EIU – e humbur në rangim: Maqedonia po aq demokratike sot sa edhe në vitin 2006

 

Që nga viti 2006, e deri vjet, kompania britanike për hulumtime ekonomike, EIU, në Indeksin e saj të demokracisë konsideron se me demokracinë e Maqedonisë është çdo gjë në rregull dhe se në këtë periudhë në plan demokratik nuk sheh pothuajse asnjë ndryshim.

 

Публикацијата „Индекс на демократија“ во 2012 година со наслов „Закочена демократија“. Добро, ама изгледа станува збор и за закочено рангирање. Фото: ЕИУ
Nga publikimi „Indeksi i demokracisë“ në vitin 2012 – titulli „Demokraci e ngecur“. FOTO: EIU

 

Shkruan: Vlladimir Petreski 

3 vitet e fundit interesim të veçantë tek publiku në Maqedoni ka zgjuar rangimi i Maqedonisë sa i përket lirisë së medieve të bërë nga organizata ndërkombëtare e gazetarisë Reporterë pa kufij. Në të vendi jonë shënon rënie nga vendi i 34-të në vitin 2009 në vendin e 124 në vitin 2014. Gjithashtu, përmendet edhe rangimi i Freedom House në tematikën e njëjtë, ku rënia nuk është edhe aq dramatike, por megjithatë e konsiderueshme.

Nga ana tjetër, në rangimin e quajtur Indeksi i demokracisë, të cilin e bën kompania britanike Economist Intelligence Unit (EIU – Njësia për inteligjencë ekonomike) gjendja është krejtësisht ndryshe. Maqedonia edhe në vitin 2009 dhe vjet ka qenë në vendin e 72-të, që do të thotë se demokracia në Maqedoni në 5 vitet e fundit ka qenë plotësisht stabile dhe niveli i zhvillimit demokratik ka mbetur i pandryshuar. Për më shumë, vjet niveli demokratik i Maqedonisë madje është përmirësuar për dy vende nga vendi i 74-të në 2013.

Edhepse nuk bëhet fjalë për hulumtime me metodologji të njëjtë, ku dy të parat janë koncentruar në lirinë e shprehjes dhe medieve, ndërsa e treta ka një përfshirje më të gjerë – demokracinë, gjithsesi, liria e medieve është aq e ndërlidhur me zhvillimin demokratik sa që mospërputhja e këtillë në rangim është e pabesueshme. Sidomos nëse rikujtojmë gjithë atë që vitet e kaluara mbi të gjitha e dëmtoi pasqyrën demokratike për këtë vend – ngjarjet e 24 dhjetorit të vitit 2012 për largimin e dhunshëm të deputetëve të opozitës nga Kuvendi dhe dëbimin e gazetarëve nga galeria e parlamentit, bojkotin parlamentar dhe zgjedhor të opozitës, mbytjen e medieve, arrestimet e inskenuara dhe proceset gjyqësore me akuza të fryra dhe dënime drakonike të cilat i mbushin burgjet dhe një mori ngjarjesh të tjera të cilat flasin qartë për atë se konsensusi themelor politik, për të cilin duhet të kujdeset dhe ta zhvillojë demokracia, është në krizë të thellë.

 

A BËN PJESË MAQEDONIA NË EVROPËN LINDORE?

Në publikimin, në të cilin është publikuar rangimi i vitit 2014, gjendja në rajonin e Evropës Lindore në planin e zhvillimit demokratik është e diagnostikuar relativisht saktë . Por, nga ana tjetër, ky diagnostikim i saktë kurrsesi të pasqyrohet në rangimin e vendit. EIU në asnjë mënyrë nuk pranon se në 9 vitet e kaluara në mënyrë të vazhdueshme ka gabuar kur bëhet fjalë për Maqedoninë. Për shembull, rangu i Maqedonisë në vitin 2006 (vendi i 68) është pak më i mirë se në vitin 2014 (vendi i 72). Kjo thjesht do të thotë se ose rangu i vitit 2006 ka qenë shumë i ulët dhe se vendi atëkohë ka merituar rang më të mirë, ose se diçka nuk është në rregull me pozitën ku është sot.

 

Indeksi i demokracise
Maqedonia, Eldorado demokratike – krahë më krahë me Kroacinë dhe Rumaninë, pothuajse sa Çekia. Harta e segmentit Evropian të Indeksit të demokratisë për vitin 2014. Foto: Wikipedia 

 

 

Duke e lexuar publikimin, veçanërisht pjesët për Evropën Lindore, nuk mund të anashkalohet përshtypja se si Maqedonia nuk është pjesë e rajonit dhe si për atë nuk vlen ajo që ndodh rreth nesh, ose, sikur të jemi të harruar midis numrit të madh të shteteve dhe territoreve të cilëve u referohet ky hulumtim.

Hulumtimi analizon 5 kategori: procesin zgjedhor dhe pluralizmin, liritë e qytetarëve, funksionimin e pushtetit, participimin politik dhe kulturën politike, dhe që të zbulohen gjendjet në to parashtrohen 60 pyetje, nga përgjigjet e së cilave varet rangimi i një vendi. Indeksi paraqet mesatare të përgjigjeve të këtyre pyetjeve, të cilat kanë dy deri në tre përgjigje të paracaktuara, që paraqesin „vlerësimet e ekspertëve”, edhe pse nuk publikohet asgjë për to: kush janë, sa është numri i tyre, prej ku janë (lokalë apo të huaj), a janë të punësuar në EIU ose jo. Gjithsesi, gjatë numërimit të 5 kategorive të mësipërme, nëse jetoni në Maqedoni dhe i ndiqni ngjarjet aktuale, menjëherë u kujtohen një sërë problemesh për secilën prej tyre. Pjesa më e madhe e këtyre çështjeve janë të trajtuara në raportet e OSBE-së dhe Unionit Evropian.

 

Ja se çfarë thotë pjesa tekstuale e rangimit të fundit në vitin 2014 (publikuar para më pak se dy muaj) për rajonin tonë:

 

Në Evropën Lindore, ku demokracia ishte restauruar kohët e fundit, ekziston disponim i një zhgënjimi të thellë dhe të përhapur prej saj dhe rezultati rajonal shënon rënie që nga viti 2006.

 

Kjo është mjaft e saktë edhe kur bëhet fjalë për Maqedoninë. Por, qëndrimi i këtillë kurrsesi nuk pasqyrohet në rangim. Maqedonia është në grupin e dytë të shteteve të „demokracive me gabim” (flawed democracies), menjëherë pas „demokracive të përgjithshme”, ka një rang global mbi mesataren (vendi i 72-të nga gjithsej 167 vende/territore) dhe me notë më të mirë prej mesatares në rajon (6,25 kundrejt 5,8 për të gjithë Evropën Lindore). Përderisa i gjithë rajoni është në vend të tretë nga pas (para rajoneve të Lindjes së Afërme/ Afrikës Veriore dhe Afrikën Subsahariane), Maqedonia është ranguar më mirë se mesatarja edhe e Azisë dhe Australazisë, diku shumë më afër vendeve të Amerikës Latine, mesatarja e të cilave është 6,36 (nota maksimale është 10, notën më të lartë e ka Norvegjia me 9,93).

Krahas rënies gjenerale të demokracisë në rajon, EIU vë re mirë edhe një rënie globale në liritë e medieve, por edhe ai sikur nuk vlen për Maqedoninë:

Rënia e dukshme e lirive të medieve, e cila në një masë të caktuari përfshiu të gjithë rajone, u përshpejtua në krahasim me vitin 2008. Kjo i përfshiu kryesisht mediet elektronike, të cilat shpesh janë nën kontroll shtetëror ose nën ndikim të fortë nga shteti – edhe pse represioni dhe rrënimi i lirisë së shprehjes  përhapet njësoj edhe mbi mediet e shtypura, ndërsa kohët e fundit edhe mbi internetin.

 

Ky paragraf sikur të ishte shkruar pikërisht për vendin tonë. Por, për dallim nga Bosnja dhe Hercegovina dhe Bullgaria, të cilat vjet përjetuan një rënie në rangim, edhe përkrah gjendjes shumë më të mirë me mediet në këto dy shtete, Maqedonia vjet shënoi rritje në indeksin e EIU-së. Dhe kjo jo vetëm krahasuar me Bosnje dhe Hercegovinën dhe Bullgarinë, por edhe me gjithsej 18 vende të Evropës Lindore që kanë shënuar rënie vitin që shkoi.

 

Kështu, tani, sipas këtij indeksi, Maqedonia dhe Republika Çeke gjenden në grup të njëjtë vendesh – „demokraci me gabim”, pas rënies së Çekisë nga grupi i vendeve që mbajnë titull „demokraci e plotë” edhe pse sipas rezultateve pozita e Çekisë është më e lartë se ajo e Maqedonisë (7,94 kundrejt 6,25)

 

EVROPA LINDORE PËRPLOT ME PROBLEME, MAQEDONIA JO?

EIU gjen probleme në të gjitha nënrajonet e Evropës Lindore, duke theksuar se në vendet e ish- Bashkimit Sovjetik paraqiten tendenca autoritare, të cilat po fortifikohen edhe më shumë, ndërsa shtohet edhe se demokracia erodon edhe në nënrajonin e Evropës Qendrore, me ç’rast theksohet se suksesi i 11 shteteve me hyrjen në BE në vitin 2004 krijoi përshtypje të një tranzicioni të lehtë drejt modelit perëndimor të demokracisë, që të shtohet pastaj se janë vënë re që nga kriza ekonomike botërore në vitet 2008-09, e që sot ato të jenë edhe më të theksuar.

 

 

Rangimi 2006 - 2014
Demokracia në Maqedoni është pothuajse e njëjtë edhe në vitin 2006 dhe në vitin 2014. Grafiku: Vistinomer.mk. Të dhëna: EIU

 

 

Si shembuj, përsëri për sjelljen autoritare, hapësirë e veçantë është ndarë për Hungarinë dhe Rusinë. Kur EIU shkruan për këto dy shtete, menjëherë vihen re paralelet me Maqedoninë. Për Rusinë thuhet se tani është e „menaxhuar” dhe „demokraci skenike e menaxhuar”, gjë që e vinim re edhe tek ne disa vitet e fundit nëpërmjet medieve pro – qeveritare dhe informimin e tyre propagandistik të menaxhuar nga një qendër, por edhe nëpërmjet menaxhimit të përforcuar të zgjedhjeve, për menaxhimin e të cilave nga regjistrimet me bisedat e përgjuara përfundimisht e pamë se ka shkuar shumë larg. Për Duma-n ruse nga ana tjetër, thuhet se është organ i cili vetëm i vulos ligjet e propozuara pa diskutim, gjë që aspak nuk dallon ngaParlamenti „njëpartiak” i Maqedonisë kur bëhet fjalë për bllokun maqedonas në të cilin koalicioni në krye me VMRO-DPMNE-në ushtron pushtet sovran. Për Rusinë thuhet dhe se momenti autoritar është përforcuar pas okupimit të Krimesë, si dhe pas insistimit të vlerave konservative dhe nacionalizmit të theksuar.

Nacionalizmi i përforcuar është karakteristikë edhe në Hungari, ku presidenti i atjeshëm autokratik Viktor Orban lajmëroi ndryshim të Kushtetutës, si dhe sjellje të tatimit për Internet dhe hetime mbi organizatat joqeveritare, pasi fitoi shumicë prej dy të tretave në zgjedhje. Së paku sa i përket kushtetutës, gjendja edhe këtu është shumë e ngjashme  me Maqedoninë, ku lajmërimi për ndryshimin e saj në drejtim konservativ pasoi menjëherë pas zgjedhjeve, edhe pse gjatë fushatës parazgjedhore nuk dëgjuam, dhe as në programin e partisë në pushtet  nuk lexuam gjë të tillë.

 

EIU NUK E NDJEK REVISTËN SIMOTËR „EKONOMISTI“

Për tu njoftuar me gjendjet në Maqedoni ekspertëve të BE-së u mjaftonte hapin të përjavshmen Londineze „Ekonomist”, të cilën e publikon kompania simotër me pronarë të njëjtë, por ku punojnë ekipe/redaksi të ndryshme. „Ekonomist” është mbase publikimi javor ndërkombëtar i karakterit të përgjithshëm informativ më i respektuar në botë me 1,5 milionë shembuj në tirazh global dhe nëse vështrohen shkrimet për Maqedoninë të disa viteve të kaluar, nuk mund të anashkalohen shkrimet e shumta në të cilat flitet për gjendjen e keqe me lirinë e medieve, diskriminimin me të cilin përballet komuniteti LGBT, arrestimin e Vranishkovskit, shkrimet për Shkupin 2014 (këtu, këtu dhe këtu), për përleshjet ndëretnike, për gjendjen e keqe ekonomike dhe indeksin e mizerjes në të cilin Maqedonia ishte në vend të parë në vitin 2011, bojkotin e opozitës, ngjarjet e 24 dhjetorit, për aferën më të re me përgjimet dhe të tjera. Të gjitha këto japin pasqyrë të një vendi i cili përballet me probleme serioze në planin e demokracisë.

Problemet me objektivitetin e EIU ndaj Maqedonisë dalin në pah edhe jashtë indeksit për demokracinë. Aktiviteti kryesor më të cilin merret EIU është përpunimi i analizave politike dhe ekonomike, si dhe projektimet për rrezikun kreditues dhe sovran të 189 shteteve. Klientë kryesorë për analizat e këtilla janë korporatat globale, gjegjësisht ato firma që investojnë anembanë botës, pra edhe në Maqedoni. Bëhet fjalë për shkrime që kanë për qëllim t’i shpjegojnë kushtet politike dhe ekonomike në shtetet e botës, duke ruajtur një notë të një analize serioze dhe autoritare, dhe me qëllim që të përpunohen tema të një interesi të rëndësishëm për biznesin ndërkombëtar  që ai të jetë i plotësisht i informuar para se të hyjë ose përderisa është prezent në një treg nacional konkret ose rajon. Por, për shembull, nëse vështrohet analiza e 10 marsit të vitit 2014 (duhet regjistrim, duhet parapagesë) me titull: „Qeveria mbetet në pozitë të fuqishme”, fitohet një përshtypje krejtësisht ndryshe.

 

PROBLEMI I EIU ME MAQEDONINË – SHUMË MË I THELLË

 

Pjesë të këtij teksti parazgjedhor u përcollën në origjinal në gjuhën angleze edhe ne vendin tonë, gjë që është në kundërshtim me praktikën dhe kontratën për parapagese me kompaninë, sepse kështu EIU nuk do të ketë se çfarë t’u shesë klientëve te vet – edhe atë me çmim prej 1.085 stërlina, sa edhe është parapagesa vjetore për setin informativ vetëm për Maqedoninë. Gjithsesi, ai ishte jashtëzakonisht joobjektiv dhe plotësisht  në favor të pushtetit. Nga anketat e shumta parazgjedhore për mendimin publik, ishte cituar vetëm njëra në të cilën Ivanov ka një avantazh për një të tretën para Pendarovskit. Thuhet se Pendarovski as nuk është përpjekur të mbledhë nënshkrime për kandidaturën e tij, edhe pse për atë gjë nuk ka pasur asnjë nevojë ose obligim ligjor (gjë që nuk është shënuar), sepse ai u kandidua nga një numër  i mjaftueshëm i deputetëve. Në tekst thuhet dhe se për shkak të mënyrës në të cilën Pendarovski është kandiduar për president, 130 delegatë e kanë bojkotuar kongresin partiak të LSDM-së, gjë që nuk është konfirmuar askund dhe që është problematike. Nga ana tjetër, në pjesën për bllokun politik shqiptar , kërkesa e BDI-së për kandidat presidencial konsensual vlerësohet si „përçmim diplomatik” (???).

 

 

TE HUMBUR NE RANGIM
Grafiku: Vistnomer.mk. Të dhëna: EIU, RPK, FH

 

 

 

Kah fundi i tekstit LSDM-ja vlerësohet si „elitiste dhe pseudo-intelektuale”. Është e vërtetë se partia në pushtet e sulmonte LSDM-në për elitizëm, por kjo „pseudo-intelektuale” për herë të parë është shkruar në këtë tekst. Pendarovskit i merren për të keq disa deklarata për emrin të cilat qenkan „kundër interesit kombëtar”, dhe edhe pse ato nuk janë as të cituara, as të parafrazuara në tekst, kinse bëhet fjalë për „Kurir”-in dhe „ekspertët” e tij të paemërtuar, të cilët për momentin janë burimet më sekrete në gazetarinë e Maqedonisë.

 

Reagime më të mëdha shkaktoi pjesa e këtij shkrimi ku ishte „cituar” gazetari Aco Kabranov, për të cilin ishte shkruar se simpatizuesit e Gjorgji Ivanovit i ka quajtur „turrma të palara”, gjë që doli se nuk ka lidhje me realitetin, që nuk u vërtetua në asnjë mënyrë (përsëri sindroma „Kurir”) dhe që, më në fund u demantua. Ky shkrim qartë tregon se burimet e EIU-së janë lokale dhe shumë të afërt me pushtetin, së paku sa i përket analizave, në mos edhe kur bëhet fjalë për indeksin e demokracisë.

 

ZAEVIN E KANË ARRESTUAR? KUR KËSHTU?

Edhe pas publikimit të „bombave” të opozitës, me të cilat përfundimisht ranë maskat, që e tregon shumë qartë shtypi botëror, duke filluar nga Ekonomisti, pastaj Financial Times, Frankfurter Agemajne, Frankfurter Rundshau, Noje Ciriher Cajtung dhe shumë të tjerë, EIU dhe bashkëpunëtorët e tyre për Maqedoninë sillen sikur të jetojnë në një univers paralel.

Edhe pse në regjistrimet e bisedave të përgjuara ka edhe biseda të tilla që janë të një interesi të madh për investitorët e huaj, si ai me problemet me inspekcionet me të cilat përballet „Agrokori” kroat, kjo  nuk është aspak interesante për kompaninë britanike për inteligjencë ekonomike. Pastaj, nga „bomba” e parë kaluan pothuajse dy muaj, por EIU ka vetëm një tekst me titull (nevojitet regjistrim, nevojitet parapagesë) „Vend i zënë në arrestimin e liderit të opozitës për konspiracionin Puç“. Siç dihet shumë mirë, lideri i opozitës Zoran Zaev, asnjëherë nuk ka qenë i arrestuar për rastin „Puç“. Atij vetëm i është kërkuar ta dorëzojë pasaportën e vet dhe kjo është e gjitha.

 

Çfarë po ndodh me EIU-në mbetet fare e paqartë. Thjesht është e çuditshme që në vitin kur opozita vendos të mos i njohë rezultatet e zgjedhjeve dhe të mbesë jashtë kuvendit, një vend të ngjitet për dy vende në rangimin me titull Indeks i demokracisë, edhe atë në një situatë kur në të gjithë rajonin e Evropës Lindore 18 shtete shënojnë rënie. Rangimi i këtillë i Maqedonisë në këtë indeks ndoshta ndihmoi që vendi përkohësisht të duket më mirë në sytë e investitorëve të huaj, por nga ana tjetër, pengoi betejën për demokraci, e cila ishte lëndë e një interesi ndërkombëtar shumë të vogël, të paktën deri para publikimit të bisedave të përgjuara. Por, pas publikimit të tyre dhe kritikave të hapura edhe nga ana e shtypit botëror dhe bashkësisë ndërkombëtare, EIU nuk ka asnjë të drejtë të sillet sikur në këtë vend nuk ndodh asgjë dhe gjendjet në plan demokratik t’i trajtojë në mënyrë të njëjtë si në vitin 2006 kur Maqedonia ishte lider në rajon edhe për demokraci edhe për afrimin drejt BE-së dhe NATO-s.

 

Demokracia megjithatë, nuk është një ose dy fjalë të cilat mund të humben në përkthim. Rezultatet e saj, mangësitë dhe (mos)ekzistimi në një vend janë shumë të dukshme që një organizatë globale të mundet të humbet në rangimin e saj për një periudhë kaq të gjatë (me vite), të lejojë të shndërrohet në peng të bashkëpunëtorëve të vetë lokal edhe atë përkundër të gjithë shenjave që flasin se në terren po ndodh diçka krejtësisht ndryshe nga ajo që EIU ja shfaq botës, duke penguar kështu kthimin e demokracisë dhe largimin e regjimit aktual populistik dhe autokratik.

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.