Fotografia keqpërdoret për të akuzuar BE-në për gjoja fashizëm
Nuk është e vërtetë se në fotografinë, e cila është shpërndarë si pjesë e postimit, shihen dy politikanet, Zuzana Çaputova dhe Ursula von der Leyen, me simbole fashiste që mund të lidhen me ndonjë shoqëri sekrete në të cilën ka qenë Hitleri. Në foto shihen dy politikanet duke shkëmbyer përshëndetje si shprehje respekti nga zemra. Ndryshe nga pretendimi në postim, angazhimet e Bashkimit Evropian jo vetëm që nuk janë fashiste, por bazohen fortë në politika, rekomandime dhe veprime antifashiste.
Recensojmë një postim të publikuar në Facebook, ku pretendohet se në Bashkimin Evropian mbretëron fashizmi. Më pas në postim akuzohet se me çdo kusht dëshirohet gjunjëzimi i Maqedonisë antifashiste për t’i shërbyer aspiratave të Bullgarisë së Madhe. Në postim thuhet:
Në BE mbretëron fashizmi, ndërsa ju thundra tradhtare, me çdo kusht dëshironi të gjunjëzoni Maqedoninë antifashiste për t’i shërbyer dëshirave të mëdha bullgare…
Deri ku bre tradhtarë, keni në plan të ikni në vende të tjera pasi votoni!?
Bota është e vogël!!!
Për të mbështetur pretendimin se Bashkimi Evropian është fashist, në bashkëngjitje të postimit janë shpërndarë dy foto, njëra ku Hitleri bën një simbol me pëllëmbët e kryqëzuara në gjoks dhe e dyta tregon dy politikane femra që përshëndesin njëra-tjetrën, me sa duket duke bërë simbolin e njëjtë. Në foton me politikanet, duart e tyre janë rrethuar për të theksuar pikërisht gjestin e tyre.
Fotoja është e vjetër, siç është edhe vetë pretendimi në postimin që është objekt i recensimit tonë. Më 3 gusht 2021, verifikuesit e huaj të fakteve shkruajnë se është foto e Presidentes së Sllovakisë, Zuzana Çaputova, së bashku me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Teoricienët e konspiracionit kanë nxituar të barazojnë foton në të cilën dy politikanet femra përshëndesin ngrohtësisht njëra-tjetrën, me një analogji të rreme për fashizëm, e gjitha kjo me qëllim për të denigruar Bashkimin Evropian, siç bëhet edhe në postimin që po e recensojmë. Edhe policia sllovake ka reaguar ndaj fotos së publikuar me deklaratën e mëposhtme:
Për shkak të absurditetit të kësaj teorie konspirative, ne nuk kemi planifikuar t’i përgjigjemi asaj. Është e qartë se presidentja Çaputova nuk i ka kryqëzuar duart. Nga pikëpamja joverbale, është një gjest respekti i sinqertë dhe i ndërsjellë.
Në mediat sllovake shkruhet se edhe Papa u bë pjesë e kësaj teorie konspirative, sipas së cilës politikanet së bashku me të i përkasin një shoqërie sekrete në të cilën dikur ka qenë Hitleri. Teoricienët e konspiracionit kanë implikuar gjithashtu Papën në të gjithë historinë e anëtarësimit të pretenduar në një shoqëri sekrete, duke përdorur foto të Jezu Krishtit gjoja me krahët e kryqëzuar ashtu si Hitleri. Foton ku Papa është përfshirë në këtë teori false konspirative mund ta shikoni në këtë link.
Sipas policisë sllovake, zbulimi i shoqatave misterioze është sport kombëtar për disa njerëz.
Ideja që anëtarët e një shoqërie sekrete të shkëmbejnë mesazhe sekrete publikisht para kamerave, të cilat zhvlerësohen gjithmonë nga teoricienët e konspiracionit, është ideja bazë mbi të cilën mbështeten këto mashtrime, përfundoi policia.
Në lidhje me atë që thuhet në postimin që po e recensojmë, se në Bashkimin Evropian mbretëron fashizmi, ky pretendim është krejtësisht në kundërshtim me angazhimet dhe synimet reale për të cilat u krijua Unioni në përgjithësi. Është një bashkim politik dhe ekonomik i 27 vendeve anëtare të vendosura kryesisht në Evropë, me politika që sigurojnë lëvizjen e lirë të njerëzve, qarkullimin e mallrave, shërbimeve dhe kapitalit në tregun e brendshëm, politika të përbashkëta për tregtinë, bujqësinë dhe zhvillimin rajonal.
Më 25/10/2018, Parlamenti Evropian njoftoi se është i shqetësuar nga trendi në rritje i normalizimit të fashizmit, racizmit dhe ksenofobisë dhe u bëri thirrje të gjitha vendeve anëtare të BE-së të ndalojnë grupet neofashiste dhe neo-naziste.
Anëtarët e Parlamentit Evropian besojnë se organizatat e ekstremit të djathtë në disa prej shteteve anëtare janë një nga shkaqet e rritjes së dhunës, e cila prek shoqërinë në tërësi dhe synon hebrenjtë, myslimanët, romët, LGBTI, etj.
Ata sugjeruan të krijohen njësi brenda policisë për luftë kundër kundër krimit nga urrejtja, për të siguruar që incidentet e tilla të ndiqen penalisht dhe të hetohen. Anëtarët e Parlamentit Evropian inkurajojnë qeveritë kombëtare që të ndalojnë efektivisht grupet neofashiste dhe neo-naziste dhe të gjitha fondacionet dhe shoqatat e tjera që lavdërojnë nazizmin ose fashizmin.
Parlamenti Evropian u bëri thirrje vendeve anëtare që të dënojnë dhe sanksionojnë qartë krimet e urrejtjes, gjuhën e urrejtjes nga figurat politike që përdorin urrejtje dhe dhunë. Nga aty shtuan gjithashtu se është e nevojshme që shtetet anëtare të kundërshtojnë përhapjen e racizmit, fashizmit, ksenofobisë përmes internetit në bashkëpunim me kompanitë e rrjeteve sociale. Në rezolutë mandatohen shtetet anëtare dhe federatat kombëtare sportive, veçanërisht klubet e futbollit, që të kundërshtojnë fashizmin, racizmin dhe ksenofobinë në stadiume dhe ngjarje të tjera sportive dhe kulturore duke sanksionuar dhe dënuar këto veprime. Gjithashtu sugjerohet që shtetet anëtare të BE-së të bashkojnë programe për të ndihmuar individët që janë pjesë e grupeve të dhunshme neofashiste dhe neo-naziste që të shkëputen prej tyre dhe të largohen prej tyre. Anëtarët e Komisionit theksojnë gjithashtu rëndësinë e edukimit, për të rritur ndërgjegjësimin e të rinjve për historinë dhe u bëjnë thirrje të gjithëve që të refuzojnë qartë kryerjen e krimeve të fashizmit të së kaluarës, duke shtuar se e vërteta për Holokaustin nuk duhet të banalizohet.
Nga kjo bëhet e qartë se angazhimet e Bashkimit Evropian jo vetëm që nuk janë fashiste, por edhe të bazuara fort në politika, rekomandime dhe veprime antifashiste.
Për të gjitha faktet e mësipërme, vlerësojmë se nuk është e vërtetë që fotografia e shpërndarë si pjesë e postimit tregon dy politikanet, Zuzana Çaputova dhe Ursula von der Leyen, me simbole fashiste, që mund të lidhen me ndonjë shoqëri sekrete anëtar i së cilës ishte edhe Hitleri. Në foto shihen dy politikanet duke shkëmbyer përshëndetje si shprehje respekti nga zemra.
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari