Dr. Ollumçev: Masat preventive duhet të respektohen dhe vaksinimi masovik të vazhdojë për ta parandaluar llojin Delta

“Mendoj se qytetarët e keqkuptuan lirimin e masave restriktive. Këto masa qeveria i zbuti për të na ndihmuar që të fillojë të funksionojë ekonomia dhe vetëm për kaq. Sa që të kthehemi në një normalitet, e jo që të shkojmë masovikisht me pushime në vend dhe jashtë vendit dhe të grupohemi, jo që të mos mbajmë maska në mjedise të mbyllura”, thotë epidemiologu nga Gjevgjelia, dr. Sasho Ollumçev në një intervistë për „Vërtetmatësin“, dhe shton se ne ende nuk kemi dalë nga rreziku sepse lloji i ri i koronavirusit, Delta, i është shumë i rrezikshëm.

U bë një kohë tashmë që në Gjevgjeli dhe në rajonin që e mbulon Qendra lokale e shëndetit publik nuk ka asnjë rast të ri me Kovid-19. Që nga fillimi i pandemisë me Kovid-19 në këtë pjesë të vendit janë infektuar gjithsej 2.195 njerëz, ndërsa 72 kanë vdekur nga ndërlikimet e shkaktuara nga virusi. Në qendër të luftës kundër koronavirusit në Gjevgjeli dhe ngritjes së nivelit të mbrojtjes së popullatës, ishte epidemiologu Dr. Sasho Ollumçev, i cili beson se si popullatë nuk duhet të relaksohemi, sepse lloji Delta është shumë më ngjitës dhe më i rrezikshëm. Ai beson se nëse situata epidemiologjike në vend përkeqësohet, duhet menduar për shtyrje të vitit shkollor për një muaj, ashtu si vitin e kaluar. Ja se çfarë thotë Dr. Ollumçev.

Si është gjendja epidemiologjike me Kovid-19 në Gjevgjeli?

Në këtë rajon, për të cilin jemi përgjegjës ne si Qendër e shëndetit publik, situata aktuale epidemiologjike është stabile. Kjo, para së gjithash, i detyrohet personave të vaksinuar, vaksinimit intensiv që këtë një muaj e gjysmë ka mbajtur në një nivel mjaft të mirë. Shumica e qytetarëve nga rajoni i Gjevgjelisë u vaksinuan në pikat e vaksinimit në Gjevgjeli dhe Kavadar. Gjendja epidemiologjike është stabile edhe për shkak të faktit se ne kishim regjistruar rreth 2.200 persona të infektuar me Kovid-19. Nëse e shumëzojmë këtë numër me dy, sepse një pjesë e mirë e qytetarëve e kaluan infeksionin, fitojmë një numër relativisht solid të qytetarëve të vaksinuar dhe të shëruar, që mund të rrisë imunitetin natyror në rajonin tonë.

A mund të presim ndryshim të gjendjes epidemiologjike aktuale?

Tani jemi në pritje për të parë se çfarë do të ndodhë me llojin Delta. Sipas parashikimeve të mia, të cilat i shpreha dy muaj më parë, ne do të kemi një ndryshim të situatës dhe ky lloji i ri do na shkaktojë probleme serioze në periudhën që vjen. Ky lloj ndryshon mjaft nga Kovid-19 origjinal. Nëse marrim parasysh se ai është për 60-70 përqind më infektiv se lloji Alfa, se mjafton vetëm një kontakti shumë i shkurtër për tu infektuar, atëherë çështja është më se serioze. Mendoj se qytetarët e keqkuptuan lirimin e masave restriktive. Këto masa qeveria i zbuti për të na ndihmuar që të fillojë të funksionojë ekonomia dhe vetëm për kaq. Sa që të kthehemi në një normalitet, e jo që të shkojmë masovikisht me pushime në vend dhe jashtë vendit dhe të grupohemi, jo që të mos mbajmë maska në mjedise të mbyllura.

Çfarë masash preventive ndërmerren për mbrojtje nga lloji Delta i Kovid-19?

Masat parandaluese janë ato që ishin, pavarësisht se për cilin lloj të virusit bëhet fjalë. Mbajtja e maskave dhe ruajtja e distancës, si dhe dezinfektimi i shpeshtë. Ne duhet t’i respektojmë këto masa që ta mbrojmë veten dhe njerëzit përreth nesh. Një masë tjetër për mbrojtje është vaksinimi masovik që po bëhet tani në vendin tonë, por për ta përfshirë të gjithë popullatën na duhet kohë. Në ndërkohë, deri sa të krijojmë imunitet kolektiv, duhet t’u përmbahemi këtyre masave. Tani, kemi një boshllëk sa i përket fëmijëve të kopshteve dhe atyre deri më 14 vjet. Sipas mendimit tim, situata e përgjithshme me llojin Delta do të komplikohet për shkak të faktit se në shënjestër të këtij lloji në të ardhmen do të jenë fëmijët, për të cilët deri më tani nuk është prodhuar asnjë vaksinë e që do të infektohen në muajt e ardhshëm.

A duhet të kthehen fëmijët në bankat shkollore në 1 shtator?

Thamë që duhet të kthehen, por ende nuk dihet nëse do jetë ashtu. Duhet të jemi të përgatitur për dy skenarë.  Të kthehen apo të vazhdojnë me mësimin në distancë. Nuk e dimë se çfarë do të ndodhë me llojin Delta të virusit. Nëse më pyetni mua, sigurisht që dua që fëmijët të kthehen në mësim me prani fizike për shkak të cilësisë së mësimdhënies, por edhe për shkak të shoqërimit, që janë pjesë e vetë edukimit. Megjithatë, në radhë të parë është shëndeti. Nëse kemi një popullsi të paimunizuar të cilën do e sulmojë lloji Delta, atëherë sigurisht që përparësi do ketë shëndeti. Po e them përsëri: gjithçka do të varet nga numri i të infektuarve në muajin gusht, kur të gjithë do të kthehen nga pushimet. Dhe nëse numri i të infektuarve fillon të rritet me shpejtësi, duhet të mendojmë për shtyrjen e fillimit të vitit shkollor për të paktën një muaj. Por, kjo do varet nga ajo që do të ndodhë në periudhën në vazhdim, sa do të jetë numri i njerëzve me simptoma dhe i të sëmurëve. Mund të mos ndodhë asgjë nga këto, por ne duhet të jemi të përgatitur. Prandaj, duhet të vazhdohet me respektimin e masave parandaluese.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.