Ende nuk ka një kurë për diabetin, nuk është e vërtetë se mund të shërohet për një ditë

Nuk është e vërtetë se diabeti mund të shërohet për një ditë, të gjitha “recetat” të cilat i publikojnë mediet janë të pa-verifikuara dhe lexuesit duhet të konsultohen me mjek në qoftë se vendosin t’i përdorin ato. Deri tani, institucionet shëndetësore të vendit por edhe ata ndërkombëtare nuk janë deklaruar se është gjetur një kurë për diabetin, shkruan Portalb.mk.

Titulli i këtij lajmi është shumë shpresdhënës për të gjithë ata që vuajnë nga kjo sëmundje, megjithatë, gazetari ka publikuar një lajm që ka të bëje me shëndetin por pa e verifikuar atë nga institucionet shëndetësore të vendit.

“Lamtumirë Insulinë..!? Mjeku Nga Kamenica: Sëmundja E Sheqerit Shërohet Për Një Ditë..!?” është titulli i lajmit që e recensojmë.

Më pas, autori i këtij lajmi citon një mjek nga Kamenica i cili sipas këtij lajmi, ka deklaruar se sëmundja e njërit lloj të diabetit shërohet për një ditë përmes një risie shkencore në kirurgjinë metabolike.

“Lamtumirë Insulinë..!? Mjeku Nga Kamenica: Sëmundja E Sheqerit Shërohet Për Një Ditë..!?Me anë të një postimi në Facebook, kirurgu nga Kamenica, Arbër Morina ka pretenduar se Diabeti Mellitus Tip-2 dhe Obeziteti Morbid mund të shërohen përmes risisë shkencore në kirurgjinë metabolike” shkruan lajmi që e recensojmë.

Gazetari para se të publikojë një deklaratë të tillë, edhe në qoftë se personi të cilit i referohet është mjek, duhet patjetër të kontaktojë edhe më së paku dy burime tjera për të verifikuar vërtetësinë. Marrë parasysh sensitivitetit që ka kjo temë.

Të dhënat shkencore kundërshtojnë këtë pohim

Në ueb-faqen e Qendrës për Parandalim dhe Kontroll të Sëmundjeve në ShBA thuhet qartë se ende nuk ekziston një kurë për diabetin, edhe pse aty thuhet qartë se kjo sëmundje mund të kontrollohet.

“Nuk ka ende një kurë për diabetin, por humbja e peshës, ngrënia e ushqimit të shëndetshëm dhe të qenit aktiv mund të ndihmojnë. Marrja e ilaçeve sipas nevojës, marrja e edukimit dhe mbështetjes për vetë-menaxhimin e diabetit dhe vizitat mjeklsore mund të zvogëlojnë ndikimin e diabetit në jetën tuaj” shkruan në ueb faqen e Qendrës për Parandalim dhe Kontroll të Sëmundjeve në ShBA.

Edhe në ueb-faqen e Institutit për Shëndet Publik në Maqedoninë e Veriut nuk shkruan për ndonjë kurë të mundshme nga diabeti, por vetëm për formën e trajtimit të kësaj sëmundje, e cila parashihet që deri në vitin 2030 të jetë në listën e shkaktarëve kryesor të vdekjeve.

Kështu trajtohet diabeti sipas institucioneve shëndetësore në vend:

Diagnoza dhe terapia

Diagnostikimi i hershëm mund të bëhet përmes analizave të gjakut. Trajtimi i diabetit përfshin uljen e nivelit të sheqerit në gjak dhe faktorëve të tjerë të rrezikut që i dëmtojnë enët e gjakut. Lënia e pirjes së duhanit është po aq e rëndësishme për të evituar ndërlikimet shëndetësore. Intervenimet, që bëhen për të zvogëluar shpenzimet e që mund të realizohen në vendet në zhvillim, janë:

  • Kontroll i glukozës në gjak. Personat me diabet tipi 1 kanë nevojë për insulinë. Personat me diabet tipi 2 mund të trajtohen me barna orale, por mund të ketë nevojë edhe për përdorimin e insulinës.
  • Kontroll i tensionit të gjakut;
  • Kujdes për këmbët.

Intervenimet  e tjera për uljen e shpenzimeve përfshijnë:

  • Skrining dhe trajtim të retinopatisë (që shkakton verbërim);
  • Kontroll të yndyrnave në gjak (rregullim i nivelit të kolesterolit);
  • Skrining për zbulimin e shenjave të hershme të diabetit që kanë të bëjnë me sëmundje të veshkave.

Ndryshe, edhe pse është përdorur profesioni i personit që ka pohuar deklaratat e lartëpërmendura në mënyrë që lajmi të jetë sa më i besueshëm, lexuesit duhet të kenë kujdes kur ballafaqohen me “kura” në rrjetet-sociale. Autori në këtë rast ka përdorur prova selektive dhe ka neglizhuar ata shkencore, të publikuara në faqet zyrtare të institucioneve shëndetësore vendase dhe ndërkombëtare. Si dhe, meqenëse bëhet fjalë për një temë sensitive, autori i lajmit ka krijuar një titull sensacional kështu duke manipuluar me ndjenjat e personave që realisht kanë nevojë për t’u shëruar nga kjo sëmundje.

Ky artikull është përgatitur në kuadër të projektit Kontrolli i fakteve për progresin e Maqedonisë së Veriut drejt BE -së, i zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis. Artikulli, i botuar fillimisht në Vërtetmatës, është mundësuar nga mbështetja e fondacionit jofitimprurës amerikan NED (National Endowment for Democracy). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Metamorphosis, NED ose bashkëpunëtorëve të tyre

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.