Ekonomia e Maqedonisë ngadalë po shkon drejt gazit

Фото: pixabay.com

Vitin e kaluar janë harxhuar rekord prej 420 milionë metra kub gaz normal. Në Maqedoninë e Veriut deri në vitin 2024 duhet të sigurohen kapacitete për qasje në 5.5 miliardë metra kub gaz me interkoneksionin me Greqinë. Vendi duhet të bëhet gazsjellës nga ku Kosova dhe Serbia jugore do të marrin gaz.

 

Shkruan: Goran Lefkov

 

Maqedonia e Veriut për dy vjet e ka lënë varësinë e plotë nga gazi rus. Sasitë e para të gazit rus në Maqedoninë e Veriut arritën në gjysmën e dytë të viteve 1990. Kapaciteti i tubit është 800 milionë metër kub gaz, me presion 40 bar. Nëse stacioni i kompresorit në Qyustendil ndërrohet në 54 bar, mund të marrim kapacitet maksimal prej 1.2 miliardë metër kub gaz.

Por ky kapacitet nuk ka arritur asnjëherë shfrytëzim më shumë se 40 për qind. Arsyet, sipas Mirçe Adamçevskit, ish-korrespondent i “Nova Makedonija” nga Moska dhe njohës i situatës me gazin rus, janë politike.

Rusia përdor gazin dhe energjinë si armë. Të qenit të varur vetëm nga një burim gazi na bën shumë të cenueshëm si ekonomi, thotë Adamçevski.

Ai beson se duhet të kemi qasje të larmishëm në gaz për të marrë përfitimet e tij.

Kështu thuhet edhe në publikimet e Bashkimit Evropian. Komisioni Evropian, në studimin e tij “Energjia si mjet i politikës së jashtme të vendet autoritare, me theks Rusisë“, thotë se Rusia përdor burimet e energjisë për të mbrojtur dhe promovuar interesat dhe për të zgjeruar pjesëmarrjen gjeopolitike në vende të tjera.

Për Mitko Andreevskin, ish-këshilltar për gazifikimin në qeverinë e udhëhequr nga ish-kryeministri Zoran Zaev, shfrytëzimi i gazit është i pamjaftueshëm.

Paradoksi i këtij shteti është që para 10 vitesh të ketë gazsjellës virtual në Strumicë, ku gazi të transportohet me kamionë dhe të ketë 400 shfrytëzues, ndërsa në Shkup që ka gazsjellës para 30 viteve të mos ketë asnjë familje të lidhur tek ai tubacion, thotë Andreevski.

Ai gjithashtu beson se lidhja vetëm me gazin rus e bën ekonominë e Maqedonisë tepër të cenueshme dhe të paqëndrueshme.

Deri tani, përdorimi i gazit rus ka qenë shumë i pasigurt. Nëse, për shembull, një biznesmen duhet të vendos se në çfarë teknologjie të investojë, gazi do të vinte i fundit sepse ai do t’i bënte vetes pyetjen: megjithëse gazi është më i liri, po sikur Putini të mbyllë tubacionin? Kapaciteti im do të duhet të qëndrojë për aq kohë sa rusët të më lëshojnë gazin, tha Andreevski.

Ai beson se kjo frikë nuk do të ekzistojë më pas vitit 2024, kur duhet të rrjedhin sasitë e para të tubacionit nga Greqia.

 

Rrjedha jugore (Rrjedha turke) nuk i duhet Maqedonisë së Veriut

Lidhja me gazsjellësin rus, i njohur më parë si Rrjedha e jugut, ndërsa tani Rrjedha turke, do të rrisë rreziqet e sigurisë në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore. Kështu thuhet në publikimin e Qendrës për Studimin e Demokracisë në Sofje. Ata thonë se pjesa e gazit rus në Evropë në 10 vjet është rritur nga 30 në 35 për qind.

Sipas njohësve të situatës së gazit në vend, lidhja me të është e palogjikshme.

Nëse ne kemi një gazsjellës rus nga Gazprom që nga viti 1997, i cili deri më sot nuk është përdorur më shumë se 40 për qind, atëherë pse është e rëndësishme për mua të lidhem me një tubacion tjetër të të njëjtit furnizues, pra Gazprom përmes tubacionit Rrjedha turke (jugore). Edhe atëherë, 10 vjet më parë, thashë se ne kishim nevojë për qasje në gaz nga jugu dhe diversifikimin e furnizuesve, tha Andreevski.

I mendimit të njëjtë është edhe Adamçevski.

Ndërkohë Rusia po ndërton një tjetër gazsjellës në Ballkan, të ashtuquajturin “Rrjedha e jugut” i cili përmes Turqisë dhe Bullgarisë shkon në Serbi. Duhej të kishte këmbë edhe për Maqedoninë, por mendoj se është e panevojshme. Ai gaz do të jetë sërish rus dhe nuk shoh arsye për t’u bashkuar me të, kur tashmë kemi një tub me gaz rus, i cili nuk përdoret as 30%, thotë Adamçevski.

Ai shton se nëse vendi dëshiron të jetë i pavarur energjetikisht, duhet të lidhet me Gazsjellësin e Azerbajxhanit (TAP) dhe me interkonektorin në Aleksandropolis, nga ku do të marrim gaz prej anijeve. Kur të kemi dy burime, Rusia nuk do të mund të na shantazhojë ekonomikisht për arsye politike.

 

Lidhja e gazit me Greqinë e bën vendin nyje rajonale të gazit

Vendi duhet të ketë lidhjen me Greqinë përmes një interkonjeksioni në zonën e Nea Mesimbrisë, 50 km në jug të Gjevgjelisë dhe 20 km në veriperëndim të Selanikut. Tubacioni i gazit duhet të transportojë 2.8 miliardë metër kub gaz (7 herë më shumë se konsumi aktual i gazit në Maqedoninë e Veriut).

Kjo ndërlidhje me rrjetin tonë të transmisionit do të lidhet në Negotinë dhe pritet të funksionalizohet në vitin 2024, duke diversifikuar dhe stabilizuar burimet tona të furnizimit me gaz natyror. Pjesëmarrja jonë në ndërtimin e LNG – terminalit në Aleksandropolis e rrit rëndësinë dhe nevojën për lidhje të shpejtë me Republikën e Greqisë, thotë Bajram Rexhepi, drejtor i “National Energy Resources” (NER), kompani përgjegjëse për ndërtimin e tubacioneve të gazit në Maqedoninë e Veriut.

Vlera totale e kësaj lidhje fillimisht ishte menduar të kushtonte 54 milionë euro. Megjithatë, investitorët vendosën të përmirësojnë tubacionin, përveç transportit të gazit natyror (metanit), që në të ardhmen të mund të përdoret edhe për transportin e hidrogjenit. Prandaj, çmimi i gazsjellësit është rritur në 58.5 milionë euro.

Me emrin gazsjellës sot ne nënkuptojmë vetëm një tub dhe një sistem që transporton gazin natyror. Emri gazsjellës në kuptim të gjerë do të thotë tubacion për transportin e gazit dhe si do të jetë ai gaz, metan apo hidrogjen, kjo është çështje tjetër. Kështu duhet të shikojmë investimet e ardhshme në infrastrukturën e gazit, thotë Andreevski.

Sipas Agjendës së gjelbër evropiane, Bashkimi Evropian duhet të dekarbonizohet deri në vitin 2050, Japonia deri në vitin 2035 dhe Shtetet e Bashkuara deri në vitin 2040. Kjo do të thotë se lëndët djegëse fosile që përmbajnë karbon do të hiqen gradualisht. Gazi natyror ose sipas përbërjes kimike është metan me formulë kimike CH4. Edhe pse është karburanti më ekologjik, ai përsëri përmban karbon, që do të thotë se ka njëfarë ndotje.

Për momentin, mënyrat më të zakonshme për të prodhuar hidrogjen janë me depozitimin e gazit natyror dhe e dyta është me elektrolizë të ujit.

Opsioni i dytë për prodhimin e hidrogjenit është varianti që është i disponueshëm tek ne. Ai është përdorimi i paneleve diellore që do të prodhojnë energji elektrike, e cila do të përdoret për elektrolizën e ujit (që është me formulë kimike H2O), do të ndahet oksigjeni dhe do të mbetet hidrogjeni i pastër H2, thotë Andreevski.

Kjo do të thotë se Maqedonia e Veriut në të ardhmen mund ta përdorë këtë tubacion për eksport hidrogjeni, nëse e prodhon me elektrolizë të ujit, shtoi ai.

 

Nyje rajonale e gazit

Me ndërtimin e lidhjes së gazit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, vendi duhet të bëhet qendër gazi në Ballkan nga ku gazi duhet të tërhiqet nga vendet fqinje.

Planet tona përfshijnë lidhjen me dy fqinjët tanë veriorë, Serbinë dhe Kosovën, si dhe me Shqipërinë dhe një interkonektor të dytë me Bullgarinë afër Strumicës, i cili ofron bazë shumë solide për krijimin e një tregu të integruar dhe stabil rajonal të gazit natyror, tha Rexhepi.

Ai shton se me Serbinë është planifikuar të ketë lidhje të dyanshme në të cilën ne mund të nxjerrim gaz prej tyre dhe ata të nxjerrin nga gazsjellësi ynë që po e ndërtojmë tani. Serbia jugore nuk është e lidhur me gazsjellësin me Serbinë veriore, dhe është shumë më afër. Serbia është më pak se 30 km nga rrjeti aktual i Gamës.

Nëse Serbia jugore tërheq 600-700 milionë metër kub gaz nga ne, atëherë planifikohet të ndërtohet një interkonektor tjetër me Shqipërinë dhe atë gaz ta tërheqim prej atje. Në 15 vitet e ardhshme, kapacitetet e TAP-it janë të rezervuara. Shtetet mund të tërheqin deri në 10% të këtyre kapaciteteve, kështu që nëse Shqipëria nuk i përdor ato kapacitete, është e mundur që ne t’i përdorim. TAP ka kapacitet prej 20 miliardë metra kub gaz në vit, thonë burimet e Vërtetmatësit lidhur me ndërtimin e rrjetit të gazsjellësit në vend.

 

Përdorimi i gazit

Përdorimi i gazit në vend po rritet vazhdimisht çdo vit. Në Raportin vjetor për vitin 2020 të Komisionit Rregullator të Energjisë (fq. 91) thuhet se në vend janë konsumuar 337 milionë metër kub normal gaz. Këtë vit, konsumi është rritur me më shumë se 20 për qind për një vit.

2021 është vit rekord në konsumin e gazit. Raportet nuk janë ende gati, por me sa di unë janë konsumuar 420 milionë metër kub gaz normal. Ky është konsum rekord që nga sjellja e gazit në vend, thotë Marko Bislimovski, kryetar i Komisionit Rregullator për Energjetikë.

Ai shton se arsyeja e konsumit rekord të gazit është meritë e “Te-To”, por edhe fakti që ekonomia po punonte në përmasa më të mëdha.

Gjithashtu, kemi pasur edhe disa lidhje të reja në rrjetin e gazit. Por, arsyeja më e madhe e konsumimit të këtyre sasive është se kompanitë kanë siguruar çmime relativisht të ulëta të gazit. Deri më 31 dhjetor 2021, çmimi mesatar ishte rreth 230 dollarë për metër kub gaz normal. “Makpetrol” dhe “Te-To” kanë siguruar çmime të lira në vitin 2020, theksoi Bislimovski.

Maqedonia e Veriut, por edhe vendet e rajonit janë konsumatorë shumë të vogël të gazit. Kjo lë hapësirë ​​me lëshimin e interkonjektorit me Greqinë, që të rritet përdorimi i gazit.

 

Tabela 1. Përdorimi i gazit për banorë

 Shteti  Harxhimet për banorë
               1  Gjermania                                        1.451 (nm³)
               2  Turqia                                           731 (nm³)
               3  Kroacia                                           612 (nm³)
               4  Rumania                                           545 (nm³)
               5  Bullgaria                                           478 (nm³)
               6  Greqia                                           473 (nm³)
               7  Sllovenia                                           431 (nm³)
               8  Serbia                                           389 (nm³)
               9  Maqedonia e Veriut                                           200 (nm³)
            10  Bosnja e Hercegovina                                             60 (nm³)
            11  Shqipëria                                             16 (nm³)
            12  Kosova                                              –
 Burimi: https://www.cia.gov/the-world-factbook/field/natural-gas-imports/

 

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.