Ende nuk ka përfunduar linja e ujësjellësit në Zajaz

Linja e re e ujësjellësit (3.5km) të Zajazit është një projekt kapital i komunës së Kërçovës, i cili do të furnizojë me ujë të pijshëm fshatrat, Kollarë, Zajaz Ukaj, Zajaz Çelikaj dhe Drogomisht i Madh. Me përfundimin e këtij projekti madhor, përfundimisht do të zgjidhet problemi i furnizimit me ujë për pije në Zajaz, i cili do të sigurohet nga burimi te lokacioni i quajtur Kilometri i Nëntë, me çka njëherit do të lehtësojë dukshëm nevojën e furnizimit me ujë të pijshëm. 

ARSYETIM:  Linja e re e ujësjellësit të Zajazit ishte një projekt kapital, i cili u premtua pothuajse në çdo fushatë parazgjedhore nga autoritetet qeverisëse. Për herë të fundit është premtuar në Platformën Politike të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), në zgjedhjet e vititi 2014 (faqe 264/164), ku BDI premton që ky projekt do të përfundoj në vitin 2014. Meqenëse në vitin 2014 nuk kishte ndonjë rezultat konkret, si afat i fundit për përfundimin e rrjetit të ujësjellësit në Zajaz u premtua viti 2015. Deri më tani (19.11.2016), projekti ‘Ujësjellësi në Zajaz’, është i parealizuar. 

Punimet kishin filluar nga fundi i vitit 2011. Aktin solemn për fillimin e punëve ndërtimore të ujësjellësit rajonal të komunës së Zajazit e kishte shënuar, Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti së bashku me zyrtarët e lartë të kësaj partie në pushtetin qëndrorë dhe atë lokal.

Me këtë projekt ne dëshmojmë se ndaj këtyre problemeve kemi një qasje serioze duke materializuar njëherit edhe premtimet që dalin nga programi i BDI-së“. (burimi: Yllpress, 20.08.2011)

Megjithëse punimet duheshin të kishin përfunduar brenda vitit 2014, në fund të këtij viti më 24.10.2014, ish ministri i ­ Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Nurhan Izairi së bashku me krytearin e komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari ishin në inspektim të ndërtimit të ujësjellësit rajonal në Zajaz. Ministri Izairi kishte theksuar se deri në fund të këtij viti (2014) të përfundohen rrth 50% nga projekti, ndërsa pjesa tjetër do të ndërtohet gjatë vitit të ardhshëm.  (burimi: MIA, 24.10.2014)

Në fushatën parazgjedhore të zgjedhjeve të vitit 2014, projekti u premtua përsëri në Platformën politike të Bashkimi Demokratik për Integrim, dhe si afat i fundit për realizim u caktua viti 2015.

Ashtu siç ishte njoftuar, edhe gjatë vitit 2015, punët po zhvilloheshin sipas dinamikës së duhur. Me këtë rrjet, në radhë të parë do të furnizoheshin vendbanimet e Kollarës, Drogomishtit të Madh dhe një pjesë e lagjeve të Çelikajve, që ndodhen në vetë fshatin e Zajazit si dhe Drogomishti i Vogël, të cilat ndonëse ishin të përfshira në ujësjellësin ekzistues sërish e ndjenin mungesën e ujit të pijshëm. (burimi: aktuale.mk, 25.03.2015 )

Përderisa premtimet për furnizim me ujë të pijshëm përsëriteshin, kërkesa e banorëve për furnizim me ujë ishte e vazhdueshme, pasi që nevoja për ujë të pijshëm dita ditës shtohej edhe më shumë. Televizioni Uskana pas një vizite në vendbanimet e këtij rajoni,  konstatoi situatën e rëndë për ujë të pijshëm në lagjen Duma, Ukaj, Alaj, Çelikaj… (burimi: TV Uskana, 10.08.2015)

Meqenëse punimet nuk arritën të përfundojnë në afatin e premtuar, premtimet për realizim vazhduan edhe në vitin 2016. Kësaj rradhe, Kryetari i Komunës së Kërçovës, Fatmir Deari, në fillim të këtij viti njoftoi se punët kanë arritur afër përfundimit dhe shumë shpejtë Zajazi do të furnizohet me ujësjellësin e shumëpritur.

Ky projekt shkon drejt përfundimit sepse tashmë janë realizuar punimet në kaptazhin kryesor të burimeve të ujit që ndodhen te “Kilometri i nëntë” si dhe në dy rezervoaret që ndodhen, njëri mbi fshatin Kollarë dhe tjetri mbi fshatin Zajaz Ukaj. Gjatë këtyre ditëve është bërë edhe testimi i linjës së re të ujësjellësit i cili shtrihet në një gjatësi prej 14 kilometrash”. (burimi: RTM2TV Uskana, 23.04.2016)

Së fundi, nga Komuna e Kërçovës në një prononcim për Vërtetmatësin deklaruan se deri më tani (27.11.2016)në Zajaz  ka përfunduar vetëm rrjeti primar i sistemit të ujësjellësit rajonal.

 “Rrjeti primar i sistemit të ujësjellësit rajonal në Zajaz ka përfunduar. Në rrjedhë janë aktivitetet ndërtimore për ndërtimin e rrjeteve sekondare nëpër disa vendbanime të kësaj ane”. (burimi: Vërtetmatësi, 27.11.2016)

Projekti për ndërtimin e linjës së ujësjellësit 3.5 km në Zajaz duheshte të përfundote në vitin 2014. Meqenëse punimet nuk arritën të përfundojnë në afatin e premtuar, premtimet për realizim vazhduan edhe në vitin 2015 dhe ky vit u llogarit si vit i fundit për përfundimin e punimeve. Përkundër kësaj në vitin 2015 nuk u arrit të përfundohej rrjeti i ri ujësjellës në këtë rajon, ndërsa premtimet për realizim vazhduan për vitin 2016. Sipas kësaj, mundë të përfundojmë që afati për ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit në Zajaz ka skaduar dhe premtimin për këtë projekt e llogarisim si i parealizuar. 

BURIME:

 Vlerësoi: Rabie Abazi

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Ky artikull është përgatitur në kuadër të Vërtetmatësit, projekt për rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë së politikanëve dhe partive përpara qytetareve, i realizuar nga Fondacioni Metamorphosis. Artikulli mundësohet me përkrahje të fondacionit jofitimprurës amerikan (NED - National Endowment for Democracy) dhe Fondit Ballkanik për Demokraci, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA (BTD – The Balkan Trust for Democracy, a project of the German Marshall Fund of the United States), iniciativë e cila përkrah demokracinë, qeverisjen e mirë dhe integrimet euro-atlantike në Evropën Juglindore. Përmbajtja e recensionit është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e Metamorphosis, National Endowment for Democracy, The Balkan Trust for Democracy, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA dhe partnerëve të tyre.

Your email address will not be published.