Gazetari nuk e përcakton kush është lideri i preferuar i shqiptarëve

Gazetari duhet të jetë etik dhe të respektojë standardet profesionale në transmetimin e informatave dhe gjatë komentimit. Në momentin që gazetari është zhveshur nga këto cilësi, aty ka përfunduar profesionalizmi. Të paraqesësh si lajm informativ komentimin pa fakte, duke u bazuar plotësisht në bindjet personale, është njësoj si të pretendosh se mund të notosh në detin pa ujë. Lajmi që recensojmë karakterizohet me një sërë thyerjesh të standardeve profesionale dhe etike: njëanshmëri , komentim  dhe përçmim personalitetesh.

Linku origjinal i artikullit: Kush është i dyti të shqiptarët, Zaevi, Gashi, Sela, Kasami,Thaçi Memedi, Ostreni?

Data e publikimit: 01.03.2020

Data e recensionit: 10.03.2020

Recensuese: Naile Dauti

 

Gazetari nuk paragjykon

Duan ta kalojnë Ali Ahmetin në ndërkohë që rrezikojnë t’i kalojë Zoran Zaev .I pari dihet se akoma është kreu integrist por kush do marrë primatin e të dytit te shqiptarët ,kjo është çështja?!”, thuhet në tekstin që recensojmë.

Që në fillim autori i tekstit bën shkelje të rëndë profesionale dhe etike, sepse e ka filluar tekstin me paragjykimin e krerëve të tjerë të partive politike, kinse ata duan t’ia kalojnë kreut të BDI-së Ali Ahmetit. Bashkë me paragjykimin, në shprehje vjen edhe njëanshmëria nga ana e autorit që në momentin kur ka vendosur të ngre lart një figurë politike dhe të ulë sa më poshtë figurat tjera.

Veç kësaj një tekst i tillë nuk përbën asnjë interes, kjo për shumë arsye. E para, sepse është tërësisht bindje personale e autorit, i cili mendon se lideri i parë i pakontestueshëm i shqiptarëve është Ali Ahmeti dhe se çdo lider tjetër që do të vijë pas zgjedhjeve pa diskutim do të jetë  i dyti, sepse, siç pretendon autori, i pari dihet kush është dhe po i njëjti do të mbetet. Jo vetëm që kjo bindje nuk është mbështetur as edhe nga një fakt, por këtë e ka bërë fakt të kryer.

“Në këtë dyzinë partishë në Maqedoni partia më e madhe shqiptare fituese e të gjithë cikleve zgjedhore te shqiptarët mbetet BDI ndërsa lideri i pakontestueshëm mbetet Ali Ahmeti informon TetovaSot.Këtë e tregojnë të gjitha anketat deri tani por edhe fitoret serike në gjithë zgjedhjet .Por pyetja e madhe është se kush është lideri më i madh i dyti për nga forca politike te shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.”, thuhet më tej në tekst.

Autori nuk mund të vlerësojë cili është lideri i preferuar i shqiptarëve, vetëm sepse partia e liderit në fjalë ka qenë fituese deri tani. Jo domosdoshmërish lideri i një partie më të madhe politike është i preferuari i të gjithë shqiptarëve. Mund të jetë edhe e kundërta, lideri aspak i pëlqyer parti mjaft e votuar. Dikush mund ta votojë për programin e saj, dikush për ndonjë figurë tjetër apo për shumë arsye për të cilat gazetari assesi nuk duhet të japë konkluzione të cilave nuk mund t’ua bashkëngjisë faktet për shkak të  mungesës së tyre.

Edhe pse autori iu është referuar “anketave”, nuk ka përmendur fare se kush i ka realizuar ato dhe sa të besueshme janë. Anonimiteti i referencave forcon bindjen e manipulimit të medias.

“Raportimi për proceset politike, veçanërisht për zgjedhjet, duhet të jetë i paanshëm dhe i balancuar. Gazetari patjetër duhet të sigurojë distancë profesionale nga subjektet politike”, thuhet në Kodin Etik të Gazetarëve.

Në teksti në fjalë jo vetëm që nuk  ka paanshmëri, balancim apo distancë profesionale nga subjektet politike, por përkundrazi, favorizon një parti të caktuar politike dhe ngrit lart figurën e të parit të saj.

Koncepti i manipulimit “Efekti i paqartësisë” dhe “Prirje për të konfirmuar këndvështrimin e vet”

Duke qenë se zgjedhjet që pasojnë në prill janë të paparashikueshme, autori i artikullit i shmanget kësaj pasigurie dhe favorizon mundësinë me perspektiva të njohura për sukses, përpara opsioneve me mundësi të panjohur të suksesit.  Pra autori i artikullit, pa asnjë fakt pretendon se lideri i BDI-së është dhe madje do të mbetet lider i të gjithë shqiptarëve. Manipulimi tjetër bëhet përsëri duke favorizuar një lider mbi bindje tërësisht personale, pa fakte. Për dallim prej manipulimit “Prirje për të konfirmuar këndvështrimin e vet”, në këtë rast autori as nuk e konfirmuar pikëpamjen e tij, por këtë e bën vetëm duke komentuar dhe duke ia atribuuar bindjen anketave të panjohura.

Për lexuesit

Lexuesi, që të mos jetë pre e manipulimeve të tilla, duhet të edukojë veten që të bëjë dallimin midis komentit dhe lajmit. Në këtë rast siç edhe e shqyrtuam, autori ka bërë një koment, duke ia servirur publikut si informacion me peshë për opinionin publik. Të tilla lajme nuk duhet të  hynin  madje fare në kategorinë e shqyrtimit. Nëse do të ishin të ndara opinionet nga lajmet me interes publik edhe lexuesi do ta kishte më të qartë se çfarë lexon. Mirëpo, këto artikuj jepen në kategorinë e lajmeve informative, kur në fakt është tërësisht koment dhe në këtë rast nuk mund të kuptohet ndryshe përveç se një propagandë e pastër.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Projekti “Të menduarit kritik për qytetarët me aftësi mediatike – CriThink” zbatohet nga Metamorfozis dhe Eurothink. Projekti financohet nga Bashkimi Evropian. Kjo ueb-faqe crithink.mk është krijuar dhe mirëmbahet me mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian. Përmbajtjet e kësaj ueb-faqeje janë përgjegjësi vetëm e Fondacionit Metamorfozis dhe e Eurothink, dhe nuk i shprehin domosdoshërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

Your email address will not be published.