Dukuria e rrallë e “mundjes së imunitetit” nuk është arsye për të refuzuar vaksinat

Фото: pxhere.com

Edhe të vaksinuarit infektohen me Kovid, ndërsa disa prej tyre edhe vdesin! Me këtë informacion, qarqet anti-vaksere në vend u zgjuan dhe u gëzuan që vaksinat, në fakt, kanë dështuar. Por a është vërtet kështu dhe pse në vend dhe në botë – kudo pa përjashtim, ka raste të rralla ku qytetarët të cilët janë vaksinuar me dy doza të vaksinës kundër Kovid-19 përsëri janë infektuar, ndërsa një numër shumë i vogël i tyre edhe kanë vdekur si pasojë e komplikimeve nga virusi?

Shkruan: Mirosllava Burns

Analizat e fundit nga Instituti kombëtar i shëndetit publik në Itali tregojnë se që nga muaji shkurt, pothuajse 99 % e vdekjeve nga Kovid-19 janë raportuar tek njerëzit që nuk kanë pranuar të dy dozat e vaksinës. Raporti zyrtar i Institutit thotë se numri i vdekjeve në mesin e personave që kanë pranuar dy doza të vaksinës është shumë i ulët, pra rreth një përqind, dhe bëhet fjalë për njerëz me probleme shëndetësore para infektimit me koronavirus, me një moshë mesatare mbi 88 vjeç. Incidenca e infeksionit, pra raporti midis numrit të rasteve të reja dhe popullsisë së përgjithshme, është dhjetë herë më i ulët te personat e vaksinuar sesa tek personat e pavaksinuar, gjë që është një konfirmim i fortë i efekasitetit të vaksinave, raporton Vërtetmatësi.

Rritje e numrit të personave të hospitalizuar dhe vdekjeve në mesin e popullatës së pavaksinuar është regjistruar në disa vende evropiane. Pas një rritjeje të madhe të rasteve të reja në Spanjë nga fundi i qershorit, më shumë se 83 % e rasteve të vdekjes janë regjistruar në mesin e personave të pavaksinuar, ndërsa 11.4 % kanë qenë të vaksinuar vetëm me një dozë të vaksinës. Në Mbretërinë e Bashkuar, 60 % e personave të hospitalizuar nuk kanë qenë të vaksinuar me dy doza të vaksinës, si edhe në Belgjikë, ku pothuajse gjysma e të infektuarve me një pasqyrë të rëndë klinike nuk kanë qenë të vaksinuar me të dyja dozat e vaksinës.

Në Shtetet e Bashkuara, pothuajse 100 % e të gjithë të hospitalizuarve janë të pavaksinuar dhe sipas të dhënave për muajin qershori, 98 deri në 99 % e personave që kanë vdekur nuk kanë pranuar asnjë doze të vaksinës. Me paraqitjen e llojit delta të Kovid-19, numri i rasteve të reja në Shtetet e Bashkuara po rritet me shpejtësi, sidomos në shtetet ku shkalla e vaksinimit është e ulët.

Vaksinimi është mënyra e vetme për ta shuar pandemisë. Në këtë luftë të përbashkët, ne të gjithë kemi përgjegjësi të njëjtë. Çdo qytetar që nuk është i imunizuar rrezikon shëndetin e tij, por edhe shëndetin e të tjerëve. Për të parandaluar kthimin e masave kufizuese dhe për t’u kthyer në jetën normale të përditshme, e rëndësishme është që të kontribuojë dhe të vaksinohet secili prej nesh, thonë nga Ministria e shëndetësisë. 

Vaksinat e bëjnë efektin e tyre 

Doktor Zllate Mehmedoviq nga Shtëpia e shëndetit Shkup, për “Vërtetëmatësin“ thotë se vaksinat kundër Kovid-19 janë shumë efikase në parandalimin e formave të rënda të sëmundjes, hospitalizimit dhe vdekjes, dhe gjithashtu zvogëlojnë mundësinë e infeksionit me pasqyrë të lehtë ose asimptomatik.

Vetëm një pjesë e vogël e personave të vaksinuar me dy doza infektohen, dhe numri i të shtruarve në spital me pasqyrë të rëndë të sëmundjes dhe i vdekjeve është dukshëm më i ulët. Por këto dukuri të rralla, të njohura si „breakthrough cases“ ose raste të mundjes së imunitetit janë të pritshme, pasi asnjë vaksinë nuk mund të jetë 100 % efikase. Sipas analizës  së kryer nga Qendra amerikane për kontrollimin e sëmundjeve, të të dhënave nga Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe Izrael, vaksina Pfizer është më shumë se 90 % efikase kundër hospitalizimit ose vdekjes, edhe në rast të infektimit me llojin delta. Sipas CDC, personat e pavaksinuar janë 8 herë më të rrezikuar nga infektimi me koronavirus dhe forma e lehtë e sëmundjes, 25 herë më të rrezikuar nga hospitalizimi dhe 24 herë më të rrezikuar nga vdekja si pasojë e Kovid-19 për dallim nga personat e vaksinuar, shpjegon dr. Mehmedoviq.

Ai shton se përfundimi final është se këto raste janë jashtëzakonisht të rralla dhe nuk janë arsye për eskalimin e pandemisë.

Në vendet me një shkallë të lartë vaksinimi, valët e Kovid-19 nuk kanë si rezultat rritjen e numrit të hospitalizimeve ose vdekjeve.

Shembulli i Mbretërisë së Bashkuar tregon se pavarësisht rritjes së madhe të rasteve për shkak të llojit delta, ka vetëm rritje të vogla të hospitalizimeve dhe vdekjeve, nga të cilët pjesa më e madhe, mbi 95% e hospitalizimeve janë persona të pavaksinuar. Prandaj, nuk duhet të përqendrohemi në këto raste të rralla të mundjes së imunitetit. Njerëzit e vaksinuar duhet të jenë të kujdesshëm, por gjithsesi mundësia e infektimit tek ata është 8 herë më e ulët në krahasim me personat e pavaksinuar. Për t’i dhënë fund kësaj pandemie, ne duhet të përqëndrohemi në rritjen e shkallës së vaksinimit me vaksina që ende janë shumë efikase kundër të gjitha llojeve të virusit. Nëse nuk e arrijmë këtë, ka shumë mundësi që të shfaqet një lloj i ri i virusit që do të jetë krejtësisht rezistent ndaj vaksinave, shton Mehmedoviq.

Doktor Goran Kungullovski, i cili punon në Laboratorin e gjenetikës dhe mjekësisë së personalizuar në Klinikën „Zhan Mitrev”, thekson se vaksinat ende po bëjnë punën e tyre, edhe kundër llojit delta të koronavirusit, i cili është më infektiv. Për më tepër, lloji delta infekton për kohë më të shkurtër nga kontakti në krahasim me llojin origjinal të koronavirusit. Tek të infektuarit me llojin delta, sipas doktor Kungullovskit, zbulohet përqendrim rreth një mijë herë më i lartë i virusit sesa me llojin original të koronavirusit.

Meqë koha nga kontakti deri në konfirmim të pozitivitetit me PCR test është më e shkurtër dhe për shkak se përqendrimi i virusit është më i lartë, do duhet një monitorim më agresiv i kontakteve dhe izolim i të infektuarve dhe kontakteve të tyre. Gjithashtu edhe përgjegjësi nga popullata që nuk ka zgjidhje, por ka njohuri për kontakt me rast pozitiv ose simptoma. Për shkak se përqendrimi i virusit është më i lartë, ai mund të zbulohet me ndihmën e testeve të shpejta të antigjenit. Pra, 70-80 përqind e rasteve pozitive do të zbuloheshin me test të shpejtë. Kjo do të mundësojë testim dhe skrining më të shpejtë të popullatës. Kështu, në ditën e 5 -të të kontaktit me rastin pozitiv, me test të shpejtë do mund të zbuloheshin rreth 60 % e rasteve pozitive. Çfarë do të thotë kjo për vaksinat? Vaksinat ende po e bëjnë punën e tyre. Varësisht nga vaksina e pranuar, rreziku nga infektimi është 10-20 herë më i ulët se sa tek personat e pavaksinuar. Pra, njerëzit përsëri mund të infektohen, sidomos ata që janë në kontakt të vazhdueshëm me një person të infektuar, por gjasat që një gjë e tillë të ndodhë janë shumë më të vogla. Njerëzit e vaksinuar, edhe pse kanë më pak gjasa të infektohen, edhe nëse infektohen janë më pak infektiv ndaj të tjerëve. Vaksinat vazhdojnë ta bëjnë punën e tyre. Në varësi të vaksinës, rreziku nga simptomat serioze dhe vdekja është për dhjetëra apo edhe qindra herë më i vogël në krahasim me atë te personat e pavaksinuar. Për shembull, nëse në mesin e populates së pavaksinuar do të kishte 20 vdekje, tek popullata e vaksinuar do të kishte 1. Është e nevojshme që t’i jepet përparësi vaksinimit të popullsisë së moshuar dhe popullatës me sëmundje bashkëshoqëruese. Në këtë mënyrë do të zvogëlohet numri i të sëmurëve me pasqyrë të rëndë klinike dhe numri i vdekjeve. Dëshmi për këtë është Mbretëria e Bashkuar ku ka një valë të re të fuqishme (ajo e vjeshtës), por një numër minimal të hospitalizimeve dhe vdekjeve për shkak të përqindjes së madhe të popullsisë së vaksinuar, sidomos të moshuarve. Me vaksinimin e mëtejshëm dhe mbase edhe me një dozë të tretë, zinxhiri i transmetimit mund të zvogëlohet. Kjo do të shuajë pandeminë. Nuk ka mënyrë tjetër, vetëm vaksinim, testime të rregullta dhe përgjegjësi, thotë Кungullovski. 

Mjeku në studime të doktoratës pranë Institutit Karolinska në Suedi, Haris Babaçiq, i cili komentoi rastin kur në vend një person i vaksinuar me 2 doza u infektua dhe vdiq nga Kovid-19, gjë që shkaktoi panik në mesin e popullatës, sqaron:

Kam nevojë të sqaroj se çfarë do të thotë në fakt efikasiteti i lartë i vaksinave në parandalimin e vdekjes nga Kovid-19. Unë nuk di për një procedurë që garanton mbrojtje absolute 100% nga çdo sëmundje ose vdekje në cilën çdo fushë, e as në mjekësi. Kështu është edhe me vaksinat. Siç kam shkruar më parë, studimet e efikasitetit mund të vlerësojnë nëse një vaksinë është 100 % efikase në një dizajn të caktuar eksperimental, por në realitet zakonisht ndodh që efikasiteti aktual në nivelin e popullatës (të cilin ne e quajmë efektivitet) të jetë për disa përqind më i ulët. Kështu, për shembull, efikasiteti i vlerësuar gjatë studimeve klinike, në realitet mund të ndryshojë nga 93 % deri në 99.9 % (shembull ilustrativ). Çfarë do të thotë kjo? Shkurt, efikasiteti prej 99 % në parandalimin e vdekjes nga Kovid-19 do të thotë se në rast infektimi nëse nga 100.000 të pavaksinuar do të vdisnin 1.000 njerëz, nga 100.000 të vaksinuar do të vdisnin 10. Kjo nuk do të thotë që nuk do të ketë raste të vdekjes nga Kovid-19 nëse i vaksinojmë të gjithë. Natyrisht që do të ketë, por ndryshimi do të jetë i madh në krahasim me situatën ku nuk do kishim popullatë të vaksinuar. Dallimi është i madh dhe nëse ai efikasitet është 90 % – në shembullin e dhënë, shpëtohen 900 jetë në 100.000 të vaksinuar. Shpresoj që kjo t’i zgjidhë dilemat në publik nëse ka ndonjë konfuzion. Vaksinat veprojnë.

Mundja e imunitetit tek të vaksinuarit nuk do të thotë se vaksina ka dështuar

Mediat botërore temën e infektimit të qytetarëve të vaksinuar plotësisht e trajtojnë si të nxehtë, me qenë se ka raste të tilla në çdo vend.

“Washington Post“ publikoi se për një javë me test pozitiv kanë rezultuar tre lojtarë të New York Yankies, një gjimnast në lojërat olimpike, më shumë funksionerë në Teksas, një funskioner në Shtëpinë e Bardhë dhe një punonjës në zyrën e Nancy Pelosi. Këto raste të mundjes së i imunitetit për të pa informuarit mund të sugjerojnë që koronavirusi i infekton individët e vaksinuar dhe shkatërron barrierat e tyre imunologjike, por nuk është ashtu.

Rastet e mundjes së imunitetit priten, edhe kur keni një vaksinë shumë efikase, thotë Roy M. Gulik, kreu i departamentit të sëmundjeve infektive në Well Cornell Medical Center në Nju Jork, për „Washington Post“.

Për të kuptuar pse është kështu, duhet të kuptohet se çfarë janë, e çfarë nuk janë vaksinat.

Kur dëgjoni për raste të mundjes së imunitetit tek njerëzit e vaksinuar, kjo nuk do të thotë se vaksina ka dështuar, tha Anthony Faucieksperti kryesor amerikan për sëmundjet infektive.

Vaksinat vazhdojnë të mbrojnë kundër një pasqyre të rëndë të sëmundjes dhe hospitalizimit dhe vdekjes, përfundon ai ndërsa përcjell Washington Post“.

Nëse personat e imunizuar nuk testohen shpesh, është e mundur që shumë raste të mundjes së imunitetit të anashkalohen si ftohjet e lehta dhe të kalojnë pa u vënë re. Nëse personat e vaksinuar testohen vazhdimisht, pa dallim të simptomave, si në rastin me Lojërat Olimpike, ato teste mund të jenë pozitive para se sistemi imunitar të mposhtë infeksionin. Pra, ato teste tregojnë një virus të dobët. Vaksina pothuajse gjithmonë parandalon format e rënda të sëmundjes, por jo gjithmonë mund të ndalojë infeksionin, thuhet në tekstin  e „Washington Post“. Gjithashtu, jo çdo infeksion kalon në Kovid-19. Është e mundur që virusi të jetë i pranishëm në gojën ose hundën e dikujt pa shkaktuar lodhje, dhimbje, humbje të nuhatjes dhe shijes, ose simptoma të tjera karakteristike të Kovid-19. Kjo njihet si një infeksion asimptomatik.

Pra, edhe pse është e mundur që njerëzit e vaksinuar me dy doza të infektohen me Kovid-19, madje edhe pacientët me imunitet të kompromentuar me një sistem imunitar të dobët si rezultat i kombinimit të sëmundjeve shoqëruese dhe Kovid-19 të vdesin (raste të rralla), vaksinat janë ende efektive dhe efikase në parandalimin e formave të rënda të Kovid-19, e mbushjes së shtretërve spitalorë dhe vdekjes që pa vaksinë mund të ndodhin shumë më shpesh.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.