Është propagandë ruse se shtetet e Balkanit Perëndimor kanë dërguar “mercenarë” për të luftuar në Ukrainë

Përmes një titulli tendencioz dhe sensacionalist, një portal në Fejsbuk” dezinformon masën se shumë shtetas kosovarë janë mobilizuar për ti dalë në mbrojtje Ukrainës në lidhje me ngjarjet e fundit në raport me Rusinë. Kjo përveç që nuk është e vërtetë, kosovarët e kanë të ndaluar me ligj që të marrin pjesë në luftëra jashtë Kosovës si dhe nga Ministria për Punë të Jashtme në Kosovë kanë konfirmuar se asnjë kosovar nuk ka shkuar të luftojë për Ukrainën, shkruan Portalb.mk.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, asnjëherë nuk është deklaruar në lidhje me mbështetjen që Kosova i ka dhënë Ukrainës për ngjarjet e fundit, aq më pak, ai nuk ka shprehur shqetësim për këtë.

“Putin-It I Hyn “Frika Në Palcë” / Qytetarë Të Kosovës Mobilizohen “Ta Mbrojnë” Ukrainën!” është titulli i lajmit që e recensojmë.

Titulli i këtij lajmi është tendencioz dhe manipulues, mbi të gjitha, pohon diçka që nuk është e vërtetë sepse jo, as Putin-it nuk i ka hyrë frika në palcë ndërsa qytetarët e Kosovës nuk janë mobilizuar të mbrojnë Ukrainën.

Është i saktë lajmi se ambasadori i Ukrainës në Republikën e Shqipërisë kishte deklaruar se ka pasur kosovarë të interesuar për ta mbrojtur Ukrainën nga Rusia, por përveç kësaj deklarate, nuk ka asnjë dëshmi tjetër që mbështet këtë pohim.

Kjo dezinformatë e ka gjenezën te agjencia e lajmeve ruse TASS dhe te ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov

Disa ditë më herët, ministri i jashtëm rus ishte shprehur se Ukraina po “rekreuton” mercenarë nga Kosova, Shqipëria dhe Bosnje e Hercegovina për ti dalë në mbrojtje asaj.

“Ka informacione se mercenarë janë duke u rekrutuar në Kosovë, Shqipëri dhe Bosnje dhe Hercegovinë për të nxjerrë jashtë ekuilibrit Rusinë dhe për t’i dërguar ato në vende përfshirë edhe Donbass”, ishte shprehur Lavrov.

Më pas, informacione të tlla të pasakta ka pasur edhe agjencia e lajmeve ruse TASS.

Menjëherë pas kësaj, ministria për Punë të Jashtme në Kosovë ka demantuar ministrin rus dhe agjencinë e lajmeve ruse TASS, duke deklaruar se nuk ka kosovarë që kanë shkuar të luftojnë në Ukrainë, pasi kjo është e ndaluar edhe me ligj.

“Bëjmë me dije ministrit rus Lavrov dhe agjencisë e lajmeve ruse TASS, se Republika e Kosovës e ka të ndaluar me ligj pjesëmarrjen e qytetarëve të saj në luftëra jashtë vendit dhe ky ligj parasheh dënime të rrepta për secilin qytetar të saj që mund të jetë pjesë e veprimeve të tilla”, thuhet në reagimin e MPJD-së.

Kjo ministri vlerëson se deklaratat e agjencisë së lajmeve TASS dhe ministrit Lavrov janë pjesë e një fushate të egër të propagandës ruse që sipas tyre kanë për qëllim tërheqjen e vëmendjes së gjithë botës demokratike

“Kjo fushatë e egër ruse kundër Kosovës dhe vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor, ndër të tjera, ka për qëllim edhe tensionimin e situatës në Kosovë dhe më gjerë në rajon përmes satelitit rus në Ballkan, Serbisë.MPJD shpreh solidaritetin e plotë të popullit të Kosovës me popullin e Ukrainës për të drejtën për jetë të lirë e sovrane në shtetin e tyre. Republika e Kosovës bën thirrje për ulje të tensionit dhe shmangie të konfliktit, i cili mund të marrë përmasa të paparashikueshme”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.

Ndryshe, në njoftimin e kësaj ministrie, thuhet se Kosova i bashkohet botës demokratike në dënimin e politikës hegjemoniste dhe ekspansioniste ruse në dëm të shtetit sovran e të pavarur të Ukrainës. Megjithatë, është dezinformatë se ka mobilizim zyrtar për të dërguar kosovarë që të luftojnë në Ukrainë dhe se Putin-it i ka hyrë “frika në palcë”.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.