Gazi rus përmes gazsjellësit bullgar – aktualisht opsioni më i prekshëm për radiatorët e vakët

Fot

Qeveria tani për tani nuk ka alternativë të besueshme për blerjen e gazit për ngrohjen e shtëpive përmes ngrohjes qendrore, përveç blerjes së gazit natyror nga kompania shtetërore ruse “Gazprom” përmes gazsjellësit që vjen nga Bullgaria në Kumanovë. Duke gjykuar nga fundi i sezonit të kaluar të ngrohjes dhe duke marrë parasysh paparashikueshmërinë e politikës ruse të energjisë, edhe ky opsion nuk është i sigurt.

Siç bëjnë të ditur burime të ndryshme, termocentralet e Shkupit gjatë muajit tetor përdorin gazin rus të Gazprom-it të blerë përmes Makpetrolit për të siguruar ngrohjen e rreth 60 mijë përdoruesve në kryeqytet. “Makpetrol” ofron gaz natyror për funksionimin e ngrohtoreve të Shkupit edhe për periudhën e ardhshme.

Nga Qeveria thonë se pritet që këtë javë të marrin oferta për furnizim me gaz nga 2-3 kompani të tjera, të cilat për momentin nuk duan t’i përmendin. Me ndihmën e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, po bëhen të gjitha përpjekjet me autoritetet bullgare për të rritur kapacitetin për transportin e gazit natyror përmes gazsjellësit të vetëm ndërlidhës ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, i cili do të ofronte mundësinë për të transportuar 150 milionë metër kub gaz shtesë përveç asaj që ofron Gazprom i Rusisë.

Ideja është që presioni në gazsjellësin e ndërlidhur ndërmjet Maqedonisë dhe Bullgarisë të rritet nga 38-40 bar ekzistuese në 46 bar, që do të mundësonte transportin e sasive shtesë të gazit natyror. Siç thotë qeveria, po negociohet shfrytëzimi i gazsjellësit të ri midis Bullgarisë dhe Greqisë, i cili u hap në fillim të këtij muaji, për të siguruar sasi shtesë të gazit natyror.

Ndryshe, burime qeveritare bëjnë të ditur se oferta e liderit të opozitës VMRO-DPMNE Hristijan Mickoski ka qenë që të sigurojë gaz natyror përmes kompanisë “PGO” të regjistruar në Zvicër, e cila do të ofronte gazin rus nga “Gazprom” për vendin.

Mickoski ofroi gjithashtu blerjen e karburantit përmes një kompanie nga Republika Srpska – Bosnje dhe Hercegovinë. Kjo praktikisht do të thotë se propozimet e partisë opozitare ishin që Maqedonia të furnizohet me gaz natyror dhe naftë nga Rusia këtë dimër përmes rishitësve.

Kohët e fundit, Radio Evropa e Lirë në gjuhën boshnjake raportoi se Bosnja dhe Hercegovina është pothuajse tërësisht e varur nga nafta ruse. Meqenëse vendi nuk ka rafinerinë e vet që punon dhe prodhon derivate të naftës, Bosnja dhe Hercegovina është plotësisht e varur nga importi i karburanteve që janë pothuajse tërësisht nga përpunimi i naftës ruse. Rafineria e naftës “Brod” në Republika Srpska është gjithashtu në pronësi dominuese të kompanisë ruse “Zarubezhneft”, por edhe ajo nuk prodhon produkte nafte për më shumë se tre vjet.

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, në intervistën e djeshme për TVM, tha se ai që përmendi emrat e kompanive nuk ka pasur autorizim për të përmendur kontaktet dhe ka vepruar në mënyrë joetike. Siç tregoi ai, kompania që ofroi ishte një “pozicion” lidhur me furnizimin me gaz, pa shpjeguar saktësisht se çfarë do të thoshte. Por Mickoski thotë se ajo kompani gjoja ka ofruar furnizimin e gazit me çmim të paktën dy herë më të ulët se çmimi aktual në një takim me qeverinë.

Ndërsa për mazutin, Mickoski në intervistën për TVM-në deklaroi se më 9 tetor është mbajtur takim në Ministrinë e Ekonomisë, ku kanë qenë edhe përfaqësues të kompanisë të cilën ai e ka ofruar.

Çmimi që e kanë marrë, pasi kam marrë autorizimin, mund të them edhe çmimin e berzës minus 40 euro për ton, që do të thotë kursim prej së paku 80-90 euro për ton nga ajo që paguan shteti, tha Mickoski.

Nga Qeveria, ndërkaq, thonë se kompania e ofruar nga Mickoski nuk ka paraqitur ndonjë ofertë konkrete me çmime për gaz, naftë, apo ndonjë energji tjetër.

Ajo që lideri i VMRO-DPMNE-së nuk e përmendi në intervistën e djeshme është pakoja e fundit e sanksioneve që Bashkimi Evropian ka vendosur ndaj Rusisë. Sanksionet e fundit bënë që shtetet anëtare të BE-së të bien dakord për të kufizuar çmimin e naftës ruse pasi Moska aneksoi ilegalisht katër rajone të Ukrainës. Përveç kësaj, vendet e Ballkanit Perëndimor nuk bëjnë përjashtim nga ndalimi i importit të naftës së papërpunuar nga Rusia, kështu që Serbia, e cila ka një rafineri në Pançevë, nuk do të jetë në gjendje të importojë naftë ruse në të ardhmen përmes naftësjellësi “JANAF” që kalon përmes Kroacisë.

Ndryshe, besueshmëria e furnizimit me energji të Rusisë u përkeqësua në fund të shtatorit të këtij viti, kur një sërë shpërthimesh shkaktuan dëme në gazsjellësin “Nord Stream 1”, përmes të cilit Evropa furnizohej me gaz natyror nga Rusia. Pas pezullimit të dërgesës së gazit rus përmes “Nord Stream 1”, presidenti rus Vladimir Putin ofroi vazhdimin e dërgesave të gazit natyror përmes “Nord Stream 2”, gjë që u refuzua menjëherë nga Gjermania, shkruan Al Jazeera.

Përveç luftës energjetike që po bën me Perëndimin, Rusia kohët e fundit ka vendosur të përshkallëzojë agresionin e saj ushtarak kundër Ukrainës, duke mobilizuar 300,000 rezervistë dhe duke i dërguar ata në front, dhe zyrtarët rusë kanë kërcënuar në disa raste se Rusia do të përdorë armë bërthamore për të mbrojtur veten, në të njejtën kohë duke aneksuar në mënyrë të paligjshme katër rajonet e okupuara të Ukrainës. Pothuajse çdo ditë, vazhdojnë sulmet ruse ndaj objekteve civile, infrastrukturore dhe ushtarake në Ukrainë, të cilat janë të paparashikueshme në përmasat e tyre dhe është çështje kohe kur lëvizje të tilla ruse mund të provokojnë një paketë të re sanksionesh nga komuniteti ndërkombëtar kundër Rusisë.

Në Maqedoninë e Veriut, burime qeveritare bëjnë të ditur se Shtabi për Kriza Ekonomike-Energjike është në funksion dhe vazhdimisht realizon takime. Ata thonë se deri më 20 tetor do të presin ofertat për blerjen e gazit natyror për funksionimin e termocentraleve të Shkupit, por edhe për termocentralin e kombinuar TE-TO. Sipas tyre, problem janë çmimet e gazit natyror, jo furnizimi i tij, duke treguar trendin e rënies të çmimit të gazit në ditët e fundit.

Nga premtimi i shpallur pompozisht i Qeverisë në fund të shtatorit për bashkëpunim Serbi-Maqedoni, tani për tani nuk ka asgjë. Dje Serbia ndaloi plotësisht eksportin e gazit natyror deri në fund të muajit, transmeton Zëri i Amerikës në serbisht. Më parë, qeveria maqedonase në fund të shtatorit paralajmëroi një marrëveshje ndërmjet Serbisë dhe Maqedonisë për furnizimin e vendit me gaz për funksionimin e termocentralit të kombinuar “TE-TO”, në këmbim të shitjes së një pjese të energjisë elektrike të prodhuar nga ” TE-TO” në Serbi.

Le të kujtojmë, Maqedonia e Veriut, së bashku me Serbinë dhe Bullgarinë fqinje, janë plotësisht të varura nga importi i gazit rus. Maqedonia ende nuk ka filluar ndërtimin e një gazsjellësi ndërlidhës me Greqinë, për të mundësuar diversifikimin e burimeve të furnizimit me gaz në vend. Më 1 tetor të këtij viti, në prani të kryetares së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, u vu në përdorim interkonektori i gazit Greqi-Bullgari, e cila tha se ky objekt infrastrukturor ka një rëndësi të madhe në çlirimin e varësisë së BE-së nga gazi rus. Presidenti i Azerbajxhanit Ilhan Aliyev tha më 30 shtator se vendi i tij është gati të dyfishojë eksportin e gazit azerbajxhanas në BE deri në vitin 2027, shkruan Kathimerini.

 

Ky artikull është përgatitur në kuadër të projektit Promovimi i qasjes në lajme të besueshme për të luftuar dezinformatat, i zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis. Artikulli, i botuar fillimisht në Vërtetmatës, është mundësuar nga mbështetja e fondacionit jofitimprurës amerikan NED (National Endowment for Democracy). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Metamorphosis, NED ose bashkëpunëtorëve të tyre

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.