Është dezinformatë se nuk mund të largoheni nga vendi nëse nuk jeni të vaksinuar

Македонско-албанска граница. Граничен премин Ќафасан. Фото: David Jones | Фликр, 2017 | CC-BY 2.0

Sipas informacioneve të publikuara në faqen e Ministrisë së Jashtme, dmth protokollet për Maqedoninë e Veriut, Qeveria në seancën e mbajtur më 31 gusht të vitit 2021, solli një vendim, sipas të cilit një nga dokumentet që mundëson hyrjen apo daljen nga vendi është “dokumenti për rezultat negativ të testit PCR, i bërë ky 48 orë para hyrjes apo daljes në dhe nga territori i Republikës së Maqedonisë së Veriut”. Ky vendim i Qeverisë është ende në fuqi, që do të thotë se nuk është i vërtetë pretendimi në postimin që po e recenzojmë se testi PCR “nuk është i vlefshëm”. Por, është një çështje krejtësisht tjetër se cilat rregulla vlejnë në vendet drejt të cilave do të udhëtoni, shkruan Vërtetmatësi.

Рo recenzojmë një postim në Facebook në të cilin thuhet se sipas masave të fundit të miratuara nga Qeveria nuk mund të largoheni nga territori i Republikës së Maqedonisë së Veriut nëse nuk jeni të vaksinuar.

8.12.2021, Маqedoni. Masa e fundit, nuk të lënë të kalosh kufirin pa pasur një certifikatë për vaksinim. Testi PCR nuk vlen, thuhet në postim.

Kjo dezinformatë ka marrë mbi 70 reagime dhe 7 përdorues të tjerë të Facebook e kanë ndarë atë në profilet e tyre.

Në disa nga komentet e lexuesve thuhet:

Për momentin ndodhem në Tabanoc me test PCR. Dezinformatë. Disa nga ne kaluam me testin, pa kurrëfarë problemi.

Sipas informacionit të publikuar në uebfaqen e MPJ, pra protokolleve të Maqedonisë së Veriut, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në seancën e mbajtur më 31 gusht të vitit 2021, solli Vendim për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit për rekomandime preventive, masa kohore, masa urdhëruese, protokolle të dedikuara, plane dhe algoritme për veprim për mbrojtje të shëndetit të popullatës nga sëmundja ngjitëse Kovid-19 të shkaktuar nga virusi Sars-Cov-2, për rastet dhe periudhën kohore për aplikimin e tyre, sipas së cilës ndalohet hyrja/dalja në/nga territori i Republikës së Maqedonisë së Veriut i shtetasve të vendit dhe të huaj, duke filluar nga 1 shtatori i vitit 2021, në rast se në vendkalimin kufitar nuk dorëzojnë njërin nga dokumentet vijuese:

Certifikatë/vërtetim për imunizim të kryer (vaksinim) nga virusi SARS-CoV-2, përkatësisht për marrjen e të paktën dy doza të vaksinës kundër sëmundjes infektive KOVID-19. Certifikatë/vërtetim për KOVID-19 të kaluar në 45 ditët e fundit, duke filluar nga dita e shërimit. Vërtetim mjekësor me rezultat negativ të testit RТ PCR SARS-CoV-2, të bërë 72 orë para hyrjes/daljes në/nga territori i Republikës së Maqedonisë së Veriut. Rezultat negativ nga testi i shpejtë antigjen, të bërë 48 orë para hyrjes/daljes në/nga territori i Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Megjithatë, pasi të dilni nga kufijtë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ju i nënshtroheni më tej politikave të vendit drejt të cilit udhëtoni. Prandaj, para çdo udhëtimi, Ministria e Punëve të Jashtme këshillon që çdo qytetar të jetë i informuar mirë se cili shtet çfarë lloj dëshmie të statusit për Kovid-19 kërkon! Në të gjithë vendet nuk zbatohen rregulla të njëjta, por çdo vend ka rregulla të ndryshme!

Rregullat që zbatohen gjatë hyrjes në vendet me të cilat kufizohet Maqedonia e Veriut. Nga 7 dhjetori në Serbi mund të hyet sipas kushteve të  shënuara këtu. Për shtetasit e Maqedonisë së Veriut nuk kërkohet kurrëfarë dokumenti për hyrje në territorin e Serbisë, por kërkohet në kufirin maqedonas (siç thuhet në paragrafin e mësipërm të këtij teksti).

Pasi të jeni larguar nga ana maqedonase e kufirit dhe të kaloni në anën e Kosovës, atëherë atje për ju do vlejnë rregullat e Kosovës për përballjen me pandeminë, gjegjësisht kushtet e hyrjes në këtë vend. Nga 30 nëntori i vitit 2021, shtetasit e huaj në Kosovë mund të hyjnë me certifikatë vaksinimi me dy doza të vaksinës, certifikatë vaksinimi me një dozë të vaksinës, jo më të vjetër se katër javë bashkë me test PCR negativ jo më të vjetër se 48 orë ose me certifikatë vaksinimi për pranimin e një doze të vaksinës dhe dokument që dëshmon se personi e ka kaluar sëmundjen para së paku 21 ditëve dhe jo më shumë se 180 ditëve.

Nga 3 janari i vitit 2022, të gjithë personat që hyjnë në territorin e Kosovës do të mund të hyjnë vetëm me certifikatë për pranimin e dy dozave të vaksinave.

Dhe këtu ndoshta ka lindur problemi për të cilin autori i postimit që po e recenzojmë pretendon se vendi jonë nuk lejon daljen për të pavaksinuarit. Është e vërtetë se Kosova nuk lejon askënd të hyjë në territorin e saj nëse nuk ka pranuar të paktën një dozë të vaksinës.

Në Bullgari ka vendim i cili vlen nga 1 dhjetori i vitit 2021 deri në mars të vitit 2022.

Sipas këtij vendimi shtetasit e Maqedonisë së Veriut mund të hyjnë në Bullgari ose me një certifikatë vaksinimi ose me një certifikatë se e kanë kaluar sëmundjen ose me një test PCR negativ. Njësoj është edhe me Greqinë, ku mund të hyet ose me certifikatë vaksinimi, certifikatë se e kanë kaluar sëmundjen, ose me test PCR negativ.

E njëjta vlen edhe për Shqipërinë.

Pra, i vetmi vend me të cilin kufizohet Maqedonia e Veriut, e i cili nuk pranon e testin PCR ose testin për antigjene gjatë hyrjes në territorin e tij për qytetarët e Maqedonisë së Veriut është Kosova. Ju mund të hyni në Serbi, Greqi, Shqipëri dhe Bullgari me një test PCR negativ dhe një certifikatë se e keni kaluar sëmundjen. Për këto arsye, postimin e vlerësojmë si të pavërtetë.

Ky artikull është përgatitur në kuadër të Projektit për përballim të shpejtë të dezinformatave rreth vaksinimit, të zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis. Ky artikull fillimisht është botuar në Vërtetmatës, ndërsa është mundësuar me mbështetjen e Fondit Ballkanik për Demokraci, projekt i Fondit Marshall Gjerman të SHBA-ve (BTD – The Balkan Trust for Democracy, a project of the German Marshall Fund of the United States). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Metamorfozis, FBD-së ose bashkëpunëtorëve të tyre.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari