Ai heshti aq shumë në atë rast dhe u humb, sa që askush nuk kërkonte mendim prej tij, sepse atëherë dihej se ose nuk do të marrë përgjigje, mirëpo edhe sikur të merrej ndonjë përgjigje ajo do të ishte e parëndësishme për shkak se të gjithë penjtë i tërhiqte kryeministri Nikolla Gruevski.

Ndryshimi i tij përfundimtar u pa në fjalimin që e përmendëm më lartë më 23 dhjetor të vitit të kaluar. Përveç dy fjalive jobindëse në fillim (“Përkundër pengesave dhe bllokadave, gjatë viteve të kaluara pozita jonë ndërkombëtare përforcohet. Fitojmë gjithnjë e më shumë partnerë, miq dhe përkrahës në Bashkimin Evropian, në NATO, në botë.”), të cilat janë tepër të dyshimta (cila pozitë e jona ndërkombëtare është duke u forcuar, cilët janë ata përkrahës të shumtë që nuk i dijmë), ky fjalim është në kundërshtim të plotë me atë të vitit 2009.

Integrimet euro-atlantike më nuk janë prioriteti më i lartë, por prioritet më i lartë është diçka tjetër:

“Prioritet më të lartë gjatë mandatit e kam pasur ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe sigurisë së vendit.”

Prioritet më i lartë i joni nuk është ardhmëria evropiane e vendirt dhe bindja e vendeve anëtare ta përkrahin Maqedoninë, por “përforcimi i autoritetit ndërkombëtar” dhe njëfarë kthimi i çuditshëm nga Kombet e Bashkuara, por edhe kthimi i njohur nga Rusia dhe Kina, me ç’rast përfitimet nga e gjithë kjo mbeten të paqarta dhe në asnjë mënyrë nuk mund të maten me anëtarësinë në NATO, si aleancë më e fuqishme mbrojtëse në botë dhe në BE, ku shkon edhe 60 për qind e eksportit maqedonas:

“Vëmendje të njëjtë u kushtova edhe qendrave evropiane dhe atyre joevropiane. Kjo, gjithsesi, dha rezultate.

Me përkrahjen e madje 177 vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara, Maqedonia u zgjodh anëtare e Këshillit për të drejtat e njeriut të Kombeve të Bashkuara. Kjo është mirënjohje për angazhimin e Maqedonisë për mbrojtjen dhe për promovimin e të drejtave të njeriut dhe të drejtën e dinjitetit njerëzor.”

Vazhdimisht kam punuar në avancimin e miqësive të vjetra dhe në krijimin e miqësive të reja për Maqedoninë. Me të gjitha anëtaret e përhershme të Këshillit të sigurisë së Kombeve të Bashkuara, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Federatës Ruse, Republikës Popullore të Kinës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës, i thelluam raportet e vjetra dhe ndërtuam raporte të reja.

otchet-ivanovNë një situatë kur nuk ka suksese edhe llogaridhënia e Ivanovit duket shumë e çuditshme. Ai fillon me fotografi nga takimet me burrështetasit e huaj, të tilla që në portfolion e tij ka çdo kryetar shteti, ndërsa kapitulli i parë aspak nuk i është kushtuar integrimeve euro-atlantike, por hapjes së “rrugës për tregje të reja” dhe krijimit të “mundësive të reja ekonomike për prodhuesit e Maqedonisë”, e më pas thuhet: “në këtë funksion ishin edhe vizitat në Kazakistan, Azerbejxhan, Katar, Kinë…”. Çdokush që pak ka njohuri për tregtinë ndërkombëtare të Maqedonisë e di mirë se me këto vende nuk kemi fare këmbim tregtar. Pastaj, thuhet se janë “thelluar” marrëdhëniet me SHBA-të, edhe pse nuk tregohet si, që pastaj vëmendja menjëherë të kthehet nga Rusia dhe Kina dhe takimet me burrështetasit e tyre. Këtu përmendet edhe Rrjedha jugore, e cila është shpallur si sukses i madh, që është tepër problematike për shumë arsye. Si e para, Maqedonia do të lidhet me Rrjedhën jugore në mënyrë indirekte, nëpërmjet një krahu që fillimisht do të kalojë nëpër Serbi, e pastaj kjo do të na bëjë edhe më të varur nga gazi rus, prej ku edhe ashtu marrim 100 për qind të gazit, e sa është veprim i mençur që të jemi aq të varur nga Putini dhe petrokratët dhe tajkunët rusë, mjafton të pyetet Ukraina, e veçanërisht brengosës është fakti që gazsjellësin do ta ndërtojë kompania “Strojtransgaz”, e cila është në pronësi mu të një petrokrati rus, mik personal i Putinit dhe i cili këtë kontratë biznesi e ka fituar pa asnjë tender për shumë të panjohur parash.

Pastaj, është dhënë një statistikë hutuese për takimet me kryetarët e vendeve të rajonit, me ç’rast del se Ivanovi është takuar 21 herë me kryetarin e Shqipërisë ose mesatarisht më shumë se njëherë në tre muaj, ndërsa me krytearët e Serbisë dhe Malit të Zi është takuar 17 herë ose mesatarisht mbi 3 herë në vit. Me kryetarët e 10 vendeve të rajonit, Ivanovi ka realizuar gjithsej 112 takime në periudhë prej 60 muajsh ose thuajse nga dy takime në muaj. Pse ka pasur nevojë për këtë dhe çka është arritur, nuk tregohet. Sikurse që nuk është theksuar se, në fakt, nuk  bëhet fjalë për takime të vërteta ndërmjet dy kryetarëve, por për pjesëmarrje të përbashkët në samite, konferenca e të ngjashme, të cilat në programin zgjedhor janë shënuar si “takime” që të duken si aktivitet i madh. Por, edhe sikur t’i trajtojmë si të tilla, vetëm katër vende me kryetarët e të cilëve Ivanovi “është takuar” aq shpesh janë anëtare të BE-së (Rumania, Bullgaria, Kroacia dhe Sllovenia), por asnjëra prej tyre nuk ka fuqi dhe ndikim të konsiderueshëm që të tejkalohet pengesa për anëtarësimin tonë në BE. Kuptohet, nga lista e vendeve menjëherë vërehet se mungon takimi me kryetarin e Greqisë.

Marrja e pozitave edhe për 5 vite fluturim në vend

“Do të insistoj që aleatët tanë në NATO ta respektojnë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”.

Nga programi parazgjedhor i Gjorgje Ivanovit, viti 2014

Pastaj vjen kapitulli që ka të bëjë me BE-në dhe i cili, në fakt, është arsyetim për atë që nuk jemi anëtarë të BE-së, me ç’rast është përshkruar gjendja me problemin me emrin. Gjërat bëhen edhe më të paqarta në vazhdim, kur vjen kapitulli me titull “Republika e Maqedonisë – emri, identiteti, tradita”, ku qytetarëve të Maqedonisë u sqarohet se pse është e rëndësishme  çështja e emrit, edhe atë në mënyrë që kryetari Ivanov e citon veten e tij, gjegjësisht njërin nga fjalimet e tij përplot me bazë nacionale:

“Emri dhe identiteti janë pjesë e jona dhe ne jemi pjesë e tyre. Emri dhe identiteti janë si një lum që rrjedh me shekuj… Të heqim dorë nga identiteti është sikur të kërkohet ta shterrim lumin ujin e të cilit e pijmë, frutet e të cilit i hamë, lum nga i cili jetojmë edhe ne, sikurse që kanë jetuar edhe paraardhësit tanë, siç duhet të jetojnë edhe pasardhësit tanë pas nesh.” Pelince, 2 gusht 2013

Në këtë kapitull mund të haset edhe një fjali e këtillë:

“…në takimet e shumta arrita t’i bind përfaqësuesit e huaj se çështja e emrit dhe e identitetit është çështje për të drejtat e njeriut dhe të drejtën për dinjitet njerëzor.”

Sikur kryetari të kishte qenë aq bindës, atëherë parashtrohet pyetja se ku janë rezultatet e bindshmërisë së tillë. Kjo është e para, kurse e dyta është fakti se qytetarëve të Maqedonisë nuk ka nevojë askush t’u tregojë se cila është rëndësia e emrit dhe identitetit të tyre. Nëse ata për ndonjë temë kanë dëgjuar shumë gjatë 23 viteve të kaluara, ajo është tema që lidhet me emrin dhe identitetin. Problemi kryesor është që llogaridhënia, për nga definicioni, duhet të tregojë se çka është bërë, e jo të shërbejë për ngritjen e krenarisë nacionale ose si arsyetim për atë që nuk është bërë. Por, në situatën e këtillë në të cilën gjendet Ivanovi, si duket kjo është zgjidhje e vetme.

Pastaj vazhdon të habitë retorika e Ivanovit kur do të dëgjohen fjalimet e tij në tubimet gjatë kësaj fushate zgjedhore. Përveç asaj që ai ka “pozitë të dytë”-  pas kryeministrit, ai vazhdimisht flet për gjëra që nuk janë në kompetencë të tij, por në kompetencë të qeverisë. Në tubime më tepër flet edhe për sukseset e qeverisë (ashtu siç ajo i sheh) se sa për sukseset e tij. Në tubimin në Llozovë foli për nivelin e subvencioneve të paguara dhe për zhvillimin e bujqësisë, në Çashkë foli për “sjelljen e pothuajse 2 miliardë eurove investime të huaja”, në Veles për zgjidhjen e problemit të papunësisë, në Negotinë për “industtrinë e verës dhe turizmin e verës” dhe për parcelat e ofruara për ndërtim, ndërsa në tubimin në Vallandovë për arin e gjetur i cili është marrë, i cili edhe pse akoma ndriçon në Anska Reka (“Akoma ndriçon nga ari që paraardhësit tanë e kanë gjetur aty”), si dhe për “rekonstruimin e linjës hekurudhore prej Nogaevcit deri në Negotinë”, që në Strumicë dhe në Shkup t’u rikthehet qëndrimeve të tij “të forta” për emrin.

Se sa kanë ndryshuar punët, mund të shihet edhe nëse i rikthehemi përsëri programit zgjedhore, por kësaj radhe në pjesët ku Ivanovi me të vërtetë ka kompetenca, e ajo është politika e jashtme. Kapitulli që i përshkruan parimet fillon, për çudi të Ivanovit, nga viti 2009 me Kombete e Bashkuara dhe Qëllimet zhvillimore të mijëvjeçarit. Thuhet se do të vazhdohet të thellohet bashkëpunimi me të gjitha vendet anëtare të Këshillit të sigurisë të KB-ve dhe potencohet anëtarësimi në Këshillin për të drejtat e njeriut të KB-ve, e pastaj shtohet se do të vazhdohet të thellohen  partneritetet e vendosura strategjike dhe se do të ndërtohen miqësi të reja. Pas gjithë kësaj thuhet:

“Si kryetar do të vazhdoj me përpjekjet për integrimin e Republikës së Maqedonisë në Bashkimin Evropian dhe në NATO.”

Dhe pastaj përsëri sqarohet ajo që ka ndodhur deri tani, në vend që të tregohet se çka do të bëhet. Kjo paraqet vetëm reprizë “kompromisit të arsyeshëm” që asnjëherë nuk u kuptua, me ç’rast tani, as ai nuk përmendet pasi me të u tall publiku. Më poshtë vjen një pjesë e re me titull ”Për integrimin në Bashkimin Evropian dhe në NATO” dhe përsëri përshkruhet gjendja aktuale. Të gjitha kartat vendosen në vendimin e Gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë, me ç’rast thuhet:

“Do të insistoj që aleatët tanë në NATO ta respektojnë vendimin e Gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë”.

Këtu janë edhe “5 raportet pozitive dhe 5 rekomandimet e Komisionit Evropian për fillimin e negociatave” që janë të pashmangshme dhe aq shpesh të përmendura dhe aq. Nuk ka asnjë strategji të re, asnjë lloj shenje për kompromis – thjesht çdo gjë mbetet me të vjetrën.

Maqedonia në NATO “insiston” të respektohet vendimi i Gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë, por vazhdimisht na refuzojnë me arsyetimin se dokumentet interne të NATO-s kanë përparësi dhe se Aleanca vendos me konsensus, i cili mungon për shkak të kundërshtimit të Greqisë. NATO-ja, edhe sikur të donte, do të kishte problem ta kalojë anëtarësimin e Maqedonisë për shkak të të drejtës për veto të fqinjit jugor. Situata është e ngjashme edhe në BE. Atje është sjellë vendim politik që së pari të zgjidhet çështja e emrit e pastaj të fillojnë negociatat për anëtarësim. Por, si duket, këto vendime edhe të BE-së dhe të NATO-s, sikur nuk arrijnë deri te Ivanovi.

Për ndonjë lloj presioni të ri mbi Greqinë nga ana e vendeve anëtare të BE-së dhe të NATO-s është shumë vështirë të flitet. Kjo nuk u bë as gjatë momenteve më të vështira të krizës ekonomike botërore në periuidhën 2009-2010, kur Greqia u shpall si fajtori më i madh për krizën, ekonomikisht ishte gjunjëzuar dhe kur nëpër shtypin everopian, e veçanërisht atë gjerman, publikoheshin një sërë tekstesh kritike për gjendjet në ekonominë, por edhe demokracinë greke. Në BE (edhe pse në margjina) madje edhe përmendej largimi i fqinjit jugor nga BE-ja, së paku deri sa nuk u pa se kjo është shumë vështirë për t’u realizuar, e ndoshta edhe e pamundur. Nëse në një situatë të tillë nuk u gjet modus për të bërë presion mbi Greqinë për tejkalimin e problemit që ajo e ka me emrin tonë, vështirë se ndonjë lloj presioni i tillë, që do të kishte ndikim pozitiv për ne, ka mundësi të ndodh tani ose në një të ardhme të afërt.

Pastrimi i ri i armëve në llogore

“Sot, kur me një konsensus të gjerë shoqëror dhe politik ecim drejt ardhmërisë euro-atlantike, nuk ka vend për dyshim në sukses.”

Fjalimi inaugurues i Kryetarit të posazgjedhur dr. Gjorgje Ivanov, 12 maj 2009

Çka solli politika e këtillë – edhe për Ivanovin edhe për pushtetin në përgjithësi, ku kryetari aktual nuk është ndonjë faktor tepër i rëndësishëm, për shkak se fuqia objektive në vend, padyshim është në duart e kryeministrit Nikolla Gruevski. Shumë thjeshtë. Kjo çoi në kthimin e maqedonasve më larg BE-së dhe NATO-s. Pas 20 vitesh politike proevropiane me të cilën ishim krenarë, kjo më nuk është kështu.

Saktë para dy vitesh, minsitri për punë të jashtme, Nikolla Popovski, në një intervistë për dyjavoren nga Brukseli “The Parliament” lavdërohej se Maqedonia është vendi më evropian në kontinent, për shkak se përkrahja për anëtarësi në BE në Maqedoni qenka 85-90 për qind. Bëhet fjalë për një numër paushall në atë moment, duke pasur parasysh se antikuizimi dhe disponimi anti-evropian atëherë filluan ta tregojnë pamjen e tyre të shëmtuar, por këto numra, edhe sikur të mos jenë reale për vitin 2012, sigurisht janë të sakta për periudhën prej 2-3 vjet më parë. Nga ana tjetër, në anketën e re të Qendrës për hulumtimin dhe krijimin e politikave, rezultatet e të cilës u publikuan në 14 shkurt të këtij viti, vetëm 40 për qind e qytetarëve të Maqedonisë kanë besim në BE, ndërsa 48 për qind aspak nuk i besojnë, që sipas rezultateve komparative me vendet e Ballkanit Perëndimor do të thotë nivel më i ulët i besimit. Duke pasur parasysh faktin se qytetarët e Shqipërisë kanë besim më të madh te BE-ja prej madje 79 për qind, e pastaj vijnë kosovarët me 59,2 për qind, me siguri të madhe mund të supozohet se niveli i besimit te BE-ja i maqedonasve etnikë në vend është edhe më i ulët se 40 për qindët e përmendur.

Pas 5 vitesh të propagandës së fuqishme, gjendja ka ndryshuar plotësisht edhe në aspektin e retorikës. Në zgjedhjet e vitit 2009, kandidati i atëhershëm i opozitës Ljubomir Fërçkovski mundi të thotë publikisht se emri Maqedonia Veriore është zgjidhje e pranueshme, nëse qartësohen të gjitha detajet tjera në mënyrë të kënaqshme, siç e bëri këtë në intervistën për Radion Evropa e Lirë më 8 mars 2009:

“Termet Maqedonia Veriore ose e Epërme janë më të mira se termi Republika e Maqedonisë (Shkupi) dhe për këtë kanë qëndrim të njëjtë historianët tanë nga ASHAM-i. Ky term është më i mirë për shkak se ka histori, e cila shkon prapa deri në antikë. Romakët e kanë quajtur shtetin tonë Maqedonia e Epërme. Dhe ky emër është më i mirë për përdorim ndërkombëtar se sa të trillojmë kllapa, e të na quajnë shkupjanë etj. etj.”

Në këto zgjedhje, kandidati aktual i opozitës Stevo Pendarovski nuk thotë asgjë të tillë. Pa marrë parasysh se a nuk ka guxim ose thjesht nuk bëhet fjalë për qëndrim të cilin e përkrah edhe ai, Pendarovski thjesht thotë se duhet të ndërtohet një qëndrim i vetëm dhe konsensus për çështjen e emrit që të mundemi të bashkuar të futemi në negociata dhe shton se referendumi që kërkon 900.000 vota që të jetë i suksesshëm, është shumë vështirë të realizohet nëse nuk ekziston përkrahja e të gjithë faktorëve të shoqërisë.

Si do që të jetë, nga ana e Ivanovit dhe partisë në pushtet nuk pamë asnjë propozim ose zgjidhje të re për zgjidhjen e problemit me emrin dhe anëtarësinë në BE dhe në NATO. Shohim vetëm thellim të llogoreve, përforcim të pozitave në llogore dhe krijim të pengesave të reja në rrugën për të arritur deri te zgjidhja, si dhe përpjekje për kthesë ekonomike jashtë BE-së, e cila tani për tani nuk jep asnjë rezultat dhe vështirë se do të japë ndonjë rezultat nëse shihen edhe treguesit e tregtisë së jashtme të vendit tonë dhe të vendeve të tjera të rajonit, që tregojnë se në aspekt ekonomik, të gjithë jemi të kthyer nga BE-ja. Nga pozita e këtillë në llogore, në rast të fitores eventuale të Ivanovit dhe të pushtetit në këto zgjedhje nuk mund të pritet asgjë e re. Mund të ketë vetëm voleje verbale ndërmjet dy llogoreve në fushëbetejën negociatore ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë dhe kjo do të ishte e tëra. BE-ja dhe NATO-ja do të mbeten të largëta, e me gjasë do të largohen gjithnjë e më shumë.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.